Turizmi Aventurë përballë Turizmit Masiv

Blerina Ago* March 13, 2015 13:06

Turizmi Aventurë përballë Turizmit Masiv

Në destinacionin tonë të raftin-ut (zona Skrapar-Përmet) Turizmi i Aventurës ka nxitur investime në infrastrukturën pritëse (hotele dhe restorante të reja të hapura gjatë vitit 2014) dhe çdo ditë e më tepër po ndërtohen kapacitetet njerëzore nëpërmjet formimeve profesionale, duke u mbështetur tek njohuritë tradicionale për të zhvilluar shoqërues udhëtimesh turistike.

E nisëm me këtë fakt mbi veten tonë, për ta shtrirë më tej se çfarë po ndodh me turizmin në botë, për t’u kthyer sytë sërish nga vetja.

Turizmi është një nga sektorët që po pëson rritjen më të madhe në botë dhe veçanërisht Turizmi Aventurë është kategoria që po hedh një hap galopant. Gjithashtu, vihet re se është rritur numri i shteteve, të cilat pavarësisht stadit ekonomik të tyre po i japin prioritet Turizmit të Aventurës (mesa duket ia kanë zbuluar vlerat).

E për të mësuar arsyet e këtij trendi, tashmë zyrtarisht të njohur edhe nga Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara, le të vendosim përballë turizmin masiv me atë të aventurës.

Si sektori privat dhe ai publik e pranojnë se Turizmi i Aventurës është totalisht i lidhur me kapitalin njerëzor dhe atë të natyrës.

Ndërsa me turizëm masiv direkt mendojmë për paketa pushimesh që përfshijnë: det, rërë dhe diell, vizita me autobusë në qendrat e qytetit që ndalojnë vetëm në pika kyçe të kulturës, apo resorte kazinoje.

Çfarë është turizmi i aventurës?

Turizmi i aventurës mund të identifikohet edhe si lloji i turizmit që nuk është turizëm masiv. Është elastik. Turistët aventurierë janë të pasionuar dhe kanë interes për vendet të cilat më parë kanë vuajtur një pengesë domethënëse në zhvillimin e turizmit për shkak të ngjarjeve politike apo natyrore. Adventure Travel Trade Association raporton se shumë operatorë turistikë krijojnë paketa për të vizituar këto vende për turistët të cilët kërkojnë eksperienca autentike. Këta turistë janë ambasadorët e parë të promovimit të destinacionit që kanë vizituar dhe promovuesit më besnikë të tij.

Turistët e aventurës janë të gatshëm të paguajnë më shumë për eksperienca autentike. Operatorët turistikë kanë raportuar një mesatare prej 300.000 Lekë për turistë, shpenzuar për 8 ditë. Këta turistë janë shumë të ndjeshëm ndaj kulturës lokale dhe mjedisit.

Ky lloj turizmi mbështet ekonominë lokale.

Turizmi i Aventurës mbështet ekonominë lokale. Në turizmin masiv 80% e shpenzimeve të turistëve shkon për bileta avioni, hotele dhe operatorë turistikë ndërkombëtarë, që kryesisht operojnë jashtë vendit pritës. Në 10.000 Lekë të shpenzuara për një ditë, vetëm 500 Lekë qëndrojnë në destinacionin turistik. Sipas vlerësimit të tur-operatorëve 65.6% e kostos totale të paketës së turizmit aventurë qëndron në destinacionin e vizituar.

Turizmi i Aventurës inkurajon praktika të qëndrueshme. Politikëbërësit dhe praktikuesit e Turizmit të Aventurës mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, për arsyen e thjeshtë sepse ata e dinë që pa natyrën e mbrojtur dhe vlerat autentike kulturore dhe njerëzore të trashëguara, të cilat janë kuptimi i eksperiencës së turistit, destinacioni e humbet konkurrencën e tij dhe turisti largohet për të shkuar diku tjetër.

Për shkak të vërtetimit të përfitimeve që Turizmi i Aventurës sjell për mjedisin, komunitetin lokal dhe ekonominë lokale, qeveritë po e identifikojnë turizmin e aventurës si një mjet për rritjen e qëndrueshme dhe të përgjegjshme të ekonomisë, që gjeneron të ardhura për çdo nivel shoqërie.

Kush është turisti i aventurës?

Gjatë vitit 2013, 57 për qind e turistëve ishin meshkuj, ndërsa në 2014, 53 për qind ishin femra. Në një studim gjatë vitit 2013, rreth 37 për qind e turistëve të aventurës kishin një diplomë universitare, 11 për qind një studim pasuniversitar dhe e ardhura mesatare e turistit të aventurës është 4.800.000 Lekë në vit. Turizmi i Aventurës është duke u rritur dita-ditës, si në botë edhe në vendin tonë.

*Eksperte turizmi

ago 2

 

Zbulimi shqiptar

Christopher Doyle, Adventure Travel Trade Association, Drejtor Ekzekutiv për Europën: “Nga eksperienca ime, rafting në Shqipëri ofroi më shumë nga sa kishim parashikuar. Një nga furnizuesit më profesionalë shqiptare të turizmit të aventurës, që provuam. Ne patëm fatin e mirë që të kishim guida turistike këta të rinj, që demonstruan një shkallë të lartë të vëmendjes për sigurinë e grupit tonë. Përtej ndarjes së një nga kanioneve më të bukura që unë kam parë në Evropë me operatorët turistikë ndërkombëtarë dhe gazetarët e huaj, skuadra e rafting-ut solli me vete një ndjenjë të madhe të humorit, sensin e eksplorimit dhe një pasion për ndarjen e Shqipërisë me të huajt. Për mua është kthyer në një përvojë të jashtëzakonshme. ”

USAID-Albania mbështeti verën e kaluar Javën e Turizmit në Natyrë në Ballkanin Perëndimor. Kjo përshtypje vjen si rezultat i kësaj eksperience.

Blerina Ago* March 13, 2015 13:06
Komento

1 Koment

  1. gjermani i fundit March 14, 16:15

    Te shkosh ne Paris tre dite pa prenotim dmth qenka turizem aventure, te shkosh ne grup me autobus dhe pakete te prenotuar qenka turizem masiv. Te shkosh ne Giza per te pare piramidat eshte aventure, ne Sharm per plazh eshte masiv. Nuk di si quhen ata qe nisen ne grup me bicikleta apo moto nga Holanda e perfundojne ne Turqi, hane c’te gjejne rruges, pa lere ata me camper e roulotte, ketyre u behen vende te posacme, te perfshira ne guidat turistike, ve bast qe ministria e turizmit mund te beje njeqind trajnime jashte dhe te mos ndikoje ne pushtetin lokal per nje vendpushim te tille. Turizem aventure quhet edhe kur burrat e divorcuar ose jo shkojne ne Kube dhe kthehen te ciftuar. Megjithate, per te mos rene ne cinizem une di me siguri aritmetike qe turistet e rastit, ata aventuriere jane shume te vemendshem ndaj shpenzimeve, ata nuk para prenotojne sepse bejne tratativa ne vend dhe momentin e fundit. Jane klasiket e Last minute.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*