Tradhtarja Merkel 

August 27, 2015 12:49

Tradhtarja Merkel 

Gjermania si në çdo krizë tjetër me të cilën është përballur Unioni, po rimerr peshën e orientimit dhe drejtimit politik për të gjithë BE-në. Kriza e refugjatëve, që i ikin zonave të konflikteve dhe luftërave, është shoqëruar me përplasje të forta politike dhe refuzim të shteteve të caktuara anëtare, për të pranuar zgjidhjen përfundimtare të saj. Por, Gjermania po i imponohet Unionit nëpërmjet tre orientimeve kyçe: me platformën politike për zgjidhje, me modelin e saj ofrues në menaxhimin dhe zgjidhjen e këtij problemi, si edhe nëpërmjet ndryshimit të përqasjes së brendshme politike kombëtare, ndaj këtij fenomeni.

Vetëm disa ditë më parë dy ministrat e kabinetit Merkel, Ministri i Jashtëm Steinmeier, dhe ai i Ekonomisë Gabriel, propozuan mediatikisht platformën politike për zgjidhje të kësaj krize në nivel evropian. Duke vlerësuar detyrimin e Evropës dhe të evropianëve për të ndihmuar individët në rrezik, që i ikin persekutimeve politike dhe luftërave, ato konfirmuan se përpjekjet evropiane nuk janë në lartësinë e ambicieve, që Evropa duhet të ketë. Duke i bërë thirrje Evropës që të mos hezitojë më gjatë dhe të veprojë tani, dy ministrat e kabinetit Merkel, propozojnë një politikë evropiane në fushën e azilit, të refugjatëve dhe migrimit, të bazuar mbi principin e solidaritetit dhe vlerave njerëzore.

Kjo platformë politike bazohet në dhjetë fusha prioritare:

1- Norma evropiane të përbashkëta për kushtet e pritjes së refugjatëve.

2- Kod evropian i përbashkët për të garantuar status të unifikuar azili.

3- Reformim i rregullores së Dublinit dhe shpërndarje e barabartë kuotash në të gjithë Unionin.

4- Administrim i përbashkët i kufijve dhe përballim i përbashkët i fluksit të refugjatëve.

5- Ndihmë e përbashkët ndaj vendeve të mbingarkuara.

6- Kapacitete dhe ndihmë të vazhdueshme ndaj operacioneve të përbashkëta të shpëtimit në Mesdhe.

7- Bashkëpunim, ndihmë teknike dhe financiare me vendet e origjinës, në kuadrin e ripranimit të imigrantëve dhe personave që nuk gëzojnë të drejtën për azil.

8- Qëndrim i përbashkët i Unionit ndaj vendeve me origjinë të sigurt (Ballkani Perëndimor).

9- Krijimi i ligjit në Gjermani mbi imigracionin me synim lehtësimin e dosjes së sistemit të azilit.

10- Atakim i problemeve në vendet e konflikteve, përpjekje për shuarjen e konflikteve, krijimin e paqes si edhe zhvillimin ekonomik dhe social të këtyre zonave.

Për sa i përket propozimit (pikës 8), që lidhet me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe pozicionimin e përbashkët të të gjithë vendeve anëtare, për t’i konsideruar këto vende si vende me origjinë të sigurt, logjika gjermane bazohet në vlerësimin se, për sa kohë që vendet e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të hyjnë në BE, atyre iu është hapur një perspektivë aderimi. Dhe kjo perspektivë aderimi bie ndesh në trajtimin e tyre, si shtete persekutuese. Një vend, që plotëson kushtet si vend kandidat i BE-së, sipas argumentimit gjerman, duhet të konsiderohet në të gjithë Unionin, si një vend me origjinë të sigurt.

Përveç platformës politike të propozuar për zgjidhje në nivel evropian të këtij fenomeni, Gjermania po ofron modelin e saj për të gjithë Unionin në trajtimin, administrimin dhe menaxhimin e situatës në lidhje me refugjatët.

Duke u nisur nga nevojshmëria për përgjegjshmëri, solidaritet dhe humanizëm, Gjermania u shndërrua në vendin e parë të Unionit, që theu rregulloren e Dublinit në lidhje me azilin, duke mos kthyer mbrapsht në vendet hyrëse, refugjatët sirianë. Rregullat e Dublinit kërkojnë që refugjatët të kërkojnë azil në vendet e para hyrëse në BE, duke mbingarkuar shtetet në skajet e Evropës. Kjo thyerje e rregullores nga ana e Gjermanisë, po ofrohet si model ndjekës për Unionin, duke tentuar paralelisht edhe reformimin e nevojshëm të sistemit nëpërmjet platformës së propozuar 10- pikëshe.

