“Tradhtarët patriotë”

November 29, 2019 09:59

“Tradhtarët patriotë”

“Sa për të gjithë ata, qoftë këtej, qoftë andej (kufirit), për të cilët jam i bindur dhe kam fakte se bashkëpunuan me armikun e pavarësisë kombëtare me dashje dhe duke e ditur mirë e bukur se ç’bëjnë, i dënoj nga zemra pa më të voglin dyshim a ndrojtje. Janë tradhtarë të Atdheut dhe në tragjedinë shqiptare kanë luajtur rolin e njeriut të shitur tek të huajt. Perëndia e Shqipërisë na ruajt nga të këtillë njerëz në të ardhmen”(Branko Merxhani)

Por Perëndia nuk e ruajti Shqipërinë nga tradhtarët edhe në të ardhmen. Nga ajo, që intelektuali i popullit Branko Merxhani  “profetizon” për të ardhmen. Gjatë  Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u shfaqën përsëri “tradhtarë patriotë”. “Siç i quante historiani Litlehojn në librin “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar nga Gjermania”. Kujtojmë se çfarë i shkruante nga Shqipëria, Gjenerali anglez Dejvis, Komandës Aleate në v.1943: “Këta  njerëz janë mësuar të bëjnë rolin e kuislingut me turqit, me italianët, me gjermanët, e tani përpiqen të bëjnë këtë rol edhe me ne, prandaj rekomandoj tu bëhet atyre edhe një paralajmërim i fundit, se mbas lufte, do të dalin para gjyqit si kriminel lufte”.

Motivi i “tradhtisë patriotike”

Kur flitet për tradhti nuk ka ndodhur ndonjëherë që patriotizmi të jetë motiv i të pasurve e parisë sunduese. Paraja nuk ka as atdhe, as besë, as fe. Kurdoherë që ky grup ka parë se kombi ka cenuar privilegjet e tyre ata janë hedhur në mbrojtje të tyre duke përdorur çdo mjet e çdo rrugë qoftë edhe atë të tradhtisë. Këtë tregon qoftë historia botërore ashtu edhe ajo shqiptare.
Ashtu ndodhi me
-“Thiers-in që i kërkonte Bismarkut riatdhesimin e robërve francezë të luftës, për të shtypur Komunën e Parisit
– me kundërrevolucionarët rusë, që thirrën në ndihmë imperialistët e huaj për të luftuar bolshevikët
– me Çan Kai Shinë, Sofulisin dhe shahun e Persisë etj”.
Kështu ka ndodhur edhe tek ne me Esad Toptanin, A.Zogun, ballistët e legalistët “Mërgata e qyqeve” etj. Në çdo paraluftë, në çdo luftë dhe në çdo pasluftë janë dhënë prova të shumta se interesi ka sunduar gjithnjë mbi ndjenjën kombëtare dhe se kjo e fundit nuk ka qenë përdorur veçse për t’i shërbyer interesit. Kështu ngjau prej 1936 deri më 1939 me paraardhësit e Vishisë që thërrisnin: “Më mirë Hitleri se Fronti Popullor” dhe prej 1940 deri më 1944 me fenomenin europian të vishizmit kur në vendet e pushtuara mbinin si kërpudha kuislingët. Ku edhe Shqipëria si vend i pushtuar nuk shpëtoi nga kuislingët.
“Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit,në krah të pushtuesit italian u evidentua qartë grupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve”-thekson prof.P.Xhufi.

Parë nga distanca kohore qëndrimet e të ashtuquajturve nacionalistë, të grupuar rreth “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit” nuk lënë vend për shumë fjalë kur mendon se çfarë pasoja do të sillte nëse çlirimi do ta kishte gjetur atë të drejtuar nga kjo shpurë kuislingësh e kolaboracionistësh.

