Tritoli në shtyllë u vendos vetëm për të shkaktuar kaos

Artur Qoraj January 5, 2014 09:14

Tritoli në shtyllë u vendos vetëm për të shkaktuar kaos

Grupi hetimor beson se ngjarja e 31 dhjetorit, ku persona ende të paidentifikuar hodhën në erë shtyllën e tensionit të lartë Tiranë-Podgoricë në Milot, ka prapavijë të pastër politike. Krimi ndodhi vetëm 2 ditë pas thirrjeve për protesta të dhunshme dhe rrëzimin e qeverisë, kur në parlament diskutohej buxheti. Ndodhi pikërisht natën e ndërrimit të viteve, vetëm 6 orë para. Dhe me parulla ku shkruhej; “Nafta” dhe “Taksat”. I cilësuar si një akt terrorist, shumë shpejt pritet të ketë edhe autorë të arrestuar, pasi policia dhe prokuroria kanë gjetur gjurmë dhe prova që do të çojnë tek ky grup i organizuar. Sulmi nga ekspertët cilësohet si një përpjekje për të krijuar teorinë e kaosit, ku pas një akti të tillë terrorist fshihet një qëllim i pastër politik. Burime nga grupi hetimor i thanë gazetës DITA se ngjarjet dhe skenari është si dy pika uji me ato të ndodhura gjatë periudhës 2000-2003, kur ndodhën të paktën 15 akte terroriste me tritol ndaj shtyllave të tensionit të lartë, duke rrëzuar disa prej tyre dhe lënë pa drita një masë të madhe popullsie, për të rritur pakënaqësinë popullore. Dje ka ndodhur një tjetër sulm ndaj shtyllave të tensionit, pasi në Fier është vjedhur një sasi teli nga persona të paidentifikuar dhe ngjarja u bë e ditur nga CEZ, e cila e denoncoi.

 

Ngjarja e 31 dhjetorit

Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi u dëgjua rreth orës 18:00 të mbrëmjes së 31 dhjetorit, vetëm pak orë para se të ndërroheshin vitet dhe kur festohej Viti i Ri. Ngjarja ndodhi në Kurbin, në vendin e quajtur Ndërlalaj në Milot. Shpërthimi dëmtoi një nga këmbët e shtyllës së tensionit të lartë të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Tritoli ishte vendosur në lartësinë 10 metra nga toka. “Ndërkohë, në këmbën tjetër të kësaj shtylle, në lartësi 10 metra nga toka, është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6,4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës”, njoftoi zyrtarisht policia. Por ajo nuk shpërtheu fatmirësisht, kurse specialistët riparuan për pak orë dëmtimin e krijuar. Ekspertët xhenierë çaktivizuan 16 kallëpet në shtyllën e dytë.

 

Mesazhi politik

Në njërën nga këmbët e shtyllës, policia ka gjetur dy kartonë, njëri me mbishkrimin “NAFTA” dhe tjetri me mbishkrimin “TAKSAT”, të cilat ishin të ngjitura me natriban. Shtylla objekt sulmi ndodhet në një faqe mali, në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel, pranë urës me harqe. Më 28 dhjetor, parlamenti shqiptar kaloi buxhetin për vitin 2014 pas një debati maratonë. Pikërisht aty parashikoheshin akciza për naftën dhe ulja e taksave për biznesin e vogël dhe për rrogëtarët. Grupi hetimor beson se ngjarja ka prapavijë politike për këtë shkak, pasi është një akt që vjen edhe pas thirrjeve të opozitës për sulm ndaj qeverisë. Por ajo që ka çuditur më shumë ekspertët është fakti se si pakënaqësia për një problem social mund të shprehet në akte terroriste kaq agresive. Por qëllimi shihet tek shkaktimi i një paniku dhe kaosi si pasojë e goditjes së informalitetit. Burime nga grupi hetimor shprehen se gjetja e një shtylle të interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë është e organizuar mirë edhe si hakmarrje për tenderin e interkonjeksionit apo për goditjen e informalitetit të karburanteve. Një banor i zakonshëm i kësaj zone nuk mund të realizonte dot i vetëm një akt kaq të sofistikuar dhe gati në perfeksion. “Nuk kemi asnjë dyshim se ky sulm terrorist është i organizuar dhe me prapavijë për të krijuar panik për rendin dhe sigurinë”, tha një oficer i lartë i policisë.

