Tirana që ishte, Tirana që mbeti

September 10, 2016 13:03

Tirana që ishte, Tirana që mbeti

Nga Fatos Tarifa

-11 Janari, Shkencat dhe Materniteti. Toponimia e Tiranës kur merr një taksi-


Shkak për të shkruar këto radhë u bënë dy ndodhi të para pak kohëve. Ndodhia e parë: Djali i mbesës sime, Argi, të cilin e dua shumë, është nxënës në klasën e katërt dhe banon në Tiranë. Një ditë, jo pa qëllim, e pyeta se ç’emër ka shkolla e tij, edhe pse e dija fare mirë se në cilën shkollë mëson ai. M’u përgjigj: “Shkolla 11 Janari”. E ndërtuar fill pas çlirimit të vendit dhe e njohur nga të gjithë me këtë emër -11 Janari – që përkujton shpalljen e Republikës në atë datë të vitit 1946, kjo shkollë mori një emër të ri, “Edith Durham”, në vitin 1992, pra 24 vite më parë. Vazhdova bisedën me Argin duke i thënë: “Më duket se shkolla tënde quhet ‘Edith Durham’, apo jo?”. Përgjigja e tij sa më bëri të qesh, aq edhe më ngacmoi imagjinatën sociologjike: “E di që ka dhe një emër tjetër”, tha ai, “por ne të gjithë e thërrasim ’11 janari’”.

Argi është 10 vjeç. Emri i shkollës në të cilën ai mëson sot u ndërrua nga ‘11 Janari’ në ‘Edith Durham’ 14 vite para se ai të vinte në jetë. Megjithatë, ai dhe moshatarët e tij “mbajnë mend” emrin historik të saj, emrin me të cilën shkolla e tij u pagëzua 70 vite më parë dhe jo emrin që ajo mban sot, prej afro njëçerek shekulli. Natyrisht, motrat e mia dhe djali im i madh që, gjithashtu, i kryen studimet 8-vjeçare në të njëjtën shkollë, nuk e njohin atë me tjetër emër veç emrit të saj të parë: Shkolla “11 Janari”.

Popullariteti që gëzonte kjo shkollë në Tiranën e dikurshme e bëri emrin e saj një ndër toponimet më të njohura të kryeqytetit. Nëse banoje në Tiranë dhe pyesje dikë për adresën e tij dhe ai të thoshte “te 11 janari”, pa qenë nevoja të përmendje fjalën “shkollë’, ti e dije tashmë adresën e tij. Dhe “11 janari” nuk ishte i vetmi toponim i njohur nga të gjithë në Tiranën e dikurshme, ashtu sikurse edhe sot dihet thuajse nga të gjithë se ku ndodhen “Petro Nini” (Luarasi), “Qemali” (Stafa), “Samiu” (Frashëri) dhe “Ismaili” (Qemali) – gjimnazet kryesore të kryeqytetit.

Ndodhia e dytë: Për të shkuar diku, pranë stacionit të dikurshëm të trenit, në fund të bulevardit, që preferoj ta quaj “Dëshmorët e Kombit”, si gjysmën tjetër të tij, dhe jo “Zogu I”, mora një taksi. I dhashë adresën ku doja të shkoja: “Te ‘marteniteti’”. “Ku?”, më pyeti shoferi i taksisë. “Te ‘shkencat’”, e sqarova. “Ku?”, pyeti ai sërish. “Te Fakulteti i Shkencave”, i thashë.“Ku është se nuk e di”, më tha shoferi.“Dil në bulevard se ta tregoj unë”.

Nuk ishte e para herë që një shoferi taksie në Tiranë i jepja detaje të hollësishme për të më çuar në “destinacion”. Kjo vazhdon të ndodhë edhe sot. Besoj se i ka ndodhur edhe një pjese të madhe prej jush, lexues të nderuar. Kjo është Tirana e sotme – e shtrirë dhe e stërgjatur në territore që 25 vite më parë ishin tokë buke, fermë, komunitete rurale që ishin larg madje edhe prej lagjeve më periferike të saj. Një qytet me një popullsi pesë herë më të madhe sot, sesa 25 vite më parë, dhe më heterogjene se popullsia e çdo kryeqyteti tjetër në Ballkan.

