Titulli dhe Europa kalon nga Tirana-Skënderbeu

April 25, 2016 09:28

Titulli dhe Europa kalon nga Tirana-Skënderbeu

Nga Korça në Tiranë, kohët kanë ndryshuar. Polemikat e ndeshjes së fituar nga Skënderbeu në fazën e tretë janë hedhur pas krahëve sepse ngjarjet kanë rrjedhur me shpejtësi. Skënderbeu ka rihapur çështjen titull, ndërsa Tirana është rrëzuar deri në vendin e pestë dhe shpreson në hapat falsë të rivalëve për të siguruar Europën.

Gjatë muajve të fundit, skuadra e Ilir Dajës është tradhtuar nga mungesat e shumta për shkak dëmtimesh, nga rezultatet jo të pranueshme, por edhe nga tifozët të cilët kanë vendosur të bëjnë paqe të përkohshme deri në derbin e kryeqytetit.

Është pikërisht Partizani që trazon humorin në kampin bardheblu pasi mediat e shkruara e kanë trajtuar jo pak kërkesën e mbështetësve të Tiranës për të bërë gjithçka, në mënyrë që Partizani të mos shpallet kampion. Dhe është pikërisht kryqëzimi me Skënderbeun që në këtë aspekt konsiderohet një ndeshje shumë e rëndësishme.

Klubi dhe lojtarët dëshirojnë me çdo kusht të arrijnë një fitore që do të rikthente humorin pas barazimit në Ballsh sepse në rast të një rezultati tjetër rruga për në Europa League do të komplikohej së tepërmi dhe sezoni i Tiranës rrezikon të mbyllet pa asnjë objektiv.

Në sezonin aktual, Tirana ka lënë plot 9 pikë në përballjet me Skënderbeun që është mjaftuar nga një gol diferencë për të diktuar ritmin ndaj bardhebluve. 9 pikë që mund të siguronin komoditetin e skuadrës kryeqytetase në klasifikim me një biletë europiane, por situata është tërësisht ndryshe. Grupi bardheblu nuk po gjen vazhdimësinë dhe për më tepër nuk shihet më si një mur i lartë nga kundërshtarët.

Rikthimi në “Selman Stërmasi” nuk ia ka ndryshuar fytyrën kësaj skuadre që pjesërisht reflekton edhe problemet jashtë fushës së blertë me çështjen e borxheve apo përplasjen me tifozerinë. 18 janë pikët e diferencës mes dy skuadrave, një tregues i qartë për formën sezonale në të dyja kampet.

Muzaka do të jetë i munguari i madh në këtë sfidë, ndërsa Karan lë një boshllëk të madh në mbrojtje. Por ajër i rëndë po thithet edhe në Korçë ku brenda pak ditëve ishin dëshmitarë të eliminimit nga Kupa dhe të humbjes së papritur ndaj Tërbunit. Presioni që po ushtron Partizani është i madh, por eksperienca mund të bëhet aleat i “Ujqërve” në këtë situatë aspak komode.

Forma jo e mirë fizike që po kalon Hamdi Salihi dhe mungesa e golave të James e kanë penalizuar skuadrën e Josës gjatë javëve të fundit. Trajneri kryeqytetas mund të hedhë në fushë alternativën Plaku, por balotazhi mes tij dhe nigerianit do të vazhdojë deri pak momente përpara ndeshjes.

Një pikëpyetje e madhe në kokën e Josës është edhe mesfusha, pasi kapiteni Shkëmbi ka fituar terren dhe mund të jetë ai alternativa e Orelesit. Gjithsesi, kjo sfidë mund t’i japë një drejtim pa kthim sezonit të të dyja skuadrave që mes pasigurisë dhe dilemave të shumta sezonale, do të kërkojnë të konfirmohen në tapetin e gjelbër të “Selman Stërmasit” sot në orën 19:00.

April 25, 2016 09:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*