Tomori, kulti i tabusë mbrojtëse

August 15, 2018 11:02

Tomori, kulti i tabusë mbrojtëse

Moikom Zeqo

Nuk dihet se kur ka nisur të praktikohet ngjitja e Malit të Shenjtë si një Festë për të gjithë njerëzit, me ngjyrë, besime dhe  madje me gjuhë të ndryshme.

Dikur para Erës së Re besohet se ka nisur gjithçka.

Për vetë vetitë që besohet të ketë ende Mali i Tomorit, paganët e dikurshëm vendosën që çdo verë të caktoheshin pesë ditë nderimi për të dhe misticizmin e tij.

Më vonë, pas daljes së Kalendarit Romak, rastisi se Festa e Ngjitjes së Malit dhe therjes së bagëtive si kurban të fillonte më 20 gusht dhe të përfundonte të paktën zyrtarisht më 25 të këtij muaji.

E ngjizur si Festë e sektit të Bektashinjve, në fakt, këto ditë duket se Festa është për të gjithë.

Nga të gjitha viset e Ballkanit, historikisht kanë pelegrinuar me mijra njerëz , vetëm e vetëm, që të jenë të pranishëm në vendin aq të shenjtëruar dhe mistik.

Dhjetra janë edhe emrat e njerëzve të njohur të letrave të artit dhe të shkencës shqiptare që kanë konfirmuar  pjesëmarrjen e tyre në Ditët e Tomorit.

Festa nisi me një ekspozitë pikture të hapur në qytetin e Çorovodës dhe me një sërë veprimtarish të tjera artistike dhe përkujtimore, të planifikuara dhe të programuara që më parë deri në detajet më të vogla.

Ditët e Festës së Tomorit – ato organizohen çdo vit – mbledhin në majën e malit të lartë dhe të shenjtë jo vetëm pelegrinët shqiptarë të brenda kufijve territorialë, por edhe ata të Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, SHBA- se.

Por edhe nga Italia, Spanja ,Greqia, Gjermania, Kroacia dhe Izraeli etj.

Të gjithë paskëtaj, pa ndonjë dallim të madh me njëri-tjetrin i hipin kurrizit të Malit Plak, bëjnë kurbanet dhe kthehen sërish në shtëpitë e tyre, çuditërisht me një ndjenjë lehtësie në shpirt.

***

Periudha Parabizantine,- tepër e gjatë dhe e lakueshme me të dhëna mitologjike dhe historike, nis të paktën që nga epet e Homerit, ku përmendet emri i malit të Tomorit.

Më pas të dhënat e Strabonit dhe të autorëve të tjerë antikë, por edhe të ndonjë poeti të veçantë, si Theopompi, flasin për karakterin kultik të malit Tomor, që studiuesit e lidhin me emrin e malit Tomor.

***

Dy janë vërejtjet thelbësore që lidhen me këtë konstelacion informatash.

E para: Homeri flet për kultin e Zeusit pelazgjik dhe të Dodonës “dimërkeqe”.

Ky epitet ka rëndësi kolosale sepse në pozicionin gjeografik të Dodonës afër Janinës nuk mund të flitet për një klimë të ashpër malore dhe “dimërkeqe”.

Kjo vërejtje ka të bëjë me një lartësi malore të veçantë, ku dimri është i ashpër dhe jo me një klimë mesdhetare të Jugut.

Kjo do të thotë se Homeri ka parasysh një lëvizje të vendit të kultit të Dodonës nga Veriu në Jug dhe jo e kundërta.

Straboni flet se dikur ka pasur dy Dodona, deri sa ka mbetur Dodona e ilirëve mollosë, si orakulli në Jug më i vjetri.

E dyta: Kulti i Zeusit quhet pelazgjik, pra jo një kult i mirëfilltë grek, por një kult paragrek.

Kurse shërbyesit e orakullit janë të lidhur me një tabu të çuditshme.

Sipas Homerit, ata flenë përtokë dhe nuk i luajnë kurrë këmbët.

Kjo tabu e ujit është e habitshme dhe shpjegimi i saj ka mbetur i pakuptuar deri më sot.

Por e rëndësishme është ekzistenca shumë e vjetër e institucionit të tabusë në vetvete.

***

Në Periudhën Bizantine kemi të dhënë konkrete për malin Tomor.

Këto të dhëna na tregojnë se mali Tomor ka një rëndësi të veçantë në gjeografine shqiptare, të lidhur ngushtë me qytetin e Beratit, këtë kryeqytet të Shqipërisë së Mesme, sipas kujtimeve të shkruara nga princi Muzaka.

