Vrasësi i nënës nuk shfaq pendim

Redaksia Online April 9, 2013 14:20

Vrasësi i nënës nuk shfaq pendim

Burime nga policia bëjnë të ditur se Pashaj ka qenë i përfshirë në vitet ’95-’96 në një tjetër incident me armë për çështje parash. Në sallën e gjyqit ai pretendoi se ishte i sëmurë dhe se nuk mbante mend gjë, por pa kërkuar në asnjë moment falje për ngjarjen e ndodhur

Bruno Marku

Ditën e martë, katër ditë pas vrasjes tragjike të së ëmës, 51-vjeçari Lefter Pasha doli para togave të zeza për vlerësimin e masës së sigurisë. “Arrest me burg”, ka qenë vendimi i dhënë nga Gjykata e Durrësit për vrasësin e dyshuar të mëmës. Ai akuzohet nga organi i akuzës për vrasjen e Mejreme Pashës, 70 vjeçe, ngjarje kjo e ndodhur të shtunën në fshatin Kullë të Durrësit.

Gjatë paraqitjes së tij në  sallë i shoqëruar nga trupa policie, Pasha në pritje të  masës së sigurisë është  shfaqur kokulur dhe i pavetëdijshëm për krimin që ka kryer, duke pohuar para trupit gjykues se nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprimet që çuan deri në ekzekutimin e nënës së tij.

“Unë jam i sëmurë dhe marr mjekim, nuk më kujtohet se çfarë kam bërë, dua të largohem nga këtu për të shkuar tek fëmijët e mi në Greqi. Nuk mbaj mend asgjë, gjithçka mund të këtë ndodhur teksa jemi grindur për një çështje pa rëndësi”. Këto kanë qenë fjalët që i pandehuri tha para gjyqtarit të çështjes, Tritan Hamitaj. Duke u nisur nga përgjigjja e tij në linjë logjike, është krijuar ideja se ai nuk është realisht aq i sëmurë sa e ka paraqitur opinioni në shtyp. Gjithashtu, autori nuk ka shfaqur asnjë ndjenjë pendese për krimin për të cilin akuzohet apo për vdekjen e së ëmës.

Ngjarja, sipas policisë, është e vërtetuar plotësisht nga gjurmët e lëna dhe nga dëshmitarët. Ata tregojnë se autori Pashaj nuk është aq i sëmurë saç pretendohet të hiqet para hetuesve.

Dyshohet se 51-vjeçari ka pasur precedentë penalë në të shkuarën, ku është përfshirë edhe në një incident me armë zjarri rreth viteve ’95-‘96. Dhe konflikti përsëri, sipas disa të dhënave nga persona që e kanë njohur kur ka banuar në Durrës, ka qenë për para. Krahas deklaratës së të pandehurit, organi i akuzës e cilësoi arrestimin e 51-vjeçarit si të ligjshëm. Mbi të rëndon akuza e vrasjes me paramendim, ndërsa është kërkuar qëndrimi i tij në burg.

Sipas prokurores së çështjes, Anila Jella, në paraqitjen e fakteve rezulton se 51-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e viktimës ku fillimisht e ka kërcënuar me një sëpatë në dorë, ndërsa në debat e sipër për t’i marrë një shumë parash së ëmës, e ka qëlluar disa herë në kokë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Ndërkaq organi i akuzës duke marrë  parasysh deklaratat e të pandehurit, ka kërkuar ekspertimin  e gjendjes mendore të tij. Avokati mbrojtës, Halil Hoxha, ka kërkuar një masë më të lehtë për klientin e tij, pasi sipas avokatit ai vuan nga probleme mendore, për të cilën dhe kurohet.Trupi gjykues pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe avokatin mbrojtës, vendosi të japë masën e sigurisë “arrest me burg” për 51-vjeçarin.

