Tregime historike për murgun ZRC dhe dy Romat

July 10, 2019 12:48

Tregime historike për murgun ZRC dhe dy Romat

Nga Moikom Zeqo 

Robert Guiskardi murgun nga Sicilia ZRC, e priti në tendën e tij mbretërore në bregdetin para kështjellës së Durrësit dhe pa e shikuar fare në fytyrë e urdhëroi:

Ty të kam caktuar për të shkruar historinë time.

Mos harro ti skllav i mjerë i Zotit dhe i imi do të shkruash gjithçka duke e imagjinuar veten tënde si veten time.

 Më dëgjo mirë: ti do t’i shkruash në vetën e parë mendimet e tua në emrin tim.

 Kur ti do të shkruash “Unë, Robert Guiskardi, mbret i Dy Sicilive, me hir të Krishtit Perandor i ardhshëm i Bizantit, me 3 mars 1981 shkova për gjah dhe vrava 7 drerë, ose më 12 qershor 1083 pushtova Durrësin e pabesë, vrava 7000 vetë dhe zura 17.000 robër – fjala “unë” s’je Ti, por jam Unë në të vërtetë.

Domethënë Ti je Unë, por unë në të vërtetë s’jam ti. pra shkruaj bëmat, kronikat e mia dhe jep edhe ide dhe ndjenja – që ti duhet t’i mendosh se më përshtaten dhe i kam menduar realisht vetëm unë. do të bësh një histori që t’i do ta përfytyrosh që të jetë e tillë si të më pëlqejë mua. do të frymëzohesh nga madhështia dhe amshimi im. shkruaj – s’të pengoj në fantazi, që fjala vjen deklamoj Homerin, (që në vërtetë kurrë unë s’e kam lexuar), zgjidh fragmentet më të goditura dhe ilustruese, ose në bisedat me diplomatët e mbretërve të tjerë citoj në origjinal filozof Arozelin, (murgu ZRC ngriu kur e dëgjoj këtë emër të çuditshëm, pastaj e kuptoj se qe fjala për Aristotelin), do të shkruash me stil të lartë, të stolisur (shtrydh nga truri yt o murg e esencën e librave që ka lexuar tërë jetën), mos e shëno në kronikë se herë-herë vuaj nga lemza e tmerrshme, që zgjat edhe 3 ditë, nga diarreja, ose kur dehem imitoj klithmën e ariut, të maces, madje dhe të Satanait, – shkruaj bukur dhe mrekullisht për forcën fizike (që e kam) dhe diturinë (që s’e kam), – shkruaj për fitoret (mos u merr me disfatat), mos harro dhe skenat e seksit dhe plotfuqishmërinë time seksuale. Dhe mos harro: çdo kapitull dhe paragraf fillojë me fjalën “Unë”, sepse ky është dhe do të jetë Libri Im!”

Pastaj Robert Guiskardi heshti.

Ktheu kokën dhe nën dritën e pishtarëve e pa në fytyrë murgun ZRC përpara tij.

Fytyra ju duk çuditërisht si e një binjaku, veçse murgu qe murg dhe jo Ai, Mbreti.

-Do të shpërblehesh, tha me zë të lartë Mbreti.

 

I hodhi tri qese me flori.

*      *      *

Murgu ZRC pati mëdyshje të mëdha. Nuk duhej të kishte iluzion: do të shkruante për mbretin si të ishte vetë mbreti, pa qenë ai, murgu i varfër mbreti i tërëfuqishëm.

Pikërisht këtu në brigjet e Durrësit Jul Cezari nisi të shkruajë kujtimet e tij, duke folur në veten në vetën e tretë, duke mos thënë “Unë Jul Cezari” por “Ai, Jul Cezari për të dhënë idenë inteligjente dhe dinake të maksimumit të objektivitetit.

Kështu në shekullin XI rrëmujshëm dhe të kobshëm murgu ZRC përjetoi problemin e diskutueshëm dhe marramendës në kohërat e ardhshme moderne të dy formave kryesore të të shkruarit letrar, në vetën e parë dhe në vetën e tretë.

Të shkruarit në vetën e parë ka prirje lirike, në vetën e tretë epike. Poetët parapëlqejnë vetën e parë, më të shlirshme dhe meditative, romancierët vetën e tretë me më mundësi distancimi dhe analizash të hollësishme.

Por edhe këtu kemi një konvencion.

Floberi shkruan për Madamë Bovarinë në vetën e tretë, por duke thënë se “Bovaria jam unë!” shpall se midis vetës së tretë nuk ka kontrast, por janë e njëjta gjë, duke i hutuar kritikët e vëmendshëm dhe ortodoksë.