Vërshimi i qindramijëra njerëzve nga të gjitha krahinat, qytetet dhe fshatrat e vendit në Tiranë, si dhe shumë procese që e kanë shoqëruar këtë dukuri, i kanë transformuar jo vetëm gjeografinë, peisazhin urban dhe kulturën e jetesës së banorëve të kryeqytetit, por edhe toponiminë e rrugëve e të zonave të ndryshme të tij, si memorie kolektive e tiransve. Në shumicën e rasteve, emrat e rinj kanë marrë kohë derisa kanë “zënë vend” në hartën mendore të banorëve të kryeqytetit, ndërkohë që emrat e vjetër që ata zëvendësuan e humbën gradualisht, vit pas viti, përmbajtjen dhe domethënien e tyre ontologjike të dikurshme. Përgjithësisht, kjo ka ndodhur në ato raste – dhe për ata njerëz – kur origjina e emrave të mëparshëm ka qenë e panjohur, ose është harruar dhe, për këtë arsye, ka qenë dhe është e pamundur për ta që të vendosin një lidhje të kuptimtë mes emrit të vjetër të një rruge, të një sheshi, ose të një objekti dhe funksionit të tyre në ditët tona.

Një ndër arsyet pse emrat e vendeve, të shesheve ose të objekteve ndryshojnë ka qenë dhe është pikërisht ndryshimi i pësuar në vende dhe objekte të tilla – prishja e një objekti ekzistues dhe ndërtimi i një objekti të ri në vend të tij, ose ndryshimi i funksionit të objektit të parë, transformimi i një sheshi etj. Fjala vjen, një pjesë fare e vogël e banorëve të Tiranës së Re sot, që janë nën 20 tirana-1960-rruga-durresitvjeç (dhe ma do mendja askush nga ata që kanë ardhur të banojnë në këtë pjesë të kryeqytetit pas viteve 1990), nuk e di se cilit shesh, ose kryqëzim rrugësh i referoheshim dikur si “Mapo e Tiranës së Re”. Emri i vjetër i këtij sheshi ka mbetur në kujtesën kolektive vetëm të banorëve të kësaj pjese të Tiranës (dhe të një pjese të madhe të banorëve të tjerë të saj) që e kanë njohur dhe “shkelur” atë në të kaluarën, por ka humbur gradualisht çdo lidhje me vendin që ai zë në hartën e kryeqytetit. Sot ky shesh quhet Sheshi “Wilson” dhe si i tillë njihet thuajse nga të gjithë, përfshirë edhe shoferin e taksisë më të fundit të ardhur në Tiranë nga Librazhdi.

Rasti i mësipërm nuk është i vetmi, as më domethënësi. Shumë rrugë, kryqëzime rrugësh, sheshe e vendndodhje të tjera në Tiranë, që dikur kishin një kuptim të caktuar dhe njiheshin nga të gjithë banorët e kryeqytetit, sot janë terra incognita ndoshta për 80 përqind të banorëve të tij. Pyet një nxënës shkolle, ose një banor të një lagjeje periferike në veri, në jug, në lindje ose në perëndim të Tiranës se si shkohet te “shkolla teknologjike”, ose te “qyteti i nxënësve”, ose edhe te “Kodra e kuqe” dhe ata do të ngrenë supet. Nuk e dinë.

Pyet kë të duash se ku ndodhen “pallati me shigjeta” (te shkolla teknologjike), ose “Dervish Hatixheja” (pranë Kodrës së kuqe), dhe do të shohësh se kushdo i di ku janë këto “vende”, siç dinë “Komunën e Parisit”, “Kodrën e diellit”, “Shqiponjën”, “Don Boskon”, “Swarowskin”, “Mondialin”, “Diplomatin”, “Vodafonin”, “Tegun” apo “QTU”-në. Testi më i mirë është, përsëri, shoferi i taksisë i ardhur në Tiranë kohët e fundit nga Rrogozhina, nga Leskoviku, ose nga Kukësi. Dhe nëse me dikë që është i ri në Tiranë, ose i pafamiljarizuar me kryeqytetin tonë, bën fjalë për Parkun “Rinia”, ai nuk do të të kuptojë nëse ti nuk i thua “Taivani”.

