Tragjasi, e dogjën por nuk u shua

Nga Arben Shytaj* November 27, 2014 15:04

Tragjasi, e dogjën por nuk u shua

Është fjala për një luftë frontale të një ushtrie kundër një fshati. Lufta e Tragjasit kundër okupatorëve italianë u zhvillua më 5-7 gusht 1943. Rrëzimi i Musolinit më 25 korrik 1943 shënonte përmbysjen e sundimit fashist në Itali e në zonat e okupuara. Në qarkun e Vlorës ishte dislokuar divizioni “Parma”, me vendkomandën e forcave të tij në qytet, që kishte reparte në Selenicë, Radhimë, Llogora, Himarë etj., me afro 1.500 ushtarë të pajisur me të gjitha llojet e armëve të nevojshme për operacione të mëdha.

Në këtë situatë të pasigurtë, me qëllim që të likuidonte pengesat që i ishin vënë nga forcat partizane, për të shkatërruar vatrat që mbanin e strehonin, forcat italiane kishin filluar përgatitje për kryerjen e një operacioni në krahinën e Dukatit. Në këtë operacion mendohej të merrnin pjesë jo më shumë se një regjiment (rreth 2.500 veta) me ndonjë repart artilerie e mortaje në përforcim, dhe goditjen e tyre do ta përqëndronin në Tragjas. Por le të kthehemi pak prapa në kohë.

Fshati Tragjas konsiderohej i rrezikshëm, prandaj nga fundi i vitit 1939 u dërgua një postë karabinierie italiane me personel italian për ta pasur nën vëzhgim. Më 1943 fashistët vendosën ta mbytnin me flakë e ta digjnin me napalm fshatin Tragjas. Forcat partizane për mbrojtjen e fshatit përbëheshin nga partizanët e çetës “Hodo Zeqiri”, nga 35 pushkë të çetës territoriale të fshatit dhe nga rreth 30 pushkë, që i kishin bujqit, blegtorët dhe që ishin porositur të qëndronin në gadishmëri. Si rezervë e mundshme ishin dhe njësitet e fshatrave të tjera që mund të vinin në ndihmë.

Komiteti qarkor vendosi gjithashtu dërgimin në Tragjas të batalionit “Ismail Qemali” duke u dhënë porosi organizatave të partisë të krahinës së Mesaplikut e të fshatrave në afërsi që të jenë të gatshme për të shkuar në ndihmë me forcat e tyre territoriale.

Përgatitja e popullit për qëndresë pati kontributin e veçantë të Fejzo Gjomemos, që filloi punën për përgatitjen politike të popullit. Data 2 gusht e vitit 1943 e gjeti popullin gati për luftë. Forcat partizane, sidomos çeta “Hodo Zeqiri” dhe gjithë njësitet e tjera territoriale të fshatit, prej kohësh vëzhgonin lëvizjet e armikut dhe kontrollonin me kujdes rrugën automobilistike. Më 4 gusht 1943 ata vunë re lëvizje trupash në rrugën Vlorë – Himarë. Pa mbërritur akoma në Dukat forcat partizane të çetës “Hodo Zeqiri” e të batalionit “Ismali Qemali”, që ndodhesh në Tragjas për të pritur operacionin armik, luftëtarët e njësitit të Dukatit shkatërruan një kolonë armike, dogjën 4 automjete dhe vranë e plagosën 30 ushtarë italianë. Komanda e divizionit “Parma”, sapo e mori vesh këtë, nisi menjëherë në drejtim të Llogorasë një batalion me ushtarë për t’i ardhur në ndihmë repatit të shpartalluar dhe për të ndëshkuar me masakra shkaktarët dhe popullatën e fshatit. Por forcat partizane kishin zënë pozicione mbrojtëse dhe batalioni armik s’guxoi të hyjë në fshat. Shkoi deri afër Dukatit, u vuri zjarrin shtëpive pranë rrugës dhe u kthye prapë, sepse rruga automobilistike mund të bëhej e pakalueshme.

Rruga Vlorë – Himarë kishte rëndësi të madhe taktike e strategjike. Armiku, duke zotëruar rrugën, bënte një pastrim të zonës nga forcat partizane e territoriale që vepronin këtu, por edhe shkatërronte bazat që strehonin dhe ushqenin partizanët. Nisi për në Tragjas një regjiment këmbësorie të përforcuar me artileri e aviacion. Okupatorët fashistë e dinin prej kohësh se Tragjasi ishte baza më e rëndësishme në qarkun e Vlorës. Populli i tij ishte i lidhur i tëri me luftën dhe nga gjiri i tij kishin dalë mbi 150 partizanë e kuadro, që luftonin në terren e në reparte të ndryshme partizane.

Në mëngjesin e datës 3 gusht 1943 fashistët u nisën për në Tragjas. Në kolonë, nga Ura e Izvorit deri në ish komunën e Dukatit, kapën lartësinë e majës së Viçanit dhe vendosën një kompani me mortaja kalibër 81. Në këtë kohë nga Rrëza e Cirakut u dha alarmi me tre pushkë e një bombë. Fshatarët e kësaj zone dhe rojet e periferisë i diktuan forcat armike. Aty nga ora 10.00 e datës 5 gusht shpërthyen në fshat predhat e artilerisë e të mortajave. Bombardimet vazhduan rreth një orë. Gjatë kësaj kohe çeta territoriale e fshatit që ishte në gatishmëri, i doli armikut përpara. Bashkë me çetën territoriale u nis dhe një pjesë e çetës “Hodo Zeqiri” me dy mitralozë të lehtë. Forcat u vendosën përballë armikut. Duke luftuar me trimëri, ndaluan në vend sulmin e ushtrisë fashiste. Forcat partizane u bashkuan me forcat territoriale dhe fshatarë të tjerë të armatosur, që erdhën nga fusha e mali. Duke qenë se forcat armike u gozhduan në vendkomanda, ato dërguan në fshat tre aeroplanë gjuajtës-bombardues, të cilët mitraluan mbi popullsinë që tërhiqej nga fshati, si dhe vijën e frontit të forcave tona. Me ardhjen e avionëve, forcat armike bënë sulmin e dytë, por dhe ky sulm u thye. Mbas dy orë luftimesh të ashpra, ku armiku kishte pothuaj dhjetëfishin e vëllimit të zjarrit të forcave tona, në krah të majtë të armikut u vu re një dobësim i zjarrit. Aty nga ora 12.00 e ditës Fejzo Gjomemo me një pjesë të çetës “Hodo Zeqiri” dhe bashkëfshatarë të tjerë ikën rrëzë shkëmbit të Mavrive, pa u diktuar nga armiku dhe kapën kalanë e Gjon Boçarit, duke i dolë armikut pas shpine. Edhe forcat e batalionit “Ismail Qemali” e goditën në të djathtë armikun. Goditja e papritur që iu bë armikut në majë të Viçanit nga forcat tona, e çoroditën atë dhe pas këtyre goditjeve u hodhën në sulm.

Pas shpartallimit të armikut, forcat partizane, vullnetare e bashkëfshatarë të lodhur e të raskapitur edhe nga vapa e gushtit, u kthyen në fshat.

Në orët e mbasdites të datës 5 gusht u rreshtuan dhe territorialet e Radhimës, të ardhur nga Dukati. Në mbasditen e 6 gushtit armiku me forca të shumta, që arrin në 5.000 ushtarë, të mbështetur nga 20 tanke, katër bateri automatike, bateri mortajash të rënda e nga dy avionëve bombardues e një gjuajtës, që qëllonte me bomba ndezëse (napalm) gjithë

Tragjasi

Tragjasi

vendosjet e mitralozëve tanë, u derdhën përsëri drejt Tragjasit. Megjithatë çdo përpjekje e tyre u shkoi kot.

Në mbrëmjen e datës 6 gusht, me gjithë forcat e shumta dhe mbështetjen e fuqishme të artilerisë e aviacionit, forcat fashiste nuk përparuan asnjë hap. Kur u bë natë, pushoi zjarri i këmbësorisë armike. U bë një konsultë me shtabin e batalionit “Ismail Qemali”, me komandën e çetës “Hodo Zeqiri” dhe me përgjegjësin e krahinës, si dhe me shumë burra patriotë të fshatit. Lufta e zhvilluar ishte një fitore e rëndësishme e forcave partizane dhe e popullit kryengritës të Tragjasit e të qarkut të Vlorës.

Natën, duke u gdhirë 7 gusht, mbas dy ditë luftimesh të ashpra, armiku goditi me qindra predha artilerie pozicionet partizane mbi fshat dhe mbasi u bindën se ata ishin larguar, me frikë të madhe dhe masa të shumta sigurimi avancuan drejt fshatit. Me urë në dorë me një shpejtësi të madhe i vunë flakën gjithë fshatit. Banorët i shikonin nga mali duke shtrënguar dhëmbët. Flaka e tymi i shtëpive po ngrihej në qiell. Pas dy ditë luftimesh të ashpra ushtria italiane pushtoi Tragjasin, të cilin e dogji të tërë. Ky sukses asaj i kushtoi shumë shtrenjtë. Shtatë kamionë me të plagosur u dërguan në Vlorë.

Në betejën për mbrojtjen e Tragjasit ranë: Sulejman Beqiri, Bukuri Meto dhe Inxhi Mato, kurse të plagosur ishin Hito Alimerko, Jaho Shyti e Selim Laçe.

