Tregu i sigurimeve, rekomandimet e Kuvendit për AMF

June 20, 2014 10:04

Tregu i sigurimeve, rekomandimet e Kuvendit për AMF

Tregu i sigurimeve në vendin tonë, është një nga tregjet që nuk ka gjetur mundësinë të krijojë stabilitetin e tij prej shumë vitesh. Për këtë shkak ligjvënësit kuvendorë kanë hartuar projektligjin për funksionimin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare duke dhënë një set rekomandimesh se si mund të funksiojë ky institucion. Kuvendi ka publikuar një rezolutë për punën e realizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjatë vitit 2013, si dhe ka lënë detyra specifike që duhet të përmbushen gjatë 2014-ës e që duhet të sjellin ndryshime të rëndësishme veçanërisht në tregun e sigurimeve, si më problematiku. Në rezolutë, Kuvendi kërkon që të stabilizohen tregjet financiare, të zgjidhet përfundimisht çështja e pagesave të prapambetura të dëmeve, që nga viti 2002. Kjo do të çonte në një stabilizim të tregut me shpresën e rregullimit të tij duke e përshtatur dhe me standardet ndërkombëtare.

Po cilat janë detyrat që duhet të përmbushë AMF?

– Nxitje e qëndrueshmërisë financiare dhe zhvillimi i sigurt i tregjeve financiare nën mbikëqyrje për të mbrojtur konsumatorët;

– Stabilizim i plotë i tregjeve financiare, që për vitin 2013 kanë pësuar tkurrje si pasojë e liberalizimit të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm matrik;

– Gjetje e mekanizmave shtesë, krahas ndërgjegjësimit dhe rritjes së besimit të qytetareve, që ndikojnë në rritjen e vëllimit të sigurimeve në PBB dhe përmirësimin e raportit dëme/prime në këtë treg;

– Zgjidhje përfundimtare të problematikës së detyrimeve për pagesat e dëmeve të papaguara që nga viti 2002 e deri në fund të dhjetorit të vitit 2013;

– Marrje e masave për rritjen e nivelit të mbrojtjes së konsumatorit, duke penguar kompanitë e sigurimeve në ofrimin e produkteve jocilësore, të konstatuara nga ulja e trendit të sigurimeve të detyrueshme për vitin 2013;

– Marrje e masave për rritjen e konsumit të shërbimeve të sigurimit të jetës, nëpërmjet rishikimit të rregulloreve të nxjerra nga institucioni në lidhje me llogaritjen e rezerva matematikore për produktet afatgjata dhe kriteret përkatëse të investimeve;

– Përcaktimin e qartë të procedurave dhe kritereve të detajuara, për të parandaluar riskun që mund të vijë nga kërkesat e shumta për kapital në rastet e katastrofave natyrore;

– Marrjen e masave për zgjidhjen e problematikave të shfaqura në tregun e investimeve, të konstatuara edhe në raportin e Paktit të Stabilitetit të Fondit Monetar Ndërkombëtar;

– Përmirësimi i sistemeve online për mbikëqyrjen e modeleve mbi bazë risku, të cilat do të ishin më efektive në kontrollin e kompanive me probleme në vend të inspektimeve të deritanishme të realizuara nga Autoriteti;

– Hartimi dhe implementimin e rregulloreve specifike, dispozitave të veçanta në ligje dhe manuale të inspektimit, së bashku me Drejtorinë e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, për shmangien e praktikave abuzive të mashtrimit dhe pastrimit të parave.

– Nxitje e mëtejshme të koordinimit të punës mes Autoritetit, Qeverisë dhe grupeve të tjera të interesit, në veçanti për zhvillimin e një tregu kapitalesh në përputhje me strategjinë e hartuar nga Autoriteti;

– Nxitje e punës së Autoritetit me institucionet e tjera, që rregullojnë dhe mbikëqyrin tregjet në vend, në veçanti me Autoritetin e Konkurrencës, për parandalimin e rasteve të abuzimit me situatën dominuese në treg, të cilat dëmtojnë cilësinë e shërbimeve të tregjeve të mbikëqyrura nga AMF-ja;

– Përmirësimin e legjislacionit në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, sidomos ne fushat e pensioneve, infrastrukturës se tregut financiar, tregut të investimeve dhe shërbimeve.

– Nxitje  e fushatave edukuese për publikun, që synojnë nxitjen e ndërgjegjësimit për përfitimet nga produktet dhe shërbimet financiare, në funksion të rritjes së efektivitetit dhe integritetit të tregjeve;

– Hartimi i një strategjie për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë dhe në veçanti tregut të aksioneve, zbatimi i së cilës kërkon angazhimin dhe mbështetjen edhe të aktorëve të tjerë.

June 20, 2014 10:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*