TransAtlantic njofton shitjen te një kompani “fantazmë”; Albpetrol: Nuk e miratojmë po nuk u shlyen detyrimet

March 4, 2016 19:38

TransAtlantic njofton shitjen te një kompani “fantazmë”; Albpetrol: Nuk e miratojmë po nuk u shlyen detyrimet

Kompania turke e naftës, Transatlantik Petroleum Ltd njoftoi sot shitjen e operacioneve në Shqipëri tek GBC Oil Company Ltd.

Sipas njoftimit, shitja tek GBC Oil është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh.

As në njoftimin e shitjes dhe as në internet nuk mund të gjenden të dhëna për blerësin, GBC Oil Company.

Ndërkohë burime zyrtare nga kompania shtetërore e prodhimit të naftës Albpetrol, që menaxhon kontratën koncesionare me Transatlantic Petroleum pohuan se ata nuk kanë informacion zyrtar për transaksionin dhe nuk kanë dijeni për blerësin. Burimet shtuan se ata nuk e miratojnë transaksionin në rast se nuk plotësohen dy kushte:

-Së pari, kompania duhet të shlyejë borxhet. Aktualisht ajo ka detyrime ndaj Albpetrol që arrijnë në rreth 10 milionë dollarë. Pavarësisht se në kontratë blerësi merr përsipër të shlyejë detyrimet, burimet nga Albpetrol thanë se nëse nuk nënshkruhet një plan pagesash, ka shumë mundësi që detyrimet të mos shlyhen, siç ka ndodhur dhe në të kaluarën me blerësit e mëparshëm, apo me azerët e ARMO.

-Së dyti, blerësi duhet të jetë një kompani me eksperiencë.
Miratimi i transaksionit bëhet nga tre palë, Albpetrol, Ministria e Industrisë dhe AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve natyrore).

Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 millionë dollarë të lidhura me të tek Delvina Gas Company Ltd. (“DelvinaCo”), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic.

Transatlantic Petroleum hyri në tregun shqiptar në fund të vitit 2014, kur bleu Stream Oil, e cila shfrytëzonte 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës, në bazë të një kontrate koncesionare 25-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje 5-vjeçare.
Në nëntor të vitit të kaluar, Transatlantic Petroleum njoftoi se kishte nxjerrë në shitje degën në Shqipëri.

Për shkak të problemeve të mëdha financiare që ishin bashkudhëtare të aktivitetit të TransAtlantik në Shqipëri që nga dita e parë e ardhjes së tyre, ata i kushtuan pak vëmendje faktit të përmirësimit të parametrave nxjerrës të vendburimeve që ajo dispononte në Marrëveshje.

Kjo u reflektua dhe në uljen e kapacitetit nxjerrës. Volumet mujore të prodhimit të fushave, në momentin që kompania mëmë nxori në shitje asetet e saj në Shqipëri, mësohet se ranë ndjeshëm.

March 4, 2016 19:38
Komento

1 Koment

  1. Guri March 4, 20:25

    Keto jane pune hajdutesh. Populli fle, prandaj mire t’i behet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*