Turi i dëgjesave, Veliaj: Investimet do të vijojnë në çdo lagje të Tiranës

October 28, 2018 14:58

Turi i dëgjesave, Veliaj: Investimet do të vijojnë në çdo lagje të Tiranës

“Kërkoi mbështetje masive për PS në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ritmi i punëve publike të mos ndalet”,  ka deklaruar sot kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë turi të dëgjesës për buxhetin 2019, në Njësinë 1 në kryeqytet.

Nga shkolla e rikonstruktuar “1 Maji”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e Njësinë 1 për Buxhetin 2019 dhe bilancin e punëve të kryera në këto 3 vjet.

Kryebashkiaku Veliaj thekson se “nëse doni të më jepni një dorë, që bashkë me këtë skuadër ta çojmë edhe më përpara Tiranën, na duhen votat masive për Partinë Socialiste në Këshillin Bashkiak”.

Ai shtoi se në ndryshim nga këshilltarët e majtë që nuk mungojnë në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak, për të votuar nisma në dobi të komunitetit, kolegët e djathtë paraqiten vetëm për të firmosur dhe për të marrë pagesat e honorareve.

“I shoh vetëm tre minuta, vijnë në Këshillin Bashkiak, firmosin për të marrë honorarin dhe më pas zhduken, nuk rrinë në mbledhje as për vendimin për ndihmën ekonomike, as për vendimin për aftësinë e kufizuar, as për rimbursimin e energjisë, as për banesat sociale, as për bonusin e qirasë”, theksoi ai.

Po ashtu, Veliaj përshëndeti vendimet e marra nga mazhoranca në parlament për të hequr lojërat e fatit, si dhe për të ndaluar shitjen e pijeve energjike për moshat nën 18-vjeç.

“Kush është sot socialist duhet të ndihet mirë, jo vetëm për këtë, por për të gjitha punët dhe vendimet që janë marrë, duke filluar nga vendimet për të mbyllur bastet, për të hapur Teatrin e ri apo për të ndaluar pijet energjike për fëmijët”, tha Veliaj.

Në fjalën e mbajtur në dëgjesën me banorët e Njësisë 1, Veliaj renditi edhe një sërë investimesh të cilat prekin në mënyrë kapilare çdo lagje.

“Kemi ndërhyrë në katër blloqe, një prej tyre ishte ndërtimi i rrugëve të bllokut që kufizohet nga rruga “Bashkim Kodra”, “Shkretëve”, “Shpëtim Zaimi”, “Spahiu” dhe “Ali Shefqeti”, përballë shkollës së mesme “Abdulla Keta. Rikualifikuam dy blloqe në rrugën “Dhimitër Kamarda”, te blloku i Poligrafikut. I pari që lidhet “Dhimitër Kamarda”, “Kristaq Çipo” dhe “Pasho Hysa”; tjetri te pallatet e vjetra, rikualifikimi i “Dhimitër Kamarda”, “Bajo Topulli” dhe “Hysen Loci” dhe pastaj blloku “Fransua Pukvil”. Ndërkohë, dy rrugë që kanë qenë gangrenë, është kënaqësi tani të bësh rrugën “Ali Demi’, “Ali Shefqeti” deri në Shkozë. E njëjta gjë për “Ali Shefqetin”, për Rr. “Ali Demi”, që vazhdon lart deri në Shkozë”, u shpreh ai.

Edhe dy deputetet Blerina Gjylameti dhe Elona Gjebrea vlerësuan punën shumë të mirë të bërë në këto tre vite nga bashkia e Tiranës, ndërkohë që u bënë thirrje banorëve të kësaj njësie për mbështetje maksimale për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme vendore.

l.h/ dita

October 28, 2018 14:58
Komento

1 Koment

  1. Liku October 28, 16:39

    Mos shko atje ku ke investuar o mashtrues,por atje ku nuk ke hedhur asnje qindarke per 4 vjet,di ne Yzberisht!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank