Sa kushton një… njeri?!

June 19, 2016 11:10

Sa kushton një… njeri?!

Sa vlen një njeri? Ose më mirë, duke folur ekonomikisht, sa para mund të nxirren duke shitur një njeri ose pjesët e tij? Këto fjalë mund të duken si çmenduri, por janë pyetje të shtruara në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në lidhje me trafikun ilegal të organeve njerëzore, e cila të sjell drithërima të forta.

Sipas ekspertëve të OBSH-së, çdo vit në botë kryhen 21 mijë transplante të mëlçisë, 66 mijë transplante veshkash dhe gjashtëmijë transplante zemrash. Sipas një studimi të 2007-s, rreth pesë për qind e organeve të përdoruara vijnë nga tregu i zi, të cilat sjellin të ardhura që shkojnë nga 600 milionë – e deri në 1.2 miliardë dollarë.

Global Finance Integrity, një organizatë joqeveritare e specializuar në gjurmimin e flukseve financiare ilegale, raporton se numrat e kësaj tregtie makabre janë në një rritje konstante. E, ata të cilët vuajnë pasojat janë shtetasit më të varfër të botës, që për një shumë të vogël parash janë të gatshëm që të shesin një veshkë, një copë mëlçi, një pjesë zorre, apo beben e syrit.

Sean Fitzpatrick, drejtor i marrëdhënieve të jashtme në bankën e organeve në New England të SHBA-ve, në një intervistë në “Popular Science” thotë se heqja e një pjese të mëlçisë apo të zorrës kërkon ndërhyrje komplekse, që vështirë mund të kryhen në klinika të improvizuara në vendet e botës së tretë. Pjesa më e madhe e organeve të shitura nga donatorë në tregun e zi ka të bëjë me veshkat.

Heqja dhe më pas vendosja e tyre në trup nuk janë operacione të vështira dhe nuk kërkojnë pajisje të sofistikuara dhe as kompetenca të nivelit të lartë. Vendet kryesore të eksportit të këtyre organeve janë India dhe Pakistani, ku sipas OBSH-së, çdo vit të paktën dymijë persona shesin veshkat e tyre.

Kjo ka bërë që në vitet e fundit të lindin organizata që merren me turizmin e organeve. Ato vënë në kontakt shitësit dhe blerësit, pastaj organizojnë udhëtimin në vendet e lindjes apo në jug të botës. Çmimet variojnë nga 20 mijë dollarë për një veshkë indiane deri në 160 mijë dollarë për një veshkë që vjen nga Izraeli. Dhe, donatori merr vetëm çikërrimat – mesatarisht njëmijë dollarë.

Në Kinë organet u merren të burgosurve të dënuar me vdekje. Kështu, në vitin 2005 u mblodhën 12 mijë veshka dhe 900 mëlçi, por që më pas u shitën me çmim të lartë qytetarëve të tjerë kinezë të pasur, si dhe pacientëve të gatshëm për të paguar, vetëm për të mos pritur një dhurim sipas rregullave.

Në Kinë një veshkë mund ta blesh për 60 mijë dollarë, por edhe një pankreas, një zemër apo një mushkëri për rreth 150 mijë dollarë, raporton Shqip.

Tregtia e organeve ndalohet në të gjitha vendet e botës, me përjashtim të Iranit. Në bazë të ligjeve, rreth 1400 persona çdo vit ofrojnë ligjërisht në treg veshkën e tyre për një shumë prej 10 mijë dollarësh.

Për ata të cilët transplatojnë organet, e ardhmja mund të bëhet shumë e vështirë. Sipas OBSH-së, këta pacientë rrezikojnë dy herë. Pikë së pari për kushtet sanitare në të cilat shpesh kryhen këto ndërhyrje kirurgjikale, por edhe për garancitë e pakta në lidhje me gjendjen e shëndetshme të organeve të transplantuara. Ato mund të jenë burim infeksionesh, si HIV dhe hepatitet.

June 19, 2016 11:10
Komento

3 Komente

  1. laver stroka June 19, 12:25

    Kjo eshte normale ne boten e kapitalit ku krimi perparon dhe paraja mposht uniformat e zeza.

    Reply to this comment
  2. laver stroka June 19, 12:27

    Kjo eshte normale ne boten e kapitalit ku krimi perparon dhe paraja ligjin dhe zbatuesit e ligjit.

    Reply to this comment
  3. skifteri June 19, 15:47

    *****Njeriu për njeriun është ujk në kapitalizëm ,dhe gjithmonë shkyen viktimat duke u hequr ose blerë organet .Ujku mbetet i pa ngopur ,si kapitalizmi i pa ngopur që shfrytëzon pa mëshirë popullin e varfër.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*