 

Provat e gjetura

Por grupi hetimor ka prova të forta në dorë dhe pritet që të zbërthehet grupi organizator i këtij akti terrorist. Diçka nuk ka shkuar mirë në planin e ndërtuar dhe 16 kallëpet e tritolit nuk shpërthyen në këmbën e dytë. Fitili zjarrpërcjellës është ndezur por nuk ka shkuar deri tek detonatori. Autorët kanë pasur frikë të afroheshin më pas, edhe për shkak të panikut se mund të plaste po të shkonin përsëri. Por pas kanë lënë goxha gjurmë. Goma makinash, gjurmë këmbësh dhe këpucësh, gjurmë të shumta gishtrinjsh në kallëpet e paplasura, në ngjitësin natriban dhe te kartonët e varur. Të gjitha po ekspertohen në Laboratorin Kriminalistik për të kryer krahasimet dhe nëse ndonjë prej tyre është kontigjent. Mësohet se janë gjetur edhe bishta cigaresh, por nuk konfirmohet nëse janë të autorëve apo të personave të tjerë. Dyshohet se autorët janë banorë të Kurbinit dhe të organizuar. Gjithashtu janë mbledhur dëshmi në zonë dhe kryer disa kontrolle banesash. “Besojmë se kemi prova bindëse dhe të forta që do na çojnë tek autorët dhe ekspertimi vazhdon”, tha një burim për gazetën “DITA”.

 

Qëllimi i fshehur

Autorët kanë pasur qëllim që pas kësaj ngjarje të rëndë të krijohej ideja se ka pakënaqësi popullore për nismat e qeverisë së re dhe mazhorancës. Një oficer i vjetër që heton aktet terroriste i tha gazetës se janë të njëjtat metoda që përdoreshin edhe 10 vite më parë. Qëllimi, që të krijohet sa më shumë panik dhe frikë, presion ndaj qeverisë nga jashtë dhe brenda, për të arritur atë që synojnë. Dëmtimi i një shtylle tensioni shkakton jo vetëm mungesë energjie, por edhe bindjen e një pasigurie për rendin tek qytetarët dhe frika se krimi është në rritje. Kaosi ndihmon më tej edhe aksionet e opozitës për të arritur qëllimet e saj. Oficeri i bën paralelizëm me ngjarjet e vjetra të një dekade më parë, ku në atë kohë situata rëndohej edhe nga fakti se qeveria kishte probleme me furnizimin me energji elektrike. Por ndryshe nga ato vite, këtë herë autorët kanë dhënë një indicio më të hapur për mesazhin politik dhe pistën, duke lënë edhe parullat në shtyllë. Pyetjes nëse autorët kanë dashur të fshehin një qëllim tjetër duke përdorur atë politik, burime nga grupi hetimor i përgjigjen se vendi ku ka ndodhur ngjarja nuk është as në konflikt pronësie dhe as në probleme të tjera mes banorëve dhe shtetit.

 

Vepra penale

Dosja penale është dërguar në Prokurorinë e Kurbinit, por mbikëqyret edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi një akt i tillë klasifikohet si terrorist. “Vetë përdorimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi ndaj një vepre energjetike, në këtë rast shtylla e tensionit të lartë, klasifikon ngjarjen si akt terrorist. Jemi duke punuar për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, tha një tjetër oficer i lartë i policisë që ndjek këto hetime. Ngjarja po hetohet si vepër penale “shkatërrim prone me eksploziv”, e parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

 

Nga 2000-2003, 15 akte terroriste ndaj veprave energjetike dhe fabrikës së Fushë-Krujës

Periudha e viteve 2000-2003 ka qenë më e ngarkuara me akte terroriste ndaj veprave energjetike në vend, kur shqetësimi kryesor ishte edhe mungesa e energjisë elektrike. Policia e Shtetit regjistronte 15 akte të tilla të vendosjes së eksplozivëve, ku një precedent më vete përbënin edhe shpërthimet me tritol apo dinamit në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Nga këto ngjarje, vetëm 5 figuronin të zbardhura dhe kishin lidhje me konfliktet e pronësisë së banorëve për dëmshpërblimin e pronës në Fushë-Krujë, ku ishte ngritur biznesi. Kurse të tjerat ishin sulme ndaj shtyllave të tensionit të lartë, kryesisht në Shkodër, Lezhë, Kurbin, Burrel, Kukës apo Tropojë. Megjithëse klasifikoheshin si akte terroriste të nxitura edhe politikisht, asnjëherë nuk u gjetën autorë të dyshuar, pasi shpërthimet nuk lënë gjurmë të dukshme. Kjo seri aktesh u kthye në shqetësim pas vitit 2002, ndërsa qëllimi ishte krijimi i pakënaqësisë popullore për mungesën e energjisë elektrike.