Kështu dokumentet përmendin malin Tomor herë si pjesë të maleve Akrokeraune, dmth të Karaburunit dhe herë siç ndodh në një gjeografi venedikase me emrin e malet e Diabolit, dmth të Djallit, që ka derivuar në toponimin e sotëm të Devollit.

Madje vazhdon të quhet si pjesë e maleve Akrokeraune.

Kjo ndodh deri në shekullin e 17-të.

Nga ana tjetër, përmendet edhe toponimi Tomorishtë, por edhe Tomorishta për krejt zonën e Myzeqesë së Principatës së Gjon Muzikës.

Emri i malit Tomor kapërcen kufijtë e malit dhe bëhet një emër shumë më i gjerë administrativ dhe gjeografik.

***

Në dokumentet bizantine përmendet edhe kështjella e Tomorit.

Kështu, Jani VI Kantakuzeni, duke shkruar për kryengritjet shqiptare kundër bizantinëve në vitet 1335-1336, flet konkretisht për kështjellën strategjike të Tomorit.

***

Tre shekuj më parë murgu Gjergj Kedreni përshkruan luftën e perandorit Bizantin Vasili II kundër Bullgarisë dhe Carit Jan Ivaci.

Kedreni thotë, se Perandori i Bizantit – Vasili i 2-të, i masakroi ashpërsisht bullgarët dhe në qytetin e Devollit u bë një ceremoni triumfi , ku pjesëtarët e familjes mbretërore bullgare ,si gruaja e Jan Vladisllavit me tre djem e gjashtë vajza, djali legal i Samuelit, si dhe dy vajza e pesë djem të Radomirit të Samuelit, i ranë në këmbë dhe i kërkuan mëshirë Perandorit të Bizantit pikërisht në këtë qytet që lidhet me emrin e Devollit, emër, që në kronika të tjera bizantine është quajtur edhe vetë mali Tomor.

Meqenëse në fushën e Devollit sot nuk ka një qytet të tillë,(  ose nuk eshte gjetur nga arkeologet) , siç flitet në kronikat e shekullit të 9-të, ne mund të supozojmë , se toponimi i Devollit është një mbetje e mëpasshme e një qendre të dikurshme, që nuk mund të identifikohet veçse nëse supozojmë që ka qenë një herë midis Beratit dhe Ohrit ,ose mbase edhe vetë në Tomor.

Një kronist i shekullit XIII dhe XIV, Efremi flet, se si Strategu bizantin, Kantakuzeni , u ngjit në Tomor , ku qëndroi shtatë ditë dhe pastaj sulmoi Boemundin e Normanëve, duke zënë rob kushëririn e Boemundit.

Kjo tregon që zona e Tomorit ka pasur një karakter të veçantë mbrojtës.

Tabu  Mbrojtëse!

***

Madje Gjergj Kedreni shton në të dhënat e tij , se tre djem të familjes mbretërore bullgare ikën dhe u fshehën për t’u mbrojtur në malin Tomor, që ishte më i sigurt nga vrasjet dhe ndjekjet.

Këto tregojnë se në malin Tomor ka ekzistuar një Tabu Mbrojtëse e Malit, një Zonë e Shenjtë, që nuk mund ta shkelje dhe një traditë e vazhduar në shekuj.

***

Efremi në kronikën e tij në vargje tregon edhe një episod që ka ndodhur më 1216 për vëllain e Teodor Engjëll Komnenit, të quajtur Mihal, i cili u therr,  nga një i quajtur Romeo , natën ndërsa Mihali ishte duke fjetur në Tomor, pra duke e shkelur Tabunë e malit Tomor.

***

Teza e Zonës Tabu vërtetohet nga shënimet e udhëpërshkruesit Evliha Çelebiu, i cili flet se në malin e Tomorit është e ndaluar të priten dru, kurse kriminelët që arratisen në këtë mal i shpëtojnë grushtit të ligjit, por nuk janë më të mbrojtur, kur dalin nga Zona e Shenjtë e malit.

***

Tani të bëjmë një sintezë të të dhënave.

Vërtetohet një mbijetesë e institucionit të Tabusë në Tomor, por i ndryshëm nga ai i traditës homerike që ka të bëjë me tabunë e ujit.

Por vijon megjithatë tradita e Zonës së Shenjtë të quajtur Temenos (Vendi i Hyjnisë).

Toponimi Mali i Djalit – Diavolos- Devoll, që duhet shpjeguar drejt.

Vetëm eufemizmi është një institucion mitik dhe kult. Shpjegimin e saktë e jep përcaktimi, që mali Tomor është quajtur edhe si maja e maleve Akrokeraune.

