INTERVISTA/ Turizëm apo amatorizëm?

August 24, 2017 10:58

INTERVISTA/ Turizëm apo amatorizëm?

Entela Resuli – DITA

Dy janë gjerat që mund t’i parashikojmë lehtësisht qysh në fillim të verës: fotot e zhveshura në plazhe që mbushin rrjetet sociale dhe lumin e ankesave kundrejt shërbimit të marr, çmimeve të kripura, ndotjes dhe infrastrukturës së munguar në vendet e frekuentuara nga turistët.

Nga ana tjetër ekziston një paradoks në vendin tonë: sa më i kritikuar të jetë një destinacion aq më i frekuentuar është ai!

Të shumtë janë ata që ndërsa qëndrojnë shtrirë në shezlongun e paguar 15 mijë lekë të vjetra qëndisin një status për abuzim me çmimin, kur ndërkohë mund të lëvizin disa qindra metra më tej, të shijojnë të njëjtin det e diell dhe të paguajnë më pak. Kështu, i japin edhe një mësim të mirë, atij që ka marrë nën menaxhim vijën bregdetare dhe ta shet  pa asnjë brerje ndërgjegjeje “rërën për farë”.

Mesa duket, dëshira e shumicës për të pushuar atje ku ka më shumë njerëz triumfon.

Por ajo që është vënë re lehtësisht është se këtë verë, hotelet dhe restorantet, si në bregdet ashtu edhe në zonat malore kanë qenë të mbushura me turistë. Madje, një pjesë e mirë e tyre të rezervuara muaj më parë. Mungesa në shërbim? Ankesa ka patur mjaft.  A mund ta konsiderojmë veten ende  të “pa rritur mirë” në fushën e turizmit?! Ndoshta, por deri kur do të zgjasë pritja?

Për shumë nga këto pyetje, por edhe të tjera, sot në Dita rrëfehet kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku.

Ardit Çollaku

-Ardit, si kreu i Agjencisë Kombëtare së Turizmit, jeni në punë në këtë periudhë, apo keni pushuar edhe ju?

Është e vërtetë që periudha aktuale është ajo pjesë e kohës kur mund të bëjmë edhe ndonjë ditë pushim, por edhe pse zyrtarisht kam marrë disa ditë të lira, përsëri jam i detyruar që herë pas here të kthehem në zyrë pasi kemi kërkesa të ndryshme nga sektori privat apo institucione të tjera të linjës.

-Jemi në fund të gushtit, si kanë qenë këto muaj vere për turizmin në vendin tonë?

Sezoni turistik veror në vendin tonë ka patur një rritje të madhe dhe kjo gjë është vënë re në të gjithë sektorin, pasi jo vetëm është rritur numri i pushuesve por edhe numri i vizitorëve pranë muzeve apo siteve kulturore dhe Unesco. Një tjetër konfirmim vjen dhe nga sektori privat, të cilët herë pas here na kanë raportuar për një shtim të numrit të fluturimeve si dhe hyrjeve nëpërmjet transportit ajror duke shënuar një shifër prej mbi 20 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

-Një ndihmë të madhe në promovimin e Shqipërisë turistike na kanë dhënë edhe mediat e huaja. Sa ka ndikuar AKT në këtë pikë?

Një ndër funksionet kryesore që ka AKT është promovimi dhe pikërisht për këtë pikë kemi ndërmarrë  një nismë shumë të madhe vitin e kaluar e cila ka filluar tashmë të japë rezultate konkrete. Kemi prodhuar një spot të ri promovues për turizmin i cili është transmetuar në disa prej mediave ndërkombëtare më të dëgjuara si Travel Channel, BBC dhe Euronews. Gjithashtu kemi 5-fishuar numrin e organizimeve për turet familjarizuese me gazetarë dhe operatorë turistikë të huaj të cilët kanë patur mundësinë të njohin nga afër dhe të shkruajnë për potencialin e madh turistik që ofron Shqipëria.

-Mendoni se kjo reklamë është efikase dhe ka rritur numrin e turistëve të cilët kanë ardhur për të pushuar në Shqipëri?

Numri në rritje jo vetëm i vizitorëve, por kryesisht i turistëve të huaj në vendin tonë, tregon qartë se puna jonë ka dhënë rezultatet e pritura. Falënderime dhe komplimente kemi marrë edhe nga Agjencitë Turistike dhe Operatoret e fushës së Hoteleri Turizmit, të cilët kanë qenë të parët që kanë përfituar nga këto rezultate.

-Sa është numri i turistëve që kanë ardhur në Shqipëri këtë vit?