Praktika letrare e sfidon mjerueshëm teorinë.

Murgu ZRC e parandjeu trysninë e largët të së ardhmes por në shekullin e XI ai qe një nismëtar, aq më tepër i urdhëruar.

Ai nisi të shkruajë dorëshkrimin, kuptohet në latinisht.

Kjo kronikë virtuale do të quhej si dorëshkrimi i vetë Robert Guiskardit, Mbreti qe i dukshmi, murgu i padukshmi.

Duke shkruar murgu qe Mbreti, por kur e lexonte çfarë qe shkruar qe thjesht murgu.

Nuk guxonte të bënte identifikime të dy personave, sepse kishte vetëm një, siç është një njeri i vetëm, pavarësisht se trupi qe i dallueshëm nga shpirti i tij.

Të shkruarit në vetë të parë, duke qenë murgu veta e tretë, fantazmagorisht mpiksej, formësohej tek sinteza, se mbreti Robert Guiskardi qe edhe “Unë” edhe “Ai”, përcaktimi i bezdisshëm që për kronikanët e së ardhmes mbreti qe thjesht “Ai” nuk kishte fuqi, kurse fakti që murgu qe “Ai” dhe njëkohësisht “Unë” ose qe vetëm Mbreti dhe aspak murgu për publikun kureshtar dhe të paditur nuk kishte fare rëndësi.

Murgu ZRC shkroi një kryevepër të paparë, ku falsifikimi i përkryer qe më me dinjitet se e vërteta e vrazhdë.

Ai e kuptoi se ky qe një rast fatlum për të më shumë se sa për Mbretin.

Brenda emrit të Mbretit murgu futi mendjen, dijen dhe shpirtin e tij, dihet çdo skllav mëton të epërmen, që quhet sot liri, çdo njeri i rëndomtë potencialisht ëndërron se është Mbret.

Duke shkruar ndjeu se ai ZRC qe Mbreti qe forma e parëndësishme prej murgu të kotë, ndjeu se mund të pushtonte qytete, të rrafshonte kështjella, të bekohej ose të anatemohej nga Papa i Romës, se mund të pinte verën e fitoreve të bujshme, se mund ta kërcënonte dhe ta pushtonte Jeruzalemin dhe Kostandinopojën, se mund të kishte 1500 konkubina, se mund të adhurohej nga poetët homeroidë në gostitë e mëdha, mes flamujve heraldikë, mbi fronin e artë të ruajtur nga luanët e zbutur që këlyshë, që ishin simbole figurative mbretërorë dhe rojtarë të amshimit.

*      *      *

Murgu ZRC i sfidoi kështu Herodotin, Tacitin dhe etërit e famshëm të historisë botërore. Ishte gati në mbarim të dorëshkrimit të tij mbretëror, kur në 15 gusht 1085 duke qenë në gardën e Robert Guiskardit në qytetin Akra në Palestinë gjatë ekspeditës së kryqëtarëve europianë drejt Jeruzalemit u bë një betejë e befasishme me kalorësit selxhukë të Sulltanit El Kemal Ugrit, një shigjetë e goditi në gjoks ku mbante dhe dorëshkrimin në pergamenë.

Vdiq në vend prej shpagimit misterioz të zotit, që dihet nuk i dallonte të krishterët nga myslimanët që grindeshin për të.

Garda e Robert Guiskordit mezi shpëtoi në ikje prej pritës së vdekjes.

Selxhukët fitimtarë ndezën zjarre dhe i dogjën mbi to trupat e të krishterëve të vrarë.

Kështu në një nga zjarret u bë hi trupi i murgut ZRC por edhe dorëshkrimi që do të trondiste shekujt, një eksperiment rrugëhapës dhe imitues për shkruesit zyrtare dhe institucionale të fjalimeve të presidentëve dhe pushtetarëve modernë, ku veta e parë shkruhet përherë nga veta e tretë dhe kjo gjë nuk është aspak një ngatërrim i njësive morfologjike të shkrimit por esenca e përjetshme dhe e patjetërsueshme e pushtetit. (Durrës, 14 qershor 1988)

DY ROMAT

Tregojnë: perandori i Romës Onori (395-423) kishte një papagall, të cilit i kishte vënë emrin “Romë”.

U lidh kaq shumë me këtë zog të habitshëm, ngjyrat e tij të ndezura ishin si afresku hyjnor i një miti, i ardhur nga e Panjohura, simbolika e ngjyrave e trondiste, secila ngjyrë qe si një qenie më vete, të gjithë bashkë përbënin si kryeqenie papagallin.

