Tjetër skandal me një pacient të ‘Shefqet Ndroqit’: I kërkojnë vajzës së tij një aparat oksigjeni 5 mijë euro, pacienti vdes, aparati zhduket! Dosja, 4 muaj në Prokurori

January 20, 2021 10:30

Tjetër skandal me një pacient të ‘Shefqet Ndroqit’: I kërkojnë vajzës së tij një aparat oksigjeni 5 mijë euro, pacienti vdes, aparati zhduket! Dosja, 4 muaj në Prokurori

Ferit Kasa, 70 vjeçar, ndërroi jetë në datën 1 shtator 2020 në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, Tiranë. Gjatë kohës që ishte shtruar, personeli mjekësor i kërkoi familjarëve një pajisje për frymëmarrjen.

Familja mori me qira 150 euro në muaj një pajisje B PAP dhe e çoi te Senatoriumi. Por, pasi 70-vjeçari ndërroi jetë, kjo pajisje është zhdukur. Senatoriumi shkruan në dokumente se e ka dorëzuar te Morgu i Tiranës. Kjo e fundit, i ka kthyer sendet personale familjarëve, por pa pajisjen e oksigjenit që kushton plot 5.000 euro.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua vajza e të ndjerit, Silvana Kasa. Ajo tha se në fillim të muajit gusht 2020, babai i saj u prek nga virusi Covid 19. Pasi u mjekua fillimisht në Librazhd, ku dhe banojnë, z.Ferit Kasa u transferua në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pasi kishte probleme shëndetësore.

Disa pasi u shtrua te Senatoriumi, personeli shëndetësor u tha familjarëve se duhet të sillnin një pajisje për frymëmarrje me oksigjen, pasi spitali në atë kohë nuk e kishte. Familjarët i drejtohen një biznesi privat dhe marrin me qira një pajisje B PAP, me një vlerë prej 150 euro në muaj. Këtë pajisje e dërgojnë në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Disa ditë më pas, z.Ferit Kasa ndërron jetë si pasojë e komplikacioneve të COVID 19. Trupi i të ndjerit transportohet në Morgun e Tiranës, pranë QSUT-së, sëbashku me sendet personale.

Procesverbali i morgut

Dokumenti: Pajisja u dorëzua në Morg, nuk doli prej andej

Sipas një procesverbali, në momentin që ka shkuar te Morgu, i ndjeri kishte sende personale dhe aparatin e frymëmarrjes. Pra, aparati ka shkuar në morg. Ndërkohë, në po të njëjtën datë, 01.09.2020, trupi i të ndjerit është marrë nga familjarët.

Sërish ka një procesverbal, ku drejtuesit e Morgut shkruajnë se janë disa sende personale, telefon, rrobat personale të vendosura në arkivol. Por kësaj here, nuk është shkruar aparati i frymëmarrjes. Sipas Silvanës, aparati është vjedhur në Morgun e Tiranës dhe kërkon që ti rikthehet, pasi ky aparat kushton rreth 4000-5000 euro.

“Kam shkuar në Senatorium dhe më kanë thënë se aparati ka vajtur në Morg. Më pas shkova në Morg dhe kërkova informacion. Më ka pritur juristi i cili ka marrë në telefon znj. Katrina Pepkolaj, e cila ka edhe emrin në procesverbal. Kjo zonjë i tha juristit se të gjitha sendet personale i ka futur në arkivol. Por, nëse do të ishin, duhet të shënoheshin në këtë procesverbal” përfundon Silvana.

Pas denoncimit, gazetarët e emisionit “Fiks Fare” interesohen në Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në Morgun e Tiranës, se ku përfundoi aparati B PAP, që kishte i ndjeri Ferit Kasa në momentin që ndërroi jetë në spitalin COVID 2. Te Senatoriumi, infermierë dhe mjekë pohojnë se sipas procesverbalit, pajisja e oksigjenit B PAP është dorëzuar në Morgun e Tiranës. Sipas tyre, vjedhja mund të ketë ndodhur pikërisht në në Morg.

