Tirana, ose tani ose kurrë!

Bardhyl Ermini May 28, 2015 14:39

Tirana, ose tani ose kurrë!

Gara për bashkiaket e 21 qershorit filloi edhe zyrtarisht. Duhet thënë se qënia e deritashme në këtë funksion, e mumjes që e katranosi këtë funksion, është një shans për të gjithë kandidatët e mundshëm. Kaq keq ka hequr ky qytet këto 4 vite, sa do të mjaftonte një riparim kapital i kazanëve të plehrave, rregullimi i disa trotuareve në qendër, si dhe një pastrim modest i pusetave, sa ai që do të zgjidhet, me siguri që do të futet në fondin e artë të bashkiakëve të Tiranës, me motivacionin “Ai që i ktheu Tiranës trotuaret dhe zhbllokoi kanalet e saj”.
Tirana është një njollë, tamam një njollë urbane, ku është ndërtuar në mënyrën më të papranueshme nga pikëpamja e formës dhe më kriminale nga forma e përmbajtjes. Inxhinierët, arkitektët dhe urbanistët që kanë marrë pjesë në ndërtimin e saj, mund të konsiderohen të falimentuar jo vetëm nga ana profesionale, por edhe morale. Firmat që ata kanë hedhur për legalizimin profesional të katrahurës, i kanë bërë ata autorë të një prej dëmeve më të mëdha që i është bërë territorit të vendit. Ndofta mund të deklarohet pa pasur frikë se ndërtimet në Tiranë kanë marrë fund. Çdo tentativë ashtu siç përpiqej Basha & Co., me zgjatimin e bulevardit, është përpjekje tërësisht e hapur mafioze, për të ligjëruar edhe formalisht krimin tashmë jo vetëm urban por njerëzor, kthimin e saj në një qytet fantazmë, ku nuk do të mund të banohet, punohet e as jetohet.

Problemi në Tiranë, tashmë qëndron jo te urbanizimi shqiptar por te çurbanizimi “shkencor”. Nuk e besoj se në ndonjë qoshe të botës, gjendja e ndërtimeve të ketë degraduar në këtë gradë sa të mos arrish të gjesh fjalën e duhur për të shprehur formën e korrigjimit, përveçse këtij termi, çurbanizim. Ky është kandisur në një qytet – fshat të stërmadh, në të cilin punohet aty ku ka punë, futet koka nën një çati apo soletë ku nofullat përtypin bukën e përditshme, e ku lëvizin makina të çartallosura, që nuk dihen nga dalin e ku hyjnë. Nga 250 mijë banorë në vitin 1990, sot popullsia e Tiranës së bashku me
periferinë shkon në afro një milion banorë. Rritje katastrofike! Krejtësisht e pakontrolluar, që mban në bark dy herë më tepër, se kapaciteti i saj i parashikuar pas 30-35 vitesh. Pra dy herë më tepër se do të duhej të mbante në vitin 2050. Ja, lexoni studime apo artikuj seriozë të kësaj fushe dhe do të bindeni. Ёshtë shumë e rëndë ta mendosh, por e vërteta  vetë rëndon më tepër se çdo gjë. Në se Tirana sot e kësaj dite vazhdon të quhet një qytet, që sidoqoftë e ka një fizionomi, këtë e ka dhuratë nga fillimet e viteve…30 të shekullit të kaluar, falë planit urbanistik të bërë nga urbanistët italianë. Gjithçka e vazhduar më tej, ka qenë adaptim rreth kësaj bërthame urbanistike të përkryer, e cila vazhdon e imponon me madhështinë e saj, jo vetëm në qendër por deri në periferi, nëpërmjet arterieve kryesore të saj. E kaluara e ka sfiduar shkencërisht të sotmen, kur e ardhmja nuk do të jetë gjë tjetër përveçse lojë e verbër e spontanitetit. Tirana është një qytet që nuk prodhon, por vetëm shërben dhe konsumon. Nga vetë natyra e vendit, e territorit, prodhimi është jashtë e larg Tiranës. Popullsia e Tiranës jeton kryesisht në sajë të remitancave të emigrantëve dhe në sajë të një rishpërndarjeje idiote të të ardhurave të investuara fort e më fort në sektorët e konsumit e të luksit të pakuptimtë.

