Tjetër test për fituesit e maturës tek gjuhët e huaja

October 8, 2014 23:08

Tjetër test për fituesit e maturës tek gjuhët e huaja

Maturantët që kanë fituar të drejtën për të vijuar studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja do të testohen sërish për nivelin e njohurive që kanë rreth gjuhës së huaj ku janë pranuar. Drejtuesit e këtij fakulteti bëjnë me dije se zhvillimi i këtij testimi nuk ka për qëllim që të penalizojë kandidatin me humbje të studimeve, në rast se nuk merr pikët e duhura. Rezultatet e këtij provimi shërbejnë për të grupuar studentët sipas nivelit të njohurive që kanë mbi gjuhën. Kjo pasi Matura Shtetërore përzgjedh si kandidatë fitues, jo vetëm maturantët që kanë dije të avancuara në gjuhën e huaj ku janë shpallur fitues, por edhe kandidatë me njohuri elementare, si dhe kandidatë që nuk kanë fare njohuri rreth gjuhës përkatëse.

Në varësi të rezultateve të dala nga ky testim do të bëhet më pas edhe ndarja e të rinjve në nivele, mbi bazën e të cilave do të zhvillohen edhe lëndët mësimore. Zëvendësdekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Sonila Sadikaj ka deklaruar dje se ky testim nuk bëhet për të penalizuar studentët, por përkundrazi i ndihmon ata pasi nëpërmjet grupimit mund të përthithin më mirë lëndët mësimore, pasi ka studentë që nuk kanë njohuritë e duhura të gjuhës për të cilën studiojnë. Prej disa vitesh ky fakultetet është përballur me nivele të ndryshme të gjuhës tek të rinjtë, çka ka bërë që të përshtaten edhe kurrikulat me të cilat punohet që nga viti i parë i studimeve. Për vitin e ri akademik në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në kryeqytet do ulen për herë të parë në auditorë 820 studentë. Sipas përcaktimeve të bëra në vendimin e qeverisë, numrin më të lartë të studentëve të rinj e ka dega e anglishtes, me rreth 200 kandidatë të përzgjedhur, ndjekur më pas nga gjuha frënge, gjermane dhe ajo italiane, përkatësisht me 120 pranime të reja për secilin program.

Ndërsa për degët e tjera, si gjuhë turke, greke, apo spanjolle vijojnë mësimet për herë të parë 60-70 studentë të rinj, për secilin program. “Në bazë të rezultatit i ndajmë studentët në nivel fillestar A1, dhe A2 është kur ke marr bazat e gjuhës po ende nuk je i sigurt në komunikim, si dhe deri në nivel B1 që janë më të avancuar. Pak a shumë ky është kontingjenti që vjen në fakultetin tonë. Zhvillimi i testimit nuk i penalizon, përkundrazi i ndihmon. Për hir të Maturës Shtetërore, ashtu siç është organizuar sot na vjen dhe një kontingjent, po themi 60-70 veta që nuk e dinë gjuhën fare. Pra, ne nuk mund t’i bashkojmë këta studentë në të njëjtin grup me ata që dinë, sepse nuk i shërben as atij që nuk di, dhe as atij që di dhe do të avancojë.

Në vitin e parë “Bachelor” ne ofrojmë lëndë të formimit të përgjithshëm gjuhësor. Vihet theksi më shumë te përforcimi i njohurive gjuhësore që kanë tashmë, dhe lëndët bazë jepen në gjuhën shqipe, të themi hyrje në gjuhësi, morfologji dhe sintaksë e gjuhës shqipe dhe lëndët e specialitetit fillojnë në vitin e dytë, ku ata do të bëjnë pastaj morfologji dhe sintaksë gjermane, apo angleze, apo qytetërimi, historia, letërsia e këtyre vendeve, etj”, bën të ditur zëvendësdekania e këtij fakulteti Sonila Sadikaj.

Sekretaritë mësimore të fakultetit kanë përfunduar procesin e regjistrimit të studentëve të rinj, që kanë fituar me rezultatet e maturës shtetërore për raundin e parë të pranimeve. Me shpalljen e vendeve të mbetura bosh dhe me hedhjen në garë të formularit A3, edhe shumë kandidatë të tjerë do të kenë mundësi që të vijojnë studimet në një nga degët e këtij fakulteti.

Sipas MAS, raundi i dytë i pranimeve në universitetet publike do të zhvillohet nëpërmjet formularit A3, në të cilin do të listohen kuotat që do të mbeten të parealizuara nga faza e parë. Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë me kuotat respektive të paplotësuara të rishpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ndërkohë, kuotat që do të mbeten të paplotësuara edhe me mbylljen e regjistrimeve të raundit të dytë nuk do të rishpallen me, çka do të thotë se këto kuota digjen, dhe se maturantë duhet të presin vitin e ardhshme akademik për të hyrë sërish në garë që të fitojnë një të drejtë studimi në publik. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët që :”Kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sezoni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2. Ata që kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sezonin e vjeshtës 2014.

Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore nga komisioni i ekspertëve të ngritur pranë Ministrisë së Arsimit. Kandidatët që kanë plotësuar formularin A1Z në sezonin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.”

October 8, 2014 23:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*