TRAUMATIKE / Përpiqen të kujtojnë çfarë zanati kishin para pandemisë

April 25, 2020 23:54

TRAUMATIKE / Përpiqen të kujtojnë çfarë zanati kishin para pandemisë

 

 

TIRANË – “Tani që vendi do të hyjë në fazën 2, duhet të bëjmë kujdes të gjithë për të zbatuar distancimin social, edhe pse pak nga pak shqiptarët do kthehen në aktivitetet e tyre të zakonshme, duke filluar nga unë i pari,” tha Edi R. para kamerës së celularit.

Por pastaj ngeci. E fiku regjistrimin video dhe befasisht e kuptoi se diçka nuk shkonte. Nuk i kujtohej se me çfarë merrej para luftës.

“Kujt po ja drejtoj këtë mesazh? Pse pikërisht unë? Kushedi, mbase është e modës që të gjithë t’i çojnë videomesazhe njëri-tjetrit tani. T’i kthehemi jetës normale? Një llaf goje. Çfarë bëja unë më parë?…”

Pas kësaj mërmërime me zë, copëza detajesh filluan t’i riktheheshin turbull në kujtesë. Po po, penelata, bojëra… Një tryezë e shtrenjtë, oxhaku i Adit, fletë A4 të vizatuara çuditshëm, për të cilat njerëzit paguanin qimet e kokës…

“Po për Zotin, pikturist! Po ç’ne këtu në këtë zyrë unë? Po ca ikona të vjetra të mbështjella me copa thasësh të grumbullimit, pse më kujtohen?”

Për të bindur veten se kishte dalë jashtë lëmshit mendor, mori laps e letër.

“Do vizatoj. Jam i sigurt se kam qenë pikturist,” tha me vete.

Por akoma pa u ulur në tavolinë, instinktivisht dora i zuri një top të vogël që e flaku në një kosh basketbolli të vidhosur në murin përballë. Si zakonisht, topi nuk hyri në kosh.

“Jo jo, e dija që s’kisha lidhje me këtë sport. Pikturist dhe pikë,” tha i gëzuar dhe iu kushtua letrës. Por pas dhjetë minutash në përhumbje, pa se nuk ishte duke vizatuar.

Sapo kishte nënshkruar një kontratë për vetëm 225 milionë euro që jepte me konçesion shërbimin e marrjes frymë për 3 milionë shqiptarë!

Edi R. nuk është shqiptari i vetëm që po përjeton një konfuzion serioz mendor këto ditë. Teksa situata e pandemisë së diçkaje që i bën keq shëndetit nëse nuk merren masa, – dhe që e mbron atë nëse merren masa, – vjen duke u lehtësuar, vendi përgatitet me droje t’i rikthehet normalitetit. Por të shumtë janë ata që nuk mbajnë mend me çfarë merreshin para korrikut 2013, kur nisi pandemia.

Sigurisht, Taullah B. beson se nuk është njëri prej tyre.

“Nuk e di pse janë shushatur dynjaja. Mua më kujtohet si tani, i mbaja çantën e shokut Fatos, i çoja kafenë shokut Gramos dhe i ndërroja taketuken shokut Musa. Vetëm një herë jam ngatërruar, kur i mbusha një taketuke me kafe dhe ja çova shokut Petro. Por kaq, të tjerat i mbaj mend shumë mirë,” thotë ai me elokuencë, duke shtuar: “Sa e vështirë mund të jetë?”

***

Lulzim B. e pranon se gjithçka i duket surreale.

“Më duket sikur u zgjova nga një gjumë i gjatë. Pastaj fjeta prapë. U çova, pashë sahatin dhe u ktheva nga ana tjetër. Nuk e di. Më vijnë rrotull ca dokumente të futura në një çantë, një shtëpi e verdhë… Prishtina, Mitrovica… Aeroporti i Rinasit. Rrezik kam qenë i dërguar special i Aeroportit të Rinasit në Aeroportin e Beogradit, ku ta dish! Sa bukur: I dërguar special…”

Befas Lulzim B. nisi të bërtasë:

“Largohu sa je në kohë! Uragani popullor do të fshijë nga faqja e dheut fundërrinat…” dhe vuri dorën në anën e djathtë, ku është zemra, duke kënduar himnin kombëtar. Po u ngjir shpejt dhe i skuqur si nuse e re, papritur gjithçka u kthjellua dhe buzëqeshi: “Pooo. Jam këngëtar!”

***

Qytetari i moshuar Salih B., i pyetur nga i dërguari ynë teksa shijonte rrezet e diellit pensionist në një stol pranë parkut kombëtar të Lalzit, deklaroi:

“Bravo qeveria. Po punon shumë mirë. Pensioni më ka ardhur me zarf. Siç e sheh, nuk kam harruar që jam pensionist. Nuk kam ku të kthehem. Tani jam i vjetër. Kam vite që nuk urdhëroj më vrasje. Tani e ka stafetën brezi i ri. Po më kërkuan këshillë, e jap me gëzim, po unë s’dua të përzihem pa ma kërkuar njeri,” dhe pa orën, “o bobo, ora e ilaçeve”.

Pasi kaloi kokrrat poshtë me dy gllënjka ujë, Salih B. iu rikthye të dërguarit tonë:

“Dhe kështu… Ku e kishim që thua ti? Ah po: Vdekja e zezë, Edvin Mortja, ky kriminel, gjakpirësit e mallkuar bij të etërve të tërbuar për gjak, rrathët e ferrit, monstrat e kuqe, rregjimi i  kasapëveve, këta janë më anti-shqiptarët që ka njohur historia…”

Pastaj pa dhe njëherë orën dhe kërkoi falje: Epo, koha e drekës. E prishim?… Dhe u largua duke u çapitur qetësisht.

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike që nuk bën përjashtim nga vështirësitë e përshtatjes me fazën 2

April 25, 2020 23:54
Komento

7 Komente

  1. gjermani i fundit April 26, 02:28

    ahahaaa, keni mbajtur Liken ne hater. I vinte rrotull presidences dhe thoshte”kush me ka futur ne kete burg”?

    Reply to this comment
  2. Martin April 26, 02:42

    Ama edhe ju gazetare te nderuar, akoma me Doktor Mortjen merreni?!

    Reply to this comment
  3. Gzim Kulufi April 26, 10:16

    Ha-ha-ha, dixhitura me e hatashme e viteve te fundit!
    Kisha per ta blere, por c’e do se ka shume dele te zeza! Le ta bleje ndonje tjeter!

    Reply to this comment
  4. Gzim Kulufi April 26, 10:35

    Ha-ha-ha, nuk e kam majtur dot te qeshuren! Fantastike!

    Reply to this comment
  5. ganiu April 26, 18:50

    Shumë e fort reklama për shitje pronash.

    Reply to this comment
  6. KORÇARI April 27, 08:11

    Hahahahahahahahhaahha PËRSHKRIM MË TË SKATË ZOR SE GJEN.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim