“Tre rrëfime nga takimi me xha Janin, nipin e Fan Nolit”

April 29, 2018 13:25

“Tre rrëfime nga takimi me xha Janin, nipin e Fan Nolit”

 

Prof. Nasho Jorgaqi

Një ditë vjeshte tek rrinim buzë kufirit, në verandën e doganës sonë dhe prisnim nipin e Fan Nolit me të birin, nuk më hiqej nga mendja një paradoks i jetës së mërgimtarit tonë të përjetshëm. Sado i çuditshëm që të duket, po është fakt se Noli ka qenë, ndoshta, i vetmi nga rilindasit e shquar, që nuk kishte të afërm dhe farefis në atdhe.

Madje, s’e kishte këtu as vendlindjen dhe, kur u vendos në Shqipëri në vitet ’20, qyteti i Korçës e shpalli qytetar nderi. Megjithatë, Noli nuk e kishte harruar prejardhjen e të parëve të tij, ai do ta mbante veten nga Qyteza, një fshat i vockël i krahinës së Kolonjës.

Ne tani kishim dalë të prisnim të parët njerëz nga rrethi i afërm i Nolit dhe kjo gjë na emociononte. Është gjithnjë një pamje e dhimbshme të shohësh mërgimtarët kur kalojnë kufirin dhe çapiten nëpër tokën amtare.

Duket sikur lëvizjet e hapat ua drejton një forcë tjetër graviteti. Forca e dashurisë dhe e mallit për vendin që u ka dhënë identitet qënies së tyre. Këto mendoja atë çast tek vështroja duke ardhur drejt nesh tre burra të paparë ndonjëherë, një i moshuar e dy më të rinj.

Ata i kishte molisur aq shumë malli, sa nuk dinin me kë të përfaleshin më parë, dhe ndiheshin sadopak të lehtësuar vetëm kur flisnin në gjuhën tonë të përbashkët. Gjuha amtare në këto çaste është një mrekulli. Me një gjuhë shqipe të pastër dhe të bukur, burri i moshuar na tha:

-Unë jam Jani Qerkusi, nipi i Fan Nolit, djali i Sulltanës, motrës së tij të vogël. Ky është Thanasi, im bir. E ky tjetri një kushëriri yni, Panajot Çeku. Jemi tepër të mallëngjyer e të nderuar që vijmë në Shqipëri.

Xha Jani, siç do t’i thërrisnim pastaj, ishte një burrë rreth të shtatëdhjetave, trup mesatar, me ca vetulla të trasha, ballë të gjerë, që të kujtonte dajën e tij. Në shikimin e parë ai i ngjante një fshatari të veshur me kostum e kravatë. I qetë e fjalëpak, të jepte përshtypjen e një burri babaxhan, po në të vërtetë ai kishte urtësinë e mençurinë e njeriut të thjeshtë. Gjithnjë thoshte fjalë me mend.

-Një nga miqtë, kur do vinim për këtu,- zu të tregonte xha Jani,- më pyeti: “E te kush do të vesh në Shqipëri?”, “Në gjirinë time”,-iu përgjigjësh. “E pse, ke gjiri atje?” “M’u duk sikur më shkeli kur më pyeti kësisoj. “Kam, thirra, me plot gojën, si s’kam! Gjithë populli në Shqipëri është gjiria ime”. Mirë i thashë?

Sa herë do të na preknin e do të na vinin në mendime fjalët dhe rrëfimet e ngrohta të këtij plaku patriot. Gjatë një jave që do të qëndronim me të e do të shëtisnim nëpër Shqipëri, xha Jani, po dhe i biri e i kushëriri, do të ishin vazhdimisht të prekur e herë-herë të hutuar nga gjithë sa shikonin e dëgjonin. U dukej sikur të tërë njerëzit i njihnin dhe s’e kishin të vështirë të hynin menjëherë në bisedë me ta. Së pari, sepse ndiheshin shqiptarë dhe e tregonin veten, të tillë, së dyti, sapo njerëzit merrnin vesh se ata qenë të afërmit e Nolit, i rrethonin me nderim të veçantë dhe kjo i prekte tepër. Vështronin njëri-tjetrin në sy dhe gati u lidhej fjala në grykë. Kështu ndodhi kur u gjendën në mes nxënësve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku dëgjuan fëmijët të recitonin vjershat e poetit. Kështu ndodhi ku morën pjesë në një leksion për Nolin në një nga auditorët e Universitetit. Po edhe kur u takuan në Korçë me punëtorët e trikotazhit, me pleqtë në kalanë e Beratit. Për më tepër, u bëhej sikur këta njerëz i njihnin prej kohësh, se ishin vërtetë gjiri, dhe për njerëzit e fisit s’ka si të mos ndiesh mall e dashuri në shpirt.

