Trashëgimia e pashterur e Edith Durhamit

Xhevat Lloshi November 19, 2014 17:07

Trashëgimia e pashterur e Edith Durhamit

Jeta e E. Durhamit tashmë është pak a shumë e njohur prej shqiptarëve jo vetëm se për të është shkruar shqip nga historianë, studiues e publicistë, por edhe sepse emri i saj ndodhet në gojën e tyre përditë, në emrat e rrugëve e të shkollave, domethënë banorët e lagjes dhe nxënësit e shkollës e përmendin pareshtur. Prandaj në këtë përvjetor është e mjaftueshme të rithuhen vetëm disa data, që shënojnë pikat e meritueshme të rrjedhës së asaj jete aq të përkushtuar për popullin tonë.

Kishte lindur më 1863 në Londrën e veriut, ku nga një përkim fatparathënës, banorët ruanin ende disa dukuri etnologjike të afërta me malësorët shqiptarë. Ishte e para në një familje të madhe me tetë fëmijë dhe, kur gjithë të tjerët u bënë të shkolluar e të njohur në fushat e tyre, ajo mbeti pranë nënës së vet invalide. Kishte studiuar për pikturë dhe ilustroi një vëllim të Historisë natyrore të Kembrixhit, por pati një jetë me rrjedhë monotone derisa mbushi 37 vjeç. Vendosi të ndërmerrte një udhëtim në Dalmaci. Me aq sa kemi arritur të mësojmë nga dorëshkrimet e saj, të parin shqiptar ajo e ka takuar më 5 shtator 1900 në Kotorr të Malit të Zi, ndërsa më 10 shtator në Podgoricë përshkruan fustanellën shqiptare. Pasi mësoi serbishten, udhëtimin e dytë e bëri në Kotorr në prill 1901 dhe e vijoi deri në Prizren e Ferizaj, Dibër dhe Orosh, por në Shkodër qëndroi vetëm një ditë. Më 1902 erdhi përsëri në Shkodër dhe mbeti e mahnitur nga pritja që i bënë me trëndafila e kafe dhe i treguan për gjithë mjeshtëritë e pazarit, nga filigrani e deri tek armët. Ajo u prek thellë dhe që nga ajo kohë mbeti e magjepsur, e pasionuar pa kufi për këta njerëz me pasuri jo në ar e në prona, por në zemër e në traditat e tyre të lashta, në kostumet e në mikpritjen e çiltër.

 

Durham dhe Ballkani

Po atë vit përshkoi Serbinë dhe mblodhi lëndën për librin e parë “Përmes viseve serbe”, që e botoi më 1904. Me guximin e saj, që e bëri të cilësohej si “njeriu që e sheh vdekjen në sy”, ajo shkoi për të ndihmuar Kryengritjen maqedone të vitit 1903, ndërsa prej andej ndërmori udhëtimin tjetër në Shqipëri, tashmë nga jugu drejt veriut. Rravgimet dhe përvojat kësaj radhe i dhanë burimin për librin “Brenga e Ballkanit”, të botuar më 1905. Por fakti më domethënës është se këtë radhë ajo pati shoqërues një intelektual shqiptar, K. Sinën, librashitësin e Shoqërisë Biblike, dhe kështu iu zbulua një faqe tjetër e realitetit shqiptar: U njoh me shtresën e shkolluar të shqiptarëve, si edhe me ngritjen e lëvizjes sonë kombëtare. Ajo u shndërrua jo vetëm në një përkrahëse të përparimit kombëtar të shqiptarëve, por edhe në një pjesëmarrëse aktive në përpjekjet e tyre për fitoren e pavarësisë, që do të arrihej pak vite më vonë.

Ndërkaq, nuk duhet heshtur që Durhami e njohu nga afër me syrin e studiueses edhe jetën e popujve të tjerë të Ballkanit dhe gjatë rrugëtimeve të saj, që do t’i quaja ekspedita të mirëfillta studimore, mblodhi materiale, me të cilat hartoi librin “Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit” (1928).

Blloku i saj i tretë i Ditarit me shënime tërësisht për Shqipërinë i përket vitit 1908 dhe pastaj deri në korrik 1914 ajo ka bërë udhëtimet e saj të jashtëzakonshme, që i dhanë lëndën për librat e tjerë kushtuar tërësisht shqiptarëve. Studiuesit e kanë quajtur librin e saj më të shkëlqyer pikërisht atë të botuar më 1909 me titullin “Shqipëria e Epërme”. Ishte këtë radhë, kur malësorët e Shqipërisë së Veriut e njohën nga afër, që ata e mbiquajtën “mbretëresha e pakurorëzuar e malësorëve”. Pa i mbyllur sytë përpara mjerimit të skajshëm, paditurisë së thellë dhe egërsisë së disa zakoneve të prapambetura, ajo rrëfen me një ekzaltim të dehur për gjithçka, madje në kuptimin edhe konkret të dehjes, sepse ulej me burrat e pinte raki bashkë me ta. Ajo nuk mund të pajtohej me frymën e gjakmarrjes vëllavrasëse, por ndërkaq e dinte se po aty ndërthurej besa e burrit.