Mbas largimit të armikut, populli u kthye përsëri në fshat, pranë shtëpive të djegura. Ai filloi punët për ndërtimin e shtëpive me materiale rrethanore. Rrugët dhe sheshi i fshatit filloi të gjallërohen dhe jeta të normalizohet. Ky sulm bashkoi edhe më fort banorët rreth Lëvizjes: Mbi 200 të rinj e të reja u rreshtuan në UNÇSH.

Më 7 gusht, ndërsa pritej që ushtria italiane të shkonte në Dukat, ajo u tërhoq fare nga krahina, duke e lënë në mes operacionin e spastrimit. Ajo nuk e spastroi dot as krahinën e Tragjasit, as krahinat e tjera përqark Vlorës. Populli me rapsodët e tij për të përjetësuar luftimet e zhvilluara në Tragjas që nga viti 1942 e deri 1944, sidomos betejën e 5-7 gusht 1943, ka ngritur këtë këngë.

Shokë do këndoj një këngë,

Do këndojmë fshatin tonë,

Fashizmi seç bëri gjëmë,

E dogji me gjithë rrënjë.

Nuk la shtëpi në këmbë,

Armiku seç u bë kërmë,

Fshati i Tragjasit në brinjë,

Këndo për trimat e mirë.

Dhanë jetën për lirinë,

 

Luftë me okupatorin dhe mercenarët

Në krahinën e Mesaplikut në pranverën e vitit 1942 ishte krijuar një njësit i armatosur që u bë pjesë e çetës “Plakë”. Tragjasi në pranverë-verë 1942 ishte bërë tërësisht bazë e luftës, pavarësisht se në fshat ndodhej posta e karabinierisë. Ilegalët qarkullonin në fshat. Kjo i detyroi pushtuesit të tërhiqnin postën nga fshati, para se të sulmohej në nëntor 1942. Pas largimit të postkomandës nga fshati, territorialë, ilegalë dhe njerëz të armatosur lëviznin lirisht, të armatosur.

Nga fundi i dhjetorit 1942 më shumë se 1500 milicë fashistë, nën komandën e Halil Alisë dhe të Selim Kokoshit u përqëndruan në Vlorë. Masat drakoniane për Vlorën i zbatoi ministri i Brendshëm i qeverise kuislinge. Operacioni filloi nga Tragjasi, se ishte kështjellë e fortë e rezistencës antifashiste, prandaj me çdo kusht duhej shkatërruar. Në Tragjas ishte çeta “Plakë”, prandaj deshën të shpartallonin këtë formacion ushtarak, para se të bëhej rrezik i madh për armikun. Mbas katër ditë bastisjeje, djegieje e raprezaljesh në qytet, trupat fashiste nisën mësymjen në drejtim të Tragjasit. Kështu, më 27 dhjetor 1942, “2000 e ca milicë fashistë, mercenarë dhe karabinierë nën komandën e konsullit Klementi u nis nga Vlora në tri kolona për në Tragjas, me detyrë që të rrethonin fshatin dhe të asgjësonin aty çetën partizane”, thotë raportet e kohës

Në këtë kohë përballë çetës “Plakë” erdhën valë-valë rreth 500 mercenarë e milicë fashistë, të cilët, duke pasur një vëllim zjarri shumë më të madh se të çetës, e vunë atë në rrezik. Në ndihmë të çetës shkuan grupe-grupe forcat territoriale të fshatit, të cilat zunë pozicione mbrojtëse dhe përcaktuan rrugët e tërheqjes me zjarr, në mënyrë të organizuar për të mos u dëmtuar e asgjësuar nga armiku.

Këtë ditë forcat armike arrestuan dhe mbyllën në shkollë të gjithë burrat që kapën në fshat, me qëllim që po të sulmonin forcat tona, të bënin masakra mbi ta. Filluan pastaj të shpërndaheshin në shtëpit e fshatit, hëngrën e pinë, dogjën e grabitën plaçkat e fshatarëve për 3-4 ditë rresht. Të nesërmen në mal të Tragjasit u mblodhën forca të shumta për të sulmuar armikun në fshat. Milicët e mercenarët grumbulluan një plaçkë të madhe dhe shkatërruan ç’mundën. Halil Alia dhe Selim Kaloshi kërcënuan fshatin me dhunë, vrasje e djegje. Ata morë përgjigje dinjitoze të kryepleqësisë së Tragjasit nga goja e Xhafer Xhuvelit: “I pushkatoni burrat që kini burgosur në shkollë, po asnjeri nga ju nuk del i gjallë nga Tragjasi”.

