Trevat e Drinit përmes dëshmive të Frang Bardhit

April 16, 2018 13:48

Trevat e Drinit përmes dëshmive të Frang Bardhit

 Prof.As. Dr. Muhamet BELA

Mbi figurën erudite të njërit prej apostujve të letrave shqipe dhe themeleve të qenësishme të gjuhës dhe kulturës shqipe, Imzot Frang Bardhi, ka mjaft kontribute të rëndësishme nga studiues të njohur të trevave shqiptare këndej e andej kufijve politikë,  në ndriçimin e mjaft aspekteve që lidhen me  jetën dhe veprën e shënuar të tij. Prandaj, unë po ndalem të parashtroj dhe të nxjerr në spikamë në mënyrë të përmbledhur disa  dëshmi të veprimtarisë së tij në trevat dhe qendrat e hershme të luginës së Drinit dhe në fqinjësi me të, Pukë, Kukës, Has dhe Tropojë, dëshmi që shërbejnë jo vetëm për të hedhur dritë mbi jetën dhe karakterin e këtyre trevave, por dhe si pikëmbështetje  e rendësishme për kërkime shkencore të disiplinave të ndryshme që kanë si objekt studimin e historisë, kulturës dhe jetës shqiptare.

Në korpusin e shkruar të Bardhit ka një larmi të dhënash burimore kishtare, etnografike, arkeologjike, politike, gjuhësore etj., të lëna përmes relacioneve dhe punimeve të tjera të mbërritura tek ne, kështu që trashëgimia e tij përbën një pasuri tejet të vlefshme në lëmin e albanologjisë. Personaliteti i tij është i tillë sa me të drejtë një bashkëkohës ka shkruar: “Le të krenohet Shqipëria dhe të gëzojë fisi i Bardhajve që i dha  atdheut bij të denjë”.

Frang Bardhi mund të konsiderohet si personaliteti më i spikatur dhe më erudit i botës shqiptare të shekullit 17. Me një formim intelektual që reflektohet në nivelin e epërm të kualifikimit me rezultate të shkëlqyera në shkollën e Vatikanit  “Propaganda Fide”, duke marrë diplomën e doktorit të filozofisë e të teologjisë, ai pasqyron vlera pikante kulturore të mishëruara në idetë dhe shpirtin atdhetar, përmes veprave të tij si Apologjia për Skënderbeun, Fjalori latinisht-shqip (1635), si dhe relacioneve të shumta drejtuar Selisë së Shenjtë, ku gjenden dhe të dhënat e vlefshme burimore që duhen studiuar dhe vjelë me kujdes.

Në punimin mbi Gjergj Kastriotin, të botuar në vitin 1636, një punim që mund ta konsideronim si një model të patejkaluar në studimet shqipe në zhanrin e tij, ai përmes një aparati shqyrtimor të pasur si rrjedhojë e erudicionit të tij, hedh poshtë pikëpamje si ato të J. Mërnjanoviçit, që don t’i nxjerrë Kastriotët me origjinë sllave. Frang Bardhi, duke polemizuar me të, sjell një dendësi argumentesh mes të cilëve shprehet edhe për origjinën e Kastriotëve nga Hasi. Ai thekson: “Megjithëse ato që kemi thënë  gjer tani mund të mjaftojnë për vërtetësinë e çështjes në fjalë, unë do të shtoj edhe disa gjëra nga mendja ime, të cilat ndihmojnë për ta ndriçuar punën e familjes së Kastriotëve. Duhet të dimë, d.m.th., se është një pjesë e vogël e Epirit apo Shqipërisë, që sot në kohën tonë quhet zakonisht nga Epirotët dhe bashkëkombasit  tanë: As. Pranë këtij vendi  janë vendosur Pulatasit (a) dhe Dukagjinasit, popullsi shqiptare. Përmes këtyre popullsive dhe përmes maleve shumë të larta rrëshqet lumi i shënuar dhe shumë i shpejtë Drin. Në këtë pjesë të Epirit, ndërmjet vëndeve malore  të asaj krahine ngrihet një fshat i njohur, i quajtur prej Askolëvet (b) Kastrat… Unë për shumë arsye guxoj ta pohoj si të vërtetë se nga ky vend e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen zakonisht Kastriotë”.