I mësoi latinisht dhe bisedonte me të, përherë për botën abstrakte, të tejjetshme të Bukurisë.

Onori arriti të bënte kurbane demash për zogun e lavdishëm në tempullin e Zeusit, porositi skulpturë bronzi dhe mermeri, ku paraqitej vetja e tij perandorake me papagallin në dorën e djathtë, figura e papagallit sintetizonte tërë heraldikat e tij enigmatike dhe autoritare.

Shkroi vetë disa poema me hekzametër për zogun e gjithëpushtetshëm dhe intim.

Perandori kishte prirje metafizike, për të realiteti mund të koncentrohej edhe vetëm tek ky zog i zemrës.

E dinte se një paraardhës Kaligula e kishte bëtë senator të Romës kalin e tij.

Onori modest dhe më i ndrojtur e kishte bërë papagallin vetë Romën.

Çdo gjë i dukej vulgare, pa kuptim, luftërat, marshimet, përkrenaret e bronzta, flamujt me shqiponjë, gjeografie, amfiteatrot, urat, rrugët, ujësjellësit, pergamenat e shkruar të filozofëve, profecitë e Sibilave, sulmet e gotëve.

Një ditë Sekretari Perandorak i tha Onorit me pikëllim dhe pezm:

-Ah, Perandori im, iku Roma jote!

-Çfarë? U nda nga jeta? Si?

-Qetësohu Perandori im, ajo “Romë” është mirë, vetëtin, flet dhe bile këndon, por unë nënkuptoj Romën tonë të mjerë, që ngadalë po shuhet.

-Ç’ndryshim ka ndërmjet njërës Romë dhe tjetrës, u përgjigj Perandori.(Durrës, 2001)

NJERIU PA HËNË

Të gjithë e shohin Hënën. Por Hëna nuk është. s’ka Hënë, po astronomët e shënojnë saktësisht në hartat yjore, poetët e çmendur e kanë totemin e tyre, kamerat kinse kanë filmuar zbritjen e kozmonautëve në Hënë. Hëna e paqenë zotëron gjithçka. Baticat dhe zbaticat e ujërave të mëdha i spjegojnë me Hënën. Heraldikat me simbolin e Hënës janë kudo, stolisin mjerueshëm imagjinatat, ëndrrat, ankthet, dëshirat, instinktet, orgazmat, jetën dhe vdekjen.

*      *      *

S’ka Hënë e megjithatë Hëna është. Njerëzimi ynë quhet njerëzimi me He Hënë.

*      *      *

Të gjithë e shohin Hënën, kjo ndodh se njerëzit lindin që në fillim me indin e gatshëm të haluçinacionit të Hënës. Ky halucinacion është i njëjtë si ai i Zotit dhe i parasë. Kush mund ta mohojë këtë gjë? Vetë realiteti është shumësia e amshuar e halucinacioneve të trashëguara në mijravjeçarë.

*      *      *

Por ja, lindi në botë një njeri i cili për një defekt indor, nuk e kishte halucinacionin e Hënës. Ndryshe nga të tjerët, nga tërë njerëzimi i sfilitur dhe i vetëkënaqur, ky njeri nuk e shihte Hënën, për arsyen më të thjeshtë dhe parësore, se Hëna nuk ishte, ndaj ai u quajt Njeriu pa Hënë, M (-) M. domethënë Man (-) Moon.

Njeriu pa Hënë qe një përjashtim, pra një përbindësh. Atë e urryen të gjithë: poetët, teologët, bankierët, gjeneralët, paparacët, psikiatrët, prostitutat lesbike, falltarët, astronomët dhe sidomos utopistët e mëdhej dhe të paepur.