Ndryshimet e 25 viteve të fundit në Tiranë kanë bërë që të harrohet e të humbasë një pjesë e mirë e toponomisë së kryeqytetit, emra që dikur jo vetëm bënin kuptim për banorët e kryeqytetit, por edhe ishin “shënjues” të rëndësishëm në hartën e tyre mendore e kulturore dhe në veprimtarinë e tyre të përditshme. Rreth 80 për qind e banorëve të sotëm të kryeqytetit me siguri nuk e dinë se ku kanë qenë Pallati i Pionierëve, Libraria “Flora”, MAPO e madhe, Shkolla “Kosova”, Libraria ndërkombëtare, Estrada, “Zëri i Popullit”, Kinema “17 Nëntori”, uzina “Dinamo” ose ajo “Partizani”, “Ekspozita kineze”, për të mos përmendur vende dhe objekte më pak të rëndësishme në atë kohë, si “Punishtja e pastave”, “Farmacia 10” etj.

Të gjitha këto objekte (nëse ato nuk janë rrafshuar për t’u bërë sheshe ndërtimi e për t’u groposur nën themelet e shumëkatsheve që i kanë zënë frymën kryeqytetit), e kanë humbur me kohë funksionin e tyre të dikurshëm dhe, bashkë me të, janë bërë një “gjuhë e vdekur” në hartën toponimike të kryeqytetit, edhe pse ende jo një “extinct language”, përderisa një pjesë e vogël, gjithnjë e më vogël e banorëve të Tiranës i përmendin këta emra në bisedat e tyre nostalgjike për një kohë dhe për një Tiranë që s’është më, me të cilat janë të lidhura fëmijëria dhe rinia e tyre, shkollimi, ëndrrat dhe dashuritë e moshës së re.

Këto të gjitha ishin dhe ndodhnin në lagjen, ose në mëhallën tënde (që sot s’është më e njëjta lagje ose mëhallë); pranë shkollës tënde (që sot duket se nuk ka më asnjë lidhje me ty); pranë kinemasë, që s’është më; në Pallatin e Pionierëve, që shumicës së fëmijëve të sotëm (fatkeqësisht dhe një pjese të prindërve) do u dukej si një “gulag komunist”, i denjë vetëm për pedagogjinë e Makarenkos.

Mbrëmë, ndërsa pinim një gotë birrë me shokë thuajse të së njëjtës moshë, sollëm ndër mend shumë e shumë vende, rrugë e sheshe të “Tiranës së Vjetër”, me të cilat na lidhin kujtime të paharruara të fëmijërisë e të rinisë, por të cilat sot nuk janë më. Por ne e dimë që ishin, e dimë se ku ishin dhe si ishin. Dhe e ndiejmë se një pjesë e asaj që ne jemi sot u formua në atë kohë dhe në atë mënyrë siç ishte Tirana e viteve 1950, 1960 dhe 1970, përfshirë edhe festivalet e para të këngës dhe muzikën perëndimore të asaj kohe, edhe shfaqjet e estradës, edhe ndeshjet te Parku i Xha Tomit, edhe librarinë e madhe dhe reklamat e kinemasë në qendër të Tiranës, edhe filatelinë dhe Muzeun e Luftës në Rrugën e Barrikadave, edhe Cenin, mjekun e famshëm popullor në një rrugicë që sot s’është më, edhe fabrikën e çokollatave.

Proceset e ndryshimeve toponimike kanë logjikën e vet. Ato ndodhin kudo, në çdo vend e në çdo kohë. Në periudhën e dekolonizimit, në periudhën pas çlirimit kombëtar të një vendi, në periudha përmbysjesh revolucionare, në periudha tranzicioni politik. Unë nuk flas këtu për ndryshime të kësaj natyre. Qeveritë komuniste realizuan një transformim toponimik rrënjësor në çdo vend ku morën pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore.