Pjesë nga bisedat me kamera të fshehur

Shefi i Morgut: Unë nuk pashë pajisje B PAP, nuk është në arkivol

Fiksi iu drejtua pikërisht Morgut. Shefi i këtij institucioni, Azem Lamaj thotë se pajisja e oksigjenit dhe sendet personale janë futur në arkivol. Më pas, i tregojmë procesverbalin e mbajtur në Morgun e Tiranës. Ai ndryshon qëndrim dhe pohon se ka qenë ai që ka dorëzuar trupin e të ndjerit familjarëve si dhe sendet personale të tij.

Pohon gjithashtu se shkrimi në procesverbal është i tiji dhe se pajisja B PAP e oksigjenit e të ndjerit nuk i është dorëzuar familjarëve. I pyetur se ku përfundoi kjo pajisje ai thotë se nuk ia ka idenë, por i drejton gazetarët të pyesin në Senatorium. Pasi gazetarët i tregojnë se kanë pyetur atje, ai “ngre supet”.

“Unë nuk e kam parë atë pajisje. Kam futur në arkivol ato që kam shkruar në procesverbal. Pajisjen B PAP nuk e kam parë” thotë ai. Në fund, na firmos edhe kopjen e procesverbalit që ne i tregojmë, duke konfirmuar se pajisja nuk i është dhënë familjarëve dhe nuk është futur në arkivol.

Po ku shkoi? Fiksi interesohet edhe te agjencia funerale në Librazhd që ka tërhequr trupin e të ndjerit nga Morgu i Tiranës. Gazetarët takojnë pronarin, i cili thotë se nuk ka marrë asnjë pajisje të tillë. “Absolutisht jo, as në arkivol dhe as i është dhënë familjarëve apo shërbimit funeral” thotë ai, ndërsa tregon edhe një arkivol, ku pohon se nuk ka mundësi që të jetë futur, pasi pajisja ka një peshë dhe gjatësi të caktuar.

Pjesë nga bisedat me kamera të fshehur

Prokuroria, 4 muaj e gjysmë dosjen në sirtar!

Vajza e të ndjerit, Silvana thotë se çështjen e ka denoncuar në Prokurorinë e Tiranës në datën 2 shtator 2020. “Kam shkuar në Prokurorinë e Tiranës dhe kam dorëzuar kallëzimin penal ndaj Katrina Pepkolaj, personit përgjegjës dhe Morgut të Tiranës. Kam pritur disa javë dhe asnjë informacion. Kam shkuar në muajin dhjetor dhe më kanë thënë se çështja është akoma në zyrën e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës dhe nuk është marrë nga prokurorët për hetime të mëtejshme” thotë ajo.

Fiksi interesohet në Prokurorinë e Tiranës se çfarë është bërë me këtë kallëzim. Fillimisht, gazetarët e emisionit investigativ pyesin nëse ka një kallëzim nga zonja Silvana Kasa, e cila ka kallëzuar Katrina Pepkolaj dhe Morgun e Tiranës. Pasi e verifikojnë, sekretaret i kthejnë përgjigje se nuk ka asnjë çështje nën hetim apo të regjistruar me këto emra; kallëzuesin, të kallëzuarën apo Morgun e Tiranës.

Më pas, pasi marrim një numër protokolli që kallëzimi është dorëzuar në fillim të muajit shtator 2020, i drejtohemi sërish sekretarisë së Prokurorisë së Tiranës. Kësaj herë, sekretaret thonë se ky kallëzim është ende në zyrën e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës dhe nuk është hedhur shorti. Pra, nuk i ka kaluar asnjë prokurori dhe nuk po bëhen hetime. Për 4 muaj e gjysëm, dosja është ende “pezull”!

Pajisja kushton rreth 5 mijë euro

Spitali “Shefqet Ndroqi”, Tiranë

Fiksi – Shiko tani si është problemi. Ka vdekur një kushëriri im dhe e kanë shoqëruar në Morg me çfarë ka pasur me vete.

Doktoresha – Të mungon ndonjë gjë ty?

Fiksi – I ka munguar aparati i B PAP – it! Ka vajtur nga këtu në Morg me gjithë aparat, atje nuk ia kanë dhënë. Dhe ata thonë që nuk ia keni dhënë ju, prandaj desha ta takoj atë se ajo e ka shoqëruar dhe ajo ka firmosur.

Doktoresha – Po nëse është në procesverbal…

Fiksi – Ajo ka firmosur (infermierja) dhe unë atë doja.

Infermierja tjetër – Në procesverbal është atje?

Fiksi – Në procesverbal është që është dorëzuar.

Infermierja tjetër – Të mbajë përgjegjësi Morgu, se atje është dorëzuar.

Doktoresha – Se ka mbajtur procesverbal, atje Morgu…

Fiksi – E kemi procesverbalin ne, ato thonë që nuk e ka dhënë “Shefqet Ndroqi”, e ka firmosur ajo që e ka dorëzuar.

Doktoresha – Jo, jo s’ka shanse. Unë shkruaj emër mbiemër, dhe i firmos ai atje!

Instituti i Mjekësisë Ligjore, Tiranë

Punonjësja e IML-së – Unë jam punonjëse e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Më thuaj pak a shumë punën.

Fiksi – Tani, problemi është, është tërhequr trupi nga Morgu. Në momentin që është dorëzuar trupi ka qenë Katrina që ka firmosur te procesverbali dhe në momentin që është tërhequr trupi, mungojnë…

Punonjësja e IML-së – Atëherë, me këtë nuk ke punë fare me Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Fiksi – Unë pyeta ku e ka hyrjen Morgu.

Punonjësja e IML-së – Do flasësh me shefin (e Mogut), me Azemin. Me Shefin e Morgut, se ne nuk kemi lidhje fare me atë, jemi institucion më vete.

Pjesë nga bisedat me kamera të fshehur

Shkojmë te Morgu

Fiksi – Po kërkoja që të flisja me këtë personin që ka bërë këtë procesverbalin.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Ëhë.

Fiksi – Po më thanë që nuk është se ka qenë turni i tretë. Më thanë që ju jeni shefi.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Po.

Fiksi – Tani unë dua ta sqaroj këtë muhabet dhe ta zgjidh çështjen. Tani, nga procesverbali ku është pranuar trupi.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Po.

Fiksi – Nga mjetet që janë dorëzuar nga infermierja që është këtu dhe nga procesverbali i tërheqjes së trupit…

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Po, këtë e kam bërë unë.

Fiksi – E ke bërë ti?

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Po, po, po.

Fiksi – Mua më mungon aparati i B PAP-it!

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Tani, të mundohemi të jemi shumë korrekt.

Fiksi – Patjetër.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Këtu thotë në datën 01.09, ora 08.00, shtetasi Ferit Beqir Kasa, 1950. Skeda e vdekjes.

Fiksi – Po, po.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Telefoni dhe rrobat personale u vendosën në arkivol dhe refuzon familjari ti marri. Aparati mund të jetë brenda…

Fiksi – Nuk është e shkruar. Aparati nuk ka qenë.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Në arkivol, refuzon familjari ti marri rrobat. Dhe e kam shkruar këtu dhëndëri Librazhd. Për gjëra të tjera më të detajuara mund të shkoni te Senatoriumi.

Fiksi – Isha, tani sa erdha.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Kjo është ajo që kemi ne këtu. Ke bërë shumë mirë që e ke marrë.

Fiksi – Tani, unë isha në Senatorium, takova infermieren. Sipas procesverbalit të datës kur është dorëzuar trupi këtu nga infermierja, aparati i B PAP-it është dorëzuar bashkë me sendet personale, me telefon, me rroba trupi etj. Kur është tërhequr, aparati B PAP-it nuk ka qenë! Janë hapur dhe kamerat dhe aparati i B PAP-it nuk ka qenë.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Nuk di ça të them për Zotin. Unë kam dorëzuar ato që kam parë.