Por, ka dhe një aspekt shumë interesant dhe që merr vlera të konsiderueshme, jo vetëm në kuadrin e politikës së brendshme gjermane, por edhe në kuadrin e përcjelljes së një modeli për mbarë Evropën. Ky aspekt lidhet me ndryshimin gradual të përqasjes politike gjermane ndaj nevojshmërisë dhe domosdoshmërisë për tregun e brendshëm të punës, dhe integrimin e mundshëm të flukseve të refugjatëve. Ky ndryshim në përqasje po vërehet edhe tek elita drejtuese e bizneseve të ndryshme, që iu kanë rekomanduar zyrave të punës, të heqin preferencat përzgjedhëse ndaj kombasve, në dosjet aplikuese për punësim.

Nuk duhet harruar, se vetëm pak kohë më parë, analiza e Raportit vjetor të Këshillit të Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane mbi Migrimin dhe Integrimin (SVR-2015), vlerësonte ndër të tjera si një element shumë të rëndësishëm, ndërgjegjësimin dhe detyrimin që klasa politike gjermane duhet të ketë për t’i shpjeguar popullatës së saj, domosdoshmërinë, por edhe përfitimet, që vijnë nga prurjet apo flukset e imigrantëve. Raporti sugjeronte gjithashtu se, të gjithë partitë politike në Parlamentin Federal të Gjermanisë dhe shumica e aktorëve të shoqërisë civile duhet të mbështesin orientimin e ri të migrimit në vend dhe të politikave integruese. Sipas raportit, kjo qasje e re duhet të jetë përgjigja e Gjermanisë ndaj një sërë sfidash që po përballet vendi, duke përfshirë sfidat  demografike, sfidat e tregut të punës si edhe sfidat që lidhen me ndryshimet socio-politike, të ndërthurura me të drejtat e njeriut dhe detyrimet ndërkombëtare të bazuara në ligj.

Kjo panoramë gjermane është pak a shumë e njëjtë në të gjithë kontinentin evropian. Studime të shumta, konfirmojnë në vazhdimësi sfida të rëndësishme demografike, me një kosto ekonomike, me një popullatë gjithnjë e më shumë në plakje. Ajo çka shikohet si rrezikshmëri, në fakt është një nevojshmëri.

Gjermania po shërben edhe njëherë si model ndjekës, dhe orientues për të gjithë Unionin. Platforma politike e propozuar për zgjidhje përfundimtare të këtij problemi, modeli i saj perfekt në administrimin dhe menaxhimin e krizës, duke shkuar deri në thyerje të rregullores së Dublinit për solidaritet maksimal, si edhe adaptimi gradual i një përqasje të ndryshme politike dhe ekonomike ndaj këtij fenomeni, janë vlera të pamohueshme dhe kambanë ndërgjegjësimi, për të gjithë vendet e ndrydhura në një nacionalizëm dogmatik. Nacionalizëm, që ekspozohet si tek fragmentet opozitare të shtresave të ndryshme të shoqërisë, por edhe e përfaqësuar në forma të ndryshme politike. Ky nacionalizëm, ushtron presionin e tij herë pas herë të dhunshëm, duke imponuar rezistencë. Pamjet e fundit filmike në Dresden, teksa kancelaria Merkel, konsiderohej si tradhtare e popullit, i përkasin pikërisht këtij segmenti shoqëror-politik, rezistues ndaj ndryshimeve të nevojshme, që imponon politika e brendshme ekonomike kombëtare. Lëvizje të tilla sigurisht që mund të gjykohen edhe si një pjesë normale e një mekanizmi demokratik, në skajet periferikë të skeptrit politik, që shpeshherë nuk ngurrojnë edhe të kapërcejnë kufijtë ligjorë. Kjo rezistencë, që vërehet edhe në vende të ndryshme evropiane, kryesisht i atribuohet lëvizjeve të ekstremit të djathtë. Por, pavarësisht rritjes dhe fuqizimit të tyre, forca të tilla janë dhe do të ngelen minoritare, për sa kohë militojnë kundër vlerave të respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë dhe barazisë./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Amnezia e Evropës

 

August 27, 2015 12:49