Në mjaft raste Bardhi Shqipërinë e quan me emrin e saj të lashtë Epir dhe gjuhën shqipe gjuhë epirote, e të tillë e emërton edhe në fjalorin e tij Dictionarum latino-epiroticum. Ai përmend njerëzit e shquar epirotë duke e cilësuar Pirron si mbret të Epirit, dhe më të lavdishmin vlerëson Skënderbeun, kur flet për zakonet e trevave të Pukës në një relacion të tij: “Kanë zakone shumë fisnike dhe kështu, sipas zakonit të të moçmëve, nëpër rrugë e në punë, këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj, dhe sidomos të të paepurit zotit dom Gjergj Kastrioti, të quajtur Skënderbe, dhe të shkëlqyeshmit zotit Lek Dukagjini, princit dhe zotit të tyre…”.

Frang Bardhi ka meritë të veçantë në formësimin dhe lartësimin e ndërgjegjës së malësorëve të këtyre anëve dhe në vëmendjen e tij ndaj gjuhës shqipe. Këtë vlerë të gjuhës shqipe malësori do ta mësonte në kishë, ndaj ai këmbëngul që në kishat e Arbënisë e të Lezhës të caktohen njerëz të aftë, që dinë gjuhën e popullit dhe të jenë të këtij kombi, d.m.th. shqiptar, duke shprehur njëkohësisht dhe një vetëdije të shënuar kombëtare. Ai  thekson në relacionin e tij: “…mos me dërgoni  më ipeshkvinj në këto anë që të jenë prej kombi sllav”.

Duke evidentuar qëndresën heroike të malësorëve pukjanë ndaj pushtuesve turq, në një nga relacionet e tij, Frang Bardhi përmend kundërshtitë e popullsisë së krishterë të Pukës, kur shkruan: “Të krishterët shqiptarë të Pukës kanë çuar krye kundër turkut”, dhe vazhdon: “Gjindja e Bardhetit shpesh kanë ngritur krye kundër turkut… Bardhetasit  janë për armë  më të zotët e gjithë Pukës”.

Edhe malësorët e Iballës njëlloj e urrejnë tiraninë e pushtuesit osman: ”Turku  fshatrat e Iballës kurrë nuk ka mundur t`i shtrojë në tiraninë e  vet, megjithëse vit pas viti ka dërguar sanxhakët dhe vezirët e vet herë me pesë, herë me tetë, herë me dhjetëmijë ushtarë”.

Në aspektin gjuhësor, Frang Bardhi i kushton vëmendje dhe merret edhe me shpjegimin etimologjik të emrit Pukë, kur shkruan: “Quhet Pukë sepse nëpër popujt e Pukës kalon për Serbi një rrugë e madhe e përbashkët tregtare, kështu prej rrugës ka marrë emnin populli, sepse (Puka) në gjuhën shqipe … don me thanë rrugë e rrahun e përbashkët”. Për zbërthimin e këtij emri janë shprehur dhe albanologë si Johann Georg von Hahn, i cili e shpjegon me emrin e vendit Epicaria ose Ad Picaria të kohës antike, mendim i mbështetur dhe nga mjaft dijetarë të tjerë, si: E. Tomaschek, K. Patsch, profesor E. Çabej, studiuesi Xh. Meçi etj.

Një aspekt të veçantë në punimet e Bardhit zë paraqitja e mjedisit natyror të qendrave në fjalë, ku evidenton: “Drinin, lumë shumë të kandshëm, arrat, manat, boronicat, krojet e freskëta, lëndët drusore dhe malet që dhe në verë kanë dëborë etj.”.

Me mjaft interes janë të dhënat e ofruara prej tij për kulturën materiale dhe shpirtërore të evidentuara në qendrat e Pukës dhe trevat e tjera në fqinjësi me të, siç janë: Karma, Komani, Bytyçi, Qerreti, Dedaj, Dushnjeshi, Qelëza, Kabashi, Arrësi, Bardheti, Lajthiza, Zezi(Zezajt), Vilëza, Iballa që ka 12 katunde, Apëripa, Kastranigjeja, si dhe Gashi, Biogeja, zona e Spasit (katundi i Shtanës, Dukagjini, Kolemashi, Shën Kryegja, Shën Mëria, Mëgulla, Pista, Spasi, Sparti).