-S’ma merrte mendja,- thoshte xha Jani me zërin e tij të shtruar e të ngadalshëm,- se do qaja si fëmijë në pleqëri. Po ja, që në pleqëri provova gëzimin më të madh të jetës sime. Erdha këtu, ku i kemi rrënjët, se njeriu pa rrënjë është si reja. Reja sillet nga e vërtit era, dhe daja ynë, tok me të dhe ne, si re do të ishim sikur të mos qe mbi dhe Shqipëria! Sa e bukur qenkësh! Më pëlqen shumë e shumë dhe tani e kuptoj pse e lakmojnë të ligjtë.

Shumë gjëra të mira mendonim e thoshim me njëri-tjetrin para se të vinim për këndej, po nuk na i hante mendja tërë sa pamë, dëgjuam e ndenjëm këtu. Të më besoni, se kur po kapërcenim kufirin tëk ma bënte zemra. Gjaku më lëvrinte me nxitim nëpër deje dhe më bëhej se trupin s’e kisha timin. Isha në dheun tonë. Sepse kurmi im sapo kish dalë në dritë, këtë tokë kërkonte dhe e gjeti tani, në pleqëri.

Pa mendoni, unë jam i pari nga gjiria e dajës tim që vij në Shqipëri. E ju më nderoni. Nderoni dajën, sigurisht, se ai qe një shqiptar i përmendur. Se unë, në fund të fundit, ç’jam, një hekurxhi, që s’kam bërë asgjë për këtë vend, po ama në zemër e kam mbajtur dhe e mbaj.

Edhe një gjë, që s’mund të rri dot pa jua thënë. Kur vdiq daja, para se të vinte telegrami nga Amerika, lajmin e përhapi Radio-Tirana. Unë për vete nuk e dëgjova, po ata që e dëgjuan erdhën menjëherë në dyqan dhe më thanë. M’u drodh zemra nga lajmi i helmuar, por sa u ngushëllova. Thashë me vete: “Sa mirë! Shqipëria nuk e ka harruar dhe, kur s’të harron Shqipëria, nuk ke të vdekur”. Ky është nderi më i madh që i keni bërë dajës sonë.

Gjithë koha e qëndrimit të xha Janit në Shqipëri ishte një bisedë pa mbarim për atdheun e gjetur, për gëzimin që ai i zgjonte paprerë, por kjo bisedë, ngado që sillej, kthehej e rikthehej te Noli. Ne që e shoqëronim xha Janin dhe rrinim me të ishim të interesuar e të dëshiruar të dëgjonim vazhdimisht prej tij çdo gjë që kishte të bënte me Nolin tonë të madh. Ai e kuptonte këtë dhe nuk reshte së treguari. Ashtu thjesht siç i dinte vetë, apo siç i kishte dëgjuar nga të tjerët. Ishin këto rrëfime të sinqerta mbi ngjarje konkrete, për njerëz e mjedise që ai i njihte mirë, po që ne i njihnim pak ose aspak. Nga shumë pikëpamje xha Jani për gjithë sa rrëfeu do të na e “zbulonte” qytezën dhe ngulimet shqiptare në Trakë, jo aq gjeografinë e tyre, se sa pozitën shoqërore, gjendjen ekonomike, jetën e tyre zakonore. Ai plotësonte ose sqaronte, në një mënyrë a në një tjetër tregimin e Nolit për fëmijërinë e rininë e tij të parë, që ne e njohim nga “Autobiografia”. Rrëfimet e xha Janit jo vetëm i zgjeronin kufijtë e njohjes sonë të përgjithshme, po na çonin në Qytezën e largët, në jetën dhe historinë e saj. Për më tepër, duke na folur për ditë e net të tëra për familjen e Nolëve, për njerëzit e saj e për hallet e gazet që ajo kishte pasur, duke i lidhur këto me vet jetën e hershme të Nolit, ai dashur pa dashur krijoi një atmosferë të papërsëritshme, që ne e përjetuam thellë. Ishte fjala për Nolin, prandaj shumë nga rrëfimet e xha Janit i shënuam dhe po mundohemi t’ia përcjellim lexuesit.