Dihet se malet Akrokeraune ose Malet e Vetëtimave kanë qenë vendi paraolimpik i Zeusit, kryeperëndisë pagane.

Pikërisht Zeusi pelazgjik nga Akrokeraune është vendosur sipas mitologjisë greke në Olimp të Greqisë.

Në periudhën bizantine të krishterë teologët e kanë anatemuar paganizmin dhe traditat pagane të kultit të Tomorit dhe si mal i Zeusit të Akrokerauneve është quajtur nga dogmatizmi bizantin si Mali i Djallit,- Diavolos.

Por tradita e nderimit të malit dhe e Tabusë së tij mbijetoi.

Mitologët thonë se Kulti i Zeusit fillimisht ka qenë një Kult Solar, pra i kultit të Diellit.

Por Zeusi si kryeperëndia e rrufeve ka krijuar idenë e shpagimit dhe të epitetit homerik të Dodonës “dimërkeqe”.

Kështu Faza Pas-homerike , ose Faza Bizantine e të dhënave për Tomorin tregon një mbijetesë të kultit pagan, të korruptuar nga një epokë e mëtejshme, por gjithsesi të pazhdukur dot.

***

Kulti i malit Tomor vazhdoi deri në vitin 1600, kur u ndërtua në Kulmak varri kenpotaf simbolik i Abaz Aliut dhe Tomori u bë Kryemali i Bektashizmit Shqiptar,mbas kësaj, për gjithë kohërat.

Kështu, duke i parë, me një sy të ri dhe ndryshe , burimet e të dhënave, më duket se kemi zbuluar enigmën dhe sekretin e Kultit të malit Tomor.

 

                                                                                                   ***

 Kjo teoria ime ( shpjegimi shkencor ) është një mundësi logjike, por që në të ardhmen e ka të domosdoshme plotësimin me të dhëna dhe studime të reja. (1998)

 

August 15, 2018 11:02
Komento

5 Komente

  1. demo August 15, 13:05

    Sikur ta dije qe ka nje mal me emrin Tomar prane Dodones,ne Janine(ate qe permend Homeri),nuk do ta dergoje Dodonen ne Tomorr.Atje ben nje dimer i keq,dhe po te pyesje arkeologet ,ata do te thone qe ne Dodone guret plasariten nga acari.Prandaj e ka quajtur Homeri -Dodona Dimerkeqe.
    Halucinacionet diletanteske mund ta dergojne Dodonen edhe ne Bjeshket e Namuna,se atje ben edhe me ftohte se ne Tomorr.

