Tony Blair, misionari maniak i parave

John Carlin* June 16, 2015 18:51

Tony Blair, misionari maniak i parave

Ish kryeministri britanik përfitoi nga detyra e tij si i dërguar ndërkombëtar i paqes në Lindjen e Mesme për të mbyllur kontrata të majme me drejtuesit e Gjirit

Në fund të këtij muaji Tony Blair do të japë dorëheqjen si i dërguari i lartë ndërkombëtar për paqen në Lindjen e Mesme, detyrë që e mori në 2007 me jo më shumë kredibilitet se një zjarrfikës me tendenca piromane. Katër vjet më parë, gjatë periudhës si kryeministër i Britanisë filloi me një entuziazëm prej kristiani kryqëzatën shkatërruese të Irakut. Pas tetë vjetësh si misionar i paqes në Lindjen e Mesme, duke përfaqësuar Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, i vetmi përfitues rezultoi ai. Rajoni është një ferr i vërtetë, por Blair nëpërmjet kontakteve që krijoi me sheikët e Gjirit ndërkohë që dështonte në përpjekjet e tij për të ndërtuar paqen, u bë miliarder.

Një qenie e çuditshme, Tony Blair: një personazh me një vizion për veten krejt të kundërt me atë që publiku ka për të, sidomos në vendin e tij ku dikur ishte një idhull – fitoi zgjedhjet më 1997 me një shumicë të paparë për Partinë e Laburiste- dhe tani është subjekt talljeje, përbuzjeje apo indinjate. George W. Bush, bashkudhëtar i Blair-it në aventurën në Irak, la presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe u zhduk. Sot mjaftohet duke pikturuar tablo në fermën e tij në Teksas. Ndërsa Blair është ish kryeministri britanik më aktiv i historisë.

Në vend që të fshihet nga bota, apo të ndjejë turp dhe pendim, ai i caktoi vetes detyrën për të rivendosur stabilitetin aty ku më parë mbolli kaosin, dhe duke mos hequr kurrë dorë nga besimi se lufta në Irak ishte plotësisht e justifikuar. Në vitin 2010, për shembull, para një komisioni të krijuar nga Parlamenti britanik për të hetuar vendimin për të pushtuar Irakun, ai deklaroi se nuk ndjente asnjë keqardhje dhe nëse historia do të përsëritej do të bënte të njëjtën gjë. Kur doli nga salla, publiku bërtiti “gënjeshtar”, mbiemër i dëgjuar shpesh në Britaninë të Madhe, kur Blair shfaqet në ndonjë bisedë. E vërteta është më komplekse. Blair i beson gënjeshtrat e tij. Ai jeton në një vetëmashtrim të përhershëm.

Sipas Roy Hattersley, ish-këshilltar politik i Blair në fillimet e tij në Partinë Laburiste, “Blair beson atë që do të besojë… Ai është i bindur se ajo që thotë ndërgjegjja e tij është e vërteta objektive”. Ndërsa Anthony Seldon, biografi i tij, ka të njëjtën ide dhe shpjegon se proceset mendore të Blair i binden logjikës të besimit e tij të thellë fetar. Nëse ndërgjegjja e tij, apo Perëndia e tij, i thotë se ajo që bën është e drejtë atëherë duhet të jetë.

Modeli i asaj që në psikologji quhet disonancë konjitive, të mbështesësh me të njëjtën bindje dy ide të papajtueshme, përsëritet gjatë gjithë historisë së tij. Në fjalët e filozofit politik britanik, John Gray, Blair ishte një kryeministër formalisht i majtë, i cili u identifikua me tregun e lirë, konsolidoi Thatcher-izmin dhe shkoi në luftë me neo-konservatorin Bush. Sajoi teorinë e Rrugës së Tretë që “eksitoi” shumë atëherë të majtën europiane, por që në fund rezultoi të ishte jo një kontribut i ri ideologjik, por një mjet i aftë marketingu elektoral. Ai u largua nga qeveria dhe vazhdoi të mendonte në rrugë paralele. E tregoi fakti që pas ngjarjes katastrofike irakiane u konsiderua i denjë për të promovuar paqen në Lindjen e Mesme; e tregoi në mënyrën e tij të ushtrimit të detyrës si i dërguari special në rajon.

Ashtu siç shtypi britanik ka zbuluar në artikuj të panumërt, mënyra e tij e veprimit është si vijon: hyn në sallën e audiencave të një emiri me një plan paqeje dhe del me një kontratë të majme për kompaninë e tij konsultuese, “Tony Blair Associates”. “Financial Times” shkroi javën e kaluar se “që kur la Downing Street, Blair ka shfaqur një interes që shkon deri në mani për të bërë para”. Në një dokument konfidencial “Tony Blair Associates” të botuar të premten nga “The Daily Telegraph”, Blair zbulon dualitetin e qëllimeve të tij, kur ai shkruan. “Po ndërtojmë një seri lidhjesh të thella me kompanitë private dhe qeveritë në mbarë botën. Bëjmë biznes dhe filantropi”.

Askush nuk e ka akuzuar Blair-in se po bën diçka ilegale, por nga të tjerët vihet re një farë  ngjashmërie me mënyrën e të vepruarit të FIFA-s, të Sepp Blatter, një OJQ, sipas vetë Blatter, dhe një makinë për të bërë para në të njëjtën kohë. Ashtu si Presidenti i FIFA-s, Blair gjithmonë udhëton në avionë privatë, pritet nga krerët e shteteve me nderime të mëdha dhe strehohet në suitat më luksoze të hoteleve më të shtrenjtë, siç i takon një anëtari të një klubi të pasurish dhe të pushtetshmish.

Nuk nguron të bëjë biznes me qeveri të tilla si Arabia Saudite, Abu Dhabi dhe Kazakistani,  nocioni i të cilave për të drejtat e njeriut nuk shkon shumë me ato që ai synon të paraqesë. Çështja është të mbushë xhepat me para. Blair, kompania e të cilit ka 200 të punësuar, zotëron nëntë prona në Mbretërinë e Bashkuar me një vlerë totale prej 35 milionë eurosh. Megjithatë, kur pyetet ai thotë: “Nuk është çështje parash. Bëhet fjalë për të shënuar diferencën në botë”.

Dhe e thotë me shumë sinqeritet, me të njëjtin sinqeritet që padyshim do të tregojë kur të fillojë misionin e tij të ri muajin e ardhshëm në krye të një organizmi europian kushtuar luftës kundër racizmit, anti-semitizmit dhe ksenofobisë.  Do të vazhdojë të krijojë më shumë prej këtyre lidhjeve për të cilat mburret, do të vazhdojë të kombinojë biznesin me filantropinë, dhe as nuk do t’i kalojë nëpër mendje ideja se sjellja e tij është kontradiktore, e padenjë, apo jo etike. Të tjerët nuk duan të kuptojnë, por në qoftë se ka një gjë që Blair, nuk ka as dyshimin më të vogël, nëse ekziston një e vërtetë e madhe që asgjëson çdo argument kundër tij, është besimi i verbër se është ftuar të bëjë punën e Zotit.

*John Carlin është gazetar dhe autor britanik. Ai ka shkruar për media si, The Times, Sunday Times, Toronto Star, BBC, CBC, ABC, The Independent, etj..

Përktheu: DITA

John Carlin* June 16, 2015 18:51
Komento

1 Koment

  1. intelektuali June 16, 19:34

    Mungon fotografia e Edi Rames pas ketij keshilltari lakmitar te Rilindjes Socialiste

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*