Një pjesë e qeverive jokomuniste bënë të njëjtën gjë pas shembjes së sistemit.Shumë herë me të drejtë por, në shumë raste, në mënyrë krejt të paarsyeshme. Një rast i tillë ishte ndërrimi, disa vite më parë, i emrit të njërës prej rrugëve kryesore të Tiranës, nga Rruga “Dëshmorët 4 Shkurtit”, në Rruga “Ibrahim Rrugova”, duke përdhosur simbolikën e një prej ngjarjeve më tragjike të rezistencës e të luftës antifashiste nacional-çlirimtare të popullsisë së kryeqytetit – masakrën e 4 Shkurtit 1944.

Emërtimi i rrugëve dhe i objekteve publike si shprehje e asaj që Pierre Bourdieu e quante “kapital simbolik” përbën një subjekt të gjerë, me të cilin unë nuk merrem këtu. Këtu thjesht dëshiroj të vë në dukje se proceset përmes të cilave kërkohen dhe bëhen ndryshimet toponimike nuk janë të thjeshta dhe se, pavarësisht përpjekjeve që ndryshimeve të tilla t’u jepet “jetë”, në më të shumtën e rasteve emrat e vjetër i kanë rezistuar trysnisë, edhe nëse kjo trysni nuk ka qenë politike.

Në Tiranë, shumë nga toponimet e reja kanë dështuar të zëvendësojnë të vjetrat. Disa prej shembujve janë: Shallvaret, Pallatet Agimi, Kinema “Agimi”, Zogu i Zi, 21 Dhjetori (ose 21-shi), Ali Demi (pa qenë nevoja të përmenden fjalët “shkolla” ose “kino”), Profarma, Ura e “Vasil Shantos”, Shkencat (fakulteti i shkencave), Selvia, Misto Mame, Porcelani, Parku i Xha Tomit, Libri universitar, Kombinati, Shkolla e bashkuar etj.

Fatos Tarifa

Fatos Tarifa

Hiqja Tiranës këto emra dhe do u kesh hequr një pjese të mirë të banorëve të saj disa prej “fotove” më të bukura në albumin e jetës së tyre, të asaj jete të vështirë, ashtu siç qe, por që, megjithatë, ishte dhe mbetet jeta e tyre. Jeta e tyre e çmuar. Emra të tillë ishin rrugët dhe hapësirat nëpër të cilat lëviznim të gjithë, shkëmbeheshim, njiheshim, përshëndeteshim, takoheshim, shkonim në punë, në shkollë, në teatër, në spital.Këto të gjitha ishin Tirana jonë.

Dhe nëse ne, sot, përsëri e quajmë Zogun e Zi po me këtë emër, nëse 21-shin nuk e quajmë “Turgut Ozal” (siç është sot emri zyrtar i këtij kryqëzimi vital pranë qendrës së Tiranës), nëse Ali Demit i themi Ali Dem dhe Selvisë selvi, këtë e bëjmë sa nga zakoni, aq edhe sepse, thellë në kujtesën, në vetëdijen dhe në shpirtin tonë duam ta ruajmë një pjesë të së kaluarës, duam ta ruajmë gjuhën e pejsazhit urban në të cilin u rritëm e u shkolluam. Është thjesht pjesë e qenies sonë njerëzore.

Ne s’kemi bërë asnjë kontratë sociale mes nesh për t’i ruajtur këta emra në memorjen dhe në gjuhën tonë të përditshme. Ato janë simbole kulturorë të së kaluarës sonë si individë, janë e kaluara jonë unike që reflektohet në të sotmen tonë. Emrat e vjetër, ata që njohëm dhe me të cilët u rritëm dhe u orientuam në hapësirën gjeografike e publike të Tiranës sonë janë natyra sociale e qytetit; ne u rritëm në të, si Emili i Rusoit. Emrat e vjetër janë si një ikonografi e botës sonë jetësore.

