Tritol biznesmenit dhe banesës, shkak e kaluara

February 1, 2015 10:23

Tritol biznesmenit dhe banesës, shkak e kaluara

Dy atentate me eksploziv kanë ndodhur brenda pak orëve ditën e djeshme, në Tropojë dhe Krujë. Objekt i sulmit kanë qenë një biznesmen dhe një kryefamiljar. Tritoli është vendosur në makinën “Benz” të biznesmenit Eduart Çela në Krujë dhe në banesën e Bajram Mustafës në qytetin e Bajram Curri. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale dhe për fat të mirë pa të lënduar. Në të dy rastet policia ka si pistë kryesore hakmarrjen për shkak të konflikteve të kaluara, pasi të dy burrat mësohet se kanë pasur precedentë penalë të mëparshëm. Gjithashtu hetohen edhe pistat e një sherri banal apo konkurrencës.

 

Krujë

Një makinë ka shpërthyer gjatë orëve të para të ditës së djeshme në qytetin e Krujës. Sipas policisë vendore, ngjarja ndodhi në lagjen numër 1. Lënda plasëse tritol me fitil zjarrpërcjellës është vendosur në mjetin tip “Benz”, me targë AA697ER. Automjeti është në pronësi të biznesmenit Eduart Çela, 45 vjeç, i parkuar përpara lokalit të tij. Sipas policisë, nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa po punohet për përcaktimin e lëndës plasëse, si dhe identifikimin e autorëve. Eduart Çela është pronar i lokalit “Bar-Restorant Piceri Kruja”, në lagjen nr.1 dhe bashkëpronar në disa biznese në Tiranë. Sipas policisë, ai ka qenë i dënuar më parë me 5 vite burgim për drogë, nga të cilat ka vuajtur 3 vjet dhe është liruar me kusht. Ndaj edhe pista kryesore e grupit hetimor mbeten konfliktet në të kaluarën, pa përjashtuar edhe pistën e konkurrencës në biznes. Vetë Çela ka dëshmuar se nuk ka pasur kërcënime apo konflikte dhe nuk e di se kush janë autorët. Nga shpërthimi është dëmtuar mjeti, janë thyer disa xhama dritaresh të një pallati.

 

Tropojë

Ndërsa një sasi tritoli shpërtheu mëngjesin e djeshëm në derën e jashte të një banese në qytetin verior të Bajram Currit. Shtëpia në lagjen “Dardania” është në pronësi të Bajram Mustafës. Fatmirësisht si pasojë e shpërthimit që ndodhi në orën 05:00, nuk ka të lënduar në njerëz, por dëme materiale. Policia tha se nga hetimet paraprake rezultoi se 40-vjeçari është person me precedentë të mëparshëm penalë dhe po heton në lidhje me konfliktet e mëparshme që janë pista kryesore për ngjarjen. Vetë pronari i banesës tha se nuk ka konflikte, ndërsa shpërthimi ka krijuar panik tek banorët e zonës.

February 1, 2015 10:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*