Tiranë, plagos me thikë 42-vjeçarin pse nuk i bleu hashashin, arrestohet autori i dyshuar

September 5, 2017 10:46

Tiranë, plagos me thikë 42-vjeçarin pse nuk i bleu hashashin, arrestohet autori i dyshuar

Një 42-vjeçar është plagosur me thikë në qendër të Tiranës nga një person që dyshohet se po tentonte t’i shiste një qese me bimë narkotike.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, në zonën prapa Pallatit të Kulturës, kur Policia ka marrë njoftim për një person që ishte goditur me thikë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit nr.1, që kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të ngjarjes. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi Azgan Cengu, 27 vjeç.

Në momentin e arrestimit, atij i është gjetur 13.25 gramë hashash gjatë kontrollit fizik.

Burimet thanë se arrestimi i tij u bë brenda pak minutash pasi kishte ndodhur ngjarja, kur i riu po tentonte t’i fshihej krimit, pasi kishte hedhur thikën me të cilën plagosi 42-vjeçarin me iniciale B.H.

Policia tha se pas arrestimit të autorit, është kryer edhe një kontroll në banesën e tij, ku është gjetur edhe një sasi tjetër hashashi, rreth 280 gramë, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Nga ana tjetër, i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku pas ndërhyrjes së mjekëve, mësohet se e ka kaluar rrezikun për jetën.

Burimet thanë se atij i është marrë deklarim nga oficerët e grupit hetimor, para të cilëve ka sqaruar se nuk e njihte personin që e ka qëlluar.

Megjithatë ka bërë përshkrimin e tij fizik, që përputhej me të arrestuarin Azgan Cengu. Nga ana tjetër, i plagosuri është shprehur se ka qenë një debat i momentit që ka ndodhur mes tyre, pasi autori ka tentuar t’i shiste një qese me bimë narkotike, të cilën nuk e ka pranuar.

Ky dyshohet të ketë qenë edhe motivi i ngjarjes. Fillimisht, autori është përleshur fizikisht me 42-vjeçarin B.H., më pas ka nxjerrë nga xhepi një thikë dhe e ka goditur në bark.

September 5, 2017 10:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*