Nëse do ju referohemi të dhënave që ka nxjerrë Instituti i Statistikave për 7 mujorin e parë të këtij viti, vëmë re që numri i vizitorëve të huaj në vendin tonë është  2 milion e 623 mijë e 317 duke u rritur me 6.4 për qind dhe nëse iu referohemi vetëm atyre që ne i cilësojmë pushues kjo shifër është 1 milion e 49 mijë e 242 duke shënuar një rritje rekord me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur kjo shifër ishte afro 774 mijë pushues të huaj.

-Sipas jush, çfarë kërkojnë turistët kur vijnë  në vendin tonë, cili është lloji i turizmit që ata preferojnë?

Nëse flasim për sezonin turistik veror, fokusi kryesor i turistëve të huaj është riviera shqiptare. Por këtë vit kemi synuar të përdorim një filozofi të re, duke promovuar dhe nxitur produkte të reja turistike. Kjo nisur nga fakti që viti 2017 është shpallur nga Organizata Botërore e Turizmit si viti i turizmit të qëndrueshëm por dhe duke u nisur nga politikat e qeverisë shqiptare për ta bërë turizmin një ndër sektorët prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit që kontribuon në mënyrë direkte edhe në rritjen e punësimit dhe të mirëqenies sociale. Vitet e fundit janë ndërmarrë disa reforma të rëndësishme  si ajo e energjisë apo reforma territoriale që kanë ndikuar në mënyrë shumë pozitive dhe të drejtpërdrejtë në përmirësimin apo nxitjen e produkteve të reja turistike si dhe rehabilitimin e qendrave urbane. Ky fakt ka sjellë që tashmë mos të kemi vetëm bregdetin në fokus apo në kërkesat e pushuesve vendas dhe të huaj, por të ofrojmë dhe produkte të reja siç është ai i turizmit malor ku ka një kërkesë të madhe nga ana e turistëve çekë, skandinavë dhe gjermanë, si dhe të nxitet më tej turizmi kulturor ku vetëm për 6 mujorin e parë 2017 është vënë re një numër në rritje prej mbi 30 për qind nga ana e vizitorëve pranë muzeve, kalave, siteve historike dhe Unesco që ka vendi ynë.

Shqipëria ka një natyrë të bukur dhe ofron një gamë të gjerë biodiversiteti që e bën vendin tonë unik në rajon, kjo gjë ka sjellë që një rritje të madhe të ketë edhe turizmi i Aventurës ku përfshihen shumë  aktivitete si rafting, diving, hiking,  rally, çiklizmi etj. Këtë vit u organizua në Vlorë kampionati i 9-të botëror i parashutizmit dhe përveç pjesëmarrjes shumë të madhe me përfaqësues nga shumë vende të botës, ky aktivitet bëri jehonë dhe në media të ndryshme ndërkombëtare.

Një tjetër produkt që po kërkohet gjithnjë e më shumë nga ana e turistëve është dhe ai i agroturizmit dhe kjo gjë ka sjellë që tashmë kantinat e verës, restorante tradicionale apo ferma të ndryshme, të përfshihen në ekskursione ditore dhe paketat turistike që operatorët e sektorit turistik privat ofrojnë për klientët e tyre.

-Ardit, një problematikë e madhe, që të huajt e theksojnë tepër është ndotja. Pse vazhdojmë të jemi një vend i ndotur në zonat e frekuentuara nga turistët?

Ndotja nuk është vetëm një dukuri shqiptare, nëse iu referohemi mediave të huaja këtë problem e ka patur edhe Italia gjatë periudhës së verës në disa qytete kryesore, një problem të madh kishte dhe Kroacia si dhe të njëjtin shqetësim kemi marrë nga fqinjët tanë në Korfuz. Por nëse në disa raste apo shtete kjo ndotje vjen nga turistët e huaj dhe nga mungesa e një koordinimi të duhur, në Shqipëri kemi patur disa sinjalizime për mungesë pastrimi në disa zona ku detyrë kryesore ka qenë pastrimi nga ana e vetë subjektit privat ku Inspektoratet përkatëse duhet të veprojnë duke marrë edhe masat e duhura.

Në fund të muajit Mars, kryeministri ka ngritur me një Urdhër të posaçëm një grup Task Force ndërinstitucional pikërisht për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror me përfaqësues nga Ministri dhe Institucione të ndryshme shtetërore dhe në vijim Ministrja Ekonomi ka ngritur një tjetër Urdhër për grupet e punës që kanë monitoruar plazhet dhe kontratat e nënshkruara mes subjekteve private dhe Njësive të qeverisjes vendore për dhënien e hapësirave publike me qira. Pjesë e tyre kemi qenë edhe ne si AKT dhe kemi bërë raportimet përkatëse për çdo konstatim apo mungesë sipas kritereve që përcakton VKM-ja 369 e viti 2016.