Rrëfimi i parë

Fan Nolin dajë e kisha, po nuk e takova asnjëherë. Ai iku nga shtëpia dhe s’u kthye kurrë më, në një kohë kur unë akoma s’kisha lindur. Atëherë, do të thoni ju, ç’më mbetet mua për të thënë? Po diçka më mbetet të them, se tërë jetën kam dëgjuar të flitet për të. E kujtonin aq shumë e aq shpesh të afërmit e qytezallinjtë, e sidomos nëna ime, sa më duket se e njoh dajën, e kam pjekur kushedi se sa herë. Zëre se e kam parë nga aq fotografi, e kam dëgjuar nga gjithë ato të thëna e të treguara të dajë Dhimitrit e të tezeve, të qytezallinjve, që e kanë pasur shok të fëmijërisë e të djalërisë. Ata flisnin për Theofanin sikur të qenë ndarë të djeshmen me të.

Shtëpia ku lindi Fan Noli, në Ibrik Tepe, Turqi

Unë Jani, vetëm një kujtim kam drejtpërdrejtë nga ai që e ruaj nga fëmijëria dhe më pëlqen ta kujtoj në pleqëri. I kam dashur shumë shkronjat dhe, kur mbarova shkollën e fshatit, doja të mësoja më tutje. Shkolla më e lartë ishte në Aleksandropul. Një qytet përtej Edrenesë. E që të ndiqja shkollën, duheshin para. Babai s’kishte dhe unë u mbyta me të qara. Atë behar, mbaj mend, fshihja librat nën këmishë, merrja qenin dhe hyja në mes të arave me misër. Atje, fshehur nga bota, kuvendoja me qenin, i qaja hallin tim asaj kafshe të gjorë pa gojë e pastaj sikur gëzoheshim të dy kur hapja librin dhe i këndoja me zë të lartë faqet e tij një për një. E kujtova këtë histori të vjetër, sepse mbaj mend se kur humba të gjitha shpresat, i shkrova dajë Theofanit një letër. Tok me letrën, i mbylla dhe një fotografi timen. Prita e prita, kur veç erdhi përgjigja. Ai shkruante se i  bëhej qejfi, që i nipi desh të mësonte, po nga fotografia i dukesha i vogël. Të rrijë dhe ndonjë vit, thoshte e pastaj do ta dërgoj me bursë në Shqipëri. Me këtë shpresë mbeta kaq kohë, po gjë nuk u bë. S’di të them se si u ngatërruan punët. Me sa duket, e zunë hallet, hallet e Shqipërisë që ishin më të mëdha se të nipit dhe kështu unë mbeta me ato shkronjat që mësova në fshat. Babai atëherë më futi te një kovaç si çirak dhe atje mësova një zanat për disa vjet, derisa hapa pastaj kovaçhanën time.

Ç’është e vërteta, dajë Theofani na kishte merak ne nipërve dhe desh që ne të bëheshim njerëz të mësuar, po shkolla donte para. E para s’kishim, as ne e as daja. Megjithatë, të nipin tjetër, Theofan e ka dhe ai emrin, të birin e hallë Parashqevisë, që ishte më i madhi, çalltisi, bëri si bëri, e mori në Amerikë dhe e futi në shkollë. Mbaj mend se u gëzua shumë kur i vajti ai, se i nxirrte mallin e shtëpisë e të fshatit. Po nuk e mori shkollën me qejf. Daja ç’nuk bëri, harxhoi para të mëdha, e, prapë, ai s’ndërroi mendje. Desh të ikte nga Amerika, dhe daja e nisi, po u mërzit shumë. Tha: “Dhe një nga të mitë, që desha ta bëja njeri të mësuar, s’më eci”. Të nipit i tha: “Sa u munduash për ty, s’u munduash për vete”. Gjithë gjiria jonë e mban mend këtë që ngjau. Bile dhe Theofanit, vetë, që jeton sot në Selanik, nuk i vjen mirë t’ia kujtosh.

Më pas daja, kur iku nga Shqipëria dhe bridhte nëpër Evropë, i çoi fjalë një nipi tjetër që të bëhet gati se do ta dërgonte për të ndjekur shkollën në Rusi. Ai priti, po nuk u bë gjë si duket, se as daja s’u ndje më. Thonë se do të jetë penduar ngaqë nuk i vajti mbarë me Theofanin.

Në gjirinë tonë të gjithë mbanin fotografinë e dajës. E donin dhe e nderonin pa masë, megjithëse shumë nga ne nuk e kishim parë. Në shtëpi tek ne, kishim të kremte kur merrnim letër prej tij. Ai shkruante rrallë, një herë ose dy herë në ditë, po kjo mjaftonte për të motrën, nënën time të gjorë, që sa herë e kujtonte, përlotej. Na çonte dhe para, sidomos familjes sonë, mbasi ne ishim më nevojtarë. Ato që na çonte qenë pakogjë e megjithatë na gëzonin, se vinin nga daja.

