Tiranë, mblidhet samiti i vendeve “as mish, as peshk”

May 5, 2016 19:10

Tiranë, mblidhet samiti i vendeve “as mish, as peshk”

 

Përfaqësuesit e 85 vendeve më të paqarta të botës u mblodhën ditët e fundit në hollin e një hoteli trekatësh, 6 kilometra kryeqytetit shqiptar për të diskutuar mbi gjithçka të zakonshme në jetën e këtyre vendeve: Sherret politike, borxhet, problemet sociale, reformat e pamjaftueshme, kritikat e organizmave ndërkombëtare ndaj tyre etj. Samiti u vendos të mbahej në vendin e vogël ballkanik pikërisht për arsyen e udhëkryqit të tij mes integrimit europian dhe sinjaleve të ngërçit politik të shfaqura herë pas here. Një tjetër arsye ishte dhe mishi i mirë i kecit, tava legjendare e krapit dhe bulmeti i mirë i Vermoshit, thonë Gojët e Liga.

Të pranishmit shpallën se ishin mbledhur për të konstatuar edhe një herë mungesën e plotë të qartësisë. Dikush është goditur nga inflacioni galopant, dikush nga papunësia, një tjetër nga kriza e industrisë fasone, “por jemi këtu si një zë i vetëm për t’i treguar botës se nuk kemi takat të bëjmë kokërr gjëje”, tha kryeministri zot shtëpie, Edi Rama. Më pas, samiti miratoi një rezolutë në favor të tundjes së kokës gjithë dëshpërim dhe lëshimit të psherëtimave të thella, ndërsa përfaqësuesi i Ukrainës ftoi kolegët për një mallkim zyrtar treorësh të vendeve të G-20 dhe pasurisë, lakmisë e racizmit që i karakterizon ato.

Në momentin kur ministri i Bujqësisë së Bosnjës, Katran Delibashiç, po debatonte nëse vendet e G-85 ishin të falimentuara me gjithsej apo thjesht kishin ca shanse për ta shtyrë edhe pak, punimet u ndërprenë sepse salla ishte prenotuar për një synetllik në orën 5 të pasdites. Në ditën e dytë të konferencës, rreze shprese u shfaqën për ato vende që nuk kishin as mjetet më elementare të jetesës, kur u miratua një mocion për të vjedhur sapunat, shampon dhe peshqirët e hotelit.

Por megjithë sukseset, samiti pati edhe zhvillime të papëlqyeshme. Tre grushte shteti në vende të ndryshme vonuan punimet, ndërkohë që përfaqësuesi i Tunizisë tentoi të merrte me dhunë kontrollin e samitit, para se të rrethohej dhe të dërgohej në paraburgim në komisariatin e Fushë-Krujës. Në vijim, u fol për politikat energjetike, kryesisht për projektin ambicioz të djegies së plehrave për ngrohje dhe gatim. Në fund të samitit, liderët e G85-ës votuan unanimisht që Libani mesdhetar, vendi i bukur që dikur renditej mes pasanikëve, përfundimisht ishte ftohur në tajare dhe nuk kishte më shpresa.

May 5, 2016 19:10
Komento

5 Komente

  1. Kalopi March 11, 21:15

    Domethene, vendet e keputura u ftuan te hane ne Shqiperi si vendi me i hajrit nga vendet e keputura?

    Reply to this comment
  2. Nikoll Gj. March 12, 09:55

    Ma mir kjo Goj e Lig e vertet se sa presidenti ne aeroport te amerikani opozitari ne 7 te nades te italiania e qeveria me muxhahedine sot e tuj u lut per refugjat neser te G-20. Ma mir i varfer ne ekonomi se i varfer ne pamvarsi.

    Reply to this comment
  3. gjermani i fundit March 13, 09:20

    hahahahhahaaaa, si ajo nisma e Detit te Zi ku jemi edhe ne dhe e Adriatikut ku eshte edhe Turqia. Samite “Futja kot”, une kisha shpikur Nismen e Vendeve qe lagen nga shiu dhe Aleanca e Gadishullit te domateve turshi.

    Reply to this comment
  4. Qorri March 13, 23:02

    Me duket se suksesi me i madh i samutit ka qen mishi i kecit. Rama e qan mishin e kecit

    Reply to this comment
  5. Davidi March 13, 23:04

    si ka mundesi ne samitin e vendeve as mish as peshk, te ftuarit hane edhe mish edhe peshk? Gabim ideollogjik qe nuk refllekton zerin e kllases!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*