Trimëria pas lufte

July 27, 2016 09:44

Trimëria pas lufte

 

Nga Illo Foto

 

Proverbi shqiptar “Trimëria pas lufte dhe mençuria pas kuvendi, nuk i duhet kujt”, ka një vlerë te madhe përgjithësuese. Të krijohet përshtypja se është shpikur për të stigmatizuar periudhën pas miratimit historik të draftit të reformës në drejtësi. U mbush një javë që ky draft u miratua me 140 votat e mundshme të Kuvendit.

Gjatë kësaj jave kemi dëgjuar mburrka gjithfarësoj se si u përgjëruan disa politikanë dhe deputetë, për ketë reformë jetike, për vendin. Media audio-vizive, na ka prurë në ekran ambasadorët Lu dhe Vlahutin, që në mënyrën më të pazakontë diplomatike, kanë bashkëpunuar, për të bindur opozitën shqiptare, se duhej votuar pro reformës në drejtësi. Nuk numërohen rastet, që këta ambasadorë heronj, kanë  vizituar kabinetet ku rehatoheshin Berisha dhe Basha. U zhvilluan bisedime intensive 2 palëshe, ku interesat e Shqipërisë i mbronin ambasadorët. Lu dhe Vlahutin, këmbëngulën heroikisht, që opozita e kryesuar nga Basha dhe e drejtuar nga Berisha, të bëheshin pjesë e procesit, ku epërsinë kishin socialistët e Fatmir Xhafës, sipas Berishës në mënyrë të pamerituar.

Nuk më ka qëlluar të shoh një veprimtari kaq intensive diplomatike, për t’i mbushur mendjen Bashës, se drafti duhej të votohej me ç’do kusht. Për të bërë të mundur këtë bindje, pjesë e këtyre ndërhyrjeve u bë dhe Znj. Nuland, ndihmës sekretarja e shtetit amerikan për Europën, që zbarkoi në Tiranë për të bindur zotërinjtë opozitarë se reforma i shërbente Shqipërisë. Propozoi një variant hibrid të pranueshëm nga të dy palët. Këtë variant e pranoi Basha në darkë, për të pritur mëngjesin, që do ta kundërshtonte në mënyrë sofiste. Që Basha është politikan i paaftë dhe pa bosht dihej, por në këtë rast u konfirmua edhe qesharak.

Në fakt Basha mbi vete, ka një “Kerr dhe Nuland”, shumë më të fuqishëm. Ky është Sali Ram Berisha, oktapodi që e ka kapur për gryke drejtësinë shqiptare prej 25 vjetësh.

Është e provuar në dritën e diellit se Lulzim Basha ishte kundër reformës në drejtësi. Ne rastin më të favorshëm ishte për një draft që do të miratohej në një kuvend, pas kësaj mazhorance, kur ai pretendon të bëhet kryeministër. Një ndër pengesat që ngriti Saliu, nëpërmjet fjalimeve patetike të Lulzimit, ishte ruajtja e sovranitetit dhe dinjitetit kombëtar. Të huajt, sipas tyre, nuk duhej të na bënin vettingun e gjyqtarëve. Realisht u bënë shumë ndryshime në draft, për t’u  afruar me absurdin e një opozite koketë. Opozita pyetet, por nuk përkëdhelet.

Për cilin dinjitet flet ti zotëri? Për atë kur erdhi ushtria italiane e beretave të gjelbra dhe ndante bukën me armë? Ti e katandise vendin në atë derexhe dhe tani pretendon se aleatët e mëdhej të cenoka dinjitetin e vitit 1997! Po për cilin dinjitet flet, kur me emrin e kombit, realizove një vjedhje spektakolare nga buxheti. Apo kur i fale grekut një sipërfaqe ujore me vlera të mëdha potenciale. Në 25 vite të veprimtarisë tënde politike, ti je deri në gryke me krime, ku nuk mungon edhe veprimtaria agjenturore. Duhet të jesh më i rezervuar, kur flet për aleatët strategjikë, nga miqësia me të cilët varet e ardhmja e Kombit.

Kundërshtimi i draftit nuk ishte vendimi suprem i opozitës, por i analizuar nën dritën e porosive të liderit shpirtëror të saj Dalai Lamës shqiptar, Sali Berisha. Partia Demokratike edhe pas dorëheqjes formale të këtij sigurimsi të sprovuar, mbeti një institucion ekstra fetar, që i bindet verbërisht Dalai Saliut.