Më 31 dhjetor 1942, në mëngjes herët, grumbulluan plaçkën e grabitur dhe me shumë kuaj të fshatit e nisën për në Vlorë. Lufta që filloi në Tragjas më 27 dhjetor 1942 kundër forcave të milicisë, karabinierisë e mercenarëve të Halil Alisë e Selim Kaloshit, mori fund më 2 janar 1943 në një përpjekje vendimtare, në të cilën qëndresa heroike e partizanëve dhe e masave kryengritëse të Vlorës u bë shembull për të gjithë Shqipërinë. Kjo epope, ku morën pjesë pothuajse gjithë burrat e fshatit, ishte shprehje e vërtetë e luftës popullore, që po shndërrohej me hapa të shpejtë në një kryengritje të përgjithshme.

 

Pas fashistëve italianë, Tragjasi u dogj përfundimisht nga nazistët gjermanë në 6 prill 1944
Masakra e Tragjasit prej nazistëve u dokumentua edhe nga agjentët amerikanë të OSS-it (pararendëse e CIA-s), të hedhur në Shqipëri pranë Shpellës së Piratëve në bregun perëndimor të Karaburunit. Të kërcënuar seriozisht nga gjermanët, oficerët e huaj iu larguan Bregut dhe u hodhën këtej Llogarasë në fillim të prillit 1944 të ndarë në dy grupe. Grupi i përbërë nga Tom Stefani, Anxhelo Mitro dhe Albert Toli u strehuan në Tragjas. Tjetri, i përbërë nga oficerët Hudson dhe Kukiç, si dhe disa oficerë britanikë, u strehua në Dukat. Mirëpo, me të mësuar se krahina do të sulmohej, oficerët aleatë u larguan me shpejtësi drejt Malit të Tragjasit. Rasti e solli që të dy grupet, pavarësisht dhe pa dijeninë e njeri tjetrit, të ishin dëshmitarë nga lart të masakrës së Tragjasit.
“Djegia e Tragjasit ndodhi të Dielën e Pashkëve të vitit 1944”, dëshmon ish oficeri Hudson “gjermanët vranë shumë nga pleqtë dhe të rinjtë e fshatit…”, shkruan më tej ai. “Ishte një pamje e tmerrshme. Ne shikonim me dylbi djegien, shkatërrimin, ikjen me lemeri të njerëzve. Përveç ndonjë të shtënë pushke, largësia nuk na lejonte të dëgjonim thirrjet e banorëve për ndihmë apo dhimbjen e tyre të jashtëzakonshme. Nuk mund të benim dot asgjë për t’i shpëtuar ata”. [James Hudson, Pas OSS, 2004].

Tragjasi e pagoi shumë shtrenjtë pjesëmarrjen masive në Luftën e Dytë Botërore, duke i dhënë asaj gjakun e 43 jetëve, dëshmorë të atdheut dhe 4 heronj populli, nga të cilat 10 femra, besoj nje rast unikal. Megjithëse po kremtohen festimet 70 vjetorit të luftës, askush nuk bëri të mundur, vendosjen e busteve të heronjve në qendër të fshatit, e cila do të ishte një vlerë e shtuar edhe për turizmin. Një tjetër meritë e këtij fshati, është se këtej kanë dalë edhe një pjesë e madhe e nacionalistëve morën pjesë në luftën kundër okupatorit, si Skënder Muço, Yzeir Alimerko, Sefer Imeri, të vrarë nga pushtuesit, të shpallur Dëshmorë të Atdheut, të cilët ne i kemi nderuar duke i vendosur në një pllakë me dëshmorët e kampit tjetër ideologjik.

 

*Sekretar i shoqatës “Tragjasi”

Nga Arben Shytaj* November 27, 2014 15:04
Komento

2 Komente

  1. Pëllumb zaimi November 27, 22:14

    Nderim e mirënjohje për autorin Arben Shytaj dhe për këdo që shkruan për heroizmin partizan e popullor në luftën antifashiste! Nderim e mirënjohje banorëve trima të Tragjasit heroik! Nderim traditës dhe trashëgimisë sonë Antifashiste! Tung!

    Reply to this comment
  2. Spirua November 28, 13:34

    Nderim te thelle per ate beteje dhe pak te ngjashme me te, ku shqiptaret treguan se atdheu eshte i shtrenjte (“pak te ngjashme” eshte fjala qe sulmohet nje fshate nga forca te shumta pushtuese qe perdorin te gjitha llojet e armeve).
    Autori i shkrimit do kishte bere mire te jepte edhe humbjet e armikut ne njerez. Diku kam lexuar se dokumentet e ushtrise fashiste pohojne vrasjen e komandanti i forcave pushtuese prane rruges Orikum-Dukat-Himare. Ka dokumente it

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

SONDAZH

NËSE NË TIRANË KANDIDATI PS + RILINDJE, ERION VELIAJ DO TË KISHTE PËRBALLË SI KANDIDAT TË PD, LULZIM BASHËN, PËR KË DO TË VOTONIT:

Shiko rezultatin