Tragjedia, disekuilibri nga ngarkesa me shalqinj rrëzon avionin, vdesin dy pilotë

Kujtim Boriçi June 19, 2013 21:24

Tragjedia, disekuilibri nga ngarkesa me shalqinj rrëzon avionin, vdesin dy pilotë

Ekskluzive / 81-vjeçari Skënder Dusha, ish-specialist i njohur i Aviacionit Luftarak rrëfen tragjedinë e verës së vitit 1971 ku në Plug të Lushnjës humbën jetën tragjikisht pilotët Refik Jazo e Muharrem Hida dhe u gjymtua tekniku Petrit Shima. Çfarë urdhëroi Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku që u gjend në vendin e ngjarjes

 

Skënder Dusha: Në vendin e tragjedisë ku humbën jetën dy pilotët, në Plug të Lushnjës, u gjend dhe Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku. Ai po kthehej nga jugu i vendit ku kishte inspektuar një stërvitje. Tekniku i avionit, i gjymtuar në këtë tragjedi, u dërgua për ndihmë me helikopter në spitalin ushtarak në Tiranë.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në historinë e tragjedive ajrore të aviacionit, është dhe ajo që ka ndodhur në verën e vitit 1971 në Lushnjë, ku si pasojë e neglizhencës së kontrollit teknik para nisjes për kthim, aeroplani përplaset në tokë dhe humbasin jetën dy pilotët. Viktimat e kësaj tragjedie të rëndë janë piloti Refik Jazaj, komandant i çiftit dhe Muharrem Hida, pilot dhe u gjymtua përjetësisht tekniku Petrit Shima nga Tufina e Tiranës. “Ndërsa është një nga tragjeditë ku shkak i saj është vetëm neglizhenca e kontrollit të avionit AN-2 (lidhja e ngarkesës) nga ana e pilotëve”, vazhdon rrëfimin e tij major Skënder Dusha….

 

Një nga tragjeditë ajrore e lënë disi në ‘hije’ është ajo e verës së vitit 1971 ku humbën jetën dy pilotë?

Po. Bëhet fjalë për tragjedinë ajrore që ndodhi në këtë vit në fushat e Lushnjes ku humbën jetën piloti Refik Jazo nga Dukati i Vlorës që ishte njëkohësisht komandant i çiftit të pilotëve dhe piloti tjetër Muharrem Hida nga Tirana dhe u gjymtua tekniku Petrit Shima. Pavarësisht shkaqeve të kësaj tragjedie, që atë kohë u përcaktua si neglizhencë e pilotëve në sistemim e lidhjen e pajisjeve të avionit para nisjes për në Tiranë, ata ranë në krye të detyrës dhe u vlerësuan dhe u nderuan si të tillë…

 

Është përfolur se shkak i tragjedisë është humbja e ekuilibrit të aeroplanit nga rrokullisja e shalqinjve që nuk ishin të sistemuar në thasë apo arka?

Jo. Nuk është thjeshtë kështu. Kishte në të vërtetë disa shalqinj që para nisjes, pilotët i kishin marr nga kooperativistët në ndihmë të të cilëve kishin punuar(spërkatur), por nëse do të ishin vetëm ato, nuk do të arrihej të prishej ekuilibri i avionit e ai të rrëzohej në tokë duke shkaktuar tragjedinë… Avioni ka dhe pajisje të tjera teknike të cilat, para nisjes, duhen sistemuar e lidhur në vendet përkatëse, gjë e cila nuk ishte bërë, ishte neglizhuar nga pilotët…

 

Cila ishte detyra e pilotëve atë ditë në Lushnjë?

Pilotët Refik Jazo dhe Muharrem Hida ishin me Antonov (AN-2) dhe punonin në shërbim të ekonomive bujqësore, përkatësisht në spërkatjen e kulturave bujqësore me herbicide… Atë ditë ishin në fushat në periferi të qytetit të Lushnjës. Kishin mbaruar dhe u nisën për në Rinas…

 

Si ndodhi tragjedia?

-Ishte pasdite. Pasi kishin mbaruar spërkatjen e parcelave me herbicide, pilotët e avionit AN-2 u bënë gati të niseshin për në Tiranë. Por është një rregull i detyrueshëm, të themi më saktë ligj, që para nisjes, detyrimisht duhet bërë sistemimi i mjeteve lëvizëse në avion, sigurim i tyre në vendet përkatëse, etj… Këtë detyrë në këto mjete ajrore e ka tekniku i avionit, por dhe piloti.  Para nisjes, kishin marr dhe disa shalqinj dhe i kishin lënë ashtu në gjendje të lirë nga mesi i aeroplanit. Tekniku Petrit Shima nga Tufina e Tiranës neglizhoi përgatitjen e bagazhit para se avioni të nisej. Kështu, ai nuk sistemoi e lidhi pajisjet e aerodromit (bombola gazi, shkallë, etj…), e t’i sistemonte në vendin e caktuar, përkatësisht prapa kabinës, aty ku është rezervuari i solucionit. Ndërsa kokrrat e shalqinit, kanë qenë në gjendje të lirë, diku nga mezi i aeroplanit. E thash që kjo është një neglizhencë i pafalshëm e që sjellë pasoja të rënda… Në këto kushte, në manovrimet e para, pajisjet e pa sistemuara kanë lëvizur duke prishur balancën e mjetit ajror. Për pasojë, aeroplani u ngul me hundë në tokë, ku u shkrumbua mes flakëve… Shkatërrimi i menjëhershëm i tij, u ndikua edhe nga karburanti që ishte në dy rezervuarët, me kapacitet rreth 600 litra secili…

 

Cilat ishin pasojat e tragjedisë së rëndë?