Në se prodhimi e jo bixhozi vendos në fatin e një vendi, nuk është e vështirë për ta imagjinuar Tiranën e ardhme. Nuk është e largët dita kur 50% e popullsisë të saj do ta shohë veten pa shtëpi e katandi. Sepse nuk mund të jetohet në një vend që nuk arrin të mbajë më tepër se gjysmën e saj. Pas 10 apo 15 vitesh nuk do të ketë më refugjatë, tregu i punës do të integrohet në atë të Bashkimit Europian, i cili nga ana e vet do të detyrojë “dreqin me të birin” që edhe këtu të jetohet. E ç’punë do të kenë paskëtaj në Tiranë një milion banorë? Asgjë! Ata do t’i detyrojë vetë jeta, kërkesa dhe oferta, që ta braktisin atë, të largohen prej saj e të afrohen atje ku do të gjejnë komoditetin e saj, aty pra, ku do të prodhohet. Një qytet i përgjysmuar, i shtrirë alivan sa gjatë gjerë, qesharak nga madhësia e tragjik nga perspektiva, i heshtur e apatik, pa kokë e pa këmbë, me një trup rakitik, me një bark të mbushur përplot me çimento e tulla. Ja, ky është qyteti që do të trashëgojë brezi që vjen, “peshqeshi” që ka përgatitur klasa kriminale politike e vendit tonë, një bombë sociale e rrallë në historinë e qyteteve.

Do të bindeni nëse shikoni Sarandën jashtë sezonit turistik! Një qytet me kapacitet jo më pak se 200 mijë banues, në dimër rrudhet në 25 apo 30 mijë të tillë. I vdekur totalisht, i cili në vetminë e tij jo vetëm të streson por të kall datën. Ose hidhini një shikim të shpejtë zonës nga Kavaja e deri në hyrje të Durrësit, bashkë me të brenda. Banesa bosh, zona të tëra të zbrazura, pa perspektivë, më tepër kufoma të llangosura se sa vende ku jetojnë njerëz me të drejta për të jetuar. Apo Elbasanit të mjerë, që ka marrë kot e vazhdon të helmohet tashmë nga lartësia e dendësia e paskrupullt e jo nga tymi i industrisë.
Nuk ka më keq! Krejt kjo shoqëria jonë naive, ra viktimë e një dorë batakçinjsh, që për të realizuar qëllimet dhe fitimet e tyre kriminale e sulmuan atë, duke pasur për aleat shtetin “demokratik”,
institucionin më të errët e të dyshimtë që ka predominuar në krejt historinë e vendit tonë. Vazhdon edhe sot. Shiheni Bashkinë e Tiranës, që megjithëse ka ngordhur dhe e ka çuar këtë qytet në “litar”, lejoi e vazhdon ndërtimet mafioze të tre gjigandëve të “pashpirt” pranë liqenit artificial. Tirana ka ardhur në një gjendje të tillë ku duhet luftuar për të mbrojtur e fituar çdo centimetër katror. Rikuperim total të gjelbërimit, rrugëve, trotuareve e ndërtimeve ekzistuese. Beteja kryesore e Kryetarit të ardhshëm të Bashkisë, nuk është lufta me vazot me lule që filloi të varte nëpër shtylla ky i sotmi, ky palaço i paskrupullt që qëndroi 4 vite me duar në xhepa, por lufta me fantazmën e qytetit të ardhshëm, ristrukturimi i një plani të ri urbanistik, fillimi i zhvillimit të qytetit aty ku ai do të qëndrojë përherë i gjallë, izolimi i plotë i nënzonave të dyshimta urbane që janë ngritur artificialisht e pa asnjë lloj kriteri, ndërtimi e plotësimi perfekt i infrastrukturës në nyjet nevralgjike të tij si dhe veçanërisht rikuperimi i sipërfaqes të gjelbër, duke e konsideruar këtë si një kusht “si ne qua non”. A është në gjendje kryetari i ardhshëm të argumentojë e të influencojë deri në spastrimin e ndërtimeve abuzive? A është i aftë t’i vejë kazmën atyre pallateve pranë liqenit që përmendëm më sipër, nga muret e të cilave rrjedh qelbi i mafies? A është i zoti që nga një qytet pijanecësh, ahengxhinjsh e zullapësh, të fillojë ta kthej në një qytet të qetë, të pastër, me njerëz që luftojnë për punë e të ardhme, me rini që vrapon e studion, me një popull që e dëshiron kulturën, sportin, librin e të bukurën? Ka ikur koha e fasadave me ngjyra. Qyteti është rritur pa masë, është plakur para kohe, është koha e rigjenerimit, e
operacioneve rrënjësorë në trupin e tij.

