Totozani zgjidhet anëtar i dy bordeve më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në OKB

Redaksia Online May 7, 2013 17:26

Totozani zgjidhet anëtar i dy bordeve më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në OKB

Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani, zgjidhet anëtar i dy bordeve më të rëndësishme të institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në një njoftim për shtyp, zyra e AP bën të ditur se Totozani u zgjodh sot në Kombet e Bashkuara në Gjenevë anëtar i Bordit të Rrjetit Rajonal Europian dhe Bordit Drejtues të Komitetit Ndërkombëtar për Koordinimin e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (KNK).

Dy bordet në fjalë janë pjesë e sistemit që siguron koordinimin dhe bashkëpunimin e institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut me Zyrën e Komisioneres së Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Këto vendime u morën në ditën e dytë të Sesionit të 26 të KNK,  e cila iu rezervua takimeve të katër grupeve të mëdha të rrjeteve rajonale të institucioneve kombëtare  të të drejtave të njeriut: Rrjeti Afrikan, Rrjeti i Vendeve të Kontinentit Amerikan, Rrjeti i Azisë dhe Pacifikut dhe Rrjeti Europian. Ky i fundit është i përbërë nga 40 anëtarë, përfshirë dhe institucionin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Në takimin e sotëm janë përzgjedhur me votim të fshehtë anëtarët e bordit drejtues të këtij rrjeti, i cili në tri vitet e ardhshme do të përbëhet nga 6 anëtarë: Avokati i Popullit i Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Skocisë dhe Gjeorgjisë. Rrjeti Rajonal Europian e kryen aktivitetin e tij në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Europës, me struktura të tjera europiane, me OSBE/ODHIR, si dhe me strukturat e OKB-së.

Rrjeti koordinon ndërhyrjet strategjike, që synojnë politika për të drejtat e njeriut në rajonin e Europës. Nga 6 anëtarët e Bordit të Rrjetit Rajonal Europian, 4 prej tyre, përfshirë dhe Avokatin e Popullit, Igli Totozani, u votuan për të përfaqësuar këtë rrjet. Ky Komitet, aktualisht me 103 anëtarë nga vende të ndryshme të botës, është krijuar që në vitin 1993. Nëpërmjet nënkomitetit të tij për akreditimin, KNK shqyrton dhe akrediton institucionet e të drejtave të njeriut në nivel kombëtar në raport më përmbushjen e Parimeve të Parisit. Në maj të 2012, Avokati i Popullit i Shqipërisë është zgjedhur gjithashtu anëtar i Bordit Administrativ të Organizatës së Ombudsmanëve të vendeve të Mesdheut.

 

Redaksia Online May 7, 2013 17:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*