Tirana “vuan” në “shtëpi”

February 12, 2016 10:00 Updated

Tirana “vuan” në “shtëpi”

Ka diçka që nuk shkon te Tirana. Skuadra e Ilir Dajës ka filluar të funksionojë.

Nën drejtimin e teknikut aktual në 14 ndeshje zyrtare mes kampionatit e Kupës bardheblutë kanë koleksionuar 9 fitore 4 barazime dhe një humbje, janë të avantazhuar për tu kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës pas fitores 1-0 në çerekfinalen e parë ndaj Flamurtarit, në klasifikimin e Superiores renditen të tretët në zonën europiane.

Mbrojtja duket super me vetëm një gol të pësuar në 8 ndeshjet e fundit, ndërsa në dy takimet e fundit skuadra ka patur rendiment edhe në aspektin sulmues, duke shënuar nga 3 gola për takim.

Megjithatë Tirana e ka një pikë të dobët dhe si për ironi të fatit ajo ka të bëjë me ndeshjet në shtëpi.

Duket në fakt absurde, pasi është mëse normale që ekipet të vuajnë në transfertë, por me Tiranën ndodh krejt e kundërta dhe këtë e konfirmojnë shifrat. Bardheblutë e kanë më të vështirë të fitojnë në kryeqytet se sa jashtë tij.

Nëse do të merreshin për bazë vetëm ndeshjet në transfertë Tirana do të ishte e para në klasifikim duke lënë pas Partizanin e Skënderbeun, por dobësinë e konfirmojnë ndeshjet brenda mureve mike pasi vetëm me takimet në shtëpi Tirana tani do të ishte duke luftuar për mbijetesën me vetëm 14 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje të luajtura në “Qemal Stafa” apo “Selman Stërmasi”.

Problemi në fakt nuk i përket vetëm këtij sezoni, pasi edhe në edicionin e kaluar kur vuajti disa dënime për sa i përket pranisë së tifozëve në stadiume Tirana tregoi se e kishte më të lehtë rezultatin me shkallët e boshatisura.

Faktorët që kushtëzojnë një statistikë të tillë mund të jenë disa, presioni që ushtron prania e tifozëve me një fanellë të rëndë si ajo bardheblu që kërkon domosdoshmërish fitoren, apo dhe tendenca e ekipeve kundërshtare që natyrisht janë më të prirura të luajnë në mbrojtje në kryeqytet përballë Tiranës, por e sigurt është që Tirana pasi theu një tabu atë të transfertave me Laçin, duhet të thyejë edhe atë të ndeshjeve në shtëpi, duke nisur që nga takimi i kësaj fundjave përballë Bylisit.

 

February 12, 2016 10:00 Updated
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*