Për çfarë flet (dhe për çfarë nuk flet) ministria e jashtme ruse

September 11, 2019 22:00

Për çfarë flet (dhe për çfarë nuk flet) ministria e jashtme ruse

Nga Shaban Murati

Në ditët e para të vjeshtës diplomacia ruse befas ka identifikuar rrezikun e ri të madh, që i kërcënohet Ballkanit dhe Europës, rrezikun terrorist shqiptar. Në 4 shtator zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, dha alarmin ndërkombëtar se:

”Në vëmendjen tonë Kosova vazhdon të kthehet në një kështjellë të terrorizmit. Shqiptarët kosovarë të ISIS-it të rekrutuar dhe të trajnuar më parë po kthehen në rajon nga zona e luftës. Ata e dinë ku kthehen. Kjo është një gropë e zezë, ku ata mendojnë se mund të ripërtërihen dhe pastaj të bëjnë marshim force në një rajon  tjetër. Çështja krijon rreziqe të dukshme sigurie në Ballkan dhe në Europë në tërësi”.

Një ditë më pas alarmin e vazhdon përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Këshillin e Përhershëm të OSBE në Vienë, A.Lukasheviç, i cili në 5 shtator deklaroi lidhur me Kosovën se “Gjendja shkakton një shqetësim gjithnjë e më të madh. Normë për Kosovën janë bërë organizatat terroriste dhe ekstremiste”.

Pastaj në 9 shtator organi përçor i antishqiptarizmit “eadaily.ru” jep konkluzionin tronditës se shqiptarët “janë aleat ideal i perëndimit në thithjen përfundimtare të Ballkanit (përfshirja e gadishullit në një orbitë gjeopolitike, duke u anëtarësuar në NATO dhe BE).

Për realizimin e këtij procesi në radhë të parë amerikanët kanë vënë bast te shqiptarët, me pasionin dhe ambiciet e tyre të lindura për realizimin e projektit të tyre pan-shqiptar në rajon, duke dobësuar jo vetëm fqinjët greko-sllavë, por edhe tërë Evropën e Vjetër “.

Alarmet e reja antishqiptare të diplomacisë ruse për të ashtuquajturin rrezik terrorist shqiptar janë hiperbola të dezinformacionit klasik rus. Janë të pabesueshme, sepse vijnë nga shteti, që ka kryer agresion ndaj shtetit fqinj të Ukrainës, i ka aneksuar forcërisht Krimenë dhe i ka ndezur luftën separatiste për shkëputjen e Ukrainës Lindore.

Por janë të pabesueshme sidomos, sepse Rusia është një nga shtetet, që ka kontribuar më shumë në furnizimin e ISIS-it me mercenarë nga shtetasit e saj. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse po kërkon të tronditë Europën dhe botën me shifrën e dyfishuar prej saj të rrezikut nga kthimi në Kosovë i 250 luftëtarëve shqiptarë nga Siria.

Në fakt sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve kompetente të Kosovës janë kthyer 110 qytetarë të Kosovës nga Siria, nga të cilët 32 gra dhe 74 fëmijë dhe vetëm 4 ish luftëtarë të ISIS-it, të cilët u arrestuan menjëherë, sepse në bazë të ligjit të miratuar nga parlamenti i Kosovës, ish pjesëmarrësit në luftërat e vendeve të tjera arrestohen dhe dënohen penalisht.

Ministria e Jashtme ruse ngre alarmin ndërkombëtar për gjoja rrezikun ballkanik dhe europian nga “250 ish luftëtarët shqiptarë në Siri”, por hesht për mijëra luftëtarët e ISIS-it, shtetas të Rusisë. Sipas të dhënave të Qendrës Studimore të Radikalizimit, ICSR, në vitin 2018 Rusia kishte 5 mijë shtetas rusë luftëtarë të organizatës terroriste ISIS në Siri dhe Irak.

