Trafiku i klandestinëve, “The Sun”: Lideri i grupit, nënshtetas irlandez

March 24, 2018 13:14

Trafiku i klandestinëve, “The Sun”: Lideri i grupit, nënshtetas irlandez

Një megaoperacion u zhvillua në Shqipëri më 17 Mars kundër trafikimit të qenieve njerëzore drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në pranga ranë 39 persona, ndërsa 12 të tjerë u shpallën në kërkim. Lajmi bëri bujë në mediat vendase, por jo vetëm.

Kësaj here është britanikja “The Sun”, që thotë se udhëheqësi i një prej grupeve më të fuqishme të trafikut të klandestinëve, duke iu referuar grupit shqiptar që u shkatërrua nga policia, është me nënshtetësi irlandeze.

Më tej, në shkrim theksohet se personi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është me origjinë shqiptare, por ka jetuar më parë në jug të Dublinit.

“The Sun” ka zbuluar se agjentët nga Garda Kombëtare e Emigracionit janë vënë në dijeni të qëndrimit të këtij personi në Irlandë dhe po bashkëpunojnë me autoritetet në Britani dhe Europë.

“Ky individ është një prej personave kryesorë të grupit dhe dyshohet se është shumë i përfshirë në trafikim. Ai dyshohet se është pjesë e mafies shqiptare dhe është përfshirë në shumë aspekte të krimit të organizuar”, thotë një burim për “The Sun”.

Gjithashtu, sipas burimit, “Garda po mundohet të zbulojë, nëse ai ishte i përfshirë kriminalisht në Irlandë. Ai ka qenë i vëzhguar gjatë gjithë kohës nga ku u zbulua se shqiptari jetonte në Irlandë përpara se të bënte vizita të shpeshta në atdhe”.

Klandestinët, shumica nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të Europës lindore, detyroheshin të paguanin 8000 euro për të shkuar në Britani dhe më shumë se 20000 euro për të shkuar në SHBA dhe Kanada, shkruan më tej “The Sun”.

Bandat përdornin dokumente udhëtimi false, duke përfshirë edhe pasaporta irlandeze të falsifikuara. Edhe pse 39 persona u kapën, autoritetet po kërkojnë edhe 12 persona të tjerë të arratisur, shkruan abcnews.al

“Bandat shqiptare janë duke u futur fuqishëm në trafikun e drogës në Holandë dhe janë një nga organizuesit kryesorë të trafikimit të qenieve njerëzore në Europë”, përfundon shkrimin “The Sun”.

o.j/dita

March 24, 2018 13:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim