Tsipras, mes demagogjisë dhe surrealizmit

July 10, 2015 11:51

Tsipras, mes demagogjisë dhe surrealizmit

E pabesueshme! Tsipras ka propozuar një plan më të ashpër masash ekonomike nga ai që populli votoi “JO” në referendum. Ky plan pritet të çojë në një nivel kursimi prej 13 miliardë euro, në ndryshim nga 8 miliardë euro, që parashikonte plani i propozuar nga kreditorët. Pra, 5 miliardë euro më shumë nga ç’prisnin kreditorët. Duket se, surrealizmi i qeverisë greke është mposhtur përfundimisht nga logjika racionale për domosdoshmërinë e reformimit të Greqisë. Ekipi me specialistët francezë, që ka ndihmuar dhe vazhdon të jetë në krah të qeverisë së radikalëve të majtë, për formulimin dhe rishikimin e propozimeve duket se, ka transmetuar një dozë të lartë të logjikës së ftohtë ekonomike gjermane. 

Siç edhe pritej, pa surpriza dhe brenda afatit të kërkuar, pala greke dorëzon dokumentin me reformat dhe masat e propozuara kreditorëve ndërkombëtarë. Teksti i dorëzuar të enjten në mbrëmje ka ngjashmëri të lartë me tekstin, që çoi në një refuzim masiv nga populli grek në referendumin e së dielës. Ky tekst (shih dok. në fund të faqes) u publikua fillimisht nga Komisioni Evropian, një javë para referendumit, me synim transparencën ndaj publikut grek.

Ky tekst parashikon në linja të përgjithshme një sërë masash, që lidhen me : Rritje të  TVA-së siç e dëshironin kreditorët, e fiksuar me 23%, duke përfshirë edhe restorantet dhe hotelerine (që deri më tani ishin në 13%). Për produktet bazë, elektriciteti dhe hotelet, TVA qëndron 13% dhe për librat dhe teatrin në 6%; Fshirja e avantazheve fiskale, duke filluar nga ishujt më të pasur dhe turistikë; Rritja e taksave të tjera: rritje e taksave për shoqëritë do të kalojë nga 26 në 28%, siç e dëshironin kreditorët dhe jo 29% siç e kishte propozuar fillimisht Athina. Edhe taksat mbi produktet e luksit do të rriten gjithashtu;Taksimi për anijet e luksit duke nisur  nga 10 metra, e kërkuar kjo nga kreditorët, është rritur duke nisur nga 5 metra; Reforma e pensioneve dhe funksionit publik: mosha e fiksuar për daljen në pension është 67 vjeç, ose 62 vjeç me 40 vite punë dhe do të aplikohet gradualisht deri në vitin 2022 (siç e dëshironin kreditorët);Ndërsa, për uljen e shpenzimeve për mbrojtjen nga 400 milionë euro e kërkuar nga kreditorët, Athina propozon vetëm 300 milionë shkurtim, deri në vitin 2016;Reforma e administratës: një seri masash për të modernizuar sektorin publik dhe punësimi i menaxherëve që do të vlerësojnë performancën e punonjësve të administratës publike; Objektivat buxhetorë: në këtë pikë pala greke kërkon rivlerësim, pas përkeqësimit të situatës ekonomike të ditëve të fundit, sidomos pas aplikimit të kontrollit të kapitaleve dhe mbylljes së bankave, etj. (Për të parë krahasimin e dy teksteve, klikoni këtu)

Nëse objektivat e paketës nuk do të kapin shifrën prej 13 miliardë euro atëherë ndërhyrjet e qeverisë greke do të prekin edhe taksimin mbi të ardhurat e ulëta (nën 12 mijë euro) nga 11% në 15% dhe në 35% për të ardhurat mbi 12 mijë euro.

Çfarë pritet të ndodhë ?