Në mënyrë të përmbledhur mund të citojmë disa nga shënimet në këto relacione për qendrat e mësipërme:

Ia nisa  vizitës me 5 të qershorit të vjetit të sipërthanun – thotë  Ai – dhe të parën ditë që u nisëm prej  selisë sonë, udhëtuem 18 mil dhe mbrrijtëm te katundi i parë, i quejtun Karme, n’anë të perendimit, ku pushuem atë natë… Është i vendosun pra ky katundi i Karmës në Bregun e Drinit, lumë shumë i kandshëm. Ka kishën e vet me emën Shën Lekë. Asht e ndërtueme në një vend të mirë midis disa pemësh, arra e mana, në zbritje të shpinës së një mali”.

Tërheq vëmendjen sidomos vizita në Koman: “Po atë ditë prej Karme u nisa për Koman, 8 mil larg nga Karma termal bregut të thanun, Drinit. Komani… ka kishën e vet të quajtun Shën Mark, krejt të rrënueme, duket vetëm nga mbeturinat se aty ka qenë kishë. Asht e vendosun në breg të lumit të Drinit së bashku me katundin, në një luginë të vogël”.

Pikërisht afro tre shekuj më vonë, pas dërgimit të disa objekteve të zbuluara në varrezat e Kalasë së Dalmacies në Koman nga disa fshatarë, që iu dërguan konsullit francez Degrand në Shkodër në vitin 1892, rrënojat e saj dhe kisha në fjalë si dhe gjithë ambjenti i luginës së Drinit dhe shpatit malor të Komanit janë shndërruar në vizita e hulumtime të dijetarëve të tjerë të huaj si Ugolini, Prashniker, Nopça, L. Rei, T. Ipen etj, në objekte të punës kërkimore shkencore të arkeologëve tanë si Hasan Ceka, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Hëna Spahiu, Frano Prendi, D.amjan Komata, Luan Përzhita, Gëzim Hoxha e deri tek ata më të rinjtë, të përfaqësuar nga puna plot pasion e një arkeologeje vizionare si Dr. Etleva Nallbani, që bashkë me Dr. Elvana Metallën dhe në bashkëpunim me kolegë të shkollës arkeologjike franceze të Romës, kanë plotësuar në mënyrë të ndjeshme tablonë historike-kulturore të kulturës arbërore të Komanit, jo vetëm nga  të dhënat që vijnë nga varrezat, por dhe ato nga vendbanimet e kësaj treve.

Me këtë rast nuk mund të lë pa përmendur të mirënjohurin profesor Frano Prendi, i cili vlerësonte kontributin e pashlyer të teologëve si Frang Bardhi dhe At Shtjefen Gjeçovi, informacionet e të cilëve ishin dhe mbeten për arkeologët “një xhevahir i çmuar” në kërkimet e mëtejshme. Ndaj Komani edhe sot mbetet qendra më e rëndësishme e kulturës arbërore në gjithë territorin ku shtrihen trevat shqiptare.

Frang Bardhi në relacionin e tij ndalet edhe në një kishë të rrëzueme të Bytyçit, “ku mezi dalloheshin mbeturinat e saj dhe aty nuk varroset kush”; në vizitën në Qerretin “e pasun me shumë  arra, molla, qershi  e dardha e  kroje shumë të freskët”; në Dedajt “që bëjnë verë të mirë, të bardhë si ujë, por shumë të fortë dhe gjendet aty derisa të dalë vena e re”; në Dushnjesh, Bogdajt, Misaj dhe Manjejen, “që kanë kishën e vet n’emën të Shna Prendes, të vogël, të rrethueme në mur dhe të mbulueme me rrasa. Nuk ka asnjë lloj stolisje etj.”; në Qelëz e sidomos  Kabashët e shën Palit, “ku vendi është i mirë, qet fryte e bar shumë, ka druj të llojeve të ndryshme, arra, boronica etj. Kanë kishën e vet në emën të shën Palit, larg sa hedh gurin. Shihet se ka pas  tre kapela për rreth, njënën pas tjetrës, d.m.th. shën Gjoni, shën Kolli e shna Premtja, mbeturinat e të cilave mezi duken”.

