Trafiku i paligjshëm i Shqipërisë si rrezik rajonal dhe europian, në një konferencë në… Shqipëri

October 9, 2019 19:37

Trafiku i paligjshëm i Shqipërisë si rrezik rajonal dhe europian, në një konferencë në… Shqipëri

Me pjesëmarrjen e përfaqësusve të OSBE dhe disa vendeve fqinje me Shqipërinë, instituti ndërkombëtar Siracusa për Dënimin e Krimeve dhe të Drejtat e Njeriut po zhvillon në Tiranë konferencën për “Dialogun Strategjik Kombëtar” të fokusuar në luftën kundër trafiqeve të paligjshme të Shqipërisë.

Diplomatët vunë theksin në luftën kundër të gjithë llojeve të trafikut në Shqipëri, nëpërmjet forcimit të tre shtyllave kryesore, mbështetje në parandalim trafikut, mbrojtjen e viktimave dhe dënimin e trafikantëve.

Diplomatët perëndimorë thanë në një konferencë me ekspertë të antikrimit se trafiqet e paligjshme rrezikojnë jetën e njerëzve në rajon dhe kontinent.

Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo tha se një seri projektesh të mbështetura nga BE, OSBE dhe marrëdhëniesh dypalëshe po ndohmojnë shtetet e rajonit në luftën kundër trafiqeve të paligjshme.

Ai tha: “Italia po jep një ndihmë të madhe e të pakursyer, por ende ka shumë sfida për t’u përballur bashkarisht me autoritetet europiane nga ligjvënësit dhe qeveritarët e deri te zyrtarët e niveleve të tjera shqiptare, sepse vetëm kështu mund të rritet besimi te institucionet”.

Cutillo shtoi: “Sot nga pikëpamja e integrimit europian të Ballkanit perëndimor zgjedhja dhe përdorimi i mjeteve të përshtatshme kundër trafiqeve të paligjshme përbën thelbin e forcimit të ligjit dhe të demokracisë, qëndrueshmërisë social ekonomike dhe të sigurisë, si në rajon ashtu edhe në gjithë kontinentin” .

Ndërsa drejtuesi i përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se Shqipëria ka zgjedhur të bashkëpunojë me ndërkombëtarët në luftën kundër trafiqeve, sepse është një luftë që nuk bëhet vetëm, ndaj për këtë ka mbështetjen e të gjithëve.

Ai u shpreh: “Për OSBE-së, mbrojtja e të drejtave njerëzore, forcimi i institucioneve demokratike dhe sigurisë ndërkombëtare janë detyra themelore. Më e rënda mbetet trafikimi i qenieve njerëzore, sepse shkel të drejtat njerëzore dhe sigurinë njerëzore”.

Borchard shtoi: “Viktimat e trafikut detyrohen për abuzime seksuale, ato përjetojnë praktika të tmerruese ku u shkelen të drejtat dhe dinjiteti njerëzor, si viktima të krimit të organizuar. Këto praktika mund të luftohen vetëm me bashkëpunim dhe mbështetje të institucioneve, sepse krahas vajzave e grave, në këto situata vuajne dhe viktimizohen edhe fëmijët. Ato kanë nevojë për mbështetje në parandalim trafiku, mbrojtjen e viktimave, dënimin e trafikantëve. Të treja këto shtylla do të marrin një fuqizim më të madh nga reforma në drejtësi, dhe prokurorët e gjyqtarët që do të kenë procese të tilla do të kenë mbështetje të madhe” .

Sipas tij, trafiku i drogës është fusha e dytë më e rrezikshme e trafiqeve të paligjshme në Shqipëri, ndaj agjencitë e anti-trafikimit, institucionet e sigurisë dhe policia në kufi dhe apo në qytete duhet të luftojnë fort.

Po ashtu, theksoi ambasadori Borchardt, partitë politike dhe korrupsioni janë një fushë që duhet trajtuar, ku hyn edhe forcimi i ligjeve anti-korrupsion.

Borchard u shpreh: “Megjithë përparimet e bëra në këto fusha, ende mbetet shumë për të bërë. Ndaj OSBE përsërit vazhdimisht thirrjen për të forcuar bashkëpunimin mes gjithë aktorëve shqiptarë për të mbrojtur të drejtat njerëzore përballë këtyre veprimtarive kriminale”./ VoA

e.ll./dita

October 9, 2019 19:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*