“Topi” i politikës, jo në fushën e blertë

Artan Xh. Duka October 6, 2015 08:34

“Topi” i politikës, jo në fushën e blertë

Me ç’duken bathët, tensionet dhe retorikat nacionaliste lidhur me ndeshjen e futbollit me Serbinë mund të njohin ngritje dhe massmedia, ajo sociale etj, sigurisht do bëjnë të tyren aq sa mund të krijohet përshtypja se ky është ai momenti historik që presim të gjithë, prej kaq kohësh! Si rëndom, politika vetë nuk do mbetet pas.

 

Ne nuk jemi ata!

Nisur nga ajo ç’ka ndodhi në Serbi ku stadiumi u shndërrua në “Koloseum”, rreziku i kësaj ndeshjeje mbetet politizimi nacionalist i saj, provokuar në origjinë si gjithnjë prej palës serbe që e ka zakon nacionalizmin sllav vend e pa vend. Provokim ky që mund të trazojë edhe shpirtin mikpritës shqiptar, duke e shndërruar vetvetiu ndeshjen në një “betejë” patetike të rradhës të supremacisë në rajon, deri si hakmarrje apo karshillëk ndaj hasmit shekullor! Patriotizmi shqiptar nuk barazohet me shovinizmin sllav që reduktohet tek një top dhe “Elbasan Arena” ka shansin ta dëshmojë këtë gjë.

Kjo ndeshje është vërtet historike, por jo se sa për faktin se kë ekip kemi përballë, por për shansin që ajo ofron për të prekur finalet e europianit. Për rrjedhojë, retorika patriotike nuk ka pse të lidhet me ngadhnjimin ndaj “thiut” në futboll por me shansin e “pasaportës” elitare europiane më në fund edhe për futbollin shqiptar.

Ne nuk jemi ata dhe nuk duhet të biem në kurthin e hedhjes së “topit” të politikës në fushën e blertë. Ndryshe nga Serbia, “Elbasan Arena” ka shansin të dëshmojë se shkallët mbushen me sportdashës korrektë që duartrokasin lojën dhe jo thjesht golat, se po qe për të tillë “gola” politikë, loja ka kohë që flet për ne dhe golin më të fundit e shënuam ditë më parë në OKB.

 

Shumë i rrumbullakët për të qenë devizë patriotike

Një ndeshje sportive nuk mund të jetë kauzë për ngadhnjim nacionalist. Aq më tepër kur nuk i dihet sesi del. Topi është i rrumbullakët dhe jo rrallë edhe “qorr”. Ndaj sporti duhet të çlirohet prej politikës sepse vetëm kështu kontribuon sadopak në normalizimin e vetë politikës më pas.

Sporti është një shans për të ulur gjakrat nacionaliste dhe jo hedhur benzinë zjarrit më tej. “Ndeshja” reale mes nesh dhe Serbisë luhet jashtë “Elbasan Arena”. Ajo ka filluar që më 1913 dhe pavarësisht arbitrimit antishqiptar të kohës, ajo sot po flet gjithnjë e më shumë për ne sepse duke filluar nga Kosova e më gjërë, shqiptarizmi po rifiton vëndin që i takon në rajon.

Sa për ndeshje futbolli, le t’i çlirojmë çunat tanë në fushën e blertë nga pritshmëritë e tepruara. Le të bëjnë të tyren, të japin maksimumin dhe mbi të gjitha të dëshmojnë sportivitet dhe fair play sëbashku me tifozerinë e zjarrtë sepse lajm për perëndimin nuk do të jetë rezultati por normaliteti (i paragjykuar i “pamundur”) i ndeshjes mes dy kombëtareve fqinjësh aq të trazuar në politikë dhe histori.

Ndoshta për serbët është vërtet “betejë historike”! Kështu ndoshta janë mësuar t’i shohin me breza gjërat, ndoshta kështu u bërtitet edhe në dhomën e zhveshjes. Ata qofshin nëse sportin e shohin si shans për “supremaci” dhe ne aq na bën nëse ata ekzaltohen me ëndrra syhapur. Për ne fitorja e vërtetë është normaliteti i ndeshjes, brohoritjet korrekte dhe dinjitoze, mikpritja, siguria dhe garancia e pjesmarrësve, shkurt, qytetaria europiane që serbët nuk patën rastin ta dëshmojnë në shtëpinë e tyre më parë.

 

Politika të luajë me “topin” e vet

Politika zyrtare duhet të mos e teprojë me ndikimin e saj në atmosferën e ndeshjes. Politika ka ndeshjen e saj dhe ne presim që ajo të shënojë golat e saj kur vjen puna për marrëdhëniet me Serbinë. Përshëndetjet patetike para ndeshjeve prej instancave të pushtetit nuk kanë shumë vlerë përkundrazi politizojnë ndeshjet duke rritur artificialisht ngarkesën stresuese tek sportistët tanë, veçanërisht kur këto përshëndetje vijnë nga individë me të kaluar problematike dhe raporte inferiore apo më keq, me fqinjët në rajon.

Futja e hundëve të politikës në sport, sikurse bën edhe me besimin fetar në Shqipëri (kujtoni kortezhet e tyre në kisha e xhami dhe mesazhet që pasojnë në funksion të interesit të ngushtë të marketingut politik ndërkohë që përfliten vazhdimisht si mëkatarë) nuk inkurajon domosdoshmërisht. Sikurse besimin dhe shpresën besimtari e gjen tek raporti me perëndinë dhe institucionin fetar, ashtu dhe sportisti forcën, inkurajimin e përkrahjen e vërtetë e gjen tek fanella që ka veshur dhe shkallët e mbushura plot me tifozerinë e zjarrtë. Politikani është i tepërt dhe veç mund të prishë punë.

Nëse politika dëshiron të ndihmojë sportin, le të fitojë “ndeshjen” e saj duke bërë më pas krenar këdo në Shqipëri. Beteja e politikës shqiptare në funksion të forcimit dhe vëndit të faktorit shqiptar në rajon nuk ka përse të përfshijë edhe një top futbolli. Ajo është tjetërkund. Kosova është vetëm fillimi i afirmimit të kauzës shqiptare në rajon. Por ndërsa shteti sërb me ngut shënon “gol” tek përshëndet asocijonin e komunave serbe në Kosovë, të njëjtën gjë dhe pa vonëse duhet të bëjë Kosova dhe Shqipëria për krijimin e asocijonit të komunave shqiptare ende nën Serbi, sikundër kauza shqiptare në Maqedoni, Greqi (çamët, arvanitasit, emigrantët) dhe Mal të Zi duhet të shndërrohet, sipas parimit të reciprocitetit, në konstante të axhendave të bisedimeve me fqinjët tanë.

Sikurse shënoi “gol” me Kosovën, politika shqiptare duhet të shënojë “gola” edhe ndaj dimensioneve të tjera të çështjes shqiptare të mbetura pezull në rajon. Vetëm atëhere sloganet e recitimet e politikës për një ndeshje futbolli do të frymëzojnë realisht duke mos tingëlluar retorikë që trysnon artificialisht.

Le t’i lëmë futbollistët të ndjehen të lirë të na dhurojnë një futboll të bukur dhe qytetar dhe tifozeria të dëshmojë besën tradicionale ndaj kujtdo mysafiri që hyn në konakun shqiptar. Nëse ndeshja zhvillohet normalisht, fitorja gëzon dyfish. Me një ndeshje të qetë, edhe humbja është fitore sepse jetike për ne mbetet imazhi europian dhe “ndeshja” jashtë “Elbasan Arena” nga tribuna e OKB-së deri tek tryezat rajonale dhe ato në Bruksel. Vetëm aty shënohen “gola” historik. Një ndeshje korrekte në Elbasan është “pasi” i artë i rradhës për të.

Artan Xh. Duka October 6, 2015 08:34
Komento

3 Komente

  1. fred October 6, 11:17

    Ne kete ndeshje kush i kthen faqen tjeter armikut eshte patrioti me i madh

    Reply to this comment
  2. fanol bardhi October 6, 12:04

    Jeni pergadit per fitore apo vetem gati te jemi humbes te shkelqyer !!??

    Reply to this comment
  3. Fatos Luta October 8, 11:28

    Më habit fakti që ende në Shqipëri, por sidomos në Kosovë dhe treva të tjera ku banojnë shqiptarët, nuk kuptotohet realiteti në tre pamje:
    1. Është një ndeshje futbolli, ngjarje sportive, e cila, nuk duhet të konsiderohet si një luftë mes shqiptarëve dhe serbëve, paçka problemeve në Beograd. Ky problem u mbyll nga drejtësia.
    2.Të stimulohen hakmarrjet është primitive, sepse edhe politikisht shqiptarët dolën fitimtarë ndaj serbëve: Kosova u shpall e pavarur dhe drejtësia ndëshkoi e po ndëshkon krimet e luftës.
    3. Vështrimi nga e ardhmja është sa mençuri, aq edhe forcë. Vështrimi politik nga e ardhmja, forcon paqe dhe siguri në rajon, forcon bindjen e të ardhmes Europiane të popujve të Ballkanit. Vështrim sportiv nga e ardhmja shkruan historinë: Përfaqësuesja e Shqipërisë për herë të parë kaq pranë kualifikimit në finalet e një Europiani, por edhe në prag të pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA.
    Të gjthë ne shqiptarët sot duhet të vështrojmë tredimisionalisht pë të mbështetur Kombëtaren
    tonë dhe të ardhmen Europiane.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*