Në të vërtetë, kurbeti asnjëherë nuk e pasuroi dajën tonë sa të ndihmonte njerëzit e tij. Jo vetëm se ne ishim shumë dhe kë të ndihmonte më parë, po dhe ato që nxirrte, i harxhonte për punët e Shqipërisë. Dhe ne këtë e dinim mirë, prandaj dhe nuk i binim në qafë. Emri i tij i nderuar ishte shpërblimi më i madh që na dërgonte ne dhe gjithë qytezallinjve.

Fisi i nënës sime, fisi i Nolëve, ka qenë fis i vjetër e i përmendur. Këtë emër mbajnë disa familje, që rrojnë dhe sot në vise të ndryshme të Trakës perëndimore, por nuk kanë të bëjnë të gjithë me Nolët e vërtetë.

Shpesh pyesin për historinë e emrit të kësaj familjeje, me qenë se daja u njoh dhe si Theofan Mavromati. Në të vërtetë, Mavromatis ishte nofka që i vunë gjyshit, Stilianit, në fshat. Në Qytezë ose Ibik-Tepe atë e thërrisnin Stilian Lian Syziu, kurse  i kthyer në greqisht e thërrisnin Stilian Mavromatis e në turqisht Stilian Karagjozi. Nofka të tilla qenë të zakonshme në fshatrat tona dhe i vinin çdo familjeje, duke marrë shkas nga zanati që kryente i zoti i shtëpisë, nga ndonjë shenjë e veçantë e trupit apo e fytyrës, nga ndonjë e metë që kishte. Ndodhte që thirrnin dhe me emrin e nënës, bie fjala babai im thirrej Nasi i Xhakes. Po gjyshi im, Stiliani, u thirr Syziu, sepse kishte sytë e zi, siç i kishte dhe daja. Kështu në letrat e qeverisë, të shkollës e të kishës, emri i gjyshit mbeti Mavromati. Theofan Mavromati u quajt dhe daja, kur doli nga fshati dhe mori rrugët e botës.

Fisi i Nolëve ishte i nderuar jo vetëm në Ibrik-Tepe, po edhe në fshatrat e tjerë shqiptarë të Edernesë. Prej derës së tyre kanë dalë burra të mençur e trima. Me nam ka qenë stërgjyshi im, Gjergj Noli, i cili sa herë plaste lufta, bëhej kumandar i taborrit të fshatit. Bile, u vra në luftë larg shtëpisë, në Luftën e madhe të Krimesë duke lënë pas emrin e trimit, gruan e re, gjyshen Sumba, dhe të birin, Stilianin.

Gjyshi, me pasurinë që trashëgoi nga i ati, s’hoqi keq. Vetëm dhera i la mbi 200 dynym; po i la dhe bagëti dhe një dyqan. Ai ishte nga më të kamurit e fshatit, por nuk arriti të bëhet çorbaxhi, nga ata që kishin 600 dynym dhera e lartë, si dhe bagëti të madhe, dyqane e ndonjë fabrikë.

Pasurinë që trashëgoi, gjyshi në vend ta shtonte e rregullonte, siç kishte bërë e ëma, gjyshja Sumba, me xha Mitrushin, përkundrazi nuk tregoi kujdes dhe për këtë u prish keq me xha Mitrushin. Merrte argatë nga larg për t’i punuar dherat dhe vetë kalonte kohën në kafenetë e fshatit dhe nëpër gjyqe. Më shumë merreshin gratë e fëmijët me punët e ekonomisë se sa ai. Unë e mbaj mend, burrë me autoritet, njëri që i dëgjohej fjala në fshat, s’kishte shkronja kushedi se çfarë, por merrte vesh nga dynjaja. Qejfi i tij ishin muhabetet e ndezura, sidomos nëpër kafene dhe të kënduarit. Kur këndonte ai, të gjithë e dëgjonin me dëshirë.