Fiksi – Çfarë ke dorëzuar, meqë ti e ke bërë këtë? Se në këto që ke shkruar ti, aparati i B PAP-it nuk ka qenë.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Unë nuk kam parë aparat B PAP-i! E kupton, kam parë rrobat.

Fiksi – Kjo zonja, Katrina Pepkolaj që ka tërhequr trupin, ka marrë sendet personale dhe ka shkruar edhe aparatin e B PAP-it, të oksigjenit.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Po.

Fiksi – Ti kur e ke dorëzuar trupin, ke shkruar këto, aparati B PAP-it nuk ka qenë.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Unë kam shkruar ato që kam parë.

Fiksi – Dmth, aparatin nuk e ke parë?

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Nuk e kam parë! Derisa kam shkruar telefon e rroba personale, kam shkruar edhe detaje…

Fiksi – Pikërisht pra, janë futur në arkivol se janë refuzuar nga dhëndëri. Ti personalisht aparatin e B PAP-it nuk e ke parë?

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Jo, jo, jo.

Fiksi – Aparati i B PAP-it ka humbur këtu brenda, pasi është dorëzuar trupi, këtë dua unë të di.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Nuk e di, këtë s’mund ta di se këtu ka kufoma…

Fiksi – Nuk e vë në dyshim fare unë këtë, unë prandaj desha të flisja me Katrinën.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Nuk e di.

Fiksi – Se ky aparati B PAP-it që ka qenë, është marrë me qira. Ky aparat kushton 5 mijë euro. Është marrë me 150 euro në muaj qiraja.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Nuk e di për Zotin, unë s’kam parë. Këto që kam parë, kam shënuar datën, orën e saktë. Biles kam saktësuar që refuzon familjari t’i marrë rrobat. Nuk mund të jap diçka tjetër përveç kësaj që lexoj. Mbaj mend vetëm çfarë shkruan letra. Se po të kishte ardhur pa letër, do të kisha kërkuar procesverbalin.

Fiksi – Unë ndaj e solla.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Shumë mirë ke bërë, atë aparatin edhe se kam pa edhe nuk e kam shënuar këtu.

Fiksi – Ju ka ndodhur herë të tjera që kanë humbur sende personale këtu në Morg dhe kanë qenë persona të tjera si puna jonë që kërkojnë?

Shefi i Morgut Azem Lamaj – I kemi zgjidh të tëra, krejt në rregull. Të gjitha rastet i kemi zgjidh, sepse ato që kanë ardhur këtu ne i kemi shënuar. Ato që kemi shënuar, i kemi dorëzuar. Mund të përjashtoj, mund të ketë…

Fiksi – Dmth ka humbur këtu brenda, kjo është.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Këtë s’mund të them motra ime, s’mund të vë dorën në zjarr.

Fiksi – Dikush e ka marrë.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Unë kam dorëzuar këto që kam shënuar aty. Kam dorëzuar kufomën, skedën, telefonin, rrobat. Edhe kaq. Pastaj ka pasur atë, unë s’mund… s’mund të ashtu…

Fiksi – Azem?

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Po.

Fiksi – Kush?

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Lamaj, jam shefi i Morgut. Ato që duhen janë këtu (te procesverbali) të shënuara.

Fiksi – Jo, jo se nuk është emri jot këtu.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – Ja moj ti. Të prish punë ta firmos?

Fiksi – Absolutisht, ajo fotokopje është po më duhet emri dhe firma jote.

Shefi i Morgut Azem Lamaj – (Firmos procesverbalin) Ky është shkrimi im, dhe s’mund ta mohoj unë që kjo pjesa këtu (në procesverbal) është e imja.

 

Bisedë me pronarin e shërbimit funeral në Librazhd

Gazetari – Ti e more në datën 1 (shtator 2020)?

Pronari i shërbimit funeral – S’e mbaj mend sa ka qenë data, unë në Morg e mora. Po nuk ka shans, se ky (na tregon një arkivol) është çik më i madh, ka qenë më i vogël ai

Gazetari – Nuk ka qenë thua?

Pronari i shërbimit funeral – Më thuaj mua ku do futet?! Aparati është 40 me 50, është sa gjysma e atij.

Gazetari – Ti nuk ke marrë në makinën tënde asnjë lloj aparati?

Pronari i shërbimit funeral – Jo, vetëm kufomën.

Gazetari – Vetëm kufomën! S’ke marrë asnjë lloj aparati, asnjë lloj gjëje.

Pronari i shërbimit funeral – Jo, jo vetëm arkivolin e kam futur në makinën e varrimit dhe kam ardhur në Polis. Biles varrimin e kemi bërë direkt. Përmasat e atij janë, nuk ka rëndësi pesha, përmasat. Se po të hyjë trupi këtu dhe të mbyllet kapaku, nuk ka shans.

Gazetari – Po çfarë, ku ka shkuar, çfarë mund të jetë bërë?

Pronari i shërbimit funeral – Ku mund të shkojë tjetër!

Gazetari – E kanë vjedhur thua?

Pronari i shërbimit funeral – Nuk e di, sss normalisht që e kanë marrë, më kupton.

Gazetari – Ti s’ke marrë gjë?

Pronari i shërbimit funeral – Kam marrë vetëm kufomën me arkivolin dhe e kam çuar direkt në varreza. Kemi bërë varrimin.

Prokuroria e Tiranës asnjë hetim prej 4 muajsh e gjysëm

Fiksi – Të shkoj pak te sekretaria?

Punonjësi i prokurorisë – Për çfarë?

Fiksi – Dua thjesht të pyes kush e ka marrë çështjen, kush prokuror është. A ka nis apo jo si çështje? Se s’kam asnjë lloj informacioni. E ke aty denoncimin (emrat e kallëzuesit dhe të kallëzuarve). E ka denoncuar për vjedhje, Katrina Pepkolaj.

Punonjësi i prokurorisë – (Telefonon sekretarinë) Katrina Pepkolaj, Pepkola. S’del asnjë gjë.

Fiksi – Nuk del asnjë gjë?

Punonjësi i prokurorisë – Pyet njëherë me çfarë e ke sjellë.

Fiksi – Këtu nuk ka asnjë çështje?

Punonjësi i prokurorisë – Jo, s’ka (me persona nën hetim apo të pandehur).

Pasi marrim një numër protokolli nga familjarët, interesohemi sërish

Fiksi – Më dhanë një numër protokolli, 3764-5. 3 shtator 2020.

Punonjësi i prokurorisë – (Interesohet te sekretaria) Me postë…

Fiksi – Ka ardhur këtu, e ka bërë personalisht këtu.

Punonjësi i prokurorisë – Ka ardhur këtu.

Fiksi – Ça thonë?

Punonjësi i prokurorisë – Nuk është ndarë… te prokurori, është te zyra e shefes.

Fiksi – Te zyra e shefes! Nuk dini gjë se kur mund të hidhet (në short)? Që nga shtatori?

Punonjësi i prokurorisë – S’di.

Fiksi – S’dihet asnjë gjë.

January 20, 2021 10:30
Komento

14 Komente

  1. Astriti. January 19, 21:51

    O Shqiptare per ate te madhin Zot.
    Ku ka prokurori ne Shqiperi se ngelet duke thene dosja ne prokurori, e ne gjykate.
    Shqioeria nuk ka as prokurori e as gjykate por ka nje bande te lidhur me krimin e organizuat. Nuk ka prokurori ne Shqiperi mesojeni.