Pse i bindet kaq verbërisht? Thjesht për interesa materiale. PD e ka humbur me kohë identitetin antikomunist dhe patriotik. Këto interesa meskine i braktisën Majlinda Bregu, Eduard Selami, Astrit  Patozi, për të tjerët nuk kam siguri. Këta demokrate patriotë deklaruan votën pro reformës, përpara datës 21 korrik. Salistët fanatikë, (sepse nuk mund t’i quaj ndryshe demokratët shqiptarë), kanë ditur ta shesin votën shumë shtrenjtë. Në këto 25 vjet, në një anë të peshores kanë vënë votën dhe në tjetrën pasuritë e Shqipërisë. Ia kanë dalë.

Ishte e sigurt që reforma do të votohej me mbi 94 vota, duke llogaritur dhe votën e separatistit socialist, Vladimir Kosta. Nuk e vë në dyshim votën e B. Blushit dhe të zonjës Hafizi. Ata do të votonin pro reformës, sepse i përkasin elitës  kulturore kombëtare, që sado kundërshti dhe mllefe të kenë, nuk mund të pajtohen me vrasësit e Gërdecit, të 21 janarit dhe me të zhdukurit pa nam e nishan, si rasti i Remzi Hoxhës dhe mijëra të tjerëve.

Reforma në drejtësi, ka synim të eliminojë drejtësinë e falsifikuar me dekada. Kjo nuk mund të jetë as më shume as me pak, veç ideal i shumicës së shqiptarëve, që aspirojnë një Shqipëri europiane, krejt ndryshe nga Shqipëria tranzitive e këtyre 25 viteve të zymta, ku njerëzit janë vrarë për një fjalë goje dhe janë lëne të lirë për miliona euro të vjedhura nga pasuria e popullit. Çekiçi i drejtësisë të jetë në  duar të njerëzve të devotshëm, të dalë nga vettingu.

Drejtësia  presupozohet të jetë ndryshe. Këtë vendosi Kuvendi më 21 Korrik. Për këtë fitore historike, shumë politikanë i bien gjoksit si protagonistë. Të rrëmbenin meritat, siç kanë mundur të rrëmbejnë pasuritë e këtij populli të varfër. U desh ta privatizonin këtë meritë republikani falso, Fatmir Mediu, Lulzim Basha, disa segmente të LSI-së dhe qindra “analistë”  të gazetave të “pavarura” . Dëgjova dhe një analizë “konstruktive” të Fahri Balliut, i cili ka kumtuar, se po të mos ishte gjallë Sali Berisha, reforma do të mbetej një ëndërr e shqiptarëve. Është një kapitull i ri i shtuar nga autori  Balliu për Saliun, në biografinë e shkruar nxitimthi për së gjalli për Dalai Lamën shqiptar. Jam dakord me Balliun, por me një korrigjim radikal: Po të mos ishte gjallë Sali Berisha, nuk do të kishte nevojë as për reformë, sepse drejtësia dhe Shqipëria nuk do te ishin katandisur këtu ku janë. Është apo jo vonë, këtë le ta gjykojë historia; aktualisht Shqipëria ka mundësi të vendosi themelet e shtetit ligjor, që fillon nga drejtësia e një shteti të deformuar në qelizë nga vetë S. Berisha.

Beteja për reformën u mbyll me 21 korrik. Mburreni apo shani njeri tjetrin, është puna juaj. Këtë betejë historike e fitoi vetë Shqipëria, me ndihmën e çmuar të ambasadorëve Lu – Vllahutin. Mendimi im ka qenë dhe mbetet i pa ndryshuar: reforma mjafton të miratohej me 94 vota. Kjo ishte ligjore  e pa kontestueshme. Miratimi me konsensus ishte  luks, shume i pranueshëm, por jo i domosdoshëm. Ambasadorët e nderuar i kishin bërë mirë llogaritë. Reforma do të miratohej me ose pa konsensus dhe kjo përbënte thelbin e çështjes.

July 27, 2016 09:44
Komento

1 Koment

  1. Dashamirwsi D. July 27, 15:14

    Lili Foto tw lumtw gojasa pena shkruar ,komanduar nga ajo mwndia juaj ..(sa shkruan”Trimeri pas lufe”).
    Falemindert !
    Dashamirwsi D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*