Trajnerët, kërkesë UEFA-s: Të hiqet vlera e golit në fushë kundërshtare!

September 5, 2018 12:48

Trajnerët, kërkesë UEFA-s: Të hiqet vlera e golit në fushë kundërshtare!

 

Në Nion të Zvicrës, u mbajt Forumi i përvitshëm që organizohet nga UEFA, me disa nga trajnerët më të mirë në botë që morën pjesë.

Nuk munguan Carlo Ancelotti, Max Allegri, Julen Lopetegui, Jose Mourinho, Diego Simeone dhe Arsene Ëenger.

Pika e parë e diskutimit ishte goli në transfertë për ndeshjet me eleminim direkt.

Të gjithë trajnerët duket se ishin dakord për faktin se nuk është e drejtë, që goli në transfertë të vlejë dhe në pjesët shtesë.

Për shembull: Nëse në gjysmëfinalet e Champions, ku bëhen 2 ndeshje, e të dyja mbarojnë me rezultatin 2-1, me rregullin aktual ndeshja shkon normalisht në pjesë shtesë. Nëse secila skuadër shënon nga një gol në shtesë, goli i shënuar në transfertë ka më shumë vlerë, e rrjedhimisht ekipi mik kualifikohet për më tej nëse rezultati nuk ndryshon. Për trajnerët kjo nuk është e drejtë. Madje, disa trajnerë mendojnë se vlera e dyfishtë që ka goli në transfertë duhet anuluar krejtësisht.

“Trajnerët mendojnë që shënimi i një goli në fushën kundërshtare nuk është më aq i vështirë sa ç’ka qenë në të shkuarën”, tha zëvendës sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Giorgio Marchetti, pas takimit të zhvilluar në Zvicër. “Ata mendojnë që ky rregull duhet të rishikohet dhe do ta bëjmë këtë”.

Rregulli i golit në fushën kundërshtare u vendos për herë të parë në Kupën e Kupave të vitit 1965, si zgjidhje më e mirë se sa përcaktimi i skuadrës fituese me short apo me përsëritje të ndeshjes.

Por trajnerët mendojnë se tani ky rregull nuk e bën më argëtues futbollin, pasi skuadrat pritëse mendojnë më tepër për t’u mbrojtur për të mos pësuar gol në fushën e tyre.

Një tjetër ide është ajo e zëvendësimit të pestë, që mund të prezantohet në ndeshjet me eleminim direkt.

Para pak kohësh u prezantua zëvendësimi i katërt, i cili mund të kryhet vetëm në pjesët shtesë, siç u pa dhe në Botëror. Ka njerëz që mendojnë se zëvendësimi i pestë mund të ishte shumë i vlefshëm, por aktualisht është vetëm një ide.

Pika e radhës e diskutimit, ku edhe këtu të gjithë trajnerët ishin dakord, ishte një datë e vetme për mbylljen e merkatos, për të gjitha klubet në Evropë. Këtë verë, për shembull, në Shqipëri apo dhe në disa kampionate të tjera evropiane merkatoja u mbyll me 31 gusht, në Itali me 17 gusht apo në Angli me 10 gusht.

Mbetet për tu parë nëse UEFA do të nisë diskutimet për të bërë ndryshime të caktuara, apo do të presë edhe pak kohë.

a.s/dita

September 5, 2018 12:48
Komento

1 Koment

  1. MH September 5, 14:25

    Pse mos te bahet ndrimi i lojtarit ne futboll sic bahet ne lojen e Basketbollit.Si dhe kthimi i topit ne loje nga vija anesore te bahet me goditje te topit me kembe,sic bahet ne basketboll me dore.
    Nga vete lloji i lojes.Basketboll ku cdo here topi perpunohet nga dora.Futboll ne analogji me Bsketbollin topi duhet te perpunohet nga kemba.Me kete te drejte loja e futbollit do bahet ma interresante dhe ka mundesi ma me shume gola.Ketu doshifet vertet aftesia e lojes mbrojtjes pse jo dhe e lojes se sulmit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*