Dy pilotët, Refik Jazo komandant i çiftit të pilotëve dhe piloti tjetër Muharrem Hida, vdiqën në vend, aty ku ra avioni, në fshatin Plug të Lushnjës. Ndërsa tekniku Petrit Shima, u plagos rëndë. Ai u nxor gjysmë i djegur nga gërmadhat nën flakë të avionit të shkatërruar dhe u nis me helikopter në Tiranë. Pas ndërhyrjes së mjekëve të Spitalit Ushtarak, ai mundi t’i shpëtojë vdekjes, por jo gjymtimit të përjetshëm. Vetëm para disa muajsh, ai u nda nga jeta…

Në momentin e kësaj tragjedie (pak minuta pas rënies së avionit) në vendin e ngjarjes u ndodh edhe Beqir Balluku, që në atë kohë ishte Ministër i Mbrojtjes..

 

Si u ndodh Beqir Balluku në vendin e tragjedisë ajrore?

Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, u ndodh rastësisht në Lushnjë atë ditë, më saktë, ai ishte në udhëtim e sipër. Kishte qenë në një stërvitje me trupa në jug të vendit dhe po kthehej për në Tiranë. Por pa pritur, teksa ecte me automjetin e tij në aksin e rrugës nacionale (aksidenti ka ndodhur jo larg saj), ai ka parë rënien e avionit në tokë dhe ka ndaluar. Në vendin e tragjedisë, fillimisht janë gjetur kooperativistë të zonës e më pas repartet e policisë zjarrfikëse. Aty ishin dhe drejtues vendorë të ekonomisë ku kishte kryer spërkatje avioni AN-2 dhe titullarë të njësisë ushtarake të Lushnjës. Pasi u interesua për ndodhinë nga këta të fundit, Beqir Balluku tha: “Të kryhen verifikimet, të nxirren shkaqet e tragjedisë dhe të merren masa konkrete për shkaktarët”. Po ashtu, Balluku dha edhe porosi për ceremoninë e varrimit të pilotëve të rënë në krye të detyrës…

 

Ku ishit ju kur ndodhi ky aksident i rëndë ajror?

Unë isha në pikën e nisjes, në Tiranë. Isha në krye të detyrës. Avioni, siç u verifikua në nisje, ashtu dhe nga konkluzioni i ekspertëve pas tragjedisë, teknikisht rezultoi në parametrat optimalë.  Në atë kohë, unë bëja dhe detyrën e kryeinxhinierit. Pra, kisha për detyrë jo vetëm të kontrolloja gjendjen teknike të avionëve luftarakë, të këmbëngulja që ata të jenë në gatishmëri të plotë në çdo kohë, por edhe të isha pjesë e grupit të ekspertëve që përcaktonin shkakun e  tragjedive, për sa i përket anës teknike… Pra, isha pothuaj gjithmonë i pranishëm ku kishte tragjedi…

 

Në konkluzionet e ekspertëve, cili u përcaktua si shkak i tragjedisë?

Përmenda më lart, se avioni, teknikisht kishte qenë në rregull. Këtë e tregoi analiza. Për mua, por dhe për specialistët e tjerë, fajin e kishte vetë piloti Jazo, përkatësisht për thyerjen e disiplinës në ajër. Në fakt, ky pilot kishte bërë dhe herë të tjera gabime të tilla të rënda, por fatmirësisht kishin rezultuar pa tragjedi. Këtu dua të theksoj, se q1oftë dhe për përsëritje të gabimeve të njëjta, të pafalshme, eprorët duhet të mos e lejonin të fluturonte këtë pilot… Kështu, fluturimi i fundit qe fatal jo vetëm për të…

 

Cilat ishin këto gabime të mëparshme të pilotit Jazo?