Nga martesa me Marinë (dhe kjo shqiptare me rrënjë), lindën 13 fëmijë, siç më tregonte mëma, po nga këta mbetën gjallë vetëm dy djem dhe katër vajza. Më i madhi i djemve ka qenë Dhimitri, pastaj vinte Theofani. Dhimitri ishte më i forti i shtëpisë dhe i takoi atij të merret me dherat dhe ekonominë, sidomos kur ishte i ri. Daja i madh hoqi keq i shkreti, jo vetëm nga hallet e shtëpisë, po dhe se erdhën kohë të rënda. Tërë ato vise u bënë shesh grindjesh e luftërash dhe më 1922, Dhimitri me familjen ikën natën nga Ibrik-Tepeja e brodhën si muhaxhirë, me plaçka në krah, derisa u vendosën në Kipseli, në një fshat afër Ksanthit, ku dhe vdiq më 1940. Ashtu si i ati, dhe ai mbeti kryeplak tërë jetën, bile edhe kur doli në Greqi. Kjo punë e dembelosi dhe e zvordhi nga ekonomia e shtëpisë. Dhe ai nuk punonte, pastaj merrej me polemikëra dhe u dilte zot interesave të fshatarëve të tij. Ai pati tre fëmijë Evangjelinë, që ka vdekur, Krisanthin, që jeton dhe sot në Athinë, dhe Jorgon, Jorgoja që ka lënë një djalë, Dhimitrin, që ndoqi rrugën e dajë Theofanit e u bë prift. Kam dëgjuar nga tezet se dajë Theofani mbante lidhje me të vëllanë, që i dërgonte letra herë pas here dhe para.

Motrat, siç thashë, ishin katër: Parashqevia, Sërmaja, Athinaja dhe Sulltana. Prej tyre sot s’ka mbetur gjallë asnjëra. Të gjitha gjyshi i martoi në Ibrik-Tepe dhe i martoi me shqiptarë. Parashqevia më e madhja e motrave, u martua me një nga familja e Vargollarëve, derë e mirë dhe e kamur, po i shoqi vdiq shpejt, siç vdiq dhe ajo e re, që të dy në Bullgari. Lanë prapa vetëm një djalë,Theofanin, për të cilin daja i vogël u kujdes në mënyrë të veçantë, e mori, siç u thashë, dhe në Amerikë. Theofani sot, megjithëse plak, ka një dyqan qirinjsh në Selanik dhe me të jeton. Hallë Sërmaja, e dyta e motrave, u gjend e martuar me Dhimitër Berbexhikun, tregtar, që kishin një dyqan basmash në Ibrik-Tepe, ishte në gjendje të mirë, por jo nikoqir. Thashë, “u gjend e martuar”, sepse Dhimitri ra në sevda me të dhe, sipas zakonit, e rrëmbeu natën pa dëshirën e saj e çoi te prifti dhe vuri kurorë. Dajë Dhimitri dhe hallë Athinaja u zemëruan aq keq, sa e hodhën priftin në gjyqin e Edernesë, po nuk fituan gjë. E motra, si duket nuk u mësua me këtë martesë, erdh e u tret, u shua dalëngadalë, derisa vdiq e re. Për fat të mirë, nuk patën fëmijë. I shoqi, Dhimitri, prapë e ruajti miqësinë me familjen e gjyshit.

Fan Noli më nënën (ulur majtas) dhe motrën Sulltana (në këmbë), Sofje, 1911

Athinaja mbahej si më e forta e motrave. Ishte si burrë dhe i ngjante shumë gjyshe Sumbes, prandaj dhe i thërrisnin me emrin e saj. U martua me Margarit Bojaxhiun dhe ai nga Ibrik-Tepeja, i cili kish një dyqan në fshat. Patën dy fëmijë: Dhimitrin dhe Kaliopin. Djali vdiq i ri. Ai mori pjesë në rezistencën greke kundër fashistëve dhe fashistët e zunë dhe e internuan në Gjermani nga ku nuk u kthye më. Po Athinaja e shkretë nuk desh të besonte se kish vdekur, e priste të vinte, shpresonte. I thoshin se e kanë parë këtu, se mund të jetë atje. Ajo grua e fortë nuk donte ta qaste vdekjen dhe me këtë shpresë vdiq para ca kohëve në Kavallë, ku , shkollë nga nipërit dhe mbesat e dajës.

Më e vogla e motrave, Sulltana, ishte mëma ime, u martua me Thanas Qerkusin, bakall nga Ibrik-Tepeja. Ai kish qenë çirak te një bakall në Keshan dhe, si mblodhi ca para, mori me qira një dyqan të gjysh Stilianit dhe ai pastaj i dha vajzën për nuse. Nga martesa e tyre linda unë dhe im vëlla Stiliani, që mori emrin e gjyshit. Ne kemi qenë tërë jetën të vuajtur dhe e kemi nxjerrë bukën e gojës me krahët tona. Unë kam punuar si kovaç dhe vetëm këto vitet e fundit kam hapur një dyqan hekurishtesh.