Degjenerimi i ndjenjës kombëtare

Pozicionimin e tyre në krah të pushtuesit, përfaqësuesit e këtij grupimi heterogjen u munduan ta përligjin ideologjikisht me “antikomunizmin” dhe “nacionalizmin” e tyre. Në këtë kuptim ndjenja kombëtare degjenerohet. Patriotizmi, ndjenja kombëtare me gjoja “antikomunizmin” (i cili nuk përbënte problem për Çurçillin dhe Rusveltin, por përbënte problem për Mit’hatin dhe klasën sunduese dhe nacionalizmi) u përdorën për të justifikuar bashkëpunimin me pushtuesit nga frika e shembjes së pushtetit të tyre dhe ndërtimit të një shteti të ri që do të humbisnin privilegjet e tyre dhe… siç ndodhi… Gabimi i tyre fatal ishte se antikomunizmin e tyre këta nuk arritën ta kolaudonin me atë që “ishte prova e zjarrit e momentit historik, duke u angazhuar në luftën antifashiste, siç bënë forcat demokrate e republikane në Itali, Francë e gjetkë në Evropë, të cilat dolën nga lufta me kredenciale po aq të forta sa komunistët falë pjesëmarrjes së tyre në rezistencën antifashiste”. Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit… për fatin e tyre të keq antikomunizmi i tyre ishte krejtësisht jashtë kohe dhe i pavlerë në një kohë kur demokracitë e mëdha SHBA e Britania e Madhe ishin bashkuar pikërisht me bastionin e komunizmit, BRSS, për të mposhtur fuqitë e boshtit nazifashist.

Synimi i kolaboracionistëve

“Të bindur, dhe me të drejtë, se aleatët anglo-amerikanë nuk e dëshironin një qeveri komuniste pas luftës, këta e justifikonin inaktivitetin, apo edhe bashkëpunimin e tyre me pushtuesin, me nevojën për të ruajtur të paprekura forcat e tyre, të cilat do t’i përdornin pas largimit të gjermanëve për të mënjanuar ardhjen në pushtet të Frontit Nacional Çlirimtar të drejtuar nga komunistët” (P.Xhufi).
Në 15 shkurt 1944 përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, Skënder Muço, i përgjigjej me këto fjalë akuzave të majorit amerikan Kuejl (Quayle) lidhur me bashkëpunimin e BK me gjermanët: “Po, ne jemi vënë në krah të gjermanëve për të mundur komunistët dhe ndikimin e FNÇl: një ditë gjermanët do largohen nga Shqipëria, por kush do t’i largojë komunistët”?” (P.XH)
Kjo ishte arsyeja që për këta nuk kishte “armiq të jashtëm”… ata ishin mbrojtës të Shqipërisë etnike, janë kalimtarë etj., pallavra të tilla, për ata ekzistonin vetëm armiq të brendshëm dhe këta ishin komunistët. Është pikërisht kjo urrejtje e ushqyer tinëzisht nga pushtuesit e huaj dhe nga bajraktarë e  ndonjëherë edhe klerikë të caktuar, që shpjegon  masakrat e kryera prej tyre kundër komunistëve dhe Frontit ANÇ. Për këta kuislingë mendjengushtë, që flisnin ditë e natë për Shqipërinë e Madhe, atdheu fillonte e mbaronte tek interesi për të mbrojtur privilegjet e tyre.
Ata nuk kishin një projekt të tyre për Shqipërinë, por u zvarritën pas projekteve të hartuara në ofiçinat e huaja. E pranuan “Shqipërinë e Madhe” të bërë dhuratë nga nazifashistët, pa e menduar gjatë se pas lufte ajo mund të tërhiqte në greminë edhe Shqipërinë e vogël të 1913-s.
Në frymën e projekteve të tilla, si ballistët ashtu edhe zogistët kryen bisedime të fshehta me serbët dhe me grekët. Në vitin 1941, Muharrem Bajraktari dhe përfaqësues të Zogut në Stamboll filluan bisedime me përfaqësues të Drazha Mihajlloviçit, eksponent serb monarkist e antishqiptar, për të ripërtërirë marrëveshjet e fshehta të bëra me Pashiçin nga Esad Pasha në 1914, dhe nga Ahmet Zogun në 1924.

Bisedimet synonin krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen zogiste”, domethënë rikthimin e Zogut në pushtet me ndihmën e bajonetave sllave, si në vitin 1924. Kur e panë  se  në Jugosllavi po triumfonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari iu përkëdhel grekëve, duke paraqitur projektin e një federate “pellazgjike” greko-shqiptare. Ndonjë muaj më vonë, Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në emër të BK dhe Koço Kota në emër të zogistëve, hynë në bisedime me grekët për krijimin e një federate greko-shqiptare. Projekti i paraqitur nga ballisto-zogistët e linte Kosovën e Çamërinë jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë dhe e vinte ushtrinë shqiptare nën urdhrat e Komandës greke.