Një rast është ai që ndodhi në aerodromin e Tiranës, kohë në të cilën piloti Jazo ishte me Jak-18, që është një aeroplan i lehtë. Pasi kreu detyrën nga neglizhenca e pafalshme, në ulje, ai harroi të hapte(të lëshonte) rrotat. Atij iu dha komanda “Hap rrotat” nga drejtuesi i fluturimit, por ai nuk u përgjigj, nuk pohoi “Rrotat u hapën!” Për pasojë, aeroplani u ul me rrota mbyllur. Fatmirësisht, nuk pati tragjedi me pasojë të rëndë, e pilotit Jazo, iu dha vetëm një vërejtje… Pak kohë më pas, pothuaj i njëjti rast ndodhi me të edhe në Shkodër. Përsëri, për neglizhencë të tij, nuk u hapën rrotat.. Përsëri ngjarje e e rëndë, e përsëri vërejtje… Këtu dua të theksoj se dhe rasti i këtij piloti që shkaktoi tragjedi të trefishtë(dy viktima dhe një i gjymtua), mund të mos kishte arritur në këtë bilanc nëse nuk do i krijoheshin privilegje nga eprorët…

 

Më konkretisht?

Nisur nga karakteri i tij, i evidentuar që në shkollim për pilot, po dhe që në hapat e para të profesionit, si bie fjala gjak nxehtësia, konfliktualiteti që ndikojnë në shpërqendrim gjatë pilotimit, ai ndoshta nuk duhej lejuar të fluturonte… Kujtoj një ngjarje tjetër në Regjimentin e reaktivëve… Ka qenë viti 1959 apo 1959, nuk më kujtohet mirë, por piloti Jazo kishte pak kohë që kishte mbaruar dhe ishte emëruar në këtë Regjiment. Avionët ishin në vendqëndrim në gatishmëri, mes tyre dhe një MIG i sapo montuar. Nga kërshëria e profesionit dhe magjia lidhëse e pilotit me aeroplanin, dy pilotë ndodhen në kabinë për të parë nga afër mjetin e ri. Por mes tyre, përkatësisht Refiku piloti Koço Andoni, nuk i hapin vend (radhë) njëri-tjetrit dhe konfliktohen fizikisht. Në sherr e sipër Jazo godet me grushte kolegun… Kolegu rrokulliset nëpër shkallë dhe bie në tokë i gjakosur… Incidenti u vlerësua i rëndë( ngjarje e rrallë kjo mes pilotëve) dhe u analizua në të gjitha hallkat.

 

Çfarë u vendos pas analizës së kësaj ngjarje?

Në atë kohë, komandant i Mbrojtjes Kundër Ajrore(MKA) nga vareshin dhe struktura e avionëve luftarak në fillim, ishte gjenerali Gjin Marku. Kujtoj se gjeneral Marku, rreshtoi gjithë efektivin e pilotëve, specialistëve dhe drejtuesit dhe komunikoi masën e pezullimit të pakufizuar nga fluturimi për pilotin Jazo…

 

Të kthehemi tek tragjedia… Është folur në opinion, por asnjëherë zyrtarisht gjatë viteve të monizmit, se shkak i tragjedisë ku humbën jetën 2 pilotë dhe u gjymtua i treti, ishte ngarkesa e shalqinjve që pilotët kishin marr në avion?

Po, siç u thash më lart, kishte dhe disa shalqinj, që në fakt, nuk kanë qenë në thashë apo arka të fiksuara, por të lënë në gjendje kaotike në mjediset e brendshme të avionit. Kjo ngarkesë, sigurisht që ka ndikuar gjatë nisjes për fluturim, por nuk mendohet të ketë qenë shkaku i vetëm i humbjes së ekuilibrave ajror duke sjellë rënien e aeroplanit në tokë. Humbja e ekuilibrit, ka ardhur kryesisht për shkak të neglizhencës në sistemimin në vendin e duhur të shkallëve e mjeteve të tjera që ka në pajisje avioni luftarak. Për sa i përket publikimit të vërtetave të plota për shkaqet e tragjedive ajrore, në sistemin komunist nuk ishte në praktikë jo vetëm në aviacion, por dhe në fusha të tjera të jetës. Shpesh, tragjeditë në aviacion që merrnin jetë njerëzish, edhe pse kishin shkaqe jo profesionale si miqësitë e pilotëve të veçantë, shoqëritë, lidhjet me funksionarë të shtetit, vazhduan të jenë prezent duke sjellë dhe ngjarje të rënda…

 

Po ceremonia e dy pilotëve të vrarë?

Si të gjitha ceremonitë e tjera, me pjesëmarrje të drejtuesve të Aviacionit, të miqve e të afërmve, cilësimi “Rënie në krye të detyrës” e dhimbje tek ne shokët, familjarë e të afërm…

(Vijon nesër)

 

 NESËR DO TË LEXONI:

-Tragjeditë e pritura në aviacionin Luftarak. Rasti i pilotit (më vonë instruktor) që pas disa avarish të rënda, së fundi u rrëzua me avionin që drejtonte dhe humbi jetën.

-Vendimi i Edip Ohrit për heqjen e lejes së  fluturimit për shkelje të rregullave të fluturimit dhe refuzimi i Komitetit të Partisë për këtë masë ndaj pilotit Toçi.

-Shkaqet e tragjedisë së rëndë ajrore në hapësirat e Laçit ku humbën jetën dy pilotë. 

Kujtim Boriçi June 19, 2013 21:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*