Mëma jonë s’ka disa muaj që ka vdekur. Vdiq me një peng në zemër. Kishte shumë dëshirë të shihte Shqipërinë, këtë vend, ku kemi rrënjët dhe, megjithëse ju e thirrët kur kishte 100-vjetorin e lindjes daja, ajo s’mundi të vijë. Gëzimin e saj e pata unë. Se unë erdha dhe, siç më shihni, jam në mes jush.

Rrëfimi i dytë

Dajë Theofani rron akoma te të gjithë qytezallinjtë dhe do të rrojë derisa të jemi gjallë e të ndjehemi se ç’jemi e ku i kemi rrënjët. Rron emri i tij shpirtndritur, se të gjithë ç’pat e shkriu për lirinë e mbarësinë e Shqipërisë dhe me këtë emër ne mburremi se jemi shqiptarë. Mburreshin ata që e patën shok të fëmijërisë e të djalërisë, ata që e njohën një herë e një kohë, po ata shkuan, kush para e kush pas tij. Unë nipi, që s’arrita ta takoj njëherë, mundohesha ta njihja nga tregimet e të tjerëve dhe qysh i vogël mbaja vesh sa herë që flitej një fjalë për të. Dëgjoja dajën e madh, tezet, qytezallinjtë pleq, po më shumë nënën, që një e dy, do ta zinte në gojë të vëllanë e do të përgjërohej për të.

Duhet njeriu të mendohet mirë e të mbledhë mendjen që të rrijë e të rrëfejë ç’ka mësuar nga të tjerët për dajën. Por këto ditë unë jam aq i mallëngjyer e i mbushur me tërë ato që pashë e dëgjova këtu në Shqipëri, sa e kam humbur fillin. Hajde kujtoi tashti një nga një, se të kthesh të shkuarat, duhet të vesh të të shkuarat. Ah, sikur të vinit në fshatin tonë, në Feres, të uleshim atje te vatra e të rrinim e të kujtonim…

Ç’më rrëfente mëma? Mëma më thoshte se në Qytezën tonë Theofani, që e thërrisnin Fani, e mbanin si një nga djemtë me gisht të fshatit. Ishte më i zgjuari e më i mësuari asokohe dhe këtë e tregoi kur i erdh sëra, kur u bë nga të diturit e Shqipërisë. Po Fani fëmijë, ka qenë fëmijë si të gjithë fëmijët. Nëna rrëfente se edhe ai bënte çapkënllëqe. Edhe atë e rrihte që ç’ke me të mësuesi i rreptë i fshatit. Bile, njëherë ai e goditi Fanin keq me kokrrat e tepsive në kokë, sa ia bëri plagë dhe i rrodhi gjak. Fani, nga frika se mos e shihte i atij, e mbulonte me festë. Mirëpo atë ditë që ngjau kjo, gjysh Stiliani bëri një gosti në shtëpi dhe thirri dhe mësuesin. Mësuesi, që e dinte se sa kokëshkretë ishte i ati i Fanit dhe meqë ky ishte kryetar i sillogut të prindërve në shkollë, nuk vajti në gosti. Gjyshit s’i erdh mirë dhe s’i pëlqeu kjo dhe nguli këmbë e dërgoi njeri të ta thërrisnin. Çoi fjalë se “nuk fillojmë gostinë, pa ardhur, zotrote”. Dhe ai pastaj erdhi e ndenji në një qoshe si në gjemba. Gjyshi e pyeti: “Ç’ke?” Ai nuk deshte t’ia thoshte arsyen, po ishte burrë dhe burri i flet burrit. I tha se i kërkonte të falur ngaqë e kish goditur të birin, Fanin, që rrinte i turpëruar.

Kur ishte në shkollën e Edërnesë dhe vinte për pushime në fshat, Fanin e çonin të kulloste bagëtinë. Mirëpo ai merrte librin me vete dhe harrohej pas shkronjave. Bagëtia hynte nëpër ara e bahçe dhe bënte kërdinë. Atëherë fillonin avazet. Dilnin të zotët dhe bërtisnin e veç kur merrnin vesh se ishte bagëtia që i ruante i biri i Stilian Syziut. Një herë, dy e pastaj u mësuan dhe ia falnin këtë pakujdesi. Ai djalë s’ishte për të ruajtur bagëtinë, por për shkollë. Dhe ka mbetur ajo fjalë e një qytezalliu që paskësh thënë atëherë: “Ky djalë një ditë do të bëhet burrë i dëgjuar që do të na nderojë të gjithëve”.

