“Tritoli mund të jetë zhdukur në 1997”

November 11, 2014 04:46

“Tritoli mund të jetë zhdukur në 1997”

Gjykata e Krujës ka dhënë dje masën e sigurisë “arrest me burg”, për tetarin Adem Hasani, 53 vjeç, i akuzuar për “vjedhje” dhe “shpërdorim detyre”, në çështjen e 12 mijë kallëpeve tritoli të zhdukur nga depot e ushtrisë në fshatin Nuaj të Krujës. Vendimi është marrë dje në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krujës. Gjatë seancës, vetë ushtaraku Hasani si dhe avokati i tij mbrojtës, nuk e kanë pranuar akuzën në fjalë, duke pretenduar se inventari ka qenë me probleme prej shumë vitesh dhe ai eksploziv mund të ishte zhdukur prej vitit 1997, gjatë trazirave dhe më pas. Por prokuroria deklaroi se përveç Hasanit, të përfshirë në këtë krim, janë edhe 6 persona të tjerë që po hetohen.

 

Masa

Tetari Hasani ka këmbëngulur se ai nuk ka bërë asnjë shitje të eksplozivit apo abuzim me detyrën. “Koha do ta provojë se jam i pafajshëm. Po kështu do dalë edhe e vërteta e tritolit. Unë nuk kam nxjerrë asnjë kallëp tritol nga depot pa procedura inventari”, dëshmoi 53-vjeçari në gjykatë. I ashpër ishte edhe avokati i të dyshuarit që u arrestua të premten në mbrëmje nga Policia Ushtarake. Ilir Kurti u shpreh se ka kërkuar nga gjykata që të vendosë masë më të lehtë për klientin e tij. Kjo, pasi sipas Kurtit, “tetar Hasani është një njeri i rregullt dhe i punësuar që më 1996, si dhe pa precedentë të mëparshëm penalë që ta implikonin”. Madje sipas avokatit mbrojtës, “nuk përjashtohet mundësia edhe e vjedhjes së tritolit gjatë trazirave të 1997”. Në këtë kontekst ai ka mohuar akuzat ndaj klientit të tij. Në fund të seancës gjykata miratoi kërkesën “arrest në burg” për të dyshuarin.

 

Prokuroria

Vjedhja e tritolit dyshohet se ka edhe 6 bashkëpunëtorë të tjerë. Sasia prej 2,4 tonë eksploziv me vlerë dëmi 200 milionë në arkën e shtetit nuk është zhdukur vetëm nga i dyshuari Hasani, që punonte si magazinier përgjegjës i armatimit në depot e Krujës. Skandali u denoncua nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa menjëherë u vu në lëvizje edhe Prokuroria, e cila nga hetimet e kryera akuzoi ushtarakun Adem Hasani. Sipas organit të akuzës, dyshohet se në vjedhjen e tritolit të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë ndër vite. Hasani, prej 18 vitesh ka kryer i vetëm inventarin e depove ushtarake, ku në të shumtën e rasteve ka rezultuar se ato ishin inventar fiktiv, për t’u zbuluar më pas nga një urdhër i ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila ka kërkuar inventar me grup ushtarakësh për çdo depo në pronësi të ushtrisë. Ndaj prokuroria e ka si të akuzuarin kryesor tetarin, por dyshon edhe për 6 të tjerë që po hetohen.

November 11, 2014 04:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*