E asaj që jetuam dje, por edhe e kësaj që jetojmë sot. Stadiumi “Selman Stërmasi” ka qenë dhe ka mbetur Stadiumi “Dinamo”. Shkolla “20 vjetori” vazhdon të quhet nga banorët e lagjes, dhe nga djali im i vogël, që mësoi Abetaren në të, po me këtë emër dhe jo me emrin e saj të  ri, “Dora d’Istria”; “11 Janari” ka mbetur edhe për Argin dhe duket se do të mbetet për breza të tjerë më pas po ajo shkollë: “11 Janari”. Politeknikumi “7 Nëntori” ka mbetur “Politeknikumi”, edhe pse “Harry Fultz” është sot emri i një instituti shumë të njohur në mjediset e dikurshme të tij.15-katshi ka mbetur “15-katsh”, edhe pse prej vitesh ky hotel nuk është më ndërtesa më e lartë e kryeqytetit; 15 katet e tij u bënë dhe mbeten simboli i fillimit të ndryshimeve të peisazhit arkitekturor të Tiranës.

Dhe, po kështu, në fjalorin e përditshëm të banorëve të Tiranës, Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit” ka ruajtur këtë emër.Vendimet politike dhe dekretet ligjore nuk e kanë fuqinë që t’i ç’rrënjosin kujtimet dhe nostalgjitë njerëzore nga memorja dhe zakonet individuale e kolektive.

Emrat “e vjetër” kanë mbetur që të jenë, që të përdoren edhe sot nga ne, të rinjtë e dikurshëm të Tiranës, nga të rinjtë e sotëm dhe nga ata që do të vijnë pas tyre. Sepse sado që të ndryshojë kryeqyteti ynë, sado qëtë zgjerohet në hapësirë e të shtohet në popullsi, Tirana do të ketë gjithnjë nevojë për simbolet e saj. Ajo, si çdo qytet tjetër në botë, nuk bën dot pa to.

September 10, 2016 13:03
Komento

8 Komente

  1. Taras Bulba September 10, 15:24

    Shume i sakt i nderuar profesor, por cfare ti bejme malokeris vete e zgjodhen ate hale Berishe ku e tjetersoi Tiranen tone ish te dashur se sot te vjen turp te thuash se jam Tirons ,do te ishte me mire me thene se jam nga Tirona e malokeris, edhe une jame ne moshen tende dhe per koicidence edhe une filloren e kame bere te 11 Janari dhe gjithmone po ato emera rrugesh e shkollash qe kane qene po ashtu do ti themi , do te ishte me vende qe kryetari Veliaj ti kthehej emerave qe kane pasur dikur rruget , shkollat ,stadiumet duke hequr ato qe kane te benin me komunizmin

    Reply to this comment
    • info analitike September 10, 18:49

      Shiko se Tiranen si Kandahari e beri i ashtuquajturi “qytetar” Edvin Rama. Disa nga pikat e shemtuara te referimit jane veper madhore e tij. Edhe ajo katrahura me pallate ne foto ku ne mjediset e perbashketa te bllokut te pallateve te shallvareve mbine ato monstrat qe po ia marrin frymen njerezve. Rama me qytetin u soll me keq se “shpellaret” ne s’te mbushet mendja shiko katrahuret qe ndertoi tek “Komuna e Parisit”, nje tjeter veper madhore e tij. Po nuk te mjaftoi kalo nga Misto Mame ose nga Kinostudio. Po nuk te mjaftuan dhe ato shiko ate pallatin e shemtuar per te cilin u prish “Kinema Republika” apo ate tjetrin qe ka mbire si perbindesh, ne shkelje te cdo ligji, perbri Gjykates se Larte.