E dinë gjithë sa e njohin dajën se Theofani ishte ai që udhëhoqi grevën e djemurisë në gjimnazin grek të Edërnesë. Nga sa kam marrë vesh më vonë, kjo është e para grevë që bënte djemuria e shkollave në këtë qytet të Turqisë. E, me këtë që ndodhi, daja, djalë i porsadirsur mustaqet, tregoi se ishte i zoti të drejtonte, jo vetëm veten kundër një gjëje të padrejtë, por dhe të tjerët. Në shtëpinë tonë e në Qytezë kush nuk e mori vesh se kjo që ngjau erdhi nga zënka në mes drejtorit të gjimnazit dhe profesor Anastasiadhit. Fani, siç tregojnë, paskësh qenë aty kur ngjau zënka dhe pastaj mori anën e profesorit kundër drejtorit. Se profesori kishte të drejtë dhe ishte e padrejtë që ai të pushohej nga puna, siç ia punoi i pari i shkollës. Drejtori, që të dilte e tija, e thirri veç Fanin në zyrë dhe i kërkoi të dilte dëshmitar kundër profesorit. Mirëpo Fani nuk mund ta bënte këtë. Ai i qëndroi besnik të vërtetës dhe jo vetëm kaq, po e përhapi në tërë shkollën dhe ngriti djemurinë në këmbë. Drejtori i gjimnazit nuk pandehu këtë dhe u zemërua keq, aq sa e dënoi dhe dëboi nga shkolla. Shumë vjet më vonë, kur drejtori i gjimnazit ishte bërë peshkop në Ksanthi dhe qëlloi të takohej me dajë Dhimitrin, ia përmendi atë që kish ngjarë një herë e një kohë dhe i tha se e mbante akoma inatin.

Mëma e gjorë rrinte e rrinte dhe kujtonte si ishte takuar për herë të fundit me të vëllanë. Kjo kish ngjarë në Sofje të Bullgarisë. Daja kish ardhur në Evropë nga Amerika dhe u kish çuar fjalë në Qytezë që të vinin ta takonin. Gjyshi dhe gjyshja kishin më shumë se dhjetë vjet pa e parë të birin. U ngritën, morën dhe Sulltanën, më të voglën vajzë se të tjerat i kishin martuar dhe vanë në Sofje. Daja kish ardhur i veshur prift dhe do të mëshonte për herë të parë në gjuhën shqipe në kishën më të madhe të qytetit. Kishin rrjedhur shqiptarët nga të katër anët, të dëgjonin fjalët e ungjillit në gjuhën e nënës. Shkoi dhe gjyshja me të bijën. Ato ishin shumë të gëzuara, kur shihnin Fanin që e dëgjonin dhe e nderonin të gjithë. Bile, kur mbaroi mesha, gjyshe Maria u ul në gjunjë e desh t’i puthte këmbët, po i biri s’e la dhe, në mes të mallëngjimit , i tha: “Këtë gjë duhet ta bëj unë, se jo vetëm je ti që më linde, po ti më more mua që s’doja të shkoja në shkollë, më fute në thes me zor dhe kështu unë nisa udhën e diturisë”. Gjithësa dëgjuan dhe panë, qanë nga mallëngjimi. Mëma, kur e rrëfente, gjithnjë përlotej. Vetëm gjyshit nuk i pëlqeu puna e priftërisë që kish zënë i biri. Ai, nga marazi i madh, as shkoi në kishë e as dorën s’ia dha më pas, po u deh dhe u mbyll në hotel. Thoshte shpesh, siç tregojnë: :Me ato rrobe të zeza të priftërisë nxirosi jetën”, dhe tërë jetën s’ia fali të birit këtë.

Daja, si u diplomua në gjimnazin e Edërnesë, punoi mësues në shkollën greke të Pazardaresë, një fshat me nja shtatëdhjetë shtëpi. Po nuk e sosi motin dhe u largua nga kjo punë. Erdhi e ndenji në fshat. Pse e bëri këtë ai që e desh aq shumë shkollën? Thonë se nuk i pëlqente puna, po edhe sepse nuk e shikonin me sy të mirë pas grevës së gjimnazit. Mund të jetë dhe njëra, dhe tjetra. Por kur e mendon këtë gjë pas shumë e shumë vjetësh, kur vë në hesap se ç’u bë ky njeri më vonë, thua se punët qëndronin fare ndryshe. Fani, qysh kur i hyri shkollës dhe e sosi me mundime të mëdha, desh t’u thoshte të tjerëve se ai s’desh të bëhej as çoban, as reshper, siç bëheshin tërë versa e tij. Bile, as mësues fshati s’i pëlqente. Koka e tij ziente nga dituria. Ai jepte e merrte me disa gjuhë. Do në greqisht, do në turqisht, do në frëngjisht, po dhe pak englesçe. Me këto gjuhë ai kuvendonte me tërë dynjanë. Sa për shqip, shqipja, thonë ata që e kanë dëgjuar, këndonte kur e fliste. Vetëm një, kapedan Gjerda në fshat, e ndjeu se për djalin e Stilian Nolit, Qyteza ishte shumë e vogël. Një verë, siç ishte mendja e tij, nuk mund të rrinte dot në një butë të vogël, si Qyteza jonë. E theu butën dhe iku. Iku dhe mori rrugët e botës për të mos u kthyer më. Ata që e deshën, e prisnin, por kur morën vesh punët e tij të mira për Shqipërinë, thanë: “I qofsh falë asaj. Të ngjallet e të përparojë Shqipëria, po Qyteza s’vihet në hesap!”