Nëse programi i masave dhe reformave vlerësohet i pranueshëm (çka duket se do të ndodhë) drejtuesit evropianë mund të hapin dritën jeshile për fillimin e negociatave mbi një program të ri ndihme, gjatë Samitit të jashtëzakonshëm, që do të zhvillohet të dielën në Bruksel. Ky Samit do të mbledhë 28 vendet anëtare të Unionit, jo vetëm ato të Eurozonës, pasi është vlerësuar se, kriza greke dhe pasojat e saj shtrihen përtej vendeve të zonës euro.

Në rast se këto propozime gjykohen të pamjaftueshme atëherë risku është që Samiti të transformohet në një Samit krize ku mund të parashtrohen skenarët e daljes së Greqisë nga monedha e përbashkët. Teksa Eurogrupi ka marrë tashmë propozimet greke, vlerësimi i tyre pritet të publikohet në fund të mbledhjes, ditën e shtunë.

Kur demagogjia dhe surrealizmi përplasen me racionalitetin 

Demagogjia fushën e operimit të saj e ka gjithmonë jashtë sferave racionale, pasi nuk kërkon veçse ngjalljen e pulsioneve më të larta popullore, duke shfrytëzuar dhimbjen dhe nervozizmin e opinionit publik. Demagogjia në politikë nuk synon veçse një kënaqësi të përkohshme të kërkesave dhe pritjeve të publikut, për të arritur simpatinë, glorifikimin, heroizmin dhe imagjinaren e parealizueshme. Ajo nuk ka përkuar asnjëherë me plotësimin apo realizimin e një interesi të përgjithshëm.

Filozofia e saj konsiston në hedhjen në publik të ideve super të thjeshta, që jo vetëm injorojnë por edhe fyejnë inteligjencën dhe veprimin intelektual, duke propozuar zgjidhje të thjeshta të një profili amator. Kur demagogjia ndërthuret edhe me populizmin, sferë e përkryer ku i ofrohet popullit të dëgjojë vetëm atë që ai dëshiron dhe aspak realitetin e hidhur me të cilin po përballet, tensioni drejt dëmeve veçse rritet.

A është profilizuar brenda këtyre linjave qeveria e radikalëve të majtë, apo lideri i SYRIZA-s, Tsipras ?

Sigurisht që po. Por, nuk duhet harruar edhe një element i rëndësishëm në këtë përzierje profilizimesh. Surrealizmi. aty ku fuqia e ëndërrimit dhe e dëshirës, arrin të çojë në ekzaltim politik dhe më pas në delir. Aty ku imagjinata është tërësisht e lirë dhe terminologjia i rrëshqet censurës së etikës dhe kontrollit të logjikës. Aty ku nuk ka më shqetësim, as për estetikën dhe as për moralin dhe ku simbolizmi arrin të shkojë edhe deri në provokim. Surrealizëm që ngrihet mbi besimin e fortë që të jep ëndërrimi, se ka disa forma ndërlidhëse të neglizhuara deri në një moment të caktuar, të cilat mund të çojnë drejt zgjidhjeve të thjeshtëzuar, por të palogjikshme.

Ky profil qeveritar ka kohë që vlerësohet si i tillë. Mes demagogjisë, populizmit dhe surrealizmit, Tsipras ka orientuar popullin grek mes të pavërtetave imagjinare. Tërësisht i vetëdijshëm. Edhe propozimet e fundit mbartin këtë profil. Masa më të ashpra, por që propagandohen si më të mirat. Ofertë e “ndryshme” nga ajo që çoi popullin në një votim masiv “JO”. Por, pavarësisht kostove që mbart aplikimi i një profili të tillë, duket se e vetmja vlerë reale në këto momente të rëndësishme, është reflektimi drejt logjikës racionale dhe domosdoshmërisë për reformimin e vendit. Reflektim, që do të mundësojë si marrjen e mundshme të paketës së ndihmës, por edhe qëndrimin e mëtejshëm të Greqisë në Eurozonë./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Greqia është një vend me fat

Greqia mes fitores dhe kaosit

Greqia tashmë ka dalë nga Eurozona

BE thirrje popullit grek: Nvse votoni JO i thoni JO Evropës

Evropa në bllok kundër Greqisë: “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë

 

 

 

 

 

 

 

 

July 10, 2015 11:51