GOJËT E LIGA / Trondit analizatori Artul Zheli: Moskovi desh me vu dorë mbi Lulen

December 20, 2017 21:14

GOJËT E LIGA / Trondit analizatori Artul Zheli: Moskovi desh me vu dorë mbi Lulen

 

Një deklaratë dramatike ka bërë dje gazetori dhe analizatori Artul Zheli në emisionin e vet “Rrotullohu në vend”, ku kishte të ftuar liderin apostolik të PD-së Sabile Risha.

Zheli deklaroi se ka pasur një plan okult sovjetik për të këputur në mes të Tiranës Lulen e PD-së. Ky pohim detyroi zotin Sabile Risha të pranojë se edhe ai kishte dijeni për dy agjentë të ÇEKA-s, të cilët ishin kontraktuar nga kryeministri Rama.

“Nuk do ta besoja kurrë”, tha Zheli, “se miku im i rinisë Rama do thurrte plane të tilla. Kjo ma ndryshon 360 gradë përshtypjen time për të. Të këputësh Lulen! Kjo është e tmerrshme”.

Në vijim Zheli ekspozoi detaje tronditëse të këtij plani anti-mjedisor.

Sipas tij, vetë Rama kishte shkuar deri në Nizhni-Novgorod të Rusisë i maskuar si kardiolog, për të vëzhguar stërvitjen e agjentëve; sesi do maskoheshin si lulishtarë të bashkisë, si do ta këpusnin Lulen pikërisht pranë tabelës paralajmëruese “Mos këpusni lulet” ngjitur me çadrën e Lirisë dhe si do largoheshin nga vendi duke rrëmbyer nëndetësen 105.

Analizatori shtoi se informatat e tij flisnin për përdorimin e armëve speciale si çadrat-gërshërë dhe dorashkat e modifikuara si prerëse thonjsh.

“Mesa di unë, për planin e Ramës kishin dijeni vetëm anëtarët e kupolës së lartë të Moskovit, shokët Susllov, Pospjellov, Kosigin, Katranov, Lumëmadhenko dhe Derëziski,” tha Zheli.

Bashkëbiseduesit hodhën dritë edhe mbi arsyet e dështimit të planit makabër. Lideri apostolik pohoi se fati i Lules erdhi nga një rrethanë krejt atmosferike.

“Këputja e Lules do kryhej në çadrën e Lirisë. Për rastësi, atë ditë nuk ra shi dhe Liria nuk e hapi çadrën,” zbuloi Sabile Risha, duke shtuar, “në fakt, i thashë unë: Liri, i thashë, lene cadrën se për sot zonja Meri ka parashikuar diell”.

Vetë Lulja ende nuk është prononcuar për këtë plan ogurzi. Zyra e gjelbërimit në PD njoftoi se mund të kishte një deklaratë për shtypje më vonë, pasi të mbaronte përgatitja e shisheve Molotov për protestat e janarit.

 

P.S. Gojët e Liga është rubrikë satirike me Partinë Demokratike, me ne fitojnë të gjithë, Shqipëria po ndryshon etj etj.

December 20, 2017 21:14
Komento

1 Koment

  1. shvejku December 20, 22:02

    E gjitha kjo drejtohej nga nje dhome perballe nderteses se Kuvendit ku ishte vendosur Nikita Hrushovi sebashku me stafin e tij!
    Skenari deshtoi ,sepse aparaturat e hapjes se zjarrit mbi viktimen nuk funksionuan sepse u nderpre sinjali telefonim!
    Burime anonime prane ambasades se Cingiskhanit ne Tirane pranuan se ne kete skenar ishte llogaritur te merrte pjese edhe kryetari Mao Ce Dun(pas vdekjes),se do t’i jepej nje dekorate nga presidenti Nishani (pas vdekjes edhe ky)!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*