Të gjitha gjasat janë që bashkinë e kryeqytetit ta fitojë Veliaj, ky djalosh i rritur me halle e që nëpërmjet tyre ka ditur të ruajë masën e të sjellurit e kulturën e të përmbajturit, si rrallë në moshën e tij. Por cili është “drejtimi i duhur” i tij? Ky “çun” duhet të ketë mirë parasysh se asnjëherë nuk duhet ta gënjejë mëndja, se mund t’i mbushi mendjet e qytetarëve me parrulla e me fjalë boshe, apo me dëshirë për debate alla amerikançe. Këto të çojnë në drejtimin kuturu. Në drejtimin e duhur të çojnë projektet konkrete, premtimet reale, imazhet e besueshme, debatet e shtruara e të vërteta. Drejtimi i duhur, nga vetë termi, është një koncept më tepër matematik se sa një shprehi orientimi social.

Këto zgjedhje në Tiranë, jo rastësisht, përveçse zgjedhje lokale mund të kthehen edhe në një event të rëndësishëm politik. Sepse përveçse mund të frenohet gremisja e saj, të cilës i vihet në pikëpyetje e ardhmja, krijohet mundësi edhe për opozitën e zgërlaqur, e cila më së fundi duhet të shkundë bëzhdilet që e kanë verbuar dhe të nisi pikërisht atë që nisi e ëma e saj, Partia e Punës, 25 vite më parë, rinovimin. Nga një fjalëpak, për çudi këtë periudhë, kandidati doktor i PD-ës është kthyer në një muhabetçi që duket tamam sikur ka zbritur nga konstelacioni i Virgjëreshës dhe po bën garë për kryetar të shoqatës të nënave me shumë fëmijë. Thotë se është manaxher i mirë. Se si mund të jetë i tillë një njeri që flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, një dreq e di. Sidoqoftë, ai mund të menaxhojë gjithçka, deri edhe Shtëpinë e Bardhë. Por Tiranën jo, mos o zot! Në se fushata mbetet në këto nivele, po të isha unë Kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, do ta uroja zotin Veliaj paraprakisht, për detyrën e rëndësishme që e pret, një “fait accompli”, atë të kryebashkiakut të Tiranës.

Bardhyl Ermini May 28, 2015 14:39
Komento

5 Komente

  1. emigranti May 28, 15:04

    Jo Tirana, por SHqiperia ose tani ose kurre. Me duket e veshtire se te rinj e te vjeter(politikane) jane dallaverexhi, matrapaze. dhe pa moral. Prandaj nuk ka vrime ne tynel

    Reply to this comment
  2. H.LEKA May 28, 17:15

    ‘Tirana…nuk prodhon por vetem sherben dhe konsumon’
    Trekendeshi:Prodhim-Sherbim-Konsum qe permend ky intelektual i nderuar,te cilin per fatin e keq e lexojme shume rralle e qe hyn ne 3 penat qe nuk ‘shiten’ perfshi ate te Viktor Malaj e Bedri Islami,eshte thelbi i nje ekonomije,te nje zhvillimi e te nje mireqenje per brezat e ardhshem.
    Pa e komentuar shkrimin qe nuk besoj se ka nevoje dua te evidentoj se gjendja e Tiranes eshte akoma me keq se sa e ‘nxin’ autori me nje mendim te kthjellet ekonomik argumenton.
    Nese prodhimi eshte ‘zero’ mendoj qe edhe sherbimi apo si thuhet ‘ekonomija e sherbimit’ eshte zero me xhufke!Kur flas per ekonomi sherbimi behet fjale per tere sistemin nga ai financiar e bankar ,postar e mbi te gjitha i trasportit publik,dixhitalizimi(e ketu nuk behet fjale per facebook ku skedohen dashnoret apo putanat me imunitet) e deri tek ai i servirjes se PAÇES e PILAFIT!!
    E vetemja gje qe nuk jam dakort me autorin e nderuar e respektuar kur perdor togfjaleshin ‘shtet demokratik’.Fjalen demokratik me te drejte e fut ne thonjeza ndersa ‘kryefjalen’ shtet e le pa to sikur do te tallet e ta lere te HALLAKATUR si sot e 25 vjet me pare.Tere fatkeqesija eshte se si asnje vend i Ballkanit na mungon shteti e bashke me te tere pushtetet e mbi te gjitha ‘pushteti i katert’ INFORMACINI.Po te kishim informacion si ky shkrim zjarrvenesit e Shqiperise e Bashkise do ishin ne gjyqin e Hages e jo ne parlamentin Wikilliks e keshillat bashkiake qe vazhdojne e tallen akoma me sovranin popull!Kur flas per ‘zjarrvenes’ nuk bej perjashtime te mengjer apo te djathit perjashtu Neronin.
    Sa i takon kandidatit Veliaj jam dakort me autorin jo se do beje mrekulli ne nje qyp(dikur gjysma M.. e gjysma mjalte,mjaltin e hengra e M…. e lashe)tashme pas 25 vjetesh te mbushur plotesisht me M.. ta ktheje ne Mjalte por i referohem thenjes filozofike qe:Nje qeverrisje(bashkiake) nuk duhet vleresuar si e shkelqyer por si me pak e KEQE!Respekt edhe nje here per autorin e ketij shkrimi te munguara 25 vjet e natyrisht edhe redaksine e kesaj te perditeshme!

