TRAFIKU / Kapet kolia me aspirina, e maskuar brenda heroinës, që qe futur brenda kokainës…

March 2, 2018 23:30

TRAFIKU / Kapet kolia me aspirina, e maskuar brenda heroinës, që qe futur brenda kokainës…

Një sukses të rrallë kanë regjistruar autoritetet shqiptare këtë javë, me kapjen e një kolie me ilaçe të parregjistruara që ishin gati për të hyrë në tregun vendas.

Njoftimi nga Policia e Shtetit bën me dije se pakoja e vyer ishte pothuajse e gjitha me aspirina të cilësisë së lartë, si dhe dy kuti me fenaskon, porosi personale kjo e fundit, e shoferit të maunes së trafikut që e kishte vjehrrën pak pa qejf.

Siç tregojnë edhe pamjet ekskluzive të aksionit që forcat e rendit kësaj here arritën t’i sigurojnë përpara gazetarëve (edhe kjo një arritje më vete), kolia me aspirina ishte maskuar në mënyrë mjeshtërore.

Ajo fshehur brenda një kutie të madhe kartoni të mbushur me heroinë normale; kjo e fundit ishte vendosur në mes një disa thasëve me kokainë të zakonshme, ndërsa këto të fundit ndodheshin në qendër të trajlerit, të mbuluara nga një ngarkesë e rregullt prej 6 tonësh hashash.

Siç komentoi një anëtar i grupit hetimor për Gojët e Liga, “kjo është ngarkesa më e madhe me aspirina gjermane të cilësisë të lartë, që është kapur ndonjëherë në vend. Trafikantët në këso rastesh e fshehin mallin e çmuar brenda importeve rutinore të hashashit, kokainës dhe heroinës, duke shpresuar që pakot në fjalë të mos shfaqen në skanerat e fikur të autoriteteve shqiptare”.

Mësohet se grupi hetimor e ka pikasur ngarkesën në Portin e Durrësit, dhe ka pritur dhjetë ditë që të shfaqej porositësi.

Sipas prokurores Ina Koka, kokaina, heroina dhe hashashi janë produktet e zakonshme mes të cilave fshihen mallrat e çmuar si aspirinat, fasulet pllaqi, nespullat, rrushi i thatë etj.

“Do hetojmë deri në fund dhe do vendosim fajtorët para përgjegjësisë,” deklaroi Ina Koka, duke shtuar se kokaina, heroina dhe hashashi i sekuestruar, mund të lejohen të vijojnë destinacionin pasi ishin porositur nga një tregtar i ndershëm me një tufë kalamajsh.

Ndërkaq, mësohet se dëmi financiar nga taksat e papaguara të kolisë me aspirina kontrabandë, kap vlerën e plot 250 asprave.

Shënim: Edhe pse e përsërisim gjithmonë aq sa mund të jeni bërë për aspirinë, Gojët e Liga është rubrikë satirike.

March 2, 2018 23:30
Komento

2 Komente

  1. Visi March 2, 19:08

    Hahaha sa e forte kjo

    Reply to this comment
  2. gjermani i fundit March 3, 00:03

    hahhahahaha, Ina Koka, zedhenese private digjitale e Koka Ines.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*