Imoraliteti vazhdon në gjirin e shtetit

Fatkeqësisht sot shumë njerëz e sidomos bijtë e këtyre etërve biologjikë e shpirtërorë, tradhtinë dhe kolaboracionizmin e tyre me “mburrje” duan ta paraqesin si një “moral të ri” dhe jo siç ka qenë në të vërtetë një depersonalizim i idesë kombëtare që do të çonte thjesht në skllavërim.
Që kusari të thërrasë më vodhën, kjo nuk është një gjë e re, por kjo dredhi qesharake deri sot nuk ka qenë ngritur kurrë në lartësinë e një institucioni shtetëror si ai Agron Tufës.
Me të vërtetë imoraliteti përparon në gjirin e shtetit. Në bazë të këtij parimi që është bërë një rregull i demagogjisë së politikës shqiptare, kemi parë të dekorohen ish kriminelë e kolaboracionistë, dëgjojmë pseudohistorianë që flasin për luftë civile, dëgjojmë nxitësit e protestave të çirren se demokracia është në rrezik, dëgjojmë drejtues institutesh shtetërorë të apelojnë për ndalim filmash, vepra arti, këngë e letërsi të luftës, shohim edhe fashistë që marrin nën mbrojtje tradhtarët dhe masakruesit e popullit gjatë luftës dhe shpallin kriminelë luftëtarë të lirisë e shumçka tjetër kundër LANÇ-it dhe  martirëve të lirisë.
Djallëzia, hipokrizia dhe deformimi i të vërtetave është bërë si rregull, si një  rregull thuajse universal aq sa pseudo historianë e pseudoshkrimtarë e pseudoakademikë të paguar e përdorin lirisht atë si një mjeshtëri të re stili. Poshtërsia e tyre nuk i pengon aspak. Ata nuk kanë asnjë mision, asnjë ndërgjegje, as profesionalizëm, as moral. Punojnë vetëm për xhep. Për “paranë shesin dhe t’anë”. Ne nuk dyshojmë aspak se ky koncert urrejtjeje i orkestruar shumë mire nuk ka si të mos jetë produkt i një politike të menduar mirë nga “kompozitorët” e tyre. Jehona e këtij koncerti ka po atë tingull si të koncertit të viteve të luftës. Por sado të përsëriten akuzat, djallëzitë, gënjeshtrat dhe lajmet falso, sot është zor ta gënjesh popullin antifashist dhe ta hedhësh kundër luftëtarëve të lirisë, martirëve dhe heronjve të saj, duke e paraqitur këta si komunistë armiq. Për cilin e marrin popullin ata kur heronjtë e dëshmorët e betejave të tendës së Qypit, të çlirimit të Tiranës, të divizioneve në Veri, Kosovë e Metohi, kërkojnë t’i shpallin si kriminelë? Kriminelët e luftës dhe diversantët e kompanisë 4000 si heronj e patriotë? Dhe më në fund, meqenëse është fjala në radhë të parë për këta, këta Shefqet Vërlaci, Eqrem Libohova, Eqrem bej Vlora, Kadri Cakrani, Qemal Vrioni, Kol Bib Mirakaj, Isa Toska, Preng Previzi, Vizhdan Risilia, Fiqiri Dine, Marka Gjoni, Muharrem Bajraktari, Xhafer Deva, Selim Kaloshi, Halil Alia, Hysni Dema dhe  disa nga emrat që i gjejmë në top-listën e kolaboracionistëve si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Skënder Muço, Ali Bej Këlcyra, Safet Butka, Bahri Omari, Mustafa Kruja, Koço Kota, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Hasan Dosti, Kolë Tromara, Vasil Andoni etj., janë “tradhtarë patriotë” dhe çdo gjë që të thonë për ta “avokatët”e tyre populli nuk ua vë veshin. Nëse neoballistët dhe larot e tyre servilë të politikës dhe sharlatanë të historisë dëshirojnë tu vënë një maskë, ne duhet t’ua çjerrim atë. Të  themi të vërtetën. Sepse vetëm e vërteta u jep mundësi njerëzve të gjykojnë me qartësi të gjitha aspektet e luftës në ato kushte historike në të cilat kanë ndodhur. Pikërisht për këtë qëllim “sharlatanët e historisë” përpiqen ti trajtojnë këto në një petkë tjetër. Po çfarë të thuash tjetër për këta që i shtrembërojnë këto gjëra, që deformojnë të vërtetën, e transformojnë dhe e paraqitin atë  sipas urdhërave që marrin? Këta janë pikërisht ata që kërkojnë të nderohet poshtërsia e tradhtia e etërve të tyre, në një kohë kur historia botërore dhe ajo europiane ka treguar se bashkëpunëtorët nazi-fashistë janë dënuar pas Luftës.