“PD të distancohet nga akti terrorist, na kujton 2000-2001, Berisha të informojë policinë”

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka ritheksuar se vendosja e tritolit shtyllës së tensionit të lartë në 31 dhjetor është një akt terrorist me mesazh të qartë. Ai i ka kërkuar Partisë Demokratike të distancohet nga akte të tilla. “Ajo që është konsideruar si akt terrorist nuk është përfshirë në buletin sepse daton me 31 dhjetorin. Është një ngjarje goxha e rëndë, sepse na kthen në memorie atë që kemi jetuar në vitet 2000-2001, ndërkohë shënon aktin e parë terrorist që mesazhet politike janë të qarta. Është një akt terrorist i mirësynuar dhe i adresuar mirë. Do ftoja të gjithë të distancohen dhe ta dënojnë. Prisja që PD të dilte sot të distancohej dhe ta dënonte. Siç do prisja këtu edhe Sali Berishën të njoftonte policinë nëse ka informacione të veçanta për autorë të mundshëm. Mund t’ju siguroj që nga Policia e Shtetit do të trajtohet si akt terrorist. Janë akte terroriste që cenojnë sigurinë kombëtare dhe do trajtohen si të tilla”, u shpreh dje ministri i Brendshëm.

 

Sali Berisha: Qeveria e njoftoi rritjen e taksave me pak C4 në një shtyllë

Në një reagim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Berisha shprehet se paketa fiskale rrit taksat dhe çmimet për çdo qytetar, ndërsa buxheti i këtij viti nuk parashikon rritje të pagave apo pensioneve. “Të dashur miq, dje hyri në fuqi paketa fiskale e qeverisë Rama-Meta, e cila rrit taksat dhe për rrjedhojë dora-dorës dhe çmimet për çdo qytetar. Po dje, hyri në fuqi buxheti i parë në 23 vjet, i cili nuk do ketë rritje të rrogave dhe pensioneve. Por edhe më keq. Ky është buxheti me të cilin qeveria Rama-Meta, duke marrë 1 miliard dollarë borxh dhe rritur borxhin publik në 75%, nga 62.8% që e morën në shtator, do të shndërrojnë financat tona publike në një piramidë gjigante që do rrokullisë ekonominë tonë sipas skenarit grek drejt krizës dhe recesionit”, shkruan Berisha. “Sihariqin për hyrjen e tyre në fuqi, qeveria e njoftoi me pak C4, kësaj radhe të vendosur jo në të ndenjurat e Besnik Dervishit, madje as dhe ne të ndenjurat e shtyllës së tensionit të lartë, por direkt në trupin e saj”, shkruan Berisha.

Tritoli në Milot, Doda: Mos kriminalizoni opozitën

Deputetja demokrate, Mesila Doda, reagon pas lajmit se një shtylle të tensionit të lartë në Milot i ishte vënë tritoli, shoqëruar me mesazhe politike që u gjetën në vendin e ngjarjes. Doda thotë se nuk duhet të kriminalizohet opozita. “Sot po dëgjojmë të flitet për akte terroriste me mesazhe politike të shoqëruara, duke tentuar të hiqet vëmendja nga aktet e paprecedenta të ndryshimit të kahjes ekonomike të zhvillimit të vendit dhe në të njëjtën kohë të kriminalizohet opozita dhe mbështetësit e saj. Taksat, nafta, borxhi ekonomik, rritja e çmimeve, mosrritja e pagave dhe pensioneve, janë të gjitha fenomene jo vetëm ekonomike, por me pasoja të rënda sociale, që do shpërthejnë në derë të Ekzekutivit përgjatë vitit të ardhshëm dhe do sjellin për fat të keq momente të vështira për shqiptarët, por tentativa për të kriminalizuar tezat politike të opozitës është një mënyrë të konceptuari shumë larg standardeve demokratike të një vendi. Pushtetarët duhet të mësojnë të drejtojnë me vërtetësi dhe të përballojnë situatat e vështira si politikanë me vizion, jo duke tentuar të cenojnë standardet demokratike të vendit”, shkruan Doda në FB.

 

 

Artur Qoraj January 5, 2014 09:14
Komento

11 Komente

  1. shqiptari January 5, 09:45

    nuk eshte vepere e popullit shqiptare ska shqiptare qe te beje kete vepere po kete e kane bere ata qe ju pre vjedhja maramendese qe ju be shqiperise ne keto 8 vite qe ikene nga ajo qeveri qe smendoi kure pere kete toke e kete populle keshtu qe bishese ju pre buka dhe po veprone se ka sherbimin sekrete ne dore pra mafja qe slejoi injterkonjucionin me kosovene ata e kane bere serbete

    Reply to this comment
  2. Toni i Madhe... January 5, 10:24

    Popull mizerrabel!!! mbi 50% e shqiptarve duhet me i vendos nga nje Polic prane baneses
    duke i shoqruar gjate gjithe dites, gjate nates te mbyllen me ç’ elès nèper baneset e tyre Mund te arrihet nje gje e tille? JO- JO do ishte mendimi im,atèhere o Popull koti vazhdoni te jetoni si ne MESJETE,shkatrroni gjithè’çka.

