TURIZËM / Babai i familjes ua mbledh ashpër kalamajve: Nuk do ndalojmë për të ngrënë

May 21, 2018 10:00

TURIZËM / Babai i familjes ua mbledh ashpër kalamajve: Nuk do ndalojmë për të ngrënë

 

RRUGËS PËR NË VLORË – Kryefamiljari Çaço Këndezi, 48 vjeç, ndezi sinjalet, hapi krahun dhe e futi makinën në mjediset e një autogrilli diku në aksin Lushnje-Fier, duke ua bërë të qartë anëtarëve të tjerë të familjes se thjesht do të mbushnin naftë.

Ngjarja ndodhi të shtunën paradite, pohojnë burime myzeqare namuzqare për Gojët e Liga, ndërsa deklarata solemne e shtetasit të Republikës së Shqipërisë Çaço Këndezi u bë në kuadrin e një ndalese gjatë udhëtimit me destinacion final Vlorën, ku familja do të kalonte fundjavën.

“Kush do të shkojë në banjo, të nxitojë”, theksoi Këndezi me autoritetin që e ka karakterizuar që në kohët më të lashta, duke parë nga e shoqja dhe dy fëmijët në sediljen e pasme.

“Por ‘ngjoni ktu, nuk do rrimë për të ngrënë,” shtoi Çaço hijerëndë.

“Do rrimë pak vetëm sa të mbush serbatorin!”, ritheksoi burri me namuz, në mënyrë që askush, as djali Frenki, as vajza Uitni dhe as e shoqja Ballkize Këndezi të mos ushqente iluzione.

Kulmi i lëshimit që bëri kryefamiljari me një zemërgjerësi të rrallë, ishte dalja jashtë makinës për pak minuta për çmpirë këmbët, thonë dëshmitarët.

“Po ju hahet, keni mollët dhe bananet që ka marrë mami me vete”, iu drejtua ai kalamajve të trullosur, duke shtuar prerazi, “duhet të jemi në rrugë për pesë minuta”.

Burimet bëjnë me dije se megjithë solemnitetin e qëndrimit të Çaço Këndezit, pas një vështrimi depërtues të së shoqes, burri ra dakord që kalamajtë të marrin nga një qese patatina dhe një kruasan. “Mmm, qenkan të mira. Jepi babit edhe një tjetër”, u dëgjua zëri i pandryshueshëm autoritar i Çaços ndërsa nisi makinën.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e bindur se një burrë autoritar si Çaçua në shtëpi nuk i bën aspak keq familjes.

May 21, 2018 10:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*