Në Francë njihej Filip Peteni, heroi francez i Luftës së Parë Botërore, por që kishte postin e Kryeministrit kur u pushtua Franca, u la në detyrë dhe bashkëpunoi me gjermanët. U justifikua se bashkëpunoi me gjermanët për të ruajtur Parisin nga shkatërrimet. Qeveria e Sharl De Golit e dënoi me vdekje por më vonë e amnistoi dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Ndonëse i moshuar, vdiq në burg, por trupi nuk ju dha familjarëve. Sipas ligjit u varros në burg, por në Paris ka edhe monumentin me kokë të prerë të vendosur tek këmbët. Kështu i vlerëson Franca “Heronjtë tradhtarë”. Norvegjia, poetin nobelist Knut Hamson, e burgosi dhe e mbajti gjatë në burg, sepse me shkrimet e tij përkrahu nazizmin. Edhe Amerika që njihet si vendi më antikomunist në botë, dënoi me burgim Ezra Paund, nobelistin në letërsi, për propagandimin e nazizmit dhe fashizmit. Dënimi i bashkëpunëtorëve të fashizmit nuk është fenomen shqiptar.
Gjithë popujt e botës i kanë dënuar tradhtarët, spiunët dhe bashkëpunëtorët me pushtuesit.  Po kështu edhe kryeministri francez i qeverisë së Vichit që bashkëpunoi me gjermanët në kohën e luftës, pas lufte u dënua me vdekje dhe u pushkatua. Kryeministri Norvegjez Quisling (Kuisling) u hapi portat gjermanëve dhe u anatemua gjate luftes si simbol i tradhëtisë nga gjithë koalicioni antifashist dhe me termin “Kuisling” u quajtën të gjithë tradhëtarët dhe bashkepuntorët me pushtuesit. Po përse qeveria kuislinge shqiptare nuk dha llogari në konferencën e Paqes?
Qëndrimet që mbajtën qeveritë dhe partitë e vendeve të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore u gjykuan në Konferencën e Paqes, e cila u mblodh fill pas Luftës, më 1946. Qeveritë që ishin rreshtuar përkrah Koalicionit të Madh Antifashist anglo-sovjeto-amerikan u thirrën si aleatë në Konferencën e Paqes. Përkundrazi, qeveritë që u rreshtuan përkrah bllokut hitlerian u thirrën në Konferencën e Paqes për të dhënë llogari për veprimtarinë e tyre armiqësore.

