“Tirana vjen tek ti”, Veliaj: Muzeu i Lëvizshëm do e çojë Tiranën në të gjithë trevat shqipfolëse

September 15, 2020 19:00

“Tirana vjen tek ti”, Veliaj: Muzeu i Lëvizshëm do e çojë Tiranën në të gjithë trevat shqipfolëse

Në kuadër të Tiranës 100 vjet kryeqytet, Sheshi “Skënderbej” u shndërrua ditën e sotme në një muze të hapur, pjesë e nismës Muzeu i Lëvizshëm, i cili synon promovimin e turizmit, kulturës dhe traditave të qyteteve shqipfolëse, të bashkuara tanimë në Unionin e Bashkive Shqiptare në Rajon. Kjo nismë, e cila ka si qëllim promovimin e turizmit ndërqytetas, përfshin qytetet e Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Prishtinës dhe Preshevës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përshëndeti nismën, u shpreh se ky muze do të përçojë më të mirën e Tiranës për t’i ardhur në ndihmë edhe promovimit dhe zhvillimit të ekonomisë lokale.

Ai tha se Muzeu Lëvizës është një derë e hapur në secilin prej qyteteve të përfshira në këtë nismë.

“Meqenëse Tirana si kryeqytet u prek nga dy tërmete dhe nga fatkeqësia e pandemisë në vitin e 100 vjetorit, menduam të krijojmë mundësi që njerëzit ta shijojnë historikun e Tiranës jo duke ardhur fizikisht këtu, por duke çuar një copë të Tiranës në Prishtinë, e në disa nga qytetet kryesore të Kosovës. Në fakt, është një muze lëvizës i cili, qoftë edhe simbolikisht, do e shpjerë Tiranën në të gjitha këto treva, për t’u dhënë mundësi qytetarëve në Prishtinë, Preshevë, Tetovë, Shkup, Gjakovë e Prizren, qytetarëve në Pejë e Ulqin, të njohin rrugëtimin e Tiranës, duke pranuar se Tirana është jo vetëm kryeqendra e Shqipërisë, por është edhe kryeqendra e shqiptarisë, e asaj që e quajmë albanosfera në rajonin tone, e një shtëpie të dytë, jo vetëm për ata që vijnë nga qytete të tjera të Shqipërisë, por edhe nga ata që vijnë nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut apo nga jugu i Malit të Zi”, u shpreh ai.

Muzeu lëvizës i Tiranës strehon në miniaturë rrugëtimin dhe kujtesën e një qyteti që përgjatë një shekulli, falë bujarisë dhe trashëgimisë së tij më të mirë, si dhe kontributit të elitave kombëtare, u shndërrua në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.

Janë të shumta rrugët, sheshet, ndërtesat e dokumentat që rikthehen në vëmendje përmes imazheve fotografike, duke dëshmuar momentet më të forta të historisë së qytetit, por edhe të dinamikave të shndërrimit të tij të përhershëm që e karakterizon qysh në zanafillë: nga ballkoni i Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, ku u ngrit flamuri i pavarësisë së tij prej përfaqësuesve të familjeve më në zë të Tiranës, ecet drejt vendimeve të Kongresit të Lushnjes që e shpalli Kryeqytet, shkohet tek kremtimet e para të kryeqytetit të ri të shqiptarëve, zhvillimet e shtetit modern dhe monarkisë shqiptare, vijohet me dëshmitë e çasteve të rënda të pushtimit nazi-fashist, por edhe me rezistencën e shkëlqyer e betejën e çlirimit të saj.

Një pjesë e vogël e traditës së Tiranës është vendosur në pjesën e jashtme të muzeut, me veshjet etnografike, sofrën tiranase dhe bujarinë e mikpritjen e pakushtëzuar që Tirana di t’ia dhurojë kujtdo.

j.l./ dita

September 15, 2020 19:00
Komento

1 Koment

  1. Ilirjana Mezini September 16, 20:27

    Lerini fasadat, rregulloni problemin e ujit❗️
    Premtuat se Tirana do kete uje 24 ore ne fakt nuk bete gje per te❗️
    Sonte p.sh.ne rubinetat tona nuk pati nje pike uje❗️
    Jo vetem sonte por pothuajse cdo dite ndodh kjo, uji edhe po erdhi vjen per pak kohe…

    Eshte kohe Pandemie dhe eshte kulmi qe as qendra e Tiranes mos kete jetese normale❗️
    A u mungon uji shtepive te deputeteve te cdo ngjyre, ministrave❓
    Cfare kane ata me teper se populli❓
    Valle prandaj ju zgjedhim qe disa te jetojne si PASHA e populli si skllav❓
    Nuk kerkojme favore por ate qe na takon❗️
    Nje jete kemi te gjithe pse ju ta jetoni pa probleme e ne qe votojme per ju te kemi probleme❓

    Kryepleqte e njesive bashkiake, urbanistika njesive bashkiake me indiferentizmin e tyre kane bere qe hapesirat publike e kolektoret e ujrave te zeza te mbyllen nga shtesat pa leje❗️

    Kerkoni nga urbanistika e cdo njesie bashkiake raport e foto e do shikoni se keto qe shkruaj jane te verteta❗️
    Indiferentizmi dhe korrupsioni galopant ne zyrat e shtetit, kryesisht te pronave beri qe keto shtesa pa leje qe prekin Kolektoret e ujrave te zeza dhe hapesirat e perbashketa te dergohen per Legalizim❗️

    Tirana nuk eshte e nuk duhet te jete fasade vetem ne qender❗️
    E perseris, kerkoni nga urbanistika njedive bashkiake dhe kryepleqte raport dhe fotografi te shtesave pa leje qe jane ne kundershtim me ligjin dhe bashkepunoni me Artan Lanen qe keto te prishen e hapesirat mes pallateve te narrin fryme❗️

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim