“Trident Juncture-15”, trupat ushtarake shqiptare në stërvitjen e NATO-s

October 16, 2015 16:51

“Trident Juncture-15”, trupat ushtarake shqiptare në stërvitjen e NATO-s

Në ambientet e Komandës së Forcës Tokësore në Zall-Herr u zhvillua ceremonia e përcjelljes së trupave të kompanisë së parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, të cilët do të marrin pjesë në stërvitjen shumëkombëshe “Trident Juncture-15”.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo si dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke iu drejtuar trupave pjesëmarrëse në stërvitjen “Trident Juncture 2015” tha se “ju ushtarakë të Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë po merrni pjesë në një nga angazhimet më të rëndësishme për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që nga nisja e procesit të anëtarësimit në NATO”.

trupa 2Më tej, ministrja Kodheli u shpreh se “kjo stërvitje është një konfirmim i aftësive dhe kapaciteteve tuaja për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë”. “Nën moton ’28 për 28′ ju do t’i bashkoheni më shumë se 36 mijë trupave ushtarake të vendeve të Aleancës, por dhe të atyre partnere. Ndihem krenare që ju po merrni pjesë në këtë angazhim masiv, të pajisur sipas standardeve dhe modeleve më të mira të NATO-s”, theksoi ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Kodheli u shpreh “ju merrni pjesë në një angazhim historik të Aleancës. Prandaj ju kërkoj të tregoni më të mirën tuaj. Të jepni maksimumin për ta bërë si gjithnjë Shqipërinë krenare për ushtarakët që ka, për Aleancën që ka në gjirin e vet profesionistë të zotë, por dhe për familjet tuaja që kanë burra e djem trima e sypatrembur”.

Qëllimi i stërvitjes “Trident Juncture-15” është të trajnojë dhe testojë Forcën e Reagimit të NATO-s, një forcë shumëkombëshe e gatishmërisë së lartë dhe teknologjikisht e avancuar e përbërë nga komponentët e forcave tokësore, ajrore, detare dhe forcave speciale.

Në këtë stërvitje do të përfshihet një personel prej 36 000 vetësh, më shumë se 60 luftanije dhe rreth 200 avionë nga mëse 30 vende aleate dhe partnere. Stërvitja do të zhvillohet në Itali, Portugali, Spanjë, Oqeanin Atlantik, Detin Mesdhe dhe gjithashtu në Kanada, Norvegji, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë. Stërvitja “Trident Juncture-15” është stërvitja më e madhe e NATO-s që nga viti 2002, pas stërvitjes “Strong Resolve 2002” në të cilën morën pjesë rreth 40 000 trupa.

Ajo do të demonstrojë nivelin e ri të rritur të ambicies së NATO-s në luftën moderne dhe do të tregojë një Aleancë të aftë dhe të pajisur me aftësinë dhe kapacitetet e përshtatshme për të përmbushur sfidat e tanishme dhe të ardhshme të sigurisë.

October 16, 2015 16:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*