Kur mendojmë tashti gjithë sa ai bëri për vendin e tij, nuk mund të mos themi se ajo ditë kur iku prej nesh është ditë e bekuar. Sikur të mos jetë ajo, mua s’do të më njihte njeri si shqiptar. E jo vetëm mua, po dhe vëllezërit e motrat tona atje tek janë jabanxhinj. Ai na dha një emër që na nderoi e, kur na kini nderuar ju, na ka nderuar bota.

Vijon nesër /DITA

April 29, 2018 13:25
Komento

5 Komente

  1. HYSNI LEKA April 29, 15:33

    PA FJALE!
    (Kolonje e bukura Kolonjeç’i bere burrat qe pate!)

    Reply to this comment
  2. Eshe kenaqesi e vecante te lexosh i Nderuari Prof.N.Jorgaqi April 29, 15:54

    I ndeuar z.Nasho Jorgaqi ,
    jeni vertete jo vetem nji Shkrimtare i Madhe ,
    por edhe nji Patriote i Vertete ,nji Njeri i Madhe …

    E gjithe kjo Enciklopedi shkrimesh /tregimesh mbi Figurat e Shquara Historike Shqiptare ,
    kane vlera jo vetem Kombetare ,te pashlyshme ,por…
    bejen te shikojme me qarte ne identitetin tone Shqiptare ,ne vlerat tona Patriotike , e bejne qe gjaku jone ,i shqiptarit te ngrihet me presion drejt Zemres Shqiptare e japi asaj jete …

    Rrofshe .Jete te gjate .
    Rrespekt i Madhi Nasho Jorgaqi …

    Reply to this comment
  3. Dhimiter M Xhoga.(Guri Naimit D.) April 29, 21:06

    Faqen ATHEUT tia zbardhim/si F.Noli yne i Madh!

    Faleminderit Pr.Nasho Jorgaqi, qe me penen Tuaj brilante, na ben te jetojme me te madhin F.Stilian NOLI dhe BEMAT e tij.
    S’ka shqiptar ne BOTe te mos jetoje me NOLIN dhe vepren e tij…
    Ja nje fragment nga pena TIj, une POEZUAR:
    VERTET KALUAN 55 VITE pa NOLIN e MADH?!

    ” EH,Noli i madh c’bucisie Ti!?

    Te qofshin fale Ibrik Tepe
    Mw 1982, idhulin na e dhe,
    Trim-Tribune e vegjelise,
    Kur i duhej Shqiperise! e solle…
    Ai thote:
    “Armet dhe fisheket mblidhni,
    Qesen edhe shpirtin hidhni
    Per lirine e vendit tone”,
    Une them:
    Per nenen tone Shqiperi
    Eh ,Noli i Madh bucisie Ti…
    …..Por Stilian te ishe sot,
    Rreezik te qaje me lot
    Te shikoje cfare ka ngjare,
    Ka apo ska me shqipetare..?!
    S’jam poet e te thur vjersha..
    Si nje gjysh per niper e mbesa ,
    Ti dicka, thjesht t’u thote;
    Per ata shkuar neper BOTE.
    Faqen ATDHEUT zbardhe,
    Si Ti-Fanoli Yne i MAdh.
    ….
    ( Nga lbri-“Ne rruget e jetes”
    Tirane 2011 -ne “55 vjetorin ndaries nga jeta)
    .
    Tirane 29-04-2018 Dh Xhoga (Guri Naimit D).

    Reply to this comment
  4. demo April 29, 22:01

    Fotografite autori mos ti dubloje ne fotokopjen poshte pallatit,por le t`ja printojne ne kompjuter tek redaksia gazetes.

    Reply to this comment
  5. "BOHOTINA" April 30, 11:47

    Bravo profesor! Bukur mire.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*