-A ka një plan për t’u bërë diçka në këtë drejtim. Nuk mund ta shëmtojmë vendin nga plehrat?

Mendoj që është detyrë e subjektit privat të respektojë të gjitha kushtet dhe kriteret që përcakton qartë VKM-ja 369 e vitit 2016, pikërisht edhe për pastërtinë në plazhe si dhe duhet të koordinojnë më mirë punën me njësitë përkatëse të qeverisjes vendore të cilët duhet të marrin çdo masë për pastrimin në kohë dhe në momentet e përshtatshme duke caktuar dhe vende të mirëmenduara për grumbullimin e mbeturinave. Gjithashtu do duhet të rriten me një ligj të veçantë dhe masat ndëshkuese apo administrative për të gjithë abuzuesit apo ata që ndotin ambientin.

-A ka Shqipëria një plan konkret për turizmin? Krijohet ideja sikur turizmi në këtë vend është spontan. Në bregdet mundohen që të fitojnë paratë e gjithë vitit për dy tre muaj, në mal hotelet dhe restorantet hapen sipas qejfit dhe vendosin çmimet që duan, ndërsa infrastruktura lë ende për të dëshiruar. Ka një plan të hartuar se si do të zhvillohet turizmi apo do të jetë ende spontane?

Në shtator të vitit 2015 hyri në fuqi ligji për Turizmin dhe aktualisht është punuar për hyrjen në fuqi të gjitha akteve nënligjore që përcakton ky ligj. Mendoj që strategjia përkatëse për sektorin e turizmit e cila është draftuar nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë dhe pritet që së shpejti të konsultohet dhe me grupet e interesit të japë rezultatet e duhura si dhe orientimin përkatës mbi zhvillimin që duhet të marrë turizmi në vendin tonë.

Mos harrojmë që Shqipëria vetëm vitet e fundit e ka vendosur turizmin si një ndër sektorët prioritarë dhe vetëm së fundmi me reformën e re administrative i është dhënë fund kaosit që kishte mbërthyer ndërtimin pa kriter në vend. Miratimi i planit Urbanistik Kombëtar dhe miratimi i planeve urbanistike lokale që është duke u bërë nga secila bashki sipas qarqeve, do të sjellë edhe atë zhvillim të njëtrajtshme dhe të konsoliduar për rritjen e investimeve të mëtejshme në këtë sektor.

-Vihet re një problematikë, tashmë e trashëguar prej vitesh, mungesa e shërbimit dhe e kulturës. Duket sikur ende nuk po e shohim veten si një vend turistik. Ka një mungesë të theksuar kulture, stafe të pakualifikuara. Pse nuk bëhet diçka në trajnimin e tyre?

Në fushën e trajnimeve vetëm vitin e fundit kemi patur dy projekte të nxitura dhe miratuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, gjithashtu si AKT kemi bashkëpunuar dhe me organizata të ndryshme joqeveritare për të nxitur më tej punën në rritje që po bën Ministria e Mirëqenies Sociale.

Mos harrojmë që në vendin tonë turizmi ka shumë pak vite që ka filluar të zhvillohet krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe në përgjithësi është një biznes familjar, për këtë arsye nevoja për kualifikim dhe për t’u trajnuar është shumë e madhe dhe kërkon edhe fonde të mëtejshme. Kjo është edhe një nga arsyet pse Agjencia jonë Kombëtare e Turizmit, vitin e fundit është kthyer  në një ndër Agjencitë kryesore në rajon për aplikimet e bëra në projektet me fonde europiane me fokus përmirësimin e shërbimeve, cilësisë apo produkteve të reja turistike, duke u bërë me projektet e fituara, partner kryesor dhe shumë i kërkuar nga shumë Agjenci dhe Institucione të tjera ndërkombëtare.

-Nëse një i huaj vjen në Rinas dhe kërkon të vizitojë vende turistike të Shqipërisë, ku duhet të drejtohet që të orientohet? Ka Shqipëria ose Tirana një zyrë guidë për turistët e huaj?

