Tola: Dy policët gabuan me qytetaren, problem trajnimet. Një prej të dyve të nesërmen denoncoi një korruptim

February 19, 2015 14:50

Tola: Dy policët gabuan me qytetaren, problem trajnimet. Një prej të dyve të nesërmen denoncoi një korruptim

Kreu i Drejtorisë së Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Mitat Tola flet në një intervistë botuar sot në DITA edhe për incidentin e pak ditëve më parë mes dy policëve rrugorë dhe një qytetareje në Tiranë.

I pyetur nga gazetarja Entela Resuli sa trajnohen punonjësit e policisë për të përballuar këto situata, Tola thotë:

“…Trajnohen pak. Pa i hyrë debatit për të cilin u bë shumë zhurmë. Punonjësit e policisë gabuan në momentin e parë, në gjykimin tim, dhe ky gabim u shndërrua në një pezullim të tyre në mënyrë të menjëhershme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe nga administrata. Punonjësit e policisë gabuan që në momentin që qytetarja filloi t’i fyente, ata duhet të kishin respektuar procedurat standarde dhe duhet ta kishin shoqëruar atë për fyerje dhe për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe historia do mbyllej aty…”

Kreu i rrugorëve pranon që trajnimet nuk kanë qenë të efektshme në raportin me qytetarin:

“Të paktën në Tiranë, ne ndjejmë vështirësi për t’i trajnuar punonjësit, edhe në këtë dimension. Ne i trajnojmë ata rregullisht për rregullimin e trafikut, për vendngjarje aksidentale, për të identifikuar saktë një vendngjarje, i trajnojmë për elementë specialë të shërbimit të sigurisë rrugore dhe e kemi lënë në fakt pas dore këtë pjesë që duhet për mendimin tim, t’i kushtojmë rëndësi shumë të madhe, përgatitjes psikologjike të përballimit të qytetarit. Një punonjës policie del në 6:00 të mëngjesit dhe kryen 10 orë shërbim dhe takon kategori nga më të çuditshmit në rrugë, njerëz me shkollë, njerëz pa shkollim, njerëz që të fyejnë, njerëz që të kërcënojnë, njerëz që të marrin në telefon. Pra, është përballë një presioni të përditshëm dhe ka edhe çedime të tilla, por është administrata për t’u thënë punonjësve të policisë që ata duhet të respektojnë atë që kanë të shkruar dhe të mos hyjnë në debate. Të gjitha janë të shkruara qartë, edhe ky rast mund të ishte shmangur, pavarësisht agresivitetit të zonjës. Mund të ishte shoqëruar me një makinë private në drejtorinë e qarkut dhe nuk do të kishte ndodhur ajo… – thotë Tola.

Ai zbulon se një nga policët e përfshirë në incident një ditë më pas denoncoi një tentativë korrupsioni:

“Vetëm njëri është i pezulluar, ndërsa punonjësi tjetër, i cili u soll korrekt dhe u qëllua, nuk u pezullua. Ai vazhdon shërbimin, madje një ditë më pas, po këtij polici një qytetar i ofroi një sasi lekësh për të kaluar një shkelje dhe ky qytetar sot është i arrestuar pasi u ndoq për korrupsion pasiv. Ne nuk mund ta kalonim, me gjithë zhurmën që u bë, pa një hetim administrativ, i cili është në vijim e sipër që do të përcaktojë përgjegjësitë e punonjësit të policisë, të patrullës dhe eprorët do të gjykojnë për rastin…”

 

Intervista e plotë mund të lexohet këtu:

http://www.gazetadita.al/tola-dy-policet-gabuan-me-gruan-qe-i-fyeu-trajnohen-pak/

 

February 19, 2015 14:50
Komento

2 Komente

  1. selami February 20, 08:55

    Zoteri i nderuar! Kthejeni ne pune edhe policin e dyte dhe mos e merrni me qafe per nje histerike!

    Reply to this comment
  2. siciltechnoplus February 20, 10:00

    Policet tuaj nuk njohin Kodin Rrugor dhe per pasoje,nuk kane kellqe te ruajne zbatimin e tij nga qytetaret.
    Policet tuaj paperjashtim e ne menyre absolute,nuk njohin etiken e policise se shtetit te rregulluar me ligj te posacem.
    Policet tuaj jane arrogante po aq sa injorante dhe kane nje fodullek primitiv provincial.
    Policet tuaj nuk e dine akoma se cfare jane dritat e emergjences dhe ku e kur perdoren.
    Policet tuaj……..c’ta zgjas kot kur as ti vete nuk di cfare llomotit!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*