U sëmur gjatë atyre mundimeve të papërshkrueshme të endjeve nëpër Ballkan dhe dimrin e vitit 1910 e kaloi në Egjipt. Madje edhe pa e marrë veten plotësisht, u rikthye në Shqipërinë kryengritëse, ku tashmë nuk ishte koha për antropologji, por për përleshje të ashpra me sunduesit osmanë, pavarësisht prej demagogjisë xhonturke. Luftëtarët shqiptarë i kërkonin të njoftonte opinionin britanik me vërtetësi për gjithçka po ndodhte, sepse ata kishin besim që fjala e saj kishte forcë magjike. Dhe njëkohësisht ajo shpenzonte të hollat e veta për të ndihmuar muhaxhirët, të cilët ne sot i quajmë refugjatë. Pasuan luftërat ballkanike dhe ajo nuk ngurroi të zbriste deri në Vlorë për të ndihmuar muhaxhirët nga përndjekjet e shovinistëve grekë. Të gjitha ngjarjet historike të kohës, bashkë me qëndrimet ndaj figurave si Princ Vidi dhe Esat Toptani, ajo i ka përmbledhur në librin “Lufta për Shkodrën” (1914). Dhe vetëm shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e detyroi të kthehej në Angli.

Blloku me numrin 13 i Ditarit të saj me titullin “Shqipëria 1914, qershor deri në korrik” përfundon me fjalinë: “Ditari im i fundit për Shqipërinë. Ah, sa keq!” Pak nga pak përjetimet e saj, duke qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e kasaphanave botërore, e bënë të mbante qëndrim pacifist. Me këtë shpjegohet titulli i librit të saj “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” (1920) jo sepse nuk e çmonte luftën për pavarësi, por sepse shihte që aty ngatërroheshin interesat e fuqive të huaja në kurriz të interesave historike të popujve të robëruar.

Durhami gjeti qëllimin e jetës së vet te paraqitja antropologjike e popullit shqiptar, por edhe te mbrojtja e të drejtave dhe të vlerave të tij. Udhëtimin e fundit te ne ajo e ndërmori më 1921. E pa qartë se Shqipëria e përjetimeve të saj nuk ekzistonte më, por ndërkaq shqiptarët e pritën jo thjesht me mikpritjen e zakonshme, por me nderimin më të lartë dhe me mirënjohjen më të thellë. Në maj 1921 mbyllet Ditari i saj për Ballkanin. Por nuk shuhet interesimi i saj për këtë trevë aq të turbulluar dhe, pas kërkimesh këmbëngulëse për të zbërthyer të vërtetën e shkasit që u gjet për të shpërthyer Luftën I Botërore, botoi më 1925 librin “Krimi i Sarajevës”, i cili është më pak i njohur prej lexuesit shqiptar ndër shtatë librat e saj.

 

Durham dhe shqiptarët

Tashmë në moshën mbi gjashtëdhjetë vjeç ajo nuk mund ta vizitonte më pas si dikur Shqipërinë, por interesimi i saj nuk u zbeh asnjëherë. Që më 1918 ishte pranuar si sekretare nderi e Shoqatës Angli-Shqipëri, të themeluar nga një tjetër dashamirës i paharruar i popullit tonë, Aubrey Herberti. Ajo ishte në anën e Fan Nolit më 1924 dhe nuk e mirëpriti shndërrimin e vendit në mbretëri në atë mënyrë të parregullt kundrejt praktikës botërore. Foreign Office-i britanik, ndonëse nuk pajtohej gjithnjë me pikëpamjet e saj, shpesh i drejtohej për çështjet ballkanike. Ajo ishte pika e referimit për gjithë të mërguarit shqiptarë që rastisnin të qëndronin në Angli. Ndërkaq, historia ka gjithashtu paradokset e veta të papritura. Kishte qenë Edithi e prekur thellë nga mjerimi në Shqipërinë e mëparshme, por gjatë Luftës II Botërore qe Britania, e cila u ndodh në një ngushticë të panjohur prej sulmeve ajrore të nazistëve. Tashti ishin anglezët, që vuanin nga privacione të papara. Dhe pikërisht atëherë prej shqiptarëve të Amerikës i erdhi një mbështetje e papritur. Nuk mund të mos citojmë dy radhë prej njërës nga letrat e saj të fundit, drejtuar Fan Nolit (11 shtator 1943): “Ju lutem t’u transmetoni dhuruesve të dashur falënderimet e mia nga zemra jo vetëm për gjërat e mira që më kanë dërguar, por edhe për mendimet e tyre bujare e të mira. Jam shumë e prekur. Kur unë shpërndaja ndihma në Shqipërinë e Veriut më 1913 dhe në Shqipërinë e Jugut më 1914, nuk e mendoja se më vonë do të ishte Shqipëria, e cila do të më ushqente mua”. Një vit e dy muaj më pas, më 15 nëntor 1944 ajo u nda nga jeta, por jo nga kujtesa kombëtare e shqiptarëve.

Edhe vepra e E. Durhamit tashmë është pak a shumë e njohur prej shqiptarëve jo vetëm se ka pasur gjithmonë shqiptarë, që e kanë lexuar prej kohësh në anglishten e origjinalit, por edhe sepse është përkthyer hap pas hapi në fillim me ndonjë libër, më 1990 me një përmbledhje të gjerë që kemi përzgjedhur dhe përkthyer prej gjashtë librave të saj, të ribotuar disa herë, dhe tashmë së shpejti do të arrihet të dalin prej një botuesi dhjetë vëllime si vepër e plotë shqip.

Ndërkaq, është e domosdoshme të vihet në dukje, se vepra e saj sot ka nevojë të lexohet në një mënyrë të re. Nuk ka dyshim se kemi punime të gjera për shumë nga çështjet historike dhe etnologjike, që ka dokumentuar dhe trajtuar Durhami, si dhe kujtime të bashkëkohësve të saj. Natyrisht, në mjaft raste botimeve të saj u janë drejtuar dhe do të vijojnë t’u drejtohen si burime parësore studiuesit tanë. Por tashmë është e domosdoshme që të bëhen shqyrtime të hollësishme dhe krahasime ndërmjet asaj çka është arritur pas kaq vjetësh te ne dhe asaj që ka dokumentuar dhe trajtuar si etnologe e historiane ajo. Nuk ka dyshim se një rilexim i tillë do të nxjerrë në dritë më mirë vlerat e punës së saj dhe do të provojë se trashëgimia e mendimit të saj ende nuk është shteruar.

Nga ana tjetër, ka ende faqe të punës së saj që nuk njihen mirë ose as që nuk njihen prej kërkuesve tanë të sotëm. Do të përmendnim këtu polemikat e saj të mprehta për çështjet ballkanike në shtypin e disa vendeve, ku ajo ka mbajtur qëndrime të prera për disa pika, të cilat kanë mbetur aktuale edhe sot në mbrojtjen e çështjes shqiptare kundrejt studiuesve me prirje antishqiptare. Ose nuk njihet një libër me autore Laura E. Start dhe me shënime të E. Durhamit për Koleksionin Durham të veshjeve dhe qëndismave nga Shqipëria e Jugosllavia, botuar në Halifax më 1939. Koleksioni i qe falur Muzeut të Bankfildit nga E.Durhami, ndërsa në libër përshkrimet shoqërohen me skica të autores dhe me dy vizatime e shënime të Durhamit. Nën ndikimin e saj, Laura Starti në fund vë në dukje, se veshjet e Shqipërisë, “me gjedhet e holla të gajtanëve, të punuara prej rrobaqepësve shqiptarë, si nga bukuria e dizajnit, ashtu dhe nga mjeshtëria e punës së dorës janë të pakapërcyeshme në ndonjë vend tjetër”. Është detyra jonë ta përkthejmë e ta botojmë këtë libër. Nuk mundemi të mos përmendim, se më 1923, në numrin 23 të revistës “Man”, është nxjerrë në dukje që madje përpara albanologut të madh, N. Joklit, ajo “vërejti se në shqipen dhe në sllavishten jugore janë shumë të shpeshtë emrat e viseve nga emra bimësh”.

Së fundi, kanë mbetur pa u shfrytëzuar të dhënat prej Ditareve të saj. Kur ishim për kërkime arkivore në Londër më 1972, punuam edhe në arkivin e Institutit Mbretëror Antropologjik. Ajo ka qenë anëtare e atij Instituti që më 1908, më pas anëtare e Këshillit të tij, ndërsa më 1943, me rastin e 80-vjetorit të saj, u bë një mbledhje për t’i shprehur mirënjohjen për shërbimet e mëdha që i kishte sjellë. Por rregullat më 1972 ishin shumë të rrepta dhe mundëm të sillnim pak gjëra të fotokopjuara drejtpërdrejt. Për Ditaret madje nuk lejohej as të kopjohej diçka me dorë. Ngarkuam dikë që të punonte me dorëshkrimet dhe kemi sjellë në Institutin e atëhershëm të Kulturës Popullore shënimet e nxjerra me dorë, në të cilat në pak raste ka citime të drejtpërdrejta. Janë mbi 120 faqe, që nisin pikërisht më 1900. Ndoshta me ndihmën e ambasadës së MB do të bëhej e mundur, që fotokopjet nga Ditaret e E. Durhamit të silleshin për t’i përkthyer dhe për t’i vënë në dispozicion të studiuesve tanë. Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kemi paraqitur atëherë një përshkrim të hollësishëm për fondet e E. Durhamit, të cilat mbeten kështu një drejtim i frytshëm i kërkimeve të ardhshme arkivore për ta zgjeruar njohjen tonë me këtë trashëgimi ende të panjohur.

Figura e E. Durhamit pa dyshim që do të gjente vendin e saj në Fjalorin enciklopedik shqiptar, të botuar më 1985. Artikullin e kanë përgatitur A. Putoja dhe A. Gjergji. Në frymën e kohës, pas vlerësimit të lartë përgjithësisht për këtë mbrojtëse deri në fund të çështjes shqiptare, bëhet edhe një vërejtje për librin e saj Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, se “krahas analizave e vlerësimeve objektive, ka edhe përgjithësime të gabuara, që rrjedhin nga kufizimet e saj ideologjike”. Në ribotimin e vitit 2008 sigurisht që këto radhë do të hiqeshin. Megjithatë, ka mbetur diçka që nuk është ndrequr. Nuk është e vërtetë që ajo “Nga fundi i shek. XIX kaloi shumë vite në udhëtime…”. Siç e treguam më lart, udhëtimet ajo i nisi në fillim të shek. XX. Gjithashtu, ka mbetur konsiderimi se si vepra themelore në fushën e etnografisë është libri Mbi origjinën e disa fiseve… ndërkohë që vetë autorja e ka pranuar, se nuk ishte i plotë, ndërsa studiues të sotëm kanë vënë në dukje trajtimin pak të ngathët, duke nisur nga vetë titulli disi i ngatërruar. Gjithsesi, duket se autorët e zërit enciklopedik nuk e kanë njohur mirë veprën e saj dhe ky është një argument tjetër, se ka vend për hulumtime më të thelluara në trashëgiminë e saj të pashterur.

Edith Durhami ishte një grua me mendje të hapur dhe dinamike, domethënë pa paragjykime, madje përkundrazi, me aftësinë për të evoluar krahas ngjarjeve në ndryshim të vazhdueshëm dhe me shtimin përparues të informacionit. Besojmë se është detyra e kërkuesit ta shqyrtojë këtë evoluim, domethënë edhe ndryshimin e mendimeve e të qëndrimeve të saj, duke iu afruar realitetit dhe pasqyrimit sa më besnik të së vërtetës historike dhe aktuale. Me këtë mënyrë ajo ishte shumë përpara qëndrimeve të ngurtësuara të burokracisë së atëhershme britanike në politikën e jashtme dhe të studiuesve pedantë, prandaj nuk është për t’u habitur, që ajo doli pa drojë kundër tyre, duke i bërë vetes kundërshtarë brenda vendit, por duke fituar përgjithnjë adhurimin e pakushtëzuar të shqiptarëve dhe në ditët e sotme edhe vëmendjen e pashuar të shkencës shqiptare.

Në shekullin XIX ishte Dora d’Istria, me emrin Elena nga dera princore rumune e Gjikajve, që e pati shumë për zemër jo vetëm çështjen e shqiptarëve, por edhe kulturën e tyre, prandaj meritoi gjithë mirënjohjen e tyre. Në shekullin XX ishte Edith Durhami, e cila jo vetëm e pati për zemër çështjen e shqiptarëve, por edhe mori pjesë në disa prej çasteve kur përcaktohej fati i shtetit të tyre, si dhe u interesua për kulturën e tyre, e mbi të gjitha na la punime të mirëfillta shkencore dhe dëshmi materiale për antropologjinë e tyre. Prandaj ajo është pasardhëse e një princeshe në studimet shqiptare, ashtu si edhe e një lordi në shprehjet për vetitë e shqiptarëve, siç ishte bashkatdhetari i saj, Xhorxh Bajroni, një shekull para saj.

Xhevat Lloshi November 19, 2014 17:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*