    Reply to this comment
  2. Myzeqari nga Karatopraku August 15, 21:32

    `….. kam respekt per Mojkom Zeqon si studjues dhe vertet ka dije dhe kulture te gjere. Por kur shoh kete shkrim qe eshte nje informacion i keqperdorur nga studjuesi yne… me lind e drejta ti them… Mojkom nuk duhet te harrosh se historia eshte shkence dhe si e tille ka ligjet dhe regullat e percaktuara ne njohje dhe trajtesat qe kryhen dhe nuk eshte se letersia qe eshte art e mund te shkruash e te fantazosh i nisur nga formimi dhe aftesite qe mund te kesh.. Ky shkrim i sotem nuk te nderon fare se ja ke futur kote se koti … ke mbledhur vertet disa te dhena te autorve antike e mesjetare dhe i ke radhitur sic mendon ti dhe jo sic eshte realiteti historik…. ke ngaterruar mjaft vende dhe emertime duke i lidhur me Malin e Tomorrit ne Berat e rrethinat pran tij… Mund te them me siguri te plote se fill qe ti mundohesh te pershkosh ne kete trajtese te ka turperuar per nga njohja e dobet dhe korrektesia e trajtimit te gjitha parashtrimeve qe hedh ketu. Ti nuk ke mundur te kuptosh se cili eshte kuptimi etimologjik i ketij emri te hershem ilir qe vjen qe nga kohet pelasgjike….Homeri eshte i sakte dhe ka te drejte per ate qe tregon per Timorin e Dodones pran Janines…. ti duhet te kuptosh se jane disa Tomore vetem ne Epir.. me ka rastisur qe i kam vizituar nga afer dhe kam nxjere mjaft te dhena me vlere per njohje dhe zbardhje historike. Kronikat mesjetare nuk i ke kuptuar drejt … ti nuk e di se vertet pran Akrokerauneve ndodhet vertet nje mal qe dikur deri ne mesjete quhej Tomorr dhe sot ka nje emer tjeter por te njejtin kuptim etimologjik me emrin Tomoorr… ne kete Tomor, pran eshte dhe vendi ku u strehuan djemte e perandorit bullgar qe kerkonte ti kapte Vasilbullgarovrasesi perandor i bizantit… aty edhe sot gjenden rrenojat e pallatit dhe shkembi Vranista e te tjera te dhena qe sjell kronisti bizantin… pra nuk eshte Tomorri pran Beratit. Edhe fortesa Tomorri ku erdhi e qendroj shtete dite e luftoj Kantakuzeni mbas vrasjes se Gjergj Aliatit ju nuk e keni kuptuar mire ashtu sic nuk nuk e ka kuptuar mire edhe Neritan Ceka dhe mjaft historian te mesjetes se ku ndodhet kjo fortese historike… nuk ka te berje fare me Tomorrin , Malin e larte pran Beratit por eshte fortesa e krahines Dure -Tomires qe njihet edhe me emra te tjere si fortesa e Thernices, Cernices, Konnonvilit sot e eSTAN karbunares ne Lushnje… kjo do te ishte dhe qendra e Gjergj Arianit Komnenit. Po keshtu ju nuk e kemi te qarte kuptimin e dy emrave qe sjell Gjon Muzaka per Tomonisten dhe Tomorristen … ato nuk kane te bejne fare me Myzeqen. Po keshtu me vjen keq kur shoh shpjegimin teper fantazmatik te emrit Deapoli apo Diavoli.. je shume i pa sakte ne kete njohje se rrenojsart e Deapolit gjenden sot pran fushes se Maliqit dhe nga ketu e kane origjinen banoret e Voskopojes se qyteti i dikurshem ishte qender e madhe dhe e degjuar , kishin ardhur shpesh perandoret e bizantit por u rrenua nga termeti i vitit 1273 ashtu sic u rrenuan po nga ky termet edhe Gllavenica, Komnena, Balidea , Cernica, Stephanumi e te tjere… se fundi duhet te kuptosh se kulti i Miresise se Malit dhe rajonit te Tomorrit qe nga kohet pagane por edhe gjate kristianizmit u zevendesua me dashurine ndaj ShenMerise se Gushtit si mbrojtese e njerzve sidomos ndaj fenomeneve natyrore te veres se padurushme dhe epidemive qe perhapeshin ne rajonet perr rreth deri ne bregdet dhe njerzia vinte ne kete vend te mire ti shpetonin vdekjes ..pra kisha ishte dhe mbetet e hershme… dhe nuk eshte aspak e vertet qe me 1600 erdhen eshtrat e AbazAliut ne kete rajon … kjo kohe koncidon me ardhjen e sulltan Sulejmanit ne keto ane ku e priti populli i gjithe jugut pran Gurit te Prere dhe shumica te lodhur nga hallet e mundimet i kerkuan te ktheheshin ne mysliman…. dhe nuk ka patur Teqe deri ne vitin 1916 kur u duken edhe dervishet e rajonit qe te bejne edhe ata nje pike frekuentuse per banoret bektashi…. ka shume te dhena interesante qe duhen njohur dhe jo te shkruhet si te teket ty e ndonje tjetri… keshtu do te na denoj historia prandaj me i vetpermbajtur ne shkrime historike se del zbuluar sic eshte vertet per te ardhur keq gjithe njohja historike e vendit dhe e popullit tone.

    Reply to this comment
  3. Tomori e te marrit.. August 16, 05:51

    Idiotsite albanistaneze te permbledhura bashke, e kjo nga nje njeri qe i thot vetit historian..
    Hajt se shpegimet e popullit jane ma bindese..
    Njerezet jane ngjit majeve qe ne koherat e vjetra para parahistorike per dy arsye te thjeshta: kane kerkuar freski per veti edhe jane larguar prej semundjeve qe kaplojne bregdetin e fushat poshte veres,sidomos mushkonjave..
    Te tjerat rrjedhin nga kjo: shnet ka gezuar ai qe nuk eshte prekur nga malaria,pra ai qe eshte ngjitur nalt ne bjeshke.. po per t’i bind njerezet per vyrtytet e kesaj ngjitjes nalt duhet me iu thane se je afer zotit atje e zoti t’i degjon lutjet ma mire, apo se duhet therr nje berr.. cka nuk ishte hadet ne koha tjera ..

    Reply to this comment
  4. MH August 16, 14:13

    Myzeqari nga Karatopraku
    Bravo te lumte per keshillen ne forme kritike dashamirese.
    Historia dhe letersia duhen te pucen ne vertetesi.Kjo ban qe lexuesit te mesojne per se mbarit.E te zgjerojne diturin.
    Pershendetje Myzeqari nga Karatopraku!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*