Sa për ilustrim, në 12 korrik 2019 në Shqipëri u arrestua një shtetas rus me akuzën se ka qenë luftëtar i ISIS-it. Zëdhënësja e MPJ të Rusisë as e falënderoi shtetin shqiptar dhe as e përmendi terroristin rus të arrestuar. Duket 5 mijë mercenarë rusë në radhët e ISIS-it nuk konsiderohen nga Moska rrezik ballkanik dhe europian, kurse “250” mercenarët shqiptarë shpallen rrezik europian.

Ministria e Jashtme ruse gjithashtu nuk flet për mijëra mercenarët rusë, të cilët shërbimi sekret ushtarak rus nëpërmjet kompanisë së tij të njohur botërisht “Vagner” i ka dërguar të luftojnë në Siri në mbështetje të regjimit kriminal të Asadit, siç nuk flet për ata mijra mercenarë rusë, që luftuan për të mbrojtur Gadafin në Libi, etj.

Ministria e Jashtme ruse nuk flet për “Ushtrinë kozake të Ballkanit”, që shërbimet sekrete ruse krijuan publikisht në shtator të vitit 2016 në Kotorr të Malit të Zi me mercenarë dhe vullnetarë ortodoksë rusë, serbë, ukrainas, malazezë dhe maqedonas, të cilët kanë luftuar në Bosnje, në Kosovë, në Ukrainë, e deri në Nagornij- Karabak.

Është e kuptueshme se diplomacia ruse ka nevojë të shpikë e të bëjë zhurmë për një rrezik imagjinar të terrorizmit shqiptar, sepse asaj i duhet në këtë momente të ngrejë alarme të rreme antishqiptare.

Së pari, i duhet që nëpërmjet këtyre alarmeve të rreme të dobësojë pozitën biseduese të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve. Rusia synon që të bllokohet procesi i normalizimit dhe i njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës.

Duke zhurmuar në shkallë ndërkombëtare për Kosovën si “kështjellë terroriste shqiptare”, Moska përpiqet të provokojë një shqetësim ndërkombëtar për rrezikun e terrorizmit shqiptar dhe të izolojë Kosovën në planin diplomatik.

Në këtë linjë Moska tenton që me gogolin terrorist shqiptar të bëjë që diplomacia ndërkombëtare të tregohet më pak ose aspak mirëkuptuese për të drejtat dhe kërkesat e Kosovës në dialogun me Serbinë. Ambasadori rus në OSBE në 5 shtator doli hapur kundër marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës, duke deklaruar se Perëndimi “kërkon nga Beogradi ta detyrojë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me Prishtinën, duke e kushtëzuar me afate artificiale”.

Së dyti, alarmet antishqiptare i duhen diplomacisë ruse për të ushtruar shantazh ndaj udhëheqjes së Serbisë, për ta mbajtur fort të lidhur me Moskën si “mbrojtëse nga terroristët shqiptarë”. Diplomacia rusë synon ta largojë sa më shumë udhëheqjen serbe nga këshillat e faktorit perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Konstatohet një shqetësim në rritje në Moskë se mos Serbia do të detyrohet që për shkak të nevojës së anëtarësimit të saj në BE të tolerojë në kushtin e BE që ajo duhet të njohë më parë Kosovën. Ndaj diplomacia ruse po kërkon të trembë Serbinë me rrezikun terrorist shqiptar, që vjen nga Kosova.

Së treti, strategjia diplomatike e Moskës me ngritjen e alarmeve të rreme antishqiptare lidhet me plane më të sofistikuara afatgjata ruse. Sipas ekspertëve të sigurisë, zhurma e tanishme për rrezikun terrorist nga Kosova mund t’i duhet Moskës që të mbulojë në të ardhmen provokacionet apo atentatet e mundshme terroriste, që Rusia mund të organizojë në Veriun e Kosovës apo brenda në Serbi për të destabilizuar situatën dhe për t’i paraqitur si akte të terroristëve shqiptarë, për të cilat ajo ka paralajmëruar më parë.