Përveç zyrës së Informacionit turistik që ofron Bashkia Tiranë në qendër të qytetit, edhe vetë AKT jep informacion të përditshëm pranë turistëve të huaj që adresohen në zyrat tona. Një tjetër ndihmë shumë e rëndësishme për çdo turist është edhe informacioni që merret nëpërmjet faqes zyrtare të turizmit në Shqipëri www.albania.al , e cila përditësohet në mënyrë të vazhdueshme nga stafi i AKT-së. Këtë vit, është planifikuar që si pjesë e një projekti inovativ të jetë edhe një pikë informacioni turistik në formatin dixhital pranë aeroportit të Rinasit, e cila do të përditësohet në kohe reale dhe do të jetë e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me faqen zyrtare të albania.al.

-Përpos zonave bregdetare, si ka qenë turizmi në zonat malore në vendin tonë?

Patjetër që ka patur një rritje, dhe jo vetëm turizmi malor, por ka patur një kërkesë të madhe edhe për sportet e aventurës që praktikohen në malet tona nga ana e turistëve të huaj. Një tjetër shifër pozitive është dhe prezenca në rritje apo shtimi i interesit që kanë patur vizitorët vendas për zonat malore duke përmendur këtu kryesisht Thethin, Valbonën, Kelmendin e zona të tjera.

-Jo rrallë kemi dëgjuar që turistë aventurierë të cilët vizitojnë zonat e thella të Shqipërisë edhe janë grabitur nga banorë të zonës. Si ka qenë bashkëpunimi me policinë dhe pse nuk bëhet një fushatë që të theksohet se të huajt nuk lëvizin me para cash, por me karta krediti?

Pak ditë më parë kam patur një sinjalizim personal nga ana e një operatori turistik shqiptar i cili ishte shoqërues i një grupi të huaj dhe kishte patur një mosmarrëveshje me disa banorë vendas. Duhet të theksoj se përgjigja e policisë, nisur nga drejtori i përgjithshëm e deri te shefi i policisë rajonal ka qenë shumë e shpejtë dhe e menjëhershme, duke bërë të mundur që situata të jetë brenda çdo lloj kontrolli dhe pa asnjë lloj incidenti që mund ta kthente në negative të gjithë punën e mirë promovuese që ne bëjmë për vendin.

Ky bashkëpunim i mirë dhe konkret me policinë e shtetit, ka bërë të mundur dhe uljen e numrit të incidenteve apo kapjen në kohë të të gjithë atyre individëve që kanë dashur të përfitojnë apo krijojnë situata që dëmtojnë turizmin dhe imazhin e mirë që po krijohet. Informacionin e mëtejshëm e japin vetë operatorët turistikë apo guidat përkatëse që bashkëpunojnë me bujtinat, hotelet, restorantet apo banorët e zonave lokale.

Nga ana tjetër, duket se miti i turizmit patriotik ka rënë, sipas INSTAT për gjithë shtatë mujorin janar-korrik raportohet se kanë hyrë në Shqipëri 182 mijë shtetas kosovarë më pak, ndërsa vetëm në muajin korrik, i cili është kulmi i sezonit turistik, rënia është rreth 33% krahasuar me një vit më parë, ose 147 mijë shtetas më pak. Në analizën tuaj, pse shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë?

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë u tha se nëse shqiptarët e Kosovës nuk do të vinin në Shqipëri do të kishte një falimentim të turizmit në vend, por shifrat tregojnë qartë se tashmë jemi duke vendosur rekorde të reja të numrit të vizitorëve dhe pushuesve të huaj që vijnë në vend. Hapja e tregjeve të reja si dhe fokusi që AKT i ka dhënë promovimit dhe pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare ka dhënë frytet e veta dhe këto shifra pritet të rriten në vitin 2018, pasi puna jonë ka qenë e vazhdueshme dhe e koordinuar me sektorin privat. Në janar të këtij viti, në Shtutgard të Gjermanisë, Shqipëria mori pjesë si Vend Partner për herë të parë në një panair ndërkombëtar dhe stenda jonë pati një rekord vizitash që e kaluan shifrën e mbi 30 mijë vizitorëve në më pak se një javë duke e vënë Shqipërinë në fokusin kryesor të mediave dhe gazetarëve gjermanë. Jo vetëm tregu gjerman por edhe ai italian kanë qenë në fokusin e promovimit të këtij viti duke bërë të mundur që prezenca e turistëve që vijnë nga këto shtete të jetë mbi 55 për qind vetëm për 7 mujorin e parë. Bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme dhe ambasadat tona jashtë vendit ka bërë të mundur gjithashtu dhe një rritje të prezencës nga turistë prej shumë vendeve të Europës dhe botës duke e rritur ndjeshëm imazhin tonë atje.

