Tumoret në tru, trajtimi tani mund të kryhet edhe në QSUT

Pranvera Kola September 29, 2013 09:53

Tumoret në tru, trajtimi tani mund të kryhet edhe në QSUT

Bllokimi dhe çarja e enëve të gjakut në tru, po rëndon nga dita në ditë bilancin e sëmundjeve neurologjike në vendin tonë. Raportimet e bëra nga mjekët neurologë flasin për shifra alarmuese. Vetëm pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, brenda një viti evidentohen rreth 4000 raste të reja me probleme neurologjike, pjesa dërrmuese e të cilave përbëhen nga tumoret në tru. Këto sëmundje janë shkaku i tretë i vdekshmërisë së evidentuar në popullatë, teksa listohen edhe si shkaku i parë i invaliditetit që shfaqet tek. Ndërkohë që deri më sot trajtimi i këtyre rasteve në vendin tonë ka qenë tepër i kufizuar për shkak të mungesës së aparaturave teknologjike.

Përballë kësaj panorame shqetësuese vjen edhe një lajm i mirë. Mjekët neurologë bëjnë me dije se po përparohet në drejtim të kurimit të këtyre rasteve, pasi edhe bllokimi i enëve të gjakut në tru, apo tumoret, falë teknologjive të reja do mund të trajtohen edhe në vendin tonë. Në këto kushte pacientët nuk do jenë më të detyruar që të dalin jashtë vendit për realizimin e ndërhyrjeve për trajtimin e tumoreve që prekin trurin. Pranë spitalit të neurologjisë në QSUT, pritet të nisë aplikimi i teknologjive të reja në trajtimin e tumoreve të trurit.

Shefi i shërbimit të neurologjisë, Mentor Petrela gjatë konferencës së zhvilluar dje në Tiranë, “Telestroke 3”, ku merrnin pjesë ekspertë të huaj dhe vendas, ka deklaruar se nga muaji tetor edhe në këtë shërbim do të fillojë kryerja e ndërhyrjeve të vështira, si shkak i futjes së teknologjisë së re. Specialistët e neurologjisë, ndërmjet të cilëve profesorë të njohur nga Shqipëria dhe Londra, kanë shfrytëzuar aktivitetin e përbashkët që t’u bëjnë thirrje qytetarëve për të mos neglizhuar shenjat e para të shfaqjes së problemeve neurologjike. Bluzat e bardha rendisin si shkaqet kryesore për një bilanc kaq shqetësues, mënyrat e stilit të jetesës, përdorimin e tepruar të alkoolit dhe të duhanit, faktorë të cilët janë edhe shkaktarët kryesorë të këtyre aksidenteve vaskulare në tru.

Sipas Petrelës, përfshirja e teknologjive dhe aparaturave të reja do t’u vijë në ndihëm pacientëve që këto ndërhyrje t’i bëjnë pranë QSUT-së, e jo të marrin rrugët për në klinikat e huaja jashtë vendit. “Një pjesë e trajnimit të tumoreve të malformacioneve të enëve të gjakut, pra keqformimeve të gjakut të sëmundjeve funksionale, mund të trajnohen tani edhe në vendin tonë me teknologjinë e re. Të mos humbin kohë por t’i kërkojnë urgjentistëve, radiologëve dhe neurologëve, aty ku janë që të bëjnë telekonsultën në pak minuta”, ka bërë të ditur Petrela.

 

Si shfaqet bllokimi i enëve të gjakut në tru   

“Ndjesia e një mpirje, për shembull në njërën gjysmë qoftë edhe vetëm të fytyrës, aq më tepër kur kjo mpirje mund të ndryshohet me mpirje të dorës ose të këmbës, ndonjë vështirësi qoftë edhe momentale në të folur, ndonjë humbje të menjëhershme të pamjes qoftë në një sy qoftë në të dy sytë, duhen kuptuar si shenja alarmi. Në mbi 90 për qind të rasteve këto shenja tregojnë që ka filluar të ndodhë një bllokim i enëve të gjakut të trurit. Ajo që është shumë e rëndësishme është se në Shqipëri, falë teknologjive të reja mundet të përdoret një medikament i cili e eliminon, pengon ose shkrinë atë pjesë të trombit që është filluar duke rivendosur në mënyrë të plotë qarkullimin cerebral dhe duke i evituar pacientit paralizën”, shprehet mjekia neurologe Mira Rakacolli.

 

ISHP:  Reduktimi i rrezikut për goditje në tru

Me fjalën insult nënkuptojmë një sëmundje që ka të bëjë me dëmtimin e enëve të gjakut të trurit, që në gjuhën mjekësore quhen aksidente cerebro-vaskulare (goditjet në tru). Insulti cerebral është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve të njerëzve mbi moshën 60 vjeç dhe shkaku i pestë në njerëzit e moshës 15 deri 59 vjeç. Kjo sëmundje gjithashtu mund të shfaqet edhe tek fëmijët, përfshirë të sapo lindurit. Kjo sëmundje nuk njeh kufij. Personat me goditje në tru, jo vetëm mund ta parandalojnë sëmundjen, por edhe të mbijetuarit mund të shërohen plotësisht dhe të rifitojnë cilësinë e jetës së tyre me mbështetje dhe kujdesin e duhur për një kohë të gjatë duke vepruar si në vijim:  “Çdo njeri duhet të dijë faktorët personalë të riskut, të njohë presionin e lartë të gjakut, të kontrollojë diabetin dhe kolesterolin e  lartë. Individët duhet të jenë fizikisht aktivë. Duhet të shmanget obeziteti duke mbajtur një dietë të shëndetshme. Duhet të përdoret alkool brenda normave të lejuara, të shmanget pirja e duhanit, si dhe të njihen shenjat paralajmëruese të një goditje cerebrale, si dhe të merren masa për t’u mbrojtur sa më herët”.

Pranvera Kola September 29, 2013 09:53
Komento

3 Komente

  1. galaxy September 29, 14:35

    Nese ka nje qender spitalore me standarte europiane kjo eshte neurologjia.Gjithshka fale Dr.Mentor Petreles mjek dhe drejtues shume i zoti.

    Reply to this comment
  2. rezarta October 1, 11:46

    E falenderojme me gjithe shpirt Dr. Mentor Petrelen per gjithe perpjekjet qe ka bere per semundjet neurologjike. Eshte me vertete nje semundje qe ka shume raste te tilla ne Shqiperi. Une personalisht do jem nje nga personat qe do te shoqeroj nenen time per nje kontroll ne rastin e mpikjes se gjakut ne tru,sepse i ka ndodhur kjo gje para 5 muaj e gjysem.Respekte Dr Petrela.

    Reply to this comment
  3. Lili October 18, 16:51

    KAM PASUR SHUM HER MARJE MENDSH DHE ERRESIM TE SYVE ME SHIKIM TE TURBULLT,,TANI JAM E SEMUR ME RRUZAT E QAFES VESHET ME BEJNE ZHURME SI FISHKELLIME KAM PAK MARJE MENDSH DHE DHE NDONJEHER SHOQEROHEN ME ATE NDJENJEN E TE VJELLTAVE,,,POR JO SHUM,,,,,!DO DOJA TE BEJ NJE VIZIT TEK JU ,,,RESPEKT DOKTOR MENTOR PETRELA

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*