Tri nëna fatkeqe

August 31, 2018 00:26

Tri nëna fatkeqe

 

“Manipulimi i ndërgjegjshëm dhe i zgjuar i mendimeve dhe sjelljeve të masave është një element i rëndësishëm në shoqëritë demokratike. Ata që e zotërojnë këtë mekanizëm të padukshëm të shoqërisë realizojnë një qeveri të padukshme e cila është fuqia e vërtetë sunduese e vendit“/Eduard Bernais*

 

Nga Viktor Malaj

Numri i nënave fatkeqe që, për arsye të ndryshme, kanë humbur fëmijët e tyre në shoqërinë shqiptare është i madh. Në vende të ndryshme dhe në botë shumë i madh. Humbja e fëmijës, për çfarëdo shkaku qoftë, është një ngjarje tragjike, e dhimbshme dhe që meriton keqardhjen e shoqërisë. Në këtë shkrim më duhet të flas për tri nëna shqiptare fatkeqe që, në kohë të ndryshme dhe për faj të shtetit, kanë humbur fëmijët e tyre.

Nuk është mirë t’iu kujtoj plagët, por e kam të nevojshme t’i përmend me emra, sepse pa krahasimin e të ngjashmeve nuk ka analizë dhe pa analizë nuk shkon dot tek e vërteta. Dhe e vërteta është e domosdoshme, sepse pa të vërtetën nuk shpjegon dot sjelljet dhe qëllimet e klasës sonë politike. Thënë ndryshe, pa zbuluar të vërtetën nuk zbulon dot fytyrën e politikës, protagonistëve të saj dhe shërbëtorëve të tyre.

Gjelë Gjikola është një nënë mirditore 94 vjeçare e cila, 70 vjet më parë, humbi vajzën e saj të vetme nga sëmundja e tifos ndërsa ndodhej e internuar nga shteti në kampin e Tepelenës. Burri i saj Preng Gjikola, i pakënaqur nga pushteti i sapoardhur dhe i manipuluar nga Bajraktari mëkatar i Mirditës, së bashku me 60 burra të tjerë dolën në mal dhe, pasi u arratisën në Jugosllavi dhe u armatosen prej saj, vendosën t’i drejtojnë pushkën pushtetit të kohës “për çlirimin e Shqipërisë”.

As Prenga dhe as të tjerët me të cilët u bashkua dhe u stërvit në Jugosllavi nuk i kishin konsideruar pushtues as italianët, as gjermanët dhe as u kishte shkuar ndërmend t’i luftonin. Mirëpo në kushtet e reja, të manipuluar nga shtëpia e Bajraktarit e cila kishte qenë gjithmonë shërbëtore me qira e të huajve dhe e pushtuesve, kishin rënë viktima të padijes së tyre të thellë, mentalitetit mesjetar të trevës ku banonin dhe dinakërisë së të parit të “fisit”.

Qeveria e kohës, e vetëquajtur komuniste, nën ndikimin e rrethanave të brendshme dhe të jashtme, e shtyrë nga histeria e fitimtarit dhe mendjengushtësia e drejtuesve të saj, kishte hapur disa kampe pune ku kishte internuar, kryesisht pjesëtarë të familjeve të ish- bashkëpunëtorëve të pushtuesve italo-gjermanë (siç ishte shtëpia e Bajraktarit të Mirditës), por edhe të individëve që pas luftës, për arsye të ndryshme, i vunë pushkën pushtetit të kohës, jo rrallë edhe në bashkëpunim me qeveritë e shteteve fqinj.

Nëpërmjet këtyre masave qeveria e kohës besonte se do iu hiqte armiqve të saj (dhe jo rrallë edhe të popullit shqiptar) mundësinë e strehimit, përkrahjes dhe furnizimit nga familjet dhe të afërmit e tyre. Kampi në Tepelenë ishte njëri prej këtyre qendrave të internimit, me kushte shumë të vështira për jetesë, pa higjienë dhe ushqim të mjaftueshëm. Në njëfarë mënyre jetesa e të internuarve ishte pasqyrë e nivelit të mjerë ekonomik e social të shoqërisë shqiptare në periudhën e pasluftës, por edhe më e keqe për shkak të përdallimit (diferencimit) që qeverisja iu bënte atyre që i vlerësonte si armiq të saj.

Pavarësisht faktit kryesor dhe fakteve shoqëruese, pavarësisht se ndërgjegjja jonë nuk duhet të pajtohet kurrsesi me ekzistencën e atyre kampeve, as me trajtimin e individëve në to dhe, për më pak, me kategoritë e personave të internuar, për hir të së vërtetës historike dhe në kundërshtim me spekulimet, manipulimet dhe mashtrimet e gjithfarë matrapazësh të sotëm politikë e mediatikë, ai nuk ka qenë një kamp shfarosjeje dhe as ka pasur si qëllim shfarosjen e individëve të internuar në të. Pavarësisht zmadhimeve rreth numrit të individëve të internuar dhe atyre që, për arsye të ndryshme, kanë humbur jetën gjatë qëndrimit atje, synimi i vetëm i ngritjes së tij ka qenë izolimi i familjeve për t’iu hequr mundësinë për t’iu dhënë çfarëdo lloj ndihme të afërmve të tyre të arratisur në male apo jashtë Shqipërisë me qëllim luftën (jo të ftohtë) kundër pushtetit të kohës.

Është thuajse e sigurt se sikur Preng Gjikola të mos dilte në mal, të mos arratisej dhe armatosej kundër pushtetit por të qëndronte në shtëpi, të flinte me të shoqen dhe jo nëpër shpella, të kujdesej për familjen dhe jo për Bajraktarin, as nënë Gjela nuk do të ishte internuar dhe, ndoshta as vogëlushja e pafajshme 3 vjeçare, Dila nuk do të kishte vdekur nga tifoja, megjithëse edhe shumë moshatarë të saj, familjet e të cilëve s’u përplasën kurrë me pushtetin, vdiqën për shkak të sëmundjeve të ndryshme të kohës dhe vdiqën në shtëpitë e tyre. Megjithëse faji i babait është shkaku i pasojave, dhimbja për jetën e humbur të vogëlushes Dilë duhet të prekë çdo njeri të ndershëm.

Nëna tjetër është Zamira Durda e cila në prill 2008 humbi djalin e saj 7 vjeçar, Edisonin nga një shpërthim i fabrikës gjëmëmadhe të municioneve në Gërdec. Ndërtimi dhe funksionimi i asaj fabrike në një qendër të banuar dhe, më në fund, tragjedia që ajo shkaktoi kanë pasur si shkak kryesor korrupsionin e shfrenuar qeveritar.

Megjithëse Kryeministri që kishte firmosur ngritjen dhe funksionimin e asaj fabrike e ka pranuar vetë se “Gërdeci ishte një krim shtetëror”, thuajse askush nuk bëri burg edhe pse u vranë rreth 30 njerëz dhe qindra të tjerë u plagosën. Dhe jo vetëm kaq, por fajtorët kryesorë të aferës tragjike edhe sot e kësaj dite shkojnë në Uashington në mëngjesin e përvitshëm të lutjeve dhe “luten për ne mëkatarët” në mënyrë që Zoti t’i dëgjojë sa kujdesen për ne dhe t’ua shpërblejë kujdesin që tregojnë me vila gjigante, makina luksoze dhe dashnore tekanjoze.

Zamira Durda ka dhjetë vjet që rropatet nëpër dyert e gjykatave shqiptare dhe në darkë “ngushëllohet” kur sheh në TV vrasësit e tërthortë të djalit të saj teksa i paraqiten popullit shqiptar si shpëtimtarët e së ardhmes dhe jo si mëkatarët e së shkuarës.

Nëna e tretë është Drane Nika nga Lezha të cilës në 21 janar 2011 shteti “demokratik” shqiptar i vrau djalin e vetëm 30 vjeçar, Aleksin gjatë një protestimi antiqeveritar në Tiranë. As babai i Edisonit dhe as babai i Aleksit nuk ishin armatosur ndonjëherë kundër shtetit dhe as vetë Aleks Nika nuk mbante kurrfarë arme zjarri apo mjet të fortë gjatë demonstrimit.

Shteti “demokratik” shqiptar i përcaktoi fillimisht vrasjet e Aleksit dhe tre të tjerëve si “vrasje nga brenda”, pastaj tha se po t’ia lypte nevoja do të mund të vriste edhe treqind të tjerë duke përfshirë edhe kryetarin e opozitës të cilin “po t’iu afrohej dritareve të zyrës do ta ekzekutonte si një bandit”.

Më vonë shteti fshiu edhe pamjet filmike të vrasjeve dhe, përfundimisht, megjithëse u vërtetua shkencërisht dhe proceduralisht fajësia shtetërore dhe individuale, “shteti” bëri tre vjet burg për katër vrasje.

Nuk më duket e nevojshme të paraqiten shumë dëshmi për të vërtetuar se cilat ishin kushtet në kampin e ngritur në Tepelenë apo në Krujë, Lushnjë e gjetkë. Më duken të tepërta deklaratat që e rëndojnë apo e lehtësojnë gjendjen që ka ekzistuar. Mua që nuk e kam jetuar atë kohë më mjaftoi dëshmia e ish-të internuarit në atë kamp z. Lekë Previzi, i dekoruar së fundmi nga Presidenti i Republikës.

Z. Previzi thoshte se: “Unë vetë u infektova aq rëndë sa më dërguan urgjent në spitalin e Gjirokastrës në verën e 1952 ku qëndrova pesë javë. Infeksioni s’hiqej dhe mjekët u detyruan t’i kërkojnë drejtorisë përdorimin e një ilaçi të jashtëm që mbahej veças dhe s’jepej pa autorizim. Shifra të sakta ne nuk mund të japim se nuk mbante kush shënime… Aty ndodhën vdekje të shumta për kondita mizerabël, mungesë ushqimi, sëmundje infektive, të ftohtit, punë të rënda. Veçse merret vesh mirë se aty s’ka pasë tortura në kuptimin e saktë, as është pushkatuar e varur kush…Trajtimi më i keq i Tepelenës ishin punët e rënda, si kafshë bartëse, të cilës i nënshtroheshin të internuarit e aftë për punë”. ( gazeta ” Tema “, datë 3 prill 2018 ).

Nënë Gjela (së bashku me disa të tjerë) u dekorua me medaljen “për merita të veçanta civile” dhe me motivacionin si shembull i vetëdijes qytetare dhe kombëtare për të ardhmen. Çdo ndërgjegje e pastër bën thirrje të sinqertë për keqardhje për nënë Gjelën dhe vuajtjet e saj në të shkuarën, por edhe çdo mendje e shëndoshë e ka të pamundur të pranojë ekzistencën e vetëdijes qytetare apo kombëtare për të ardhmen tek një grua analfabete, jo për faj të saj, nga një prej zonave më të prapambetura ekonomikisht dhe kulturalisht të vendit. Nënë Gjela nuk u internua për shkak të vetëdijes apo vizionit të saj për të ardhmen e kombit, por u internua (sigurisht që padrejtësisht) sepse burri i saj, për motive vetjake dhe mentalitete fisnore, i vuri pushkën pushtetit të radhës.

Historia e njerëzimit nuk njeh asnjë rast që ndonjë lloj qeverisjeje apo sistemi politik t’i ketë pritur me lule ata që zbrazin armët kundër tij. Nënë Gjela dhe vajza e saj ishin të pafajshme dhe këtu qëndron faji i shtetit që i internoi dhe jo sepse shteti, siç mashtrohen sot shqiptarët, i dërgoi atje për t’i shfarosur, pa ushqim dhe as kujdes mjekësor minimal.

Trajtimet e njerëzve, të ngjarjeve dhe të veprimeve individuale duke përdorur kritere dhe standarde të ndryshme, të dyfishta e të shumëfishta, të vërteta dhe të sajuara, është bërë modë tek ne prej 28 vjetësh, akoma më shumë, më keq dhe më turpshëm se në të kaluarën.

Ai burri që dekoroi nënë Gjelën, të cilës i kishte vdekur vajza nga tifoja, lidhi aleancë me ata që i vranë djalin nënë Zamirës vetëm një vit pas ngjarjes duke e argumentuar me “nevojën e integrimit të vendit në Evropë”. Ky burri që dekoroi nënë Gjelën “Për merita të veçanta civile” pse kishte qenë e internuar 3-4 vjet në Tepelenë, ishte në pushtet në janar 2011 kur shteti i tij vrau djalin e nënë Dranes dhe, po ky burri i quajti protestuesit “kokëpalarë”, gjë që s’e vë në pikëpyetje kuptimin se “kokëpalarët” edhe mund të vriten “për nevoja demokratike” edhe pse nuk kanë armë me vete dhe as nuk kanë kryer ndonjë akt të dhunshëm që të kërcënojë rendin demokratik.

Bashkëshortja e atij burrit që dekoroi nënë Gjelën, kryeson sot një parti politike që është në aleancë me vrasësit e Edisonit dhe Aleksit me premtimin e ” pastrimit të politikës nga krimi “. Hajde e mos i beso po deshe ! Nëse dekorimi i nënë Gjelës u bë (siç duan ta paraqesin disa) për t’i lehtësuar dhimbjen dhe si ndjesë e shtetit për fajet e tij, atëherë unë do guxoja t’i propozoja Presidentit të Republikës të dekorojë edhe dy nënat e tjera, nënë Zamirën dhe nënë Dranen. Sepse është e papranueshme dhe aspak e drejtë që në emër të luftës kundër komunizmit të vdekur, nëna e Edisonit dhe ajo e Aleksit harrohen, përbuzen dhe mallkohen.

Diskutimet dhe debatet rreth kampit të Tepelenës kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Unë besoj se duhet të jenë të rrallë ata individë që e miratojnë ekzistencën e atij kampi dhe që nuk ndiejnë dhimbje për njerëzit që u vendosën në të nga shteti.

Por, ta shpallësh atë si kamp shfarosjeje, një “Aushvic shqiptar” etj. kjo është jo vetëm larg së vërtetës historike, por edhe një dëshmi e qartë e moralit të kalbur apo mungesës së dinjitetit të pohuesve të tillë, qofshin këta vuajtës të tij, publicistë të çakërdisur apo politikanë karagjozë dhe mendjelehtë të opozitës dhe, mjerisht, edhe të pozitës.

Historia e një populli nuk mund të shtrembërohet as për hir të interesave politike të çastit dhe as për t’iu bërë qejfin një grushti njerëzish që të shtyrë nga lajkatarët politik vijojnë të jetojnë pambarimisht me emocionet, përjetimet dhe perceptimet e tyre të para shumë dekadave dhe as për të kënaqur megalomaninë e disa publicistëve të hakërryer. Historinë e Shqipërisë nuk mund ta shkruajnë me seriozitet e besueshmëri as djali i E. Hoxhës dhe as ai i Safet Butkës i arsimuar nën kujdesin e Enverit për t’u bërë nëndrejtori i gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet deri në vitin 1990, as të burgosurit politikë të para 1990 dhe as ata që kanë mbushur xhepat dhe valixhet me para nga shteti apo gjithfarë fondacionesh me frymëzime neonaziste pas 1990.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës internuan për tre vjet rreth njëqindenjëzetë mijë shtetas amerikanë me origjinë japoneze, pesë mijë me origjinë gjermane dhe tre mijë të tjerë me origjinë italiane, si dhe arrestuan rreth pesë mijë të tjerë vetëm nga frika se në rast sulmi ndaj Amerikës do të ndihmonin ushtritë e vendeve të tyre të origjinës. Shkak apo pretekst për këto internime dhe arrestime u bë ndihma që dy japonezo-amerikanë i dhanë një piloti ushtarak japonez që u rrëzua në tokën amerikane.

Nëse kampi në Tepelenë ishte vërtetë një “Aushvic shqiptar”, atëherë babai i Edi Ramës dhe ai i Ministres mendjelehtë Mirela Kumbaro u takon të kenë qenë kuadro të lartë SS. Po ashtu, babait shpirtëror dhe drejtuesit të vërtetë të PD-së, Sali Berishës, i takon të ketë qenë eksponent i lartë i propagandës gebelsiane.

Histeria antikomuniste pa komunizëm, 30 vjet pas lamtumirës së tij dhe kur s’ka kurrfarë gjasash rikthimi, nuk buron nga mendime dhe gjykime të sinqerta dhe as synon të mirën e vendit. Më së pari ai është një akt i dëshpëruar i elitës politike të dështuar shqiptare e cila, as moralisht, as kombëtarisht, as ndërtimisht nuk ka arritur t’iu dëshmojë shqiptarëve ndonjë superioritet krahasuar me klasën politike të para 1990. Kush e ka lartësuar veten me vepra s’ka nevojë për fjalë. Kush tregohet dinjitoz me sjelljet e tij të sotshme s’ka nevojë të përdorë apo keqpërdorë sjelljet e paraardhësve për kapital moral apo politik. Thirrjet e ndonjë çafke politiko – publicistike, që ka mbushur xhepat me paratë e fondacioneve me prejardhje naziste, për ngritje “muresh kujtese” në mes të kryeqytetit janë të turpshme dhe të papranueshme. Shqiptarët nuk kanë nevojë për mure, por për ura. Një mur i tillë nuk duhet ndërtuar për shumë arsye.

Kujtesa jonë historike nuk mund të kufizohet as në kohë (1945-1990), as në hapësirë dhe as në disa krahë politikë. Një mur i tillë, i ndërtuar me mentalitetin e zonjës që jeton 24 orë nën trysninë e histerisë antikomuniste, nuk do të përfshinte as viktimat e shumta të regjimit monarkist dhe as ato të regjimeve të pas 1990 dhe as viktimat e krimeve të kryer nga terroristët antikomunistë gjatë periudhës 1944-1990. Kujtesa e pjesshme, e mangët apo e manipuluar është më e keqe se mungesa e kujtesës.

Pavarësisht formave në të cilat shfaqet antikomunizmi i rremë dhe i panevojshëm, në thelb ai ka një synim: duke bërë çmos të shtrembërojë dhe paraqesë LNÇL si “luftë civile” dhe periudhën e pasluftës si regjim të ngjashëm me nazizmin, ai synon të justifikojë, rehabilitojë dhe lartësojë të gjithë bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë, spiunët dhe kriminelët e luftës, spiunët dhe terroristët e pasluftës dhe, nga ana tjetër të vërë në gjumë ndërgjegjen e sotme shoqërore përballë padrejtësive, shkatërrimeve dhe krimeve të pafundme që klasa politike (djathtas e majtas) po kryen tash 28 vjet në kurriz të shumicës së popullsisë dhe në dëm të vendit. Mjerisht, në këtë grackë, me apo pa vetëdije, ka rënë edhe një pjesë e madhe e të ashtuquajturës “e majta shqiptare”, duke filluar me kryeministrin e vendit dhe deri tek ndonjë kryetar bashkie. Domethënia dhe qëllimi i një sjelljeje të tillë është: Ne, vërtetë jemi batakçinj, mashtrues, shpifës, dashnorë konçesionesh fitimprurës dhe manipulues tenderash zhvatës, falsifikues votash dhe vrasës të papenduar, por ju s’duhet kurrësesi të hidhni shikimin nga e shkuara që kishte vetëm internime, burgosje dhe krime.

Në fund të fundit, ne jemi antikomunistë që nuk e mbajmë pushtetin dyzet vjet si ata por e ndryshojmë herëpashere në mënyrë që të shfryjmë zemërimin tuaj dhe të ruajmë pozitat tona si kastë, si elitë dhe si establishment politik, ekonomik dhe mediatik.

T’i njohësh, pranosh dhe dënosh krimet e komunizmit është detyrë fisnike. T’i konsiderosh të gjitha ndëshkimet si krime, ndëshkimet e bashkëpunëtorëve të pushtuesve, spiunëve të të huajve, vrasësve dhe terroristëve, si të padrejta është e turpshme dhe, mbi të gjitha, shumë e dëmshme për çështjen tonë kombëtare.

T’i mohosh, justifikosh apo lartësosh krimet e kryer nga të tjerët në emër të monarkizmit, antikomunizmit apo “demokracisë” është kriminale. Lartësimin dhe dekorimin e Ndue P. Gjomarkaj e Co. mund ta bënin vetëm vëllezërit moralë, ideologjikë dhe politikë të Hitlerit dhe mund ta pranojnë me heshtje ose rreshtim politik nxënësit e zellshëm, por edhe qesharakë të Gebelsit. Mendjet e shëndosha dhe ndërgjegjet e paerrësuara nuk ia lejojnë vetes që, sa ishte gjallë “komunizmi” të justifikonin krimet e tij dhe dënonin vetëm ato të paraardhësve ashtu si nuk mund t’ia lejojnë vetes që tani kur “komunizmi” ka vdekur të ekzagjerojnë e dënojnë vetëm krimet e tij dhe të përligjin, nderojnë, dekorojnë e monumentojnë krimet dhe kriminelët antikomunistë. Ky nuk mund të jetë kriteri dhe parimi i njerëzve të ndershëm, por mendimi, sjellja dhe veprimi i banditëve politikë, socialë apo publicistikë.

Do të ishte fyerje për inteligjencën tonë dhe e papranueshme për arsyen tonë që të besonim se janë të sinqertë politikanët apo publicistët që kërkojnë ngritje “muresh kujtese” ose objekte të aty-këtushme si dëshmi të mospajtimit të tyre me fajet dhe krimet e së shkuarës, ndërkohë që, nga ana tjetër, heshtin apo përligjin ngritjen e shtatoreve të A. Zogut në Tiranë apo të disa kriminelëve të regjur të luftës nëpër qytetet e tjera, si dhe pranojnë që ende të bëjë moralistin dhe demokratin Sali Berisha dhe garda e tij pretoriane morale, shpirtërore dhe politike. Ndërgjegjet e papërlyera me të shkuarën dhe të sotmen dhe që shohin më larg se xhepat e tyre, pa u penguar nga emocionet e veta dhe që ia duan të mirën vendit dhe popullit, duhet të thërrasin fort: Mjaft më! As komunizëm dhe as antikomunizëm! Poshtë hipokrizia, mashtrimi, fyerja dhe keqpërdorimi i popullit dhe i historisë për interesat e xhambazëve politikë!

******

*Edward Bernays – Studiues i shquar austriako – amerikan i shek të 20-të, i vlerësuar si “babai i marrëdhënieve publike”.

Botuar sot në DITA. Në foto kryesore: Zamira Durda duke luftuar në dyert e gjykatave për drejtësi për të birin (majtas). (Djathtas) Gjela Gjikola në vitin 2006 pasi ka zhvarrosur eshtrat e të bijave në Tepelenë

August 31, 2018 00:26
Komento

32 Komente

  1. Neutrino August 31, 00:43

    Edi Rama mund të jetë gjithshka, por jo i majtë. Ai është anarkist më një dërrasë mangut. Pushteti i vetëm për të është egoja e tij.

    Reply to this comment
    • fuckyourdemonkraci ! August 31, 19:57

      Neutrino me vjen keq qe nuk ke kuptuar ti dhe bedrislamet e Dites faktin se qe kur Rama caktoi Visho Ajazin kete serb te Vrakes se shkodres dhe trurin e gazidedes si ambasdor ne NATO..tregoi se ai nuk eshte as i majte as i djathte por vecse gishti i MESIT.qe na i kane futur ‘GARANTET NDERKOMBETARE..QE DO TE THOTE QE ESHTE KUFOME
      .

      Nuk e kuptoj pse vihet shenja barazimit midis ketyre dy vdekjeve..nese ajo e TEPELENES ishet nje vdekje qe ndodhte ne cdo fshat te shqiperise edhe ato qe ishin te lire por ne nje periudhe rrethimi kanibal nga miqte e sotem me serbet dhe greket…Cfare do themi per qindra vdekje ne japono-amerikanet ne 1942-1948 ? th same shiit
      .
      Si mund te barazohet nje kamp pune ne Tepelene me holokaustin e Gerdecit qe ishin perfshire dhe njerez jo dosido ne Amerike qe sot Berisha i ka shkelur “bishtin” dhe jo vetem nuk i leshon por dhe i kercenon me “gjuhen e gjarperit” si te emisioni sokol balles kur tha qe une e pshura dhe te derguarin e Obames si NY -TIME ..LETER HIGJENIKE

      As nje

      ambasador
      .
      prift

      .hoxhe

      .dervish

      deputet

      intelektual

      i perndjekur porno-politik

      biznesmen

      gazetar

      analist