Por Njeriu pa Hënë nuk u tut. Nuk u mposht. Ai qe një idealist madhështor, uniciteti i tij përbëhej nga dyshimet e infinitshme. Ai arsyetonte nga ftillesat e opozitës, vetëkuptohet, qe heretik i bezdisshëm dhe krenar i paturpshëm, me një fjalë po aq paradoksal sa edhe të tjerët që mendonin përjashtimisht për të, sepse vetëm kështu mund të përfytyrohet plotëria, dialektika e pashmangshme. Nëse filozofët e zhdukin kontrastin midis fizikës dhe psikikës, ky rebel bënte të kundërtën. E adhuronte dhe e urrente Berklin e përshpirtshëm që thoshte se bota është krijim i shqisave tona, por qe ateist, për të zotat antropomorfë, ose teozofistë janë si metafora e Hënës, domethënë ekzistonin sepse nuk ekzistonin, adhuroheshin jo si realitet i vërtetë, por si mungesë totale e tij. Ky qe gabimi më tragjik i njerëzimit, njësoj si të ndezësh në flakë detin, domethënë t’i ndërtosh elementët fizikë duke u nisur nga elementët psikike, ta krijosh universin “brenda trupit tonë të brishtë ndërmjet shqisave të gabueshme dhe të kufizuara”. Idealizmin subjektiv e kërcënon rreziku ta përfytyrojë botën medoemos ashtu si e kanë soditur dinozaurët dhe arkeopteriksët, të cilët s’i ka shqetësuar problemi në ka apo nuk ka Hënë. Personazhi ynë e kuptoi thellë këtë defekt humoristik dhe njëkohësisht grotesk. Ai tallej butësisht me thënien proverbiale se kur një njeri e shikon tryezën ajo është, kur nuk e shikon nuk është, por çështja ndërlikohet kur dy njerëz të ndryshëm shohin në të njëjtin moment diçka para tyre, njeri e sheh si tryezë, kurse tjetri si një tigër dhe një i tretë si një ujëvarë. Kështu bën poshtë dhe rrënohet ftillesa e metaforave dhe gjoja transcedentales. Ky subjektivitet është marrëzi.

Nocionet tona janë konvencionale, një sëmundje e trurit. Natyrisht nuk mund të përjashtohet një lloj simbolizmi, që krijon një lloj mirëkuptimi dhe tolerance. Ata, që thonë se e shohin Hënën shikojnë një simbol të saj si p.sh. kur shohim sot një skulpturë të Jul Cezarit, ndonëse Jul Cezari ka njëzet shekuj që nuk është më. Por edhe simboli i Hënës nuk është vetë Hëna, ashtu si libri i Platonit është simboli i Sokratit por jo Sokrati real, që mund të ketë ekzistuar, por edhe mund të mos ketë qenë kurrë. As Hamleti i Shekspirit, as Don Kishoti i Servantesit nuk kanë qenë asnjëherë, por janë simbole. Ky simbolizëm është sa i dobishëm, por po aq dhe i dëmshëm, sepse përjetëson iluzionin.

*      *      *

Këtë novator kokëshkretë e përbuzën, e tallën, e stigmatizuan. Ai megjithatë e shkroi dhe e botoi një libër, më tepër një pamflet misterioz dhe saktësisht të kuptueshëm, pse dhe lehtësisht të kritikueshëm. Libri u botua, se New Jork, më 1973 për ironi të fatit, nga një shoqëri satanike, kryetari i të cilës qe mjeshtër i krijimit të elementeve dixhitale në Hollivud dhe njëkohësisht poet. Për librin u bë dhe një film vizatimor, ku personazhi pa kokë kërkonte kokën që i mungonte dhe më në fund fiksoi si kokë Hënën, që e mohonte dhe s’e besonte. Në shtetet e perandorisë socialiste totalitare ky libër u konsiderua i rrezikshëm dhe s’u botua kurrë. Rreziku qe konkret, teza se Hëna nuk është edhe kur njerëzit gjoja e shohin Hënën, qe një mohim i llahtarshëm i propagandës zyrtare që thoshte se të gjithë e shihnin realitetin socialist, po aq lehtësisht si Hënën, vetëm disidentët e mplakur në burgje dhe spitale psikiatrikë mund ta përshëndesnin me entuziazëm dhe shpresë tezën e Njeriut pa Hënë. Filozofi nervoz Bestrant Rasëll e shkroi një artikull, me saktë një ese mbi këtë çështje, ku shtjelloi repartin delikat të materies dhe të antimateries, të numrave nacionale dhe irracionale, që duken sikur kundërshtojnë njëri tjetrin, por në fakt vetëm plotësojnë. Çdo mohim është pohim dhe anasjelltas.

Durrës, 7 nëntor 1989

July 10, 2019 12:48
Komento

3 Komente

  1. Krist July 10, 21:19

    Moikom,sa e ke pensionin?A te del,per shpenzimet qe ben.?

    Reply to this comment
  2. kokepalari July 12, 23:09

    o Krist keto gjera nuk jane per ty! nuk eshte gjithmone çeshtje parash, Moikomi yne eshte erudit qe banon ne nje vend ku shumica e urrejne dijen si zotrote!

    Reply to this comment
  3. Krist July 13, 02:39

    Nuk njoh ndonje kokepalare the class per dijen.Ata njohin vetem pisllekun.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?