      Reply to this comment
    • €piriiiiii September 11, 01:09

      More Profesor Shqiptari eshte 1 njeri antik prehistorik edhe Llogarite i ben me Lek te Reja dhe Lek te Vjetra dhe Jo thjesht me Lek, cte thuash me Keq nuk behet. Ashtu sic humben Origjinen nga Pellazge ne Ilir me vone Arberesh e se fundmi Shqiptar, si humbem fene nga Paganizmi ne Kristjan e pastaj Mysliman dhe sot se mer vesh njeri se cjemi si humbem Historine dhe Heronjte qe nga Iliada dhe Odiesea qe disa e quajne Mitologjia Greke, kur humbem gjith Gadishullin Ilirik dhe Deti Jon. keto te fundit pune adresash sjane gje fare. Mendohu me thell Profesor. Shkurt muhabeti. Shqiptari Vuan nga Semundja e Naivitetit. Jemi Popull Naiv pa Memorie

      Reply to this comment
  2. k September 10, 21:21

    ATO VENDE DHE EMRA TË DASHUR JANË TË GJALLA NË KUJTESËN DHE EMOCIONET
    E FËMIJËRISË SË GJITHË ATYRE QË U RRITËN NË ATO VENDE.
    KURSE PUSHTUEST KANË LIDHJE ME EMRA SI .BJESHKËT E NAMUNA,
    KULLA E MALLKUEME,SHREPI I ZI,MAJAT E RRNUME,LUGINA E QAMETIT,
    QAFA E TË VDEKURVE,GRYKA E FERRIT,PËRROI I DREQIT, ETJ.
    ATA RREFLEKTOJNË KËTO NDJEJA MËNXYRASH.ATA JANË DREQI ME FTYRË NJERIU.

    Reply to this comment
  3. gjermani i fundit September 11, 09:26

    Po edhe ante”90 kishte rruge qe kishin tjeter emer e ndryshe quheshin, psh, Rruga e Kavajes, rruga e Durresit, rruga e Dibres, varri i Bamit, Zogu i Zi, etj. Politeknikumit i thoshin Polikum, tek IKV, tek Xhamlliku, tek Brryli, Stacioni i fundit i Tiranes se Re, tek Kolonat, hahaaha, kur thoshim te Skenderbeu per lenie takimi se s’kishim celular, joooo atje, se atje takohen fshataret, te Estrada atehere, te bari i Liqenit(zyrtarisht quhej Parku), farmacia 10 ishte tek spitali, po edhe Medresja, etj. Flm per kete sjellje, ca gjera duhet ti kthehen edhe zyrtarisht identitetit sic ne memorjen kolektive. Si psh Kucova quhej qyteti Stalin, por pak u desh qe njerrzit ta harrojne Stalinin.

    Reply to this comment
  4. Guri Naimit D(Dh.Xh) September 12, 23:46

    Suprize sa nostagji, sjelle ne kujtese Tiranasve.
    (Kur jeton me hallet e problemet e qytetit tend.)
    Sa lexova titullin e shkrimi”Tirana qe ishte, Tirana qe mbeti”,me firme;dipllomatit te mirenjohur Fatos Tarifa, mendova se do shkruhej per ato probleme te sferes tij, si nonje krahasim,gjithnje kryeqyteti a qyteti te botes ne ate prizem; Po sa lexova paragrafin e pare, me befasoj.- Ka rene “djali” ne “brazde”e, mendia me shkoj,tek Sevo, i Ati, Ai nisur rinine e tij ne Tirane,deri rejtues i rinise ne vite 50-t.(sbesoj se gaboj une 80 vjecari,ato vite nxenes,),sa pershkruan i miri FATOS, .vertet, me nosalgji.
    Po,”pena muduk e baba Sevos,lexuar mbi130 vellime.
    Faleminderi i nderuar “dipllomat”,folur pa dipllomaci po acik,per nje problem,ne dukie si pa renderi po shume inevoshem, pare me syrin e ruajtie se tradites.
    Ju pergezoj per kete terheqie vemendie. Kush duhet, ta lexoje e koregjoje,masakren bere,po e quaj une.
    Miresi si zemrat tuaja familiarisht.

    Toronto 12-09-2016 Guri Naimit D.(Dh Xhoga)

    Reply to this comment
  5. Tironse24Karat June 22, 15:29

    Dum toponimet para 1944 end as kto mas 90 dhe as kto komuniste qe ke permen ti zotni. Nuk i fillo historia Tirones me kallare kuqt. Flm!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*