    Reply to this comment
  3. Love Tirona May 29, 00:58

    Nuk mendoj dhe as besoj se Qyteti yne do ndryshoje ne kater vjet qe, siç duket nga gjasat ,fatmiresisht Kosova ja ka krijuar te gjithe mundesite Erionit per te filluar punen qe tani. Shpresoj qe diten e parë ne krye ky djalosh ta filloje nga vendi ku do ulet. Te pastroje dhe hedh ne plehra cdo gje qe ndodhet ne ate ndertese, te vendosi krevatin e tij perpara tavolines. Ta filloje nga zero. Me nje baze te tille te vendosi piketat e para.. Syte i ka ne balle. Deri sot mafia kryesuar nga te gjithe kryetaret e Bashkise se Tiranes dhe Drejtoret e Policise Ndertimore per keto 25 vjet ben ate qe ne e shohim dhe jetojme per dite. Sot dhe neser asnjeri nuk mund te tallet më me ate qytet, fale edhe shtypit e gazetareve (si ky zoteri qe ka bere kete artikull). Per mendimin tim, Erion Velia ne rast se nuk shkeputet dot nga influenca e Rames nuk do ja dali kurre. Ne te kunderten une shpresoj. Edhe nje gje qe,jo paqellim nuk e beri as Rama dhe as ky Budallai (qe me te drejte artikull shkruarsi e permend se vari vazo ne shtylla neoni). Erion Velia duhet te denoncoje cdo leje ndertimi dhene ne kundershtim me legjislacionin ne fuqi, me emra, dhe te kalohen per ndjekje penale se eshte teper ofenduese per cdo njerin nga ne kur shohim mafien e ndertimit kapardisur neper Tirane. Edhe pse kur i shikon neper lokale akoma nuk kane mesuar te perdorin thiken dhe pirunin…

    Reply to this comment
  4. METEH May 29, 13:57

    Artikull i perkryer,ku etiketohen perparesit qe duhet te ket KRYEBASHKIAKU i ardhshem VELIAJ,pasi nuk diskutohet fitorja e tij.Tirana eshte kthyer ne HALA,ndonse te tilla nuk gjen gjekundi per te urinuar dhe ALPAZAR na i tregon se si njerzit pshurrin kuturu pa piken e edukates.Tiranes Basha i nxori syt ne vend qe ti vinte vetulla.E vetmja gje qe beri ishte therja e dashit-kurban para zyres bashkis per te then se votat i mori me vjedhje-gjak PD-ist siç e ka per tradite kjo force politke e degjeneruar.Besoj se Erioni me mbeshtetjen e RAMES do e bjer ne parametrat normal Tiranen ne 4+4+4 vjet,ndryshe nga ky kryeqytet duhet te iket nga syt-kembet,nqs nuk behen shpronsimet e domozdoshme per te fitar hapsirat e gjelberta,te levizjes se lirshem,ambjenteve shlodhese,sportive per rinine midis pallateve,pemeve dekorative,asfaltimi i rrugeve e rrugicave,vijzimeve te perditeshme dhe dhenjes fund te vjedhjes se kapakeve te pusetave,duke dnuar me burg grumbulliesit e ketyre hekurishteve me vlere qe po demtojne njerzit e mjetet..!

    Reply to this comment
  5. E verteta May 29, 16:40

    Edhe une kam qene per Velijan, por dikasteri qe ai ka drejtuar, eshte i mbushur me njerez te korruptuar. Kete e kam nga experienca personale. Mbushet arka e shtetit me parate e te vdekurve? Keto e bejne nje gje te tille. Turp. Vdes personi jashte, bashkeshortit i kerkohen dokumenta te pamundura per ti plotesuar, certifikate trashegimie. Cfar hyn trashegimia ketu, kur burri eshte kyjdesur per ate bashkeshorten gjate gjithe kohes qe ka qene e semure. Pensjoni nuk eshte pasuri. Eshte para e fituar me djersen e mundin e 40 viteve pune, kane jetuar bashke mbi 50 vjet. Nuk kam pare as ne nje vend te botes ligje te tilla. Plot njerez kane experianca te ngjashme, kane shkuar deri aty sa kane rrefuzuar te merrem me ate ceshtje, dokumentat qe kerkohen jane te parealizueshme e shume te kushtueshme per tu bere….Harram vota, kurre me Socialistet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*