Trump kritikon moderatorin. Ankohet edhe për mikrofonin

September 27, 2016 17:45

Trump kritikon moderatorin. Ankohet edhe për mikrofonin

Superioriteti i Hillary Clinton në debatin e parë televiziv të presidencialeve amerikane e ka një përgjegjës, dhe ai për Donald Trumpin është moderatori i debatit, Lester Holt, por jo vetëm. Ai është ankuar edhe për mikrofonin, sipas të cilit kërciste shpesh dhe kishte një nivel fonie më të ulët, krahasuar me atë të zonjës Clinton.

Dy kandidatët janë përplasur për herë të parë mbi çështjet e punësimit, temperamentit, taksave, dhe shumë të tjerave, në një debat televiziv të ndjekur nga as më pak e as më shumë, por 100 milionë teleshikues. Sondazhet i kanë dhënë kandidates demokrate një avantazh të lehtë, teksa shumica e votuesve e deklaruan atë si fituese të debatit.

E megjithëse pas debatit, Trump u tha reporterëve se Lester Hold bëri një punë të mirë, mëngjesin e sotëm ai e akuzoi atë për një performancë me njëanshmëri për të majtët. “Ai nuk e pyeti atë në lidhje me ‘e-mail’-et, nuk e pyeti në lidhje me skandalet, nuk e pyeti as për marrëveshjen e Bengazit. Shkurt, ai nuk e pyeti atë për shumë gjëra, për të cilat besoj se duhej ta kishte pyetur. Nuk e di pse nuk e bëri diçka të tillë”, tha ai duke folur mbi programin informativ “Fox and Friends”.

Trump është ankuar se Holt ka qenë shumë më i ashpër ndaj tij. “Ju e patë vet atë, i dëgjuat edhe 4 pyetjet e fundit. Ai më goditi mua mbi çështjen e lëvizjes ‘Birther’ (Trump akuzonte më parë Presidentin Obama se nuk ishte lindur në SHBA, por më pas e pranoi edhe vet shtetësinë e Obamës), më goditi për një marrëveshje strehimi të shumë e shumë viteve më parë, të cilën e kam zgjidhur pa bërë rekurs dhe pa fajësi. Është shumë bukur të pyetesh mbi atë çështje, një padi thuajse 40-vjeçare”.

Ndërsa për mikrofonin, ai u shpreh se ishte i “tmerrshëm”, që kërciste shpesh dhe që kishte një volum shumë më të ulët sesa ai i rivales së tij, Clinton. Ai fajësoi pikërisht mikrofonin, për atë që shumë dëgjues menduan se mund të vinte për shkak të problemeve shëndetësore, në rastin konkret ndonjë ftohje e Trumpit, gjatë debatit.

I pyetur sesi do ta vlerësonte performancën e Clintonit, ai tha se do t’i jepte vlerësimin “C+”, por refuzoi të bënte të njëjtën gjë edhe për veten. “Mendoj se bëra më të mirën, kur ata më bënë pyetje normale”, tha ai, por shtoi se kishte hasur vështirësi kur iu bënë pyetje që nuk mund t’u “përgjigjeshe”.

Se çfarë mund të bënte ndryshe, nëse do t’i jepej mundësia e ripërsëritjes së debatit, ai tha:

“Ndoshta do ta kisha sulmuar atë më ashpër në disa çështje. Ju e dini, u tregova paksa më i butë, sepse nuk doja të lëndoja ndienjat e dikujt. Megjithatë, mund ta kisha goditur edhe më ashpër atë”.

September 27, 2016 17:45
Komento

1 Koment

  1. MH September 28, 00:01

    Trump po ankon qe tashti ne ballafaqim cfare kuptohet se tregohet me fiksacione.Ndaj me krijohet ideja se po vashdon fushaten Trump e ne fund,kam frige se del Trap.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*