***

Vret nënën për të larë borxhet

Nga Bruno Marku

6 prill – Kanë qenë orët e paradites kur një krim që ka ndodhur në një nga fshatrat periferike të rrethit të Durrësit ka tronditur opinionin. Ngjarja ka qenë shokuese për vetë faktin se përbënte një krim të rrallë kur djali ngrinte dorën kundër nënës së tij. Dhe ai nuk ishte ndonje adoleshent, por mjaft i shtyrë në moshë ndërsa e ëma, sipas njoftimit të policisë, ishte rreth 70 vjeçe. Autori i krimit ishte i vetmuar me fëmijët në emigracion dhe pas humbjes së gruas, ai kishte pësuar tronditje psikike dhe kurohej pikërisht nën kujdesin e së ëmës që e vrau në një situatë mjaft dramatike. Skena e vrasjes ka mbetur e pazbardhur siç duhet për mënyrën e debatimit që kanë pasur së bashku djali 44-vjeçar dhe e ëma, konflikt që u mbyll me përgjakjen e tmerrshme të dhomës së varfër ku ajo banonte, por dihet që ai ka pasur nje telefonatë para se të shkonte tek e ëma. Një telefonatë që ka qenë vendimtare për fatin e viktimës.

Pasi kanë dëgjuar zhurmë dhe të bërtitura, fqinjët kanë parë të dilte nga banesa e viktimës të birin e saj të gjakosur dhe nga kjo ata janë nisur dhe kanë parë në banesë gruan. Ata kanë lajmëruar më pas policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Nga pyetjet e bëra kanë mësuar edhe emrin dhe adresën e autorit. Ai ndodhej në shtëpine e tij, pak më larg nga ajo e së ëmës dhe nuk ka bërë rezistencë kur e kanë prangosur.

Vrasja

Vrasja e 70-vjeçares Mereme Pashaj është realizuar me mjete të forta. Mjekët pasi kanë bërë këqyrjen e viktimës kanë konstatuar plagë të shumta me thyerje të kafkës. Fillimisht është goditur me një objekt të trashë dhe më pas ajo është sulmuar me një mjet metalik mashë me të cilën ndizte zjarrin në sobë. Ajo është goditur disa herë deri në humbjen e jetës dhe më pas vrasësi i saj, është larguar. Kjo skenë ka ndodhur pasi ajo nuk ka pranuar që t’i jepte lekët që i kishte marrë pas marrjes së pensionit.

Banorët

Banorët kanë pasur konsideratë mjaft të mirë për gruan që humbi jetën nga dora e djalit të saj. Po ashtu edhe për të birin, i cili sipas tyre ka qenë një njeri shumë i mirë, por që pas vdekjes së të shoqes nuk ka mundur ta përballojë dhimbjen dhe kishte kaluar në depresion të rëndë. Ai kishte tre fëmijë, që janë strehuar pas vdekjes së nënës së tyre tek të afërmit në Greqi. Ndërsa ka pasur 6 vëllezër e motra. E moshuara edhe pse jetonte në kushte të vështira, kujdesej vazhdimisht për të, pasi sipas dëshmisë së fqinjëve djali vuante nga sëmundje mendore, madje edhe kurohej.

“Një djalë tjetër e kishte në Holandë, nuk ishte plakë e keqe. Djalit që mbante, i ka vdekur gruaja. Ne e dimë që ai ka qenë me ilaçe, po që të arrinte deri këtu s’na e merrte mendja”, thotë një fqinjë e së moshuarës. Me banorët e lagjes ka qenë sjellë mjaft mirë, ata nuk kanë dyshuar asnjëherë se ai ishte agresiv. Vrasja e së ëmës prej tij i ka vënë përpara një të vërtetë të pabesueshme.

 

Dyshimi se i kërkonte para për të larë borxhet

Banorët kanë dëgjuar një bisedë në telefon para se të ndodhte vrasja. Ai ka komunikuar me një person në telefon kur ai u ka thënë se po të mos i jepte  50 mijë lekët dhe çelësat e shtëpisë kishte për ta vrarë. Rreth kësaj bisede kanë dëshmuar një adoleshent dhe disa të tjerë dhe duke u nisur nga ky fakt policia ka bllokuar edhe telefonin për të zbardhur nëpërmjet tabulateve telefonike se me cilin person ka komunikuar dhe nëse ai ka pasur ndonjë borxh për të kthyer.

 

Redaksia Online April 9, 2013 14:20
Komento

2 Komente

  1. anonim April 6, 14:21

    Ata jane nene e bir dhe kjo mjafton te trajtohet si dhune ndaj femrave ? Futja kot.

    Reply to this comment
  2. Leonardo April 7, 14:05

    Ku vemi kështu o njërz ka njërzëllëk apo ska dhe në qofte ska nuk jemi njërz por kafshë

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*