Trajtimi i hemorroideve

Pranvera Kola September 19, 2016 09:37

Trajtimi i hemorroideve

Ndër shqetësimet e shpeshta shëndetësore nga të cilat preken pothuajse të gjitha grupmoshat janë edhe hemorroidet, ose gjendja shëndetësore, e cila në gjuhën popullore njihet si majasëlli. Krahas përdorimit të medikamenteve dhe mjekimeve lokale të përshkruara nga mjeku specialist, rol vendimtar në trajtimin e tyre dhe lehtësimin e dhimbjeve luan dieta ushqimore. Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita” se pacientët që vuajnë më shpesh nga ky problem shëndetësor duhet të orientohen më shumë drejt dietave të pasura me fibra. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar këshillat që duhet të ndiqni për të trajtuar sa më herët hemorroidet.

Çfarë janë hemorroidet?

Hemorroidet janë fryrje të enëve të gjakut (venave) në zorrën e trashë. Venat hemorroidale janë të vendosura në zonën më të ulët të zorrës së trashë (rektumit), vetëm pak mbi anusin. Nganjëherë ato bymehen dhe fryhen aq shumë, saqë dalin në hapësirën (lumenin) e zorrës, ku kalojnë edhe feçet. Hemorroidet klasifikohen në dy kategori: të brendshme dhe të jashtme. Hemorroidet e brendshme janë të vendosura pak me sipër, në pjesën e brendshme të rektumit dhe nuk duken. Ato zakonisht janë pa dhimbje dhe e bëhen të dukshme në prani të gjakderdhjes nëpërmjet lëvizjes së zorrëve. Në raste të caktuara mund të fryhen dhe të prolabojnë (rrëshkasin) edhe jashtë anusit. Nëse shtyhen butësisht, jo rrallë mund të shkojnë në vend. Hemorroidet e jashtme janë të vendosura nën lëkurën që rrethon anusin (në nivel më të ulët së hemorroidet e brendshme). Ato mund të dallohen kur bymehen dhe fryhen dhe mund të shkaktojnë kruarje, dhimbje, djegie, ose gjakderdhje gjatë lëvizjes së zorrëve. Ka edhe shumë raste në të cilat gjaku i venave hemorroidale mund të mpikset dhe të formojë trombe, duke i bërë ato shumë të dhimbshme. Kur venat trombozohen, ato mund të duken të frikshme, me ngjyrë vjollcë të errët, të dhimbshme dhe mund të rrjedhin gjak. Pavarësisht nga pamja e  tyre e frikshme, hemorroidet e trombozuara nuk janë serioze, edhe pse janë shumë të dhimbshme. Brenda disa javëve mund të absorbohen vetë. Nëse dhimbja në këtë rast bëhet e padurueshme, atëherë mjeku specialist mund të heqë masën e trombozuar nga vena hemorroidale dhe dhimbja kështu do të qetësohet.

Kush rrezikon më tepër nga hemorroidet?

Hemorroidet mund të ndodhin tek të gjithë, si tek burrat, ashtu edhe tek gratë. Ndërkohë sa i takon moshës, rastet klinike tregojnë se shfaqen kryesisht midis moshës 40 dhe 65 vjeç. Ndërsa në rreth 4 për qind të popullatës së përgjithshme ato mund të bëhen shkak për problem të rënda shëndetësore. Ndaj është e nevojshme që në asnjë rast të mos neglizhohet trajtimi i tyre.

Çfarë i shkakton hemorroidet?

Nuk është se ka të dhëna të qarta, por mendohet se presioni ekstrem i barkut shkakton zgjerimin dhe fryrjen e venave, duke bllokuar rrjedhjen e gjakut nëpër to. Rritja e presionit mund të shkaktohet nga obeziteti, shtatzania, qëndrimet e gjata në këmbë, ose ulur (me këmbë të varura), lodhja në tualet, kollitja, teshtitja, të vjellat, apo edhe lodhja e madhe në punët fizike. Ndikim masiv në formimin dhe trajtimin e tyre ka edhe ushqimi.

Konkretisht, si ndikon ushqimi në shfaqjen e hemorroideve?

Ushqimi besohet të ketë një rol të rëndësishëm në trajtimin dhe parandalimin e hemorroideve. Njerëzit që zakonisht përdorin një dietë të lartë me fibra kanë më pak gjasa për të pasur hemorroide, ndërsa ata që përdorin një dietë të pasur me ushqime të përpunuara janë në rrezik të lartë. Një dietë e varfër me fibra mund të shkaktojë kapsllëk, i cili acaron shumë hemorroidet.