    Reply to this comment
    • Raimond vlonjati January 20, 03:11

      Pa asnje dyshim aparatin e kane mare ata te Infektivit, sepse ata ja dine cmimin aparatit,
      Mirepo ata e kane shenuar ne proces verbal gjasme e kane derguar ne morg,

      Ata te morgut duke qene se perdite atje shkojne nga 8-10 viktima,
      nuk e kane vene re,
      Por kur kane bere procesverbalin e materialeve e kane pare qe nuk ka aparat ,
      dhe ndaj nuk e kane shenuar ne Proces verbal

      Por qe as qe nuk diksutohet aparati eshte vjedhur tek Infektivi

      Nga ana tjeter Prokuroia qe na hiqet si e ndershme as qe e ka ruajtur fare per
      kete ceshtje –Mendo cfare Prokurorie paska Tirana

      Skandal, shteti i Edvin Hjadutit

      Tani prisni nga momenti ne moment kur te dali vellai i Vucicit dhe Avokati i Greqise
      dhe te thote
      se Prokuroria punon fort, ndaj mos e ngacmoni

      Bravo Fiksi , se po ju nxjerr bojen ketyre hajduteve qe jane ne cdo nivel te kesaj Administrate te piste

      Reply to this comment
  2. Arben January 19, 22:11

    Epo kësaj herë është ndryshe, e ka fajin roja private i objektit, jo stafi spitalor, mos shpifni për edrogen nashi

    Reply to this comment
  3. Lili January 19, 22:20

    Ku janeato mjeket qe gjithe diten na dallin meRamen dukenatrumpetuar se te gjitha i kemi ne spital? Pse u kerkohet familjareve mjete?!
    Kush eshte direktori e kryemjeku i ketij spitali ? Qe te dorehiqen ose tedetyrohen te dorehiqen pas gjithe keto skandale n’ate spital!

    Reply to this comment
  4. Populli January 19, 22:51

    Ku jane Doktor Kalo politikani i virgjeri nga veshet me shkencoren e NUKU -ut e Together Forever, apo ai Pipero kacurelsi Skraparlli, qe te na sqaroje me kete komplikacionin nen vezhgimin e tyre shkencor universal te gjithanshem e shkencor VK, te Ndroqi i Shefqetit?

    Hahhahahahaaaaa. Kuje kuje, thote Populli!

    Reply to this comment
  5. Ilirjan January 19, 23:17

    Qe me rastin e pare te abuzimit me detyren dhe moralin, te Tires, duhet te kishte nje shkundje ne Spitalin Co-2, dhe Drejtorit te Tij duhet t’i komunikohej largimi deri ne zbardhjen e te gjithe bashkepuntoreve. Perderisa eshte qelbur bishti, do te thote se koka eshte qelbur me heret . Kurre nuk do te guxonte ndonje vartes, i rangur te dyte apo te rangut Tire-sanitare, po qe se Drejtuesit dhe Shefat e Pavjoneve jane ne lartesine e detyres dhe te moralit te ushtrimit te saj dhe te profesionit te tyre.
    Ne sms e kembyera shkruhet per mos kryerje te detyres nga personeli, lenie pa ushqim, pa kryerje te klizmes e tj. :
    – A i analizoi stafi mjeksor i spitalit C0-2 keto ?, sepse ne mesazhet ka date dhe ore te percaktuar. Pra problemi eshte jo vetem marrja e milionave nga Tireja, por menyra si eshte trajtuar fatkeqja qe i ka shkruar keto fakte.
    Daljet dhe justifikimet e Kryeministrit nuk duhet te sherbejne si korrace mbrojtese ndaj personave pergjegjes.
    Rasti i dyte, i denoncuar si me siper nga Fiksi, eshte nje tjeter fakt qe duhet te detyroje K/ministrin Rama dhe Ministrine e Shendetesise te shkundet, te rindertoje apo persose sherbimin ne Spitalet dhe Klinikat Qendrore deri ne ato te lagjeve.
    Keto qe po shohim dhe lexojme, ne vecanti keto ditet e fundit jane fakte te priteshme teper skandaloze, te turpeshme. Shuplaka e forte ndaj abuzuesve eshte veprim i pritshem nga hallexhinjte qe kerkojne te clirohen nga vargonjte e korrupsionit , xhvatese per xhepat e tyre te cpuar dhe te boshatisur nga sistemi i pabarazise te ligjeruar para 30 vjetesh .