Një veprimtari e pritëshme terroriste nga ana e shërbimeve sekrete ruse në Ballkan është një zhvillim i mundshëm për të krijuar tensione dhe konflikte etnike dhe nacionale në Ballkan, si mënyrë për të krijuar hapësirën e duhur për praninë dhe depërtimin e ndërhyrjes ruse në rajon.

Në situatën e alarmeve të rreme të diplomacisë ruse për rrezikun  terrorist shqiptar të luftëtarëve të huaj të kthyer, duhet tërhequr vëmendja të fenomeni i përdorimit të idiotëve të dobishëm të Rusisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, lidhur me temën e preferuar ruse të luftëtarëve të huaj.

Ka disa të ashtuquajtura qendra apo institute studimore apo OJQ shqiptare, të cilat që nga viti 2011 janë specializuar në fryrjen artificiale të çeshtjes së luftëtarëve shqiptarë në Siri dhe në ndërkombëtarizimin e saj. Nga Kosova kanë mbetur në Siri nja tridhjetë shqiptarë dhe me gishtat e dorës nga Shqipëria. Por disa të ashtuquajtura qendra apo institute studimore apo OJQ sigurie në Shqipëri dhe në Kosovë vazhdojnë avazin e fryrjes së rrezikut të luftëtarëve shqiptarë, që kthehen nga Siria, dhe i hedhin në merkaton propagandistike filoruse.

Burime të institucioneve shqiptare të sigurisë bëjnë të ditur për financime okulte ruse, serbe dhe greke, për këto qendra apo institute studimore apo OJQ shqiptare, të cilat çdo muaj publikojnë fantazitë studimore për rrezikun e terrorizmit shqiptar.

Nuk mund të mos bëjë përshtypje që asnjë nga këto të ashtuquajtura qendra apo institute studimore apo OJQ të sigurisë në Kosovë dhe në Shqipëri nuk kanë bërë qoftë dhe një studim apo analizë për mercenarët rusë dhe grekë, që bashkë me forcat ushtarako-policore serbe luftuan kundër popullit shqiptar në Kosovë në agresionin gjakatar serb të vitit 1999. Nuk kanë bërë as edhe një studim apo analizë për mercenarët rusë dhe serbë, që iu bashkëngjitën forcave të pushtetit maqedonas kundër shqiptarëve në konfliktin e armatosur të vitit 2001.

Zhurmaxhinjtë kosovarë të rrezikut terrorist shqiptar nuk kanë bërë as edhe një studim apo analizë për masakrat dhe gjenocidin ndaj popullsisë çame. Të gjitha këto deviacione tematike nuk janë të rastësishme. Njerëzit e caktuar, mekanizmat dhe organizmat e caktuara, vihen në lëvizje në momentet e caktuara dhe në rrethana të caktuara, që iu duhen shteteve dhe forcave antishqiptare, që i paguajnë.

Ofensiva e re e diplomacisë ruse për të ashtuquajturin rrezik terrorist shqiptar është në funksion të strategjisë ruse për të turbulluar situatat dhe për të zgjeruar mundësitë e ndërhyrjes ruse në Ballkan. Është pjesë e luftës hibride, që Moska ka shpërthyer në rajon pas agresionit të saj në Ukrainë, dhe objektivi armik i diplomacisë dhe i strategjisë së shtetit rus në Ballkan mbeten shqiptarët dhe kombi shqiptar.

 

*****

Botuar në Dita. Rubrikën e z.Murati mund ta lexoni një herë në javë në versionin print dhe online të gazetës. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

 

September 11, 2019 22:00
Komento

14 Komente

  1. Pano Hallko September 11, 09:46

    Një zbërthim i argumentuar i gjeopolitikës ruse, por edhe i gjeopolitikës inekzistente ballkanike.
    Përgëzime Profesor!