Cilat janë simptomat që tregojnë se kemi të bëjmë me këtë sëmundje?

Simptoma më e shpeshtë e hemorroideve është gjakderdhja e padhimbshme pas lëvizjes së zorrëve. Por, gjakderdhja mund të jetë edhe shenjë e sëmundjeve inflamatore (infeksioneve) të zorrës, tumoreve, prandaj kërkohet një ekzaminim i kujdesshëm i pacientit nga ana e mjekut, për të vendosur diagnozën e saktë. Hemorroidet e jashtme mund të ndihen si bulëza në anus, ose si gungëza kur janë të trombozuara. Ato mund të jenë të mëdha, saqë mund të irritojnë anusin dhe të vështirësojnë higjienën në atë zonë. Në shumicën e rasteve ato identifikohen nga vetë pacientët. Megjithatë, në bazë të një ekzaminimi të kujdesshëm mjeku bën diagnozën diferenciale me fisurat anale, fistulat, sëmundje të lëkurës, infeksione të ndryshme, si edhe tumoret. Ndërsa në rastin e hemorroideve të brendshme, ato diagnostikohen lehtë kur rrëshqasin jashtë anusit, ndërsa kur janë më lart bëhen me anë të një aparati që quhet anoskop.

Si trajtohen hemorroidet?

Natyrisht që mjeku specialist pas ekzaminimeve të nevojshme do të përcaktojë mjekimin lokal dhe të përgjithshëm që duhet të ndjekë pacienti. Sa i takon trajtimeve mjekësore duhet të bëhet shumë kujdes, që përdorimi i tyre të bëhet vetëm me rekomandimin e mjekut specialist, si dhe jo të merren vetë nëpër farmaci pa u vendosur më parë diagnoza e saktë. Gjithashtu mjaft e rëndësishme në lehtësimin e simptomave është edhe dieta që duhet të ndjekim gjatë përditshmërisë. Regjimi ushqimor mbetet mjaft i rendësishëm për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Për pacientët që vuajnë nga hemorroidet rekomandohet që të përdorin sa më shumë fibra në dietën e tyre, kjo me qëllim për të zbutur konsistencën e feçeve. Fibrat janë të pranishme në shumë ushqime, si për shembull tek fruta të freskëta dhe të thata, perimet dhe drithërat. Në përgjithësi, rekomandohet 20 deri 30 gram fibra në ditë. Gjithashtu duhet shtuar edhe sasia e lëngjeve gjatë ditës (edhe thjesht ujë) për të zbutur konsistencën e feçeve. Lëngjet duhen shpërndarë gjatë gjithë ditës (shpesh dhe nga pak) për të mos mbingarkuar punën e veshkave, apo situatat e tensionit të lartë. Ndihmojnë edhe banjat me ujë të vakët (3 deri 4 herë në ditë në pozicionin ulur galic) për të zvogëluar inflamacionin e hemorroideve. Pas banjove duhet të thaheni mirë, sepse lagështira acaron lëkurën përreth anusit. Përveç trajtimeve medikamentoze dhe dietetike mund të lindi nevoja (gjithmonë në varësi të situatës individuale) edhe për trajtime të tjera siç janë skleroterapia, koagulimi dhe kirurgjia.

Si mund të parandalohet ky problem?

Mënyra më e mirë për parandalim është ruajtja e butësisë së feçeve, në mënyrë që ato të kalojnë lehtë nëpër zorrën e trashë dhe pa lodhje. Ushqimi i pasur me fibra dhe i lëngshëm (6 deri në 8 gota ujë në ditë) mund të ndihmojë në zvogëlimin e kapsllëkut, duke zvogëluar mundësinë e formimit të hemorroideve të reja. Kujdes duhet të bëni me përdorimin e barnave laksative (që zakonisht i marrim direkt në farmaci). Ato vërtet mund ta zgjidhin për momentin konstipacionin, por ato e mësojnë zorrën dembele dhe e thellojnë më vonë konstipacionin. Prandaj duhet të këshilloheni me mjekun tuaj, i cili bën zgjedhjen e duhur sipas rastit, si dhe në bazë të ekzaminimeve përkatëse.

Pranvera Kola September 19, 2016 09:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*