Transformohet i gjithë blloku i banimit nga Alliasi deri në Bregun e Lumit

August 24, 2018 13:38

Transformohet i gjithë blloku i banimit nga Alliasi deri në Bregun e Lumit

Deri para pak muajsh e gjithë zona përreth rrugës “Njazi Meka” në Njësinë nr.4 konsiderohej si një lagje e dorës së dytë, pasi mungonte infrastruktura urbane dhe ajo e ofrimit të shërbimeve. Sot e gjithë kjo zonë ka jo vetëm çerdhe, kopshte, shkolla e mensa sociale që ofrojnë të gjitha standardet, por edhe një mobilim urban nga më të mirët në Tiranë.

Bashkia e Tiranës është duke përfunduar punimet për rikualifikimin urban të të gjithë kësaj lagje që shtrihet në një sipërfaqe prej 58 hektarësh dhe ku përfshihen 35 segmente rrugore dhe sheshe. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputetit, Sadri Abazi, inspektoi punimet që po kryhen, ndërsa theksoi se ndryshimi në këtë pjesë të Tiranës është i madh.

“Megjithëse është një vapë jashtëzakonshme, i jashtëzakonshëm është mundi i atyre që po punojnë për të sjellë Tiranën në terezi, përpara se njerëzit të kthehen nga pushimet. Jemi sërish në njësinë 4, një njësi e cila për faktin që ishte pjesë e Bregut të Lumit, për faktin që kishte shumë zona informale, konsiderohej një llaf i pistë në Tiranë. Sot e kemi ndryshuar këtë realitet. Bregu i Lumit jo vetëm është sinonim i shkollave, kopshteve, çerdheve të reja por i shumë prej blloqeve që po transformohen dhe mesazhi që duam të japim, nuk ka rëndësi nëse je kuksian, apo nëse je sarandiot; nëse je dibran apo përmetar. Kush jeton në Tiranë do trajtohet si kryeqytetas”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai u shpreh se ky është një premtim i mbajtur dhe se tashmë me këtë investim kuptimi negativ i emërtimit “Bregu i Lumit” nuk vlen më. “Më vjen mirë sot që një lagje e cila ka banorë që në 30 vitet e fundit kanë ardhur për të kërkuar një jetë më të mirë në Tiranë, sot realisht kanë marrë jetën që kanë kërkuar. Pra duke vënë këtë infrastrukturë, me rrugët, me trotuaret për fëmijët, me ndriçimin, me ujësjellësin e gjithë kanalizimet, kemi sjellë realisht të njëjtin standard tek Bregu i Lumit, që është edhe në lagjet e tjera të Tiranës. Sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë. Sot kemi prekur 5 blloqe masive, 32 rrugë. Ka plot të tjera për të bërë por më vjen mirë që e kemi mbajtur këtë premtim, ende pa mbaruar mandatin në Bashki. Kemi qenë këtu dhe e kemi premtuar këtë bllok në fushatë dhe pas 3 vitesh, lagjja nuk dallohet më”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se investimi i ka rritur gjitha vlerën pronave në këtë zonë, ndërsa falënderoi banorët për bashkëpunimin që kanë treguar për ti hapur rrugë një projekti me të gjitha standardet. “Sigurisht, kur erdhëm në fillim, njerëzit ankoheshin për infrastrukturën përreth shtëpive, sot krenohen për infrastrukturën përreth vilave.

Janë të njëjtat ndërtesa po ndryshoi fjala nga shtëpi në vilë, për faktin që edhe ulja e mureve, edhe estetika, edhe lejimi i trotuarit, një bashkëpunim model. Dua të falenderoj nga zemra qytetarët model të njësisë 4, administratorin dhe deputetin që i kanë qëndruar në kokë deri në detaje projektit dhe besoj që sot, me rritjen e vlerës së pronës, me aksesin më të shpejtë për shërbime në Tiranë, me siguri më të madhe për fëmijët që shkojnë në shkollë, kemi rritur ndjeshëm dinjitetin e atyre qytetarëve që kanë ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, për të krijuar një minimrekulli në njësinë 4, në Tiranë”, nënvizoi kryetari i bashkisë.

Ndërsa deputeti Sadri Abazi falënderoi Bashkinë e Tiranës që bëri të mundur një transformim kaq të madh dhe që para tre vitesh as që mund të mendohej se do të ndodhte.

“Tre vite më parë bashkë me Erion Veliajn e shëtitëm të gjithë këtë zonë, takuam qindra qytetarë të cilët ishin mosbesues që kjo zonë do të ndryshohej me ardhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës. Sot pas tre vitesh habitemi edhe ne që ishim bashkë me ekipin e Erion Veliajt për këtë punë të jashtëzakonshme dhe për këtë ndërhyrje masive që është bërë në këtë pjesë të Tiranës që kishte emrin Tiranë por që nuk mund të konsiderohej qytet ku jetojnë qytetarë të ndershëm edhe të sjellshëm të kësaj njësie. Ja ku jemi, ja ku janë dhe faktet, ja fjala e mbajtur dhe unë them që në këtë zonë Erion Veliaj do të marr jo vetëm votat e të majtës, por votat e tërë qytetarëve të kësaj njësie për të vazhduar punën e tij në mirë qeverisjen e qytetit të Tiranës”, u shpreh deputeti Sadri Abazi.

Investimet shtrihet në një sipërfaqe prej 58 hektarësh dhe me 35 segmente rrugore dhe sheshe që rehabilitohen. Zona në të cilin shtrihet projekti kufizohet nga rrugët: “Njazi Meka”–“Grigor Prelecev”–“Niko Avrami”–“Spiro Çipi” –“Fitnete  Rexha”–“Myslim Keta”–“ Skënder Vila” dhe Lumi i Tiranës”, shtrihet në pjesën Veri – Lindore të qytetit të Tiranës si pjesë e territorit administrativ të Njësisë Bashkiake Nr. 4.

Edhe në këtë bllok janë aplikuar standardet më të mira me kanalizim të ujërave të bardha, të ujërave të zeza, trotuare, linjat elektro-telefonisë, ndriçimit, muret dekorative rrethuese, muret pritëse, muret mbajtëse.

o.j/dita

August 24, 2018 13:38
Komento

2 Komente

  1. Xha Beqo August 24, 17:09

    Bravo e madhe Erion. Le te lehin qente e blogjeve dhe karanavalet e Babaleve. I dhe Tiranes fytyren e nje qyteti te denje europian. Respekt dhe admirim per kete djale punetor dhe largpames.

    Reply to this comment
    • Fidel August 25, 00:13

      Po more xha Beqo mpo punon lal Eri,por atje ku i intereson duke i trajtuar banoret e Bashkise te ndare ne disa kategori!
      Veliaj nuk ben plane,por deputetet,si sekseret qe kane me shume potence nderhyjne qe ne kete zone te behen 35 rruge,ndersa ne Yzberisht (KMY) me 50 mije banore,me pallate 9-10 kate nuk kane shtruar as nje meter rruge,ku nuk ka asnje cerdhe,asnje kopesht,asnje shkolle,asnje kend lojrash,asnje lulishte etj,etj!
      Ku e gjen Veliaj gjithe kete urrejtje te madhe qe i diskriminon banoret e Yzberishit ne menyren me kriminale dhe Rama hesht?
      Pse disa zona i mbulon me miliona,ndersa te tjerat nuk ngul nje gozhde?
      Jane 5 mije femije pa asnje cerdhe e kopesht,qe tregojne fytyren e vertete prej te pa afti dhe reklamazhiu te Veliajt dhe Rames bashke!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*