Ndryshe nga qeveritë e Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë, Finlandës, qeveria kuislinge e Tiranës shpëtoi pa dhënë llogari në Konferencën e Paqes falë pjesëmarrjes së Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar në Luftën e Dytë Botërore përkrah Koalicionit të Madh Antifashist.
Dëshmi është fakti se në Konferencën e Paqes, në bankën e fitimtarëve u thirr qeveria shqiptare e kryesuar nga komunisti Enver Hoxha. Përkundrazi, as qeveria kuislinge e Tiranës, as ish mbreti Zog, i cili pretendonte se përfaqësonte Legalitetin e përmbysur nga okupatorët fashistë, as Mit’hat Frashëri, kryetari i Ballit Kombëtar, të cilin ballistët e trumbetonin si flamurtarin e madh të pavarësisë dhe të demokracisë shqiptare – nuk u ftuan qoftë edhe si dëshmitarë në Konferencën e Paqes.
Kjo për arsye se me qëndrimin e mbrapshtë që të tre këta faktorë politikë shqiptarë mbajtën gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndihmuan jo parimet e Kampit të Madh Antifashist, por veprimet ushtarake të bllokut agressor hitlerian.
Askujt deri më sot prej vendeve që kanë luftuar kundër nazi-fashizmit, për asnjë arsye nuk u ka shkuar nëpër mend për të amnistuar moralisht, ligjërisht, apo aq më tepër për t’i shfajësuar kolaboracionistët e nazi-fashizmit. Ky mos ndëshkim i qeverisë KUISLINGE shqiptare i “dhuruar” nga fitorja e komunistëve, ndoshta është edhe një arsye e përpjekjeve të pinjollëve të kolaboracionistëve për të ndryshuar rrjedhën e ndyrë të historisë së tyre të zezë të bashkëpunimit me pushtuesit. Në se paraardhësit shpirtërorë të Tufës”& Co , u masturbuan politikisht dhe kaluan në orgazëm për të kënaqur pushtuesit, këta pinjollë si pasardhës të tyre, tashmë masturbohen me të pavërtetat historike dhe kalojnë në orgazëm për të kënaqur “mentorët” e tyre politikë. Të përpiqesh të ndryshosh rrjedhën e një lumi të ndyrë është vetë ndyrësi (Buda). Dhe kjo ndyrësi “patriotike” nuk e zbeh aspak  Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Përveçse e nderon Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse u bë shpëtimtarja e këtij vendi në hapësirat gjithsesi të cunguara që ka sot, përtej çdo debati mbi pushtetin që erdhi më pas. Lufta e Dytë Botërore, ndryshe nga luftrat e mëparshme, në një mënyrë ose në tjetrën e përfshiu të gjithë popullin shqiptar. Ajo shërbeu si një katalizator i madh social  ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë detyrës imperative të momentit, që ishte lufta kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.


Jorgo Mandili
Ali Jaupi

 

November 29, 2019 09:59
Komento

5 Komente

  1. astrit November 29, 13:03

    Artikull i gjate propogande komuniste. Nje mentalitet historiani antishkencor tipike per historiografine komuniste. Nuk kam ndermend te mbroj askend per qendrimin e tyre personal gjate luftes se dyte boterore. Ja lej historianeve profesionist e te paanshem te gjykojne rrolin e gjithkujte ne ate lufte qe eshte bere para 75 vjeteve!!! Por keta propogandus komunista le te na japin nje sqarim se perse ne kete sistem borgjez ata si komunista qe jane votojne partine Socialiste.? Mos ju duket gje partia socialiste si parti e te vobekteve?e Puntoreve? e fshatareve?

    Reply to this comment
  2. Hutini November 29, 17:34

    Tani eshte viti 2019 dhe jo 1944 o muzhike pensioniste.
    Dhe me qe ra fjala, po “çlirimtaret” pushtues sllavo-komuniste a kishin te drejte te ishin kollaboracioniste e sherbetore te sllaveve dhe te kryenin krime para dhe pas “çlirimit”?

    Reply to this comment
    • Shmil Gurra December 2, 17:27

      JORGO JAHUPI!

      Kam të drejtë, sipas logjikës suaj, që të dyve t´ju akuzojë dhe dënojë për shkaktarë të TËRMETIT të 26 nëntor 2019.
      A nuk kishit kohë të redaktonit sadopak tekstin nga gomarllëqet alogjike?

      Reply to this comment
  3. M.Hajati November 30, 14:28

    Patriotizmi ma i madh asht TRADHETIA.
    Kjo u konfirmue me respektin dhe riabilitimin e Kryetradhetarit Mit’hat Frasheri nga Kryeqeveritari Edvin Rama ne zemer te kryeqytetit ALBANIA.Nji konfirmin teper zyrtare.
    Ne mos besofshi.Shkoni tek frashellinjet dhe do mbeteni te bindur dhe te kenaqur ne patriotizmin Tradhetore.

    Reply to this comment
  4. Shmil Gurra December 2, 17:20

    M. HAJATI!!!
    Ose je TRUDREDHUR, ose TRUKËNETË.
    Përjashtim i së tretës, parim i logjikës formale.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*