    Reply to this comment
  6. Jeni ju pa jemi ne. January 19, 23:24

    Rast i izoluar edhe ky. Pyll pa derra nuk ka.

    Reply to this comment
    • Populli January 20, 00:10

      E kuptojme. Po jemi katandisur ne Derra pa Pyll nuk ka.

      E hajde e nxirri derrat nga gjithe ai pyll, po i gjete ku jane.

      Reply to this comment
  7. xxx January 19, 23:31

    ramuti mendon se kjo eshte normale
    ramuti mendon se populli s’meritojne ndonje standard.
    ramuti mendon se po lodhet si shume per vendin
    populli ka teka e kerkesa shume ai eshte i varfer i mbaruar injorant dhe derr dhe ramuti s’ka leka as sherbime per popullin bageti.
    vetem kush rregullon para dhe bossllik ai meriton vemendjen e ramutit. S’ka rendesi si siguron parate dhe bossllikun.
    Edhe ramuti ashtu ben siguron vota mbeshtetje partira koalicione keshilltare sherbetore me gjithe menyrat e mundshme mbi dhe.

    Reply to this comment
  8. Adih January 20, 00:27

    Abuzimi ,korrupsioni kumbarja e parave me emrin Tire ,nuk eshte e vetme .
    Pa dyshim Rama ,Berisha ,Meta ,Basha jane te gjithe Tire .Qe ne gjermanisht perkthehet Kafshe ky emer Tire ne shqip. .E bukur kjo koencidence e Tire dhe e te gjithe TIREVE te tjere shqiptare ???
    Sa turp . Sa poshte jemi katandisur .

    Reply to this comment
  9. Cohu Enver Hoxha se na vdiqen kopilat e kombit na i moren frymen. January 20, 08:33

    Prandaj themi qe po spati gjykata te regullta qe te bejne drejtesi nuk do kete shtet normal cdo njeri po ta di qe do denohet po te beje nje veprim te pa ligjeshem do ta mendoje shume mire sepse mund te shkoj ne burg.Ne Shqiperi gjykatat jane per te vene duarte ne koke e kane kthyer shqiperine ne xhungel .Me vjen turp per kete klase politike qe na ka qeverisur 30vitet e fundit.

    Reply to this comment
  10. Gzim Kulufi January 20, 13:58

    C’jane keto shou?!? Aparati qenka marre hua nga diku, pra ka numer, foto dhe mjaft te dhena te tjera, si ngjyra, madhesia, etj. Me keto te dhena prokuroria heton ne fillim tek arkivoli i varrosur, pastaj tek ish-sanatoriumi, pastaj shikon nese nga personeli i spitalit dhe morgut ka patur te aferm me covit, ka akoma diku afer tyre, nis hetimet pa rene ne sy, duke bere sikur dikush interesohet per nje pajisje frymemarrje, dhe diku do te dali kjo pajisje! (Keto lloj pajisjesh, tani ne kohe covidi, pa nje dizenfenktim special mund te infenktojne akoma me keq perdoruesit e tjere!)

    Reply to this comment
  11. kontigjenti i tipit, qe cpiku "kanocen"...jep moral sot . January 20, 17:56

    po, ikni more derra “gazetare” fiksa pyka e kunja, se ky eshte “morali”, qe pikerishte mostra si ju i kane formuluar ketij populli .
    mos merrni individ te vecante me qaf, kur zgjidhja do te ishte nje dore e hekurt, per “formimin e njeriut te ri” te reklamuar..por jo te realizuar nga enver hoxha, qe i hapi dyert e “lirise” ne 70-ten, sa hyri dhe e beri pis kete popull…”derri dhe dosa” .

    Reply to this comment
  12. info analitike January 20, 19:32

    Si shume skandale brenda te njejtit spital. Kush mban pergjegjesi dine gje shoke Bino, Pipero, Brataj dhe shoket e tjere te Komitetit te Eksperteve?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim