Tre kompromiset e investitorëve të huaj

Nga Emirjon Senja* December 16, 2013 13:23

Tre kompromiset e investitorëve të huaj

Pas kulmit të arritur në vitin 2010, me gati 800 milionë euro, volumi i investimeve të huaja direkte në Shqipëri është tkurrur disi këto dy vitet e fundit për shkaqe, të cilat nuk lidhen domosdoshmërisht me zhvillimet e brendshme.

Investitorët e huaj marrin parasysh shumë elementë për të vendosur nëse do të investojnë apo jo në një vend, siç janë politikat fiskale, legjislacioni për investimet e huaja, infrastruktura, potenciali i zhvillimit etj., por për vende si Shqipëria, vlejnë edhe disa elementë të tjerë shtesë, të cilat mësohen pikërisht në momentin kur fillon investimi. Janë shumë më komplekse, rrallë gjejnë zgjidhje përmes kanaleve formale, përbëjnë kosto shtesë për kompaninë, duke i përballur ato me një realitet tjetër në terren.

Banorët e zonës; Pretendime të pabaza për pronësinë e tokës, presione ndaj bizneseve të caktuara me qëllim detyrimin e kompanisë që të lidhë “pensione” për banorët e zonës apo të punësojë të afërm, oferta me detyrim pranimi nga “të fortët” për marrjen në mbrojtje të investimit/aseteve etj., janë një realitet i përditshëm për një pjesë të mirë të administratorët e kompanive investuese. Vlen pastaj t’i shtojmë kësaj panorame edhe kërcënimet apo goditjet me armë/lendë plasëse, natën apo ditën, të cilat në raste të caktuara janë bërë edhe kryelajm në media.

Në mungesë të një mbështetje të vazhdueshme nga strukturat shtetërore dhe përballë presionit të vazhdueshëm lokal, i cili u rrezikon investimin, kompanitë detyrohen që të bien në kompromis me këto oferta me qëllim blerjen e qetësisë për të vijuar normalisht punën.

Kryetarët e bashkive dhe komunave; Në rolin e administratorit territorial të komunës apo bashkisë, kryetarë të caktuar, kryesisht të njësive administrative të vogla, e ndjejnë veten të plotfuqishëm në të. Madje, për shkak të konjukturave të ndryshme, siç janë përputhjet e interesave financiare apo politike me individë, pjesë të qeverisjes qendrore, ata janë të gatshëm të sfidojnë edhe këtë të fundit për të mbrojtur përfitimet e tyre. Në raste të tilla, kompania e huaj duhet të marrë parasysh kërkesat ose më saktë tekat e kryetarëve.
Tekat fillojnë nga marrja në punë (ose më saktë lidhja e rrogës) të këtij apo atij kushuriri apo militanti partiak, rikonstruksioni i zyrave, ndërtimi i ndonjë njësie shërbimi që më pas kalon direkt nën administrimin e njerëzve të kryetarit e deri tek investimi fiktiv në ndonjë çerdhe apo kopështi, ku qëllimi në fakt janë fondet që kalojnë nga llogaria e kompanisë tek firma e njerëzve të kryetarit. Të gjitha këto, nuk bëhen në kuadër të përgjegjësisë sociale të kompanive, por për një qëllim të vetëm: Blerjen e mbështetjes së kryetarit.

Dëmtimi dhe vjedhja; Një investitor duhet të pranojë edhe faktin se investimi që ai po kryen, për një arsye ose tjetër, do të dëmtohet apo edhe do të vidhet në raste të caktuara. Një kompanie të telekomunikacionit për shembull, i është dashur të shtrojë disa herë kabujt për rrjetin e saj në zonën e Fushë-Krujës dhe Krujës, për shkak se banorë të caktuar këpusnin dhe vidhnin natën metra të tërë tela, të cilët për shkak të ngjyrës së verdhë dhe iu dukeshin si bakër. Të njëjtës kompani i është dashur të vendosë dhe rivendosë disa herë kutitë e saj të shpërndarjes së sinjalit për një qytet të Shqipërisë së mesme, pasi banorë të zonës i shkatërronin ato për të marrë nga aparatet metalet, me qëllim shitjen për skrap. Për të mos vijuar më pas me historitë e ndryshme të vjedhjes së transformatorëve të CEZ Shpërndarjes me qëllim të njëjtë, shitjen për skrap, duke shkaktuar përveç dëmit financiar ndaj kompanisë, edhe lënien pa energji për ditë me radhë të zonave të tëra.

Të gjitha këto, përbëjnë një kosto shtesë për këdo investitor që do të joshet ndoshta edhe me politikat fiskale apo rregullimin e infrastrukturës në vend duke i zgjatur minimumi periudhën e kthimit të investimit apo madje të detyrohet të largohet sërish.

* Pedagog / Universiteti Hëna e Plotë – BEDËR

 

 

 

Nga Emirjon Senja* December 16, 2013 13:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*