Tre leje ndërtimi për HEC-et në lumin e Devollit

Edlira Shehu May 13, 2013 09:44

Tre leje ndërtimi për HEC-et në lumin e Devollit

Shefi i qeverisë, Sali Berisha, ka firmosur lejen e ndërtimit për tre hidrocentralet në lumin Devoll. Për këtë firmosje kryeministri shqiptar ka zgjedhur ta bëjë publike në facebook. Punimet për ndërtimin e këtyre veprave pritet të nisin gjatë ditëve në vijim, duke filluar me hidrocentralin e Banjës. Vlera totale e investimit pritet të shkojë diçka më shumë se 800 milionë euro, duke e bërë këtë vepër investimin e huaj më të madh në Shqipëri. Hidrocentralet do të prodhojnë energji elektrike të rinovueshme 800 GWh në vit, me një kapacitet prej 280 megavat të instaluar, një sasi e konsiderushme kjo që pritet të mbulojë një pjesë të mirë të kërkesave të vendit për konsum, duke reduktuar ndjeshëm importet e energjisë me kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Sasia totale e energjisë që do të prodhojnë këto HEC-e është sa 1/6 e konsumit vjetor aktual të Shqipërisë. Tre hidrocentralet në kaskadën e lumit Devoll do të ndërtohen nga kompania norvegjeze Statkraft. Disa ditë më parë, kjo kompani bleu pjesën e aksioneve të kompanisë austriake EVN për ndërtimin e tre veprave energjetike, duke i konsideruar investimet e saj në Shqipëri me marzh të lartë fitimi. Hidrocentrali i Banjës, i pari nga hidrocentralet që do të ndërtohen mbi strukturat ekzistuese të papërfunduara do të ketë një lartësi dige prej rreth 80 metrash. Liqeni do të ketë një sipërfaqe prej rreth 14 kilometër katror. Kapaciteti i instaluar i HEC Banjë do të jetë rreth 65 MW. HEC Kokël është hidrocentrali i mesëm i projektit.  Centrali do të vendoset në kanionin e ngushtë në mes të Luginës së Devollit. Hidrocentrali më i vogël i kaskadës së Devollit do të përbëhet nga një digë me lartësi prej rreth 55 metrash. Kapaciteti i instaluar i këtij hidrocentrali do të jetë rreth 40 MË. HEC Moglicë është hidrocentrali më i madh i Projektit Hidroenergjetik të Devollit. Lartësia e planifikuar e digës së Moglicës është 150 m dhe është planifikuar si digë me bërthamë asfalti dhe mbushje material vendi. Kjo digë do të jetë më e larta e llojit të vet në Europë. Uji do të devijohet me anë të një tuneli devijimi prej rreth 10 km për tek Centrali i prodhimit të energjisë i cili do të ndodhet në brendësi të malit. Kapaciteti i instaluar do jetë rreth 175 MW. Liqeni i krijuar do të ketë një sipërfaqe prej 7.2 km katror.

Edlira Shehu May 13, 2013 09:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*