    Reply to this comment
    • Anderson January 5, 11:42

      Toni i Madhe… Nuk jane 50% e shqiptareve mizerabel, por 5% te cilet perbejne LLUMIN e popullit tone. Njerez te injektuar nga helmi dhe droga vdekjeprurese e AL – SALI – BEJ – RISHES. Njerez qe dine te jetojne vec neper shpella e erresire. Njerez qe s’din gje tjeter vec te shkaterrojne e ndjellin panik. Ashtu sikur dhe ti me thirrjen “SHKATERRONI GJITH’CKA” ……. Kafshe parahistorike

      Reply to this comment
  3. beni January 5, 12:10

    Llumi berishist duhet pastruar sa me pare….ky akt terrorist berishist eshte nje kembane ne veshet e qeverise se re …duhet vepruar sa me pare qe te izolohet ll. umi kriminel berishist dhe kryekrimineli I cmendur dhe I terbuar nga humbka e pushtetit te shkioje atje ku e meriton ne burg te paguaj gjithe demet qe I ka sjelle ketij vendi, ti priten burimet financiare bandes se tij mafioze dhe te denohet rrepte te gjithe maskarenjte qe kerkojne destabilizim. Shqiptaret e dine shume mire kush I organizon keto akte terroriste (berishiste) prandaj qeveria duhet te veproje sa me shpejt qe te shpetoje vendi njehre e mire nga berishkrimi

    Reply to this comment
  4. Hakmarrje per Drejtesi January 5, 12:56

    Pse kerkoni ne Kurbin, autori eshte ne mes te Tiranes, duke dhene udhezime me FB.

    Reply to this comment
  5. derdimeni January 5, 13:58

    Nuk ka shprehje dhe qëndrim më cinik se ky i Berishës.Si mundet të rrijë i qetë Edi Rama dhe qeveria e tij pas një deklarate të tillë?Ky njeri e ka kalue masën dhe duhet të izolohet me patjetër, ndryshe do shkojmë drejt një 97 të dytë.

    Reply to this comment
  6. cuci January 5, 14:05

    duhet me patjeter te mbaje dikush pergjegjesi eshte koha tani se neser do te jet teper vone shqiperia do te perballet me nje grup kryengritesish jane gati te vrasin kedo vetem per te pasur pushtet zoti kryeminister zoti minister i rendit publik zoti minister i drejtesise tashme keni celsat per te mbrojtur popullin nga mafia qe na drejtuan per afro nje dakade ne populli i shqiperise jemi ne rrezik kombetar nga organizatore sulmesh terroriste qe perben rrezik KOMBETAR rrofte shqiperia rrofte populli i shqiperise

    Reply to this comment
  7. . January 5, 14:33

    ******************************************************************************************

    Z.Rama do te ndryshoje per mire Shqiperine ….. por nese nuk vdes krimineli Sali Bisha, Shqiperia do vazhdoje te vuaj konflikte-artificiale politike.

    ******************************************************************************************

    Reply to this comment
  8. LORA January 5, 19:38

    Nje proces i detajuar dhe i pershpejtuar i hetimit te ketyre akteve teroriste (ne Milot dhe Fier,deri tani ) do te jete guri i themelit per sigurine kombetare.
    Besoj fort se njerzit dhe organet qe po e kryejne kete proces,jene ne lartesine e pergjegjesise qe ata kane perballe Popullit Shqiptar.Uroj qartesine dhe shpejtesine e tyre ne kryerjen e kesaj detyre tejet te rendesishme.

    Reply to this comment
  9. saaaaaaaaaali January 5, 21:18

    Bisha ka vrare Remzi Hoxhen qe para 20 vjetetsh
    argumenti me i thjeshte dhe me i paster per t’a zhdukur kete monster

    Reply to this comment
  10. Ilir January 6, 04:45

    ORE, POLICIA E SHTETIT, NUK ESHTE PER TE BERE KONSTATIME, TE CILAT NE I KUPTOJME EDHE PA I THENE AJO FARE.

    POLICIA ESHTE PER TE KAPUR AUTORET E TI NXJERRE PARA DREJTESISE.

    DREJTESIA NUK VIHET ME KOMENTET NEPER FAQET E INTERNETIT.

    PO NUK JA ARRIN DOT KESAJ, TE JAPIN DOREHEQJEN TE GJITHE E TE VIJNE ATA QE E BEJNE KETE GJE.

    KAQ I THJESHTE ESHTE MUHABETI.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*