Ajo që po kërkojmë të realizojmë, nisur dhe nga kapacitete dhe oferta që kanë strukturat akomoduese është një shtrirje sa më gjatë në kohë e sezonit turistik veror duke përmendur këtu që për herë të parë kemi hotele të prenotuara me mbi 130 net qëndrimi, pra një sezon veror që fillon në muajin maj dhe mbaron në muajin tetor. Kjo gjë i jep mundësi të gjithë pushuesve , vendas, të huaj por edhe atyre që vijnë nga Kosova që të gjejnë akomodimin përkatës sipas preferencave të gjithë secilit duke shfrytëzuar dhe çmimet më të lira që ofron periudha pas muajit gusht.

-Është folur shpesh për ndërtimin e disa resorteve turistike në zonat bregdetare. Turqit kanë shprehur interes por nuk kemi parë asgjë konkrete, pse ka kaq vonesë?

Tashmë bazuar në Ligjin e Investimeve Strategjike, kanë filluar të prezantohen dhe projektet e para në fushën e turizmit si dhe ka patur disa miratime që kanë filluar dhe punën për zbatimin e tyre. Është Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve që në funksion të këtij ligji kryen detyrën e sekretariatit teknik për procedurat përkatëse në ndihmë të investitorëve. Kërkesat janë nga investitorë vendas dhe të huaj dhe mendoj që pas përfundimit të miratimit të planeve urbanistike rajonale  që secila Bashki do të bëjë në këshillin e saj bashkiak, do të kemi dhe një panoramë më të qartë të investimeve, investitorëve dhe zonave më prioritet turizmin ku mund të fokusohet zhvillimi i mëtejshëm për këtë sektor.

Shifrat e INSTAT

Turistët italianë “pushtojnë” Shqipërinë

Ndryshe nga shtetasit e Kosovës, maqedonasve u është ngjallur interesi për turizmin shqiptar. Hyrjet e tyre u rritën me 20% për korrikun dhe 10% për 7 mujorin (në total 342 mijë).

Shtetasit grekë kishin një rritje të lehtë me 5.6% për 7 mujorin, por ata vijojnë të mbeten të lartë në numër, me 246 mijë hyrje për janar-korrik (këtu përfshihen dhe shtetas shqiptarë me nënshtetësi greke). Edhe nga shtetasit e Malit të Zi ka pasur një rritje të lehtë me 4.4% të hyrjeve, duke u renditur të katërtit. Në vlerë absolute, rritjen më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në 7 muajt e parë të vitit e kanë shënuar italianët, me një zgjerim prej 56%, ose 66 mijë hyrje më shumë, me 182 mijë hyrje në total. Shqipëria ka qenë së fundmi në faqet e mediave italiane, që i kanë bërë jehonë bukurisë së bregdetit, që është kaq pranë Italisë, duke e krahasuar me Karaibet, ushqimeve të mira e të lira dhe njerëzve mikpritës.

Të dytët për rritjen më të lartë janë maqedonasit. Të tretët janë polakët, që ishin dhe surpriza e kësaj vere, edhe për faktin që hotelet shqiptare u grupuan për të ofruar shërbime të gjitha të përfshira (all inclusive), një risi kjo për modelin shqiptar të turizmit. Por, pavarësisht rritjes së lartë, pesha e turistëve polakë mbetet shumë e ulët. Në shtatë muajt e parë kanë hynë në vend rreth 60 mijë polakë (gjysma e të cilëve erdhën në korrik), duke përbërë vetëm 2.2% të totalit të hyrjeve të shtetasve të huaj për periudhën në fjalë. Rritje të lartë në vlerë absolute, por që mbeten të ulët në peshë, kanë shënuar këtë vit edhe zviceranët, anglezët, amerikanët.

 

 

August 24, 2017 10:58
Komento

3 Komente

  1. Merqez Katunari August 24, 13:14

    O ti krietar leshi po ate rrugen 2 km te gjate qe te con tek Syri i Kalter pse nuk e shtroni me asfalt???
    Cfare na derdellis kot kur ka me mijera vizitore nga e gjithe bota qe shkojne atje per te pare ate mrekulli dhe gjejne nje rruge 2 km akoma te pashtruar sikur do kalojne gomeret jo makinat.
    Turp per kete neglizhence jo te vogel

    Reply to this comment
  2. Arben August 24, 13:25

    KOKTEIL

    TURIZEM + MUT

    Reply to this comment
  3. mateo August 25, 10:46

    Nuk e shtrojne qe te mos prishet natyra e virgjer.
    Te lodhen pak turistet qe here tjeter te mos vine me.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*