    Reply to this comment
    • NY. September 11, 11:59

      E tha edhe Pano Hallko,”pergezime profesor”per trushperlarjen.
      Ku e gjete qe Ruset na qenkan me isis o prof.Po ju jeni bere me keq se enver hoxha me keto lloj gomarlliqesh.
      ISIS eshte produkt i botes fondamentaliste Islamike o prof.se po cudisni dynjane,edhe nga Amerika kane dale pese kokrra te indokrinuara,ne fakt nga gjithe bota kane dale tru shperlare radikale Islamike,Persa i perket Kosoves,Po eshte e vertete,simbas informacionit te dhene vete nga qeveia e Kosoves jane me teper se 400 luftetare ekstremiste qe kane luftuar ne Siri dhe Irak prej te cileve 70 jane te vrare simbas gazetes Rojter.
      More than 400 Kosovars were known to have joined extremist groups in Syria and Iraq since 2012, according to the Kosovo authorities. About 70 men who fought alongside extremist militant groups have been killed, according to Reuters.
      Por nuk ka thene njeri se gjithe Kosva eshte me isis se po na cudisni me keto budallalliqe

      Reply to this comment
      • Go September 12, 00:19

        O ny,t’i gezosh rublat e rusit !

        Reply to this comment
      • Pano Hallko September 12, 08:34

        O “zoti” N>Y! Kur deshiron te replikosh me persona konkretë, mos fol nga pozita e anonimit.

        Reply to this comment
      • Nardi September 12, 09:12

        O NY.L , po pse pak popullsi myslimane ke ne Rusine jugore o i “ditur”? Perpara disa diteve ne Shqiperi u arrestua nje qytetar rus ne Shqiperi qe vinte nga rradhet e ISIS-IT. Kjo eshte nje ofensive dashakeqe per denigrimin e shqiptereve pjese e se ciles me ose pa dashje behesh dhe ti.Nuk jane te rastesishme dhe qendrimet e Presidentit çek ndaj njohjes se Kosoves ne kuadrin e kesaj maskarade pansllave.

        Reply to this comment
  2. Dipllomati September 11, 11:46

    Profesor me shkolle partie

    Reply to this comment
    • Pano Hallko September 12, 08:36

      “Zoti” dipllomati! Te siguroj, se as ne jetn e trete tenden, nuk do mundesh te kesh arsimimin(pa lere formimin), e SH.T. Ambasador Muratit…

      Reply to this comment
  3. Eliot September 11, 23:06

    Analizat e z.Murati, shume ndriquese dhe te domosdoshme

    Reply to this comment
  4. besniku September 12, 06:35

    Mje analize shume e dobishme per shqiptaret.
    Ne kete kohe turbullirash te medha politike ne vend, çfare nuk pret nga antishqipteret.
    Dhe kjo analize te sqaron nje nga elementet qe i shtohet korrit te zerave antishqiptare ne Europe e me tej.
    Ajo qe eshte me e rendesishme eshte analiza per punen e OJQV.
    Qe keto organizma parazitare e dime qe paguhen me para te pista e dime, por qe hapur merren ne Shqiperi me te njejtin qellim qe Luli u pagua ne Kosove , per te sajuar histori kunder luftes dhe luftetareve kosovare,
    kjo nuk me kish vajtur nr mendje.
    Keto OJQ fabrikokan ne mes te dites ne Shqiperi fakte te rreme kunder saj dhe qeveria jone mavi ben sehir !!! ???
    Eh ç’kohe po jetojme, ne nje vend ku na udheheqin shushunjat antishqiptare !

    Reply to this comment
  5. Dash September 12, 08:41
    Reply to this comment
  6. Elton September 12, 09:16

    Z. Murati te vazhdoje te botoje e te kontribuoje madje edhe me shume!
    Kush ka mendje le ti kuptoje te dhenat qe ai jep, kush nuk ka mend nuk ka 🙂 si ndihmojme dot!

    Reply to this comment
  7. Artan Sejko September 12, 15:18

    Faleminderit z.Murati!

    Reply to this comment
  8. Dipllomati September 12, 20:29

    Ky cdo gjo mund te jete po dipllomat jo

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*