Ai përshkruan “copat e një kryqi argjanti të praruem, shumë i bukur dhe shumë i pasun, dhe i pajisur në të katër anët me katër gurë që duken djamanta shumë të kulluem e të mëdhanj sa një kokërr arrë, e dhetë ma të vegjël të vendosun përreth të shenjtrueshmesh Nanë që asht e ngulur në kryq nga njena anë, e nga ana tjetër asht zoti ynë Krishti katër ungjillarët e tij me shenjat e tyne, dhe nën këmbët e madhërisë së tij hyjnore janë të vendosuna disa shkronja greke të cilat tregonin ose vjetin ose argjentarin”. Kjo e dhënë burimore është mjaft e vlefshme. Përmes saj vërtetohet se banorët e mesit të mijëvjeçarit të dytë në këto zona nuk kanë qenë të izoluar por, përmes komunikimit të rrugëve natyrore, kanë siguruar objekte të tilla të çmueshme që vijnë nga përtej Adriatikut, por nuk mungojnë dhe raste të prodhimit të zejtarisë artistike vendase, falë pasurive metalifere që përmbante nëntoka e trevave të Shqipërisë dhe traditës metalpunuese të këtyre zonave.

Frang Bardhi në këto relacione përshkruan dhe kishën e Arrësit “n’emën të shën Sebastianit… e vendosur mbi një kodrinë  midis lisash e arrash… “një kapelë n`emën të shna Prendes… në Bardhet, të  rrethueme në mur dhe e mbulueme me dërrasa, derën e ka pa çelës dhe asht e vendosun në rrugën publike që kalon nëpër Dukagjin e shkon në Serbi..”, Qytezën e re n’Dukagjin, “ku kanë mbet disa copa muri, me nga 11 shtëpi të përzieme të krishtena dhe po aq turke”, siç shkruan ai.

Me interes është përshkrimi i objekteve të zbukurimit prej argjendi që përmbajnë meshkujt e kësaj qyteze si dhe pajisjes së krerëve të  tyre, në pjesë të trupit, me stoli të veçanta dhe pëlhurë po të tillë: “Të gjithë meshkujt të mëdhenj e të vegjël mbajnë vathë, kush argjendi, kush argjendi të praruem, si të jetë gjendja dhe fuqia e tyre, dhe nga kjo njihen se janë të krishterë, dhe të ndryshëm prej turqve … Këta popuj të Dukagjinit, krerët e  vet të krishtenë i quajnë në gjuhën e vet shqipe qefali, d.m.th. krye dhe prijës. Këta qefalinj mbajnë në mbërthejcën e grykës së këmishës, o të këmishëzës, një sumbull argjendi të prarueme në madhësi të një molle mesatare, dhe kush asht ma i fuqishëm e ma i pasun, mban dy sumbulla edhe tri po asi lloji e po n’atë vend. Këta qefalinj, për t`u njoftë se janë qefalinj, kur dalin për t`udhtue e për të shkue në ndonjë Kuvend o për ndonjë festë, a në  ndonjë panajir, e lidhin kokën me një rubë mëndafshi të qendisun”.

Mjaft interesant është relacioni i ipeshkvit të Sapës, Frang Bardhit, drejtuar Kongregacionit të Propagandës Fide mbi vizitën në Spas etj., në qershor të vitit 1638, pra afro 380 vjet më parë, për vizitën në krahinën e Malëziut (siç njihet prej vitesh, tashmë administrativisht pjesë e rrethit të Kukësit):

“…toka ose popujt e Spasit janë larg prej Ipeshkvisë sonë të Sapës një ditë e gjysëm (rrugë) me kambë të mira dhe janë nën juridiksionin e po kësaj ipeshkvie. Janë 9 katunde të vogla: d.m.th. Katundi i Shtanës… Kisha e tij ishte shën Sebastiani, e rrënueme, pa asnjë stolisje ose prone. I dyti ishte katundi i Dukagjinit …, i cili kishte për kishë po të sipëthanunin shën Sebastian. Katundi i tretë ishte Kolemashi, shën Kryegja me kishën me të njëjtin emër, shën Mëria me kishën e saj po po shën Mëria, Mgulla me kishën e saj shna Prendja, Pista me kishën e saj shën Elia, Spasi kisha e të cilit ishte shën Shtjefni, dhe Sparti.

Kishat e sipërthanuna ishin të gjitha të rrënueme dhe të shkatërrueme pa asnjë stolisje as prone, dhe me vështirësi dukeshin gjurmët ku kishin qenë ndërtue… Këto katunde ishin pak larg njeni prej tjetrit e të vendosun pranë lumit të Drinit në gji të maleve të mëdha. Këta popuj janë të shtypun së tepërmi prej turqve … Shumë sish janë bamë turq për t`i shpëtue shtypjes dhe haraçit. Tash 70 vjet, deri sa shkova unë, nuk kishte ipeshkv ndër këta popuj të Spasit, dhe kështu burra e gra, të thimë e me mjekër deri në brez, nuk ishin krezmue. Vetëm gjeta dy pleq në shtrat, shumë të vjetër, që i kishin kalue 100 vjetat: njenit i thonin Gegë Nesa nga katundi i Shtanës së sipëthanun, dhe tjetri nga katundi i shën Mërisë që u tha edhe ai më sipër, dhe vetëm këta më thanë se kishin qenë krezmue prej D. Tozol Bardhit, prej të parëve të mij dhe paraardhës, i krijuem ipeshkv i Sapës me kujtim shumë të lum nga Gregori XIII. Ata pleq më përgjigjnin e më tregonin edhe sende të moçme të denja për t`u dijtë dhe për t`ua shënue bresnive tona t`ardhshme.

Nga Spasi, një mëngjes, u rrugova poshtë nëpër breg të lumit të Drinit, … shkuam në një katund të quajtun Krastenigjeja, ku një i krishtenë mjaft i pasun, por pak i pasun (me zotin), emnit Pape Gega nuk na la mbrendë…Dhe kur e pau këtë një i krishterë i vorfën, fqinj i tij, tue qa për veprën e tij, na u vu mbrapa e na ftoi të flinim në shtëpi të vet. Kështu ne kthyem dhe ai na bani zjarr të mirë, dhe na dha me ngranë bukë, mish, djath e hudhra dhe ujë të freskët, sepse nuk kishte venë. Të nesërmen në mëngjes pastaj i thirra në kishë aty në katundin e tyne, por më çuen fjalë se nuk mund të vinin në kishë sepse nuk mund të qëndronin në kambë nga mungesa e bukës… Prej  këtij katundi shkuem në Gash, ku qemë prit me kënaqësi… “.

Të dhënat e ofruara nga Frang Bardhi përbëjnë një kontribut me shumë vlerë për të njohur trashëgiminë tonë kulturore të këtyre trevave të luginës së Drinit dhe ato pranë saj, stadin e tyre të zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor, peisazhin e mrekullueshëm natyror të këtyre anëve etj. Përmes një informacioni të tillë, ku për meritë të tij la të shënuar çdo gjurmë ende të ruajtur në kohën e tij të ndërtesave të kultit të krishterë, zakoneve, traditave të malësorëve, ai na mundëson të thellojmë njohuritë tona rreth asaj kohe, duke shfrytëzuar të dhënat burimore historike përmes objekteve të ruajtura pjesërisht, apo gjurmëve të tyre, të cilat për studiuesit e ndryshëm, dhe sidomos për arkeologët e etnologët, përbëjnë një pikëmbështetje mjaft dobiprurëse në kërkimet e studimet e ardhshme arkeologjike e etnografike për etapën e hershme të epokës moderne të këtyre  trevave shqiptare.

April 16, 2018 13:48
Komento

2 Komente

  1. demo April 16, 20:38

    Studimin nuk e bejne pordhet,me kulte,me shenja,me zodiak,me emblema heraldike,grali i shenjte,kupa e darkes se fundit,..Moikomce,..Dan Brown.
    Zoti Bela jeni ne rrugen e duhur.Na solle nje Malesi te shek.XVII te gjalle nga penda e Frang Bardhit.Nje verejtje te siperfaqshme kam:Hiqi ato xhingla minglat prej teneqeje dr,as,prof, para emrit.Me kujtojne diktatoret zezake me uniforme ngarkuar me dekorata.

    Reply to this comment
  2. Gjilanasi April 19, 22:39

    Profesor Bela, te njoha nje dite ne Tirane si oponent, e Ti me dole mik nder miqte me te mire qe kam. Faleminderit per recensionin bere